Ilmi S.Qazimi: Viti i Ri! Sa shumë reklama e mashtrime, aq pak gëzime!

42

“Drejtoresha që është punësuar nga forcat militante të partisë demokratike nuk lejon që në korridoret e shkollave të afishohen emra dhe foto dëshmorësh të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare; ndërkohë që kryetari i bashkisë i kësaj force politike vendos që t’ia ndryshojë emrin e shkollës. Heq emrin e dëshmorit dhe vendos emrin e një diversanti të dënuar me vdekje nga ligjet e pushtetit”

Sigal

/Telegraf.al/ Xha Polikroni, një pensionist që ka shërbyer në sistemin arsimor për tërë jetën e tij më tregonte të nesërmen e vitit të ri, episodin e mëposhtëm. “Ja na erdhi viti i ri,/ unë s’ jam i gëzuar”/ ”porsi unë dhe gjithë fëmijtë,/ s’kanë për ta festuar”-kështu  po e recitonin me zë këngën aq të bukur të  kompozuar në vitet e socializmit  në Shqipëri dy nxënës të  klasës së  nëntë të një nëntëvjeçareje të Tiranës më datën 30 dhjetor 2023 në trotuarët  përreth ndërtesës së shkollës. Më lejoni të rikujtoj vetëm këto dy rreshta origjinale të asaj kënge-himn hareje e lumturie:” “Ja na erdhi viti i ri,/ sa jam i  gëzuar” ,/”porsi unë dhe çdo  fëmijë,/ pret për ta festuar”. Kjo formë e përmbysur e këngës që porsadëgjuat nga dy nxënësit e sotshëm, nga optimiste në një pesimizëm të skajshëm, më befasoi dhe më rëndoi. I dëgjova krejt rastësisht dhe duke qenë ballas me ta i përshëndeta “Mirëdita djema!” Dhe ata m’u përgjegjën”Mirëdita Gjyshi!” Unë vijova: “Po pse more djem të mirë e kini deformuar këngën sa të vjetër aq të bukur?” Njëri syresh më tha- “Ik o gjyshi se nuk di gjë ti!” Kurse tjetri duke ecur me hapa të shpejta pyeti: -A i ke pirë ilaçet sot, o gjyshi? I regjur me batuta e fyerje, ua ktheva: -E festofshi sa më gëzueshëm vitin e ri me prindërit tuaj!”-paçka se ata më kishin kthyer kurrizin. Kishin të drejtë apo nuk kishin të drejtë dy adoleshentët për sjelljen ndaj gjyshit, le ta gjykojnë dhe të motivojnë ‘psikologët’ e shkollave të këtij niveli, por  në këndshikimin e një intelektuali të moshuar që jetoi tërësisht sistemin e diktaturës së proletariatit, ky rast është treguesi më i dukshëm e më i qartë që argumenton, sadopak, se sa poshtë ka rënë edukimi dhe mësimi në shkollat tona. Se si është katandisur gjëndja morale e psikologjike e brezit të ri në këto vite postkomuniste. Kjo vërteton se sa shumë keq ndikojnë tek fëmijët  e sotëm media vizive dhe celulari, deputeti dhe shtetari.Tani, së fundmi, fëmijëve po ua “rrëmbejnë virtualisht” trutë duke i edukuar atyre mposhtjen e aftësive dijethithëse dhe intelektit kompleks të lindur apo të kultivuar, prej së ashtuquajturës “inteligjencie artificiale”. Ka arritur puna deri atje sa mësuesja e letërsisë nuk mund të dallojë nëse atë hartim që ajo po korrigjon si detyrë shtëpie e nxënësit, e ka bërë nxënësi me mendjen e tij apo ia ka bërë gati ‘intelegjencia artificiale’? Dhe këtu del menjëherë përpara fjalia e ‘pafajshme’ si piketë rreziku rrugor e kryetarit të qeverisë sonë: “Dale, dale se nuk kini parë gjë akoma!?” Por le të kthehemi te sistemi arsimor i sistemit socialist që u përmbys në vitet 1990 nga ‘demokracia’ amerikane e zbatuar këtu tek ne nga më i zellshmi shqiptar kryetar qeverie i shitur tek të huajt, Sali Berisha për ta vijuar të tjerët më pas. Për gjatë tërë  45 viteve të socializmit shkollat kishin ecuri vetëm mbi bazën e një abetareje, dhe tërë tekstet mësimore të unifikuar për tërë shkollat e republikës; në bazë të një programi, në trekëndshin mësim-edukim-punë prodhuese e stërvitje ushtarake. Tërë çka zhvillohej nën kontrollin e rreptë e të përditshëm të të gjithë hallkave shtetërore nga kryeministri Mehmet Shehu ( i cili drejtoi 28 vjet, dhe ishte vetë një nga specialistët më të lartësuar të arsimimit  dhe edukimit) dhe tërë  shkallët e hierarkisë arsimore  gjer te mësuesi kujdestar madje edhe  deri tek portieri i shkollës. Asgjë nuk bëhej pa bashkëvepruar me familjen e nxënësit dhe me organizatat e masave.

