Paralele historike
80 vjet pa luftë vështirë se motivohen të japin jetën e tyre për Ukrainën. Ukraina është ‘testi provë’ nëse Rusia do të demokratizohet (jo perëndimorizohet), apo do të rikthehet në stalinizmin agresiv të dikurshëm (totalitarizëm). Unë them se do të gjendet një kompromis paqetues përmes ndarjes: – Secili në shtëpinë e vet!

85 vjet më parë (1938), në Mynih të Gjermanisë u mbajt një Konferencë mes katër të Mëdhenjve të kohës – Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Angisë, ku Hitlerit iu pranua si legjitime kërkesa për aneksimin e Rajonit të Sudeteve (Çekosllovaki), një rajon me popullsi gjermane (rreth 3 milion), pjese deri atëhere e shtetit çekosllovak. Ngjashmërisht me këtë është sot situata në Ukrahinë, ku Putini e ka bërë fakt të kryer aneksimin e pjesës lindore të saj me popullsi kryesisht ruse, dhe kërkon që këtë realitet ta njohin edhe Fuqitë perëndimore.
Hitleri e quante legjitime kërkesën e tij për t’i bashkuar të gjithë gjermanët nën të njëjtin Rajh (shtet), ngjashmërisht me Putinin sot që kërkon t’i bashkojë të gjithë rusët, jashtë territorit të Federatës ruse, nën të njëjtin shtet. Aso kohe, Anglia, që udhëhiqte botën, e quante të natyrshme një kërkesë të tillë të Hitlerit dhe ia plotësoi atë në Mynih.
A është sot Ukraina në rolin e Çekosllovakisë të djeshme, dhe Dombasi me pjesën lindore të saj, Sudetet e djeshme? Kush konsiderohet për Perëndimin, Dancingu (vija e kuqe) që Moska nuk mund ta kalojë – lumi Deniepër, apo qyteti Odesa në Detin e Zi?
Këto do t’i përcaktojë një Mynih i ri, ku Putini do të ketë mbështetjen e Kinës (si Hitleri -Musolinin) dhe Aleatet (NATO) do të njohin si fakt të kryer gjendjen e luftimeve në teren, ku Ukraina do të ndahet, mes Rusisë dhe NATO-s.
Në konferencën për shtyp të fundvitit ministri i jashtëm veteran i Federatës ruse, Sergei Lavrov, ndër të tjera tha: “Perëndimi kërkon një Rusi të dobët, të shpërbërë, vasele ndaj tij dhe kjo është arsyeja që ai ka ndërmarrë aktualisht një qëndrim armiqësor ndaj nesh”. Nëse do të isha i pranishëm si gazetar do t’i bëja këtë pyetje: – Çfarë kërkon Rusia nga Perëndimi?
Mbas L2B Stalini, për të fshehur synimet e tij grabitqare ndaj fqinjëve të vet, thoshte se siguria e Rusisë garantohet vetëm nga prania e shteteve kufitare “miq” dhe me këtë nënkuptonte vendosjen aty të regjimeve prosovjetike, vasale ndaj saj, ashtu sikundër edhe ndodhi fill pas lufte (1948), kur rusët u renditën si fitimtarë të saj. Perëndimi nuk u pajtua me këtë qasje për katër dekada, ndonëse fuqia atomike ruse ia imponoi atë, por fill pas viteve ’90-të, kur këto vende fituan lirinë për të përcaktuar vetë sesi do të zhvilloheshin dhe mbroheshin ai i përkrahu duke inkurajuar futjen e tyre në BE (ekonomia) dhe në NATO (siguria).
Sot me Putinin po ndodh e njëjta gjë: Ai e sheh garancinë e sigurisë të Rusisë nga prania e shteteve “miq”, pra vasale dhe satelite të Moskës, siç ka vepruar me Bjellorusinë dhe disa prej republikave aziatike, dikur pjesë e ish Bashkimit Sovjetik. Prandaj ai i kërkon Perëndimit t’i njohë një “Zonë influence” që e quan legjitime, ndonëse është i lirë të depërtojë dhe konkurojë në ekonomitë e tyre, gjë që fatkeqësisht, nuk është i aftë ta bëjë (shet vetëm gazin dhe disa lëndë të para që ia ka falur Zoti).
Perëndimi, përkundrazi, kërkon një Rusi normale, demokratike, ku populli rus të arsimohet e kulturohet për të realizuar në praktikë demokracinë (jo atë formale), duke iu larguar traditës të vet disa shekullore perandorake, autoritare dhe totalitare, pa pretendime territoriale ndaj fqinjëve të vet, të cilët duhen lënë të lirë ta zgjedhin vetë rrugën e tyre të zhvillimit dhe sigurisë kombëtare.
E vetmja gjë që ka ndryshuar në këto 85 vjet është fakti se në lojë kanë hyrë armët bërthamore, të cilat i bëjnë palët në konflikt të mendohen mirë për pasojat shkatërimtare, si dhe fakti tjetër që brezat e rinj që kanë 80 vjet pa luftë vështirë se motivohen të japin jetën e tyre për Ukrainën.
Ukraina është ‘testi provë’ nëse Rusia do të demokratizohet (jo perëndimorizohet), apo do të rikthehet në stalinizmin agresiv të dikurshëm (totalitarizëm). Unë them se do të gjendet një kompromis paqetues përmes ndarjes: – Secili në shtëpinë e vet!




















