Janusz BUGAJSKI/Çfarë mendon Uashingtoni?

569
Sigal

“Axhenda e vështirë e Sekretarit Kerri”

 Presidentët amerikanë gjatë mandatit të tyre të dytë në pushtet kanë pasur më shumë elasticitet dhe nuk tregohen të përmbajtur në politikat e jashtme. Barak Obama s’ka pse të jetë më i përqendruar në zgjedhjet e ardhshme dhe mund të vërë në jetë iniciativa që lënë trashëgimi afatgjatë. Sekretari i sapoemëruar i Shtetit, Xhon Kerri, do jetë “administratori” në zbatimin e axhendës së gjerë të Obamës në mandatin e dytë. Ai përballet me disa sfida të njohura, si edhe me disa kriza që po shfaqen. Pak ditë pas emërimit të Kerrit, u rishfaqën dy probleme të ngutshme: kërcënimet bërthamore të Koresë së Veriut dhe Iranit. Peniani po përgatitet për testime bërthamore, pavarësisht dënimit të gjerë nga ana e ndërkombëtarëve. Sanksionet kundër Koresë së Veriut nuk po japin efekt, ndërsa një sulm paraprak i SHBA-ve ndaj godinave të saj bërthamore mund të rindizte një luftë të re me Korenë e Jugut. Një alternativë do ishte hapja e dialogut me Penianin dhe ofrimi i përfitimeve politike dhe ekonomike që do shtynin programin bërthamor. Megjithatë, në fund, nëse regjimi nuk rrëzohet, mundësitë e përballjes ushtarake me Veriun do përshkallëzohen në mandatin e dytë të Obamës.

Një situatë e ngjashme ekziston edhe për armët bërthamore të Iranit. Zv/presidenti Xho Baiden kohët e fundit ka hedhur si ide mundësinë e bisedimeve direkte me Teheranin për programin e tij bërthamor. Obama ka shmangur një dialog të tillë që të mos duket i dobët ndaj diktaturave. Kerri do ketë më shumë mundësi veprimi në përballjen me disa regjime anti-amerikane.

Obama do të lërë edhe një trashëgimi pozitive në konfliktin izraelito-palestinez duke iu afruar një zgjidhjeje dyshtetërore pa kërcënuar sigurinë e Izraelit. Kjo mund të jetë detyra më e vështirë e Kerrit, ndërsa të dyja palët minojnë herë pas here marrëveshjet e qëndrueshme dhe Uashingtoni nuk ka arritur të imponojë një paqe më afatgjatë. Megjithatë, Obama mund të ndihet më pak i kufizuar në kërkimin e kompromiseve dhe zgjidhjeve gjatë mandatit të tij të dytë.