Jo, zoti Edi Rama!

806
Hajro Limaj (Kolonel R*

Erdogani nuk është partner strategjik, por kërcënues i shtetit demokratik, ligjor dhe laik i Shqipërisë. Marrëdhëniet e tua personale me Erdoganin, të cilat po shqetësojnë Evropën dhe Amerikën nuk mund të jenë marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë me Turqinë. Turqinë dhe shtetin turk duhet t’i ndash nga politikat e rrezikshme të Erdoganit për sigurinë e Botës Shqiptare. Ne flasim si ekspertë të mirëfilltë të politikave të sigurisë dhe jo si diletantë apo si partner personalë të askujt. Për ne janë të shtrenjta interesat e Atdheut, të Kombit, të cilat politikanë në historinë e tyre i kanë shitur shumë herë. Shqiptarët kërkojnë dhe duan Amerikën dhe Evropën si partnerë kryesorë strategjikë dhe jo Erdoganin që shkatërroi shtetin demokratik, ligjor dhe laik të Turqisë të krijuar nga Ataturku, i cili deklaronte “Fytyra jonë është drejt Evropës … “. 

Z.Kryeministër Rama, përshëndetje, 
ndoqa me kujdes intervistën tuaj në lidhje me marrëdhëniet me Erdoganin. Në përcaktimin e aleatëve dhe partnerëve strategjikë ka përcaktime të pa diskutueshme. Ne duhet të ndajmë përfundimisht dashamirësinë e popullit dhe shtetit turk nga politikat e Erdoganit sepse: 

1. Deri në vitin 2002, periudhë në të cilën Turqia u drejtua nga Turgut Ozali, Demireli, Çilleri, Mesut Jellmazi dhe Eçevit, elita politike turke e arsimuar e gjitha në Gjermani dhe në Amerikë, marrëdhëniet dypalëshe mbërritën në nivelet më të larta politike dhe ushtarake, të cilat u shprehën në mbështetjen e këtij shteti për kapërcimin e krizës së vitit 1997, në Shqipëri dhe çlirimin e Kosovës në vitin 1999. Deri në ato vite Turqia ishte “shtet demokratik, ligjor dhe laik ” me një unitet kombëtar dhe mirëkuptim të plotë me Amerikën, Bashkimin Evropian dhe krah i fuqishëm i të gjithë Perëndimit në rajonin e Lindjes së Mesme. Këto vlerësime unë i kam trajtuar realisht në librin “Midis Ankarasë dhe Tiranës 1990-2000”, kohë në të cilën unë isha një nga aktorët kryesor në bashkëpunimin dypalësh.

2. Politikat e brendshme dhe të jashtme të Erdoganit janë krejtësisht të kundërta me të paraardhësve të tij. Ai shkatërroi në thelb shtetin ligjor, demokratik dhe laik. Është parti fetare. Pra, shteti drejtohet nga feja dhe nga 300 mijë numrin e nxënësve në shkollat radikale fetare e ngriti në 1 300 000. Futi shamitë dhe perçet në të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë edhe ushtrinë. Mendimi ndryshe dhe shprehja e lirë kanë marrë fund dhe garnizonet e Ankarasë janë kthyer në burgje për elitën politike, shkencore dhe ushtarake të vendit. Ai për Shqipërinë përbën kërcënim për vazhdimësinë e shtetit demokratik, ligjor dhe veçanërisht laik, ku për t’i shkatërruar këto po investon dukshëm dhe nën tokë. Ai në platformën e tij politike ka të shprehur pushtimin e Botës shqiptare nëpërmjet politikave neo-otomane, për të cilat ditët e fundit u shprehën hapur presidenti Francës, Kongresi Amerikan dhe shumë analistë strategjikë. Erdoganit Evropa i mbylli të gjitha dyert dhe dritaret, për pasojat e rënda që i ka sjellë këtij vendi dhe këtij shteti. Edhe në raportin e fundit Turqia, ashtu si Rusia vlerësohen si kërcënues të Ballkanit Perëndimor. Në goditjen që mori Kosova përfshihej edhe deportimi i kundërligjshëm i 6 mësuesve turq të kolegjeve, vend në të cilin u shkelën të gjithë ligjet për të drejtat e njeriut dhe konventat ndërkombëtare. Erdogani, çdo opozitar e ka shpallur terrorist. 

Z. Kryeministër,
Edhe me hapjen e negociatave Shqipëria do të monitorohet jo më pak për konsolidimin e shtetit demokratik, ligjor dhe laik. Nëse juve vazhdoni të thelloni marrëdhëniet me Erdoganin, problematikun e Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, i cili nga Turqia me fytyrë drejt Evropës është kthyer drejt Putinit, Iranit dhe Kinës vendi ynë do të ketë pasoja të rënda. Ai ka krijuar trekëndëshin Ankara-Moskë -Beograd si asnjë herë në historinë e Turqisë dhe nga ana tjetër kërkon të diktojë trekëndëshin Erdogan -Rama-Thaçi për të realizuar qëllimet e tij ekspansioniste në Ballkanin Perëndimor me Putinin.

Drejtori në Instituti Politikave të Sigurisë Kombëtare
Sigal