“Nuk na duhen as urimet e as tallavatë e ndonjë ministri apo të vetë kryetarit të qeverisë nëpër ekrane televizive, feisbuk, tik-tok e gjetkë! Na duhen masa konkrete edukimi, punësimi, mirëpagimi të të rinjve. Prej qeveritarëve na jepen njoftime ‘brilante’, realisht mashtruese e false, për zhvillimin ‘epokal”


Fjala e partisë së vetme ishte vendimtare. Po tani? Drejtoresha që është punësuar nga forcat militante të partisë demokratike nuk lejon që në korridoret e shkollave të afishohen emra dhe foto dëshmorësh të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare; ndërkohë që kryetari i bashkisë i kësaj force politike vendos që t’ia ndryshojë emrin e shkollës. Heq emrin e dëshmorit dhe vendos emrin e një diversanti të dënuar me vdekje nga ligjet e pushtetit të asaj kohe me akuzën se u hodh me parashutë nga imperialistët amerikanë edhe shovinistët serbë për të organizuar përmbysjen e pushtetit popullor. Këto, të këtij kryetari bashkie dhe asaj drejtoreshe, janë akte vandalizmi, antikombëtare, por qeveria e forcave të majta, e cila drejton Shqipërinë, me sukses prej mbi dhjetë vite, pra edhe arsimin e brezit të ri, jo vetëm që nuk i korrigjon këto ‘gabime’, por i inkurajon me heshtjen e saj më tepër se antikombëtare. Nuk duam të kthehemi te acarimi i luftës klasore, por t’iu themi të rinjve të vërtetën historike e kemi detyrë parësore për tërë jetën. Kënga në fjalë tregonte një realitet historik të të gjithë popullit shqiptar, përfshi edhe fëmijët e atyre viteve. Përse synohet që të kthehet përmbys?! Ishte ai sistem arsimor që nxori aq shumë intelektualë madje edhe shkencëtarë të të gjitha fushave, që punuan dhe arritën transformimin rrënjësor të Shqipërisë nga 80% analfabet në vend, me arsim të mesëm të detyruar dhe të lartë të vlerësuar ndërkombëtarisht. Ishin ata që i siguruan katër milionë shqiptarëve bukën në vend, dritën elektrike në çdo skaj dhe ujin e pjishëm në çdo fshat. Ishte ai sistem, kur këndohej ajo këngë që arriti një siguri reale jetese për të gjithë banorët, mbrojtje të fuqishme, kulturë dhe zhvillim të gjithanshëm shpirtëror. Vitet ikin si lumi dhe ja erdhi edhe viti i fundit i çerekut të shekullit 21. Po bëhen afër 35 vjet sistem kapitalist, por brezi i ri, në vend që të shtohej e forcohej duke punuar për zhvillimin e vendit ku lindi, është pakësuar fatalisht shumë. Edhe ata që jetojnë e punojnë këtu janë si të atrofizuar. Nuk bëhet më fjalë për atdhe, Shqipëri, familje, moral njerëzor, por për parà dhe qejf! Faktet që shumë nga studentët e shkollave të larta nuk duan të vënë në jetë dituritë e tyre të marra nga universitetet tona, këtu për begatimin e Shqipërisë- është tregues i punës së dobët deri armiqësore të partive  përçarëse, të qeverive tona antikombëtare. Logjikisht është e pamundur që vendi ynë t’i shpëtonte sulmit gllabërues globalist imperialist, por politikat e qeverive tona mund dhe duhej ta kishin zbutur atë duke stimuluar zhvillimin dhe pagën, disiplinimin dhe organizimin e sistemit të arsimim-punësimit. Qeveritë tona postkomuniste mbajnë përgjegjësi ligjore’që ia kanë varur fare edukimit atdhetar, shqiptar dhe njerëzor. Nuk na duhen as urimet e as tallavatë e ndonjë ministri apo të vetë kryetarit të qeverisë nëpër ekrane televizive, feisbuk, tik-tok e gjetkë! Na duhen masa konkrete edukimi, punësimi, mirëpagimi të të rinjve. Prej qeveritarëve na jepen njoftime ‘brilante’, realisht mashtruese e false, për zhvillimin ‘epokal’, të shpejtë madje këtë vit kryetari ynë Edi Rama, e quajti “viti më i  mirë i  Shqipërisë!” Po pse, thoni ju!? Ngase në këtë vit këtu, në territorin e shtetit shqiptar të Shqipërisë, kanë hyrë dhjetë milionë njerëz si turistë!? Ku e ke shifrën e prodhimit bujqësor? Po ato industrial, artizanal, kulturor, arsimor dhe atë të mbrojtjes së mjedisit e të mbrojtjes së vendit? Pse nuk flet për to? Mburret ministri i brendshëm se këtë vit ‘janë burgosur shqