Familja sot ka nevojë urgjente për mbështetje reale: politika fiskale pro-familjare, ndihmë për nënat e reja, çerdhe e kopshte të aksesueshme, strehim të përballueshëm, siguri në punë dhe shërbime shëndetësore cilësore. Krahas politikave publike, nevojitet edhe një ndërgjegjësim i ri shoqëror mbi vlerën e jetës dhe të prindërimit, duke filluar që në programet edukative në shkolla. Kriza demografike nuk është vetëm problem ekonomik, është krizë shprese.
Ka një rrugë të vetme për ta shpëtuar kombin shqiptar nga zhdukja: hartimi i një Plani Kombëtar për Ringritjen e Familjes, i diskutuar gjerësisht me publikun dhe i miratuar në Parlament, me masa konkrete dhe të zbatueshme.

- A po hyn Shqipëria në një spirale demografike të rrezikshme?
Familja shqiptare sot po përballet me një nga sfidat më të heshtura, por edhe më dramatike të historisë sonë moderne: -rënien drastike të lindjeve dhe plakjen e shpejtë të popullsisë.
Statistikat e dhjetëvjeçarit të fundit janë tronditëse. Mjaftojnë disa tregues për ta vërtetuar këtë realitet. Në vitin 1990, Shqipëria kishte mbi 3.4 milion banorë. Në regjistrimin e vitit 2001 u zvogëlua në 3.1 milion; në vitin 2015 kishte rreth 2.9 milion. Në regjistrimin e vitit 2023, popullsia e përhershme ra në 2.41 milion, ndërsa sot vlerësohet se nuk është më shumë se 2.2 milion banorë.
Sipas INSTAT-it, në vitin 1990 në Shqipëri lindën 85 490 fëmijë; në vitin 2000, 51 242; në vitin 2024, 28 283; ndërsa në vitin 2025 lindën vetëm 21 425 — afro katër herë më pak se në vitin 1990, pothuajse sa numri i vdekjeve. (!!!)
Nuk ka ndonjë vend në botë (përfshirë edhe ato në luftë) ku brenda 35 vitesh lindjet të bien katërfish. Nga mesatarisht 3.2 fëmijë për grua në vitin 1990, apo 2.2 në vitin 2000, sot kjo shifër ka rënë në rreth 1.5. Pra, çiftet nuk riprodhojnë më as vetveten, duke çuar në plakjen e vazhdueshme të popullsisë. Me një normë fertiliteti (TFR) që në vitin 2025 vlerësohet rreth 1.21 fëmijë për grua, shumë më poshtë se niveli i ripërtëritjes biologjike prej 2.1, Shqipëria po hyn qartësisht në një spirale demografike të rrezikshme. Vlen të theksohet se fertiliteti mesatar në Europë është rreth 1.38 lindje për grua, pra më i lartë se në Shqipëri. Nëse ky trend vazhdon, deri në vitin 2050 vendi rrezikon të mbetet me rreth 830 mijë banorë sa kishte para 103 vitesh, në regjistrimin e vitit 1923. Kjo nuk është thjesht statistikë. Është kambanë alarmi për ekzistencën tonë si shoqëri. Janë shkolla që mbyllen nga mungesa e nxënësve, fshatra, që boshatisen, qytete që plaken, treg pune pa të rinj dhe një sistem pensionesh pa kontribues. Është një Shqipëri që humbet gradualisht frymën e saj jetike. Pas këtyre shifrave fshihen histori reale: -çifte që hezitojnë të sjellin fëmijë për shkak të pasigurisë ekonomike; -të rinj që emigrojnë dhe nuk kthehen më; -gra që shtyjnë amësinë për shkak të kushteve sociale; -familje që jetojnë mes stresit financiar dhe mungesës së mbështetjes institucionale. Kostoja e jetesës, banesat e paarritshme, pagat e ulëta dhe mungesa e politikave serioze familjare po e bëjnë prindërimin gjithnjë e më të vështirë. Fëmijët nuk janë barrë,
janë shpresë. Janë vazhdimësi. Janë kapitali njerëzor pa të cilin asnjë zhvillim ekonomik nuk ka kuptim. Pa breza të rinj, nuk ka prodhim, nuk ka inovacion, nuk ka kulturë, nuk ka kujtesë kolektive. Të ardhmen nuk e trashëgojmë ; e ndërtojmë. Dhe e ndërtojmë duke rritur brezat që do ta vazhdojnë. Le të mos lejojmë që heshtja demografike të bëhet fati ynë.
