Lutfi Dervishi: (Ar)miqësia me kanabisin

254
Sigal

Lajmi për legalizimin e kanabisit (për qëllime mjekësore) nuk ka marrë vëmendjen e duhur për shkak të ngjarjeve më të rëndësishme, por duhet thënë se qeveria shqiptare po jep shembullin se si zgjidhen problemet komplekse. Probleme që po shkaktojnë dhimbje koke te qeveritë demokratike, euro-atlantike.

Imagjino një situatë sikur të mos kishim legalizimin e kanabisit. Çfarë do të kishim? Debate dhe diskutime pa fund për të mirat dhe të këqijat e kanabisit. Orë të tëra të çuar dëm në televizione, në Parlament dhe në 20 mijë baret dhe kafetë e Shqipërisë.

Po të mos legalizojmë kanabisin do të kemi ligje pa fund, akte nënligjore, VKM, burokraci, polici, burgje plot, monitorim nga ajri të Guardia di Financa, aksione të RENEAs, kryeplakë në burg, policë që kthehen në korrës të dalluar etj etj. Eshtë e lehtë të bësh rolin e kritizerit, por me legalizimin ulet dhe krimi. Krimi zhduket tamam si ai lepuri që zhduk magjistari në kapele.

Bashkë me krimin ikën edhe tregu i zi. Kush ka nevojë për treg të zi, kur dhënia dhe marrja e kanabisit bëhet e ligjshme. I mbani mend kronikat e ruajtura në kaseta VHS kur luftohej kanabisi? Kjo është e shkuara. E ardhmja është digjitalizimi, ekonomia digjitale, ekonomia në përgjithësi.

Lulëzon ekonomia si me magji. Ekonomia bëhet më e shëndetshme sepse legalizohet paraja. Leku mund t’i thyejë nofullat se dhëmbët ja ka thyer me kohë, euros, dollarit, jenit, paundit dhe madje të gjithëve të bërë bashkë. Ekonomi e shëndetshme do të thotë edhe njerëz të shëndetshëm. Kanabisi dihet që përdoret për qëllime mjekësore.

Me legalizimin e kanabisit, thellojmë edhe bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët dhe shuajmë tensionet që janë shfaqur. Deri më tani ka patur diskutime me Brukselin dhe të tjerët. Mjaft më me negociata komplekse dhe demarshe diplomatike. Me legalizimin jemi krejt në rregull. Edhe një hap përpara drejt BE-së.

Kemi 30 e kusur vjet që luftojmë. Luftë ndaj kanabisit. E ccfarë fituam duke i shpallur luftë një bime krejt të pafajshme dhe sicc po del një bime kurative si kanabisi? Luftë ndaj parave të pista. Po a ka qenie më të drojtur dhe të pafajshme se paraja? Luftë ndaj ndërtimeve të paligjshme. Tritol. Shkretim. Varfëri. Luftë ndaj basteve. Po a bëhet luftë ndaj argëtimit? Një jetë ka shqiptari. Do ta kalojë gjithë jetën duke luftuar njëkohësisht në disa fronte?! Pse të mos provojmë paqen. Aq më tepër na del e na tepron lufta në Ukrainë.

Lufta me kanabisin mori fund. Tek e fundit për këtë luftë u bë edhe një konsultim popullor ku 61% votuan kundër luftës dhe pro paqes. Çfarë do populli, bën qeveria! (tani dikush do të pyes: Po pse nuk bëhet konsultim popullor: a ta rrisim asistencën, a ta rrisim pagën, a ta rrisim pensionin?)

Qeveria tani për tani po kujdeset të shuaj vatrat e konfliktit dhe me një goditje magjike, e gjeti zgjidhjen: jo luftë, por paqe. Amin! /Lutfi Dervishi