- Situata demografike sot në Europë.
Edhe vendet europiane po përballen me një realitet të hidhur demografik. Shumica e vendeve të kontinentit (përfshirë edhe vendin tonë) për vitin 2025 raportuan më shumë vdekje se lindje.
Bazuar në të dhënat më të fundit të disponueshme nga Eurostat dhe institute homologe, nga 27 vendet e BE-së, 20 prej tyre kishin më shumë vdekje se lindje , një prirje që është konsoliduar vitet e fundit. Shkaqet kryesore janë dy: plakja e popullsisë dhe lindshmëria e ulët.
Për të mos e rënduar shkrimin me shumë statistika, po përmend vetëm gjashtë vende kryesore:
- Italia – Në vitin 2024 pati rreth 281 000 më shumë vdekje se lindje.
- Greqia – Në vitin 2024 raportoi 68 467 lindje dhe 126 916 vdekje (58 449 më shumë vdekje se lindje).
- Franca – Në vitin 2025 regjistroi për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore më shumë vdekje se lindje.
- Gjermania – Në vitin 2024 raportoi 677 117 lindje dhe 1 007 758 vdekje.
- Spanja – Në vitin 2024 raportoi 322 034 lindje dhe 439 146 vdekje.
- Belgjika – Në vitin 2024 raportoi 110 785 lindje dhe 111 311 vdekje.
Siç shihet, edhe në Europë kultura sociale e ka shtyrë martesën dhe fëmijët në plan të dytë, duke sjellë tregues tronditës të fertilitetit. Mesatarja e lindjeve për grua në BE ka rënë nga 1.46 në vitin 2022, në rreth 1.34 në vitet 2024–2025, -shumë larg nivelit të ripërtëritjes biologjike prej 2.1.
- Ka një rrugë për ta shpëtuar kombin shqiptar nga zhdukja.
Familja ka qenë gjithmonë shtylla morale dhe shoqërore e kombit shqiptar. Sot ajo ka nevojë urgjente për mbështetje reale: politika fiskale pro-familjare, ndihmë për nënat e reja, çerdhe e kopshte të aksesueshme, strehim të përballueshëm, siguri në punë dhe shërbime shëndetësore cilësore. Krahas politikave publike, nevojitet edhe një ndërgjegjësim i ri shoqëror mbi vlerën e jetës dhe të prindërimit, duke filluar që në programet edukative në shkolla. Kriza demografike nuk është vetëm problem ekonomik, është krizë shprese. Ka një rrugë të vetme për ta shpëtuar kombin shqiptar nga zhdukja: hartimi i një Plani Kombëtar për Ringritjen e Familjes, i diskutuar gjerësisht me publikun dhe i miratuar në Parlament, me masa konkrete dhe të zbatueshme.
Propozimi im, si prind, gjysh dhe si specialist i vjetër i ekonomisë, mbështetet në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe përfshin tre shtylla kryesore:
- Ndihmë për nënat e reja dhe fëmijët deri në 18 vjeç (shpërblim lindjeje, mbështetje mujore, pagesë raportesh, subvencionim çerdhesh/kopshtesh)
- Ndihmë për familjet e reja (strehim social, garanci punësimi dhe lehtësira fiskale për bizneset)
- Ndihmë për nxënësit deri në 18 vjeç (konvikte, transport falas, mbështetje financiare për libra dhe nevoja jetësore). Le të kemi më pak kilometra rrugë të reja, më pak pallate e kulla të gjata dhe më pak sponsorizime turistike, por më shumë njerëz që e zbukurojnë Shqipërinë dhe nuk detyrohen të emigrojnë… Atëherë do të kemi më shumë shkolla, më shumë të punësuar, më shumë kontribues në sigurimet shoqërore, dhe një të ardhme me shpresë.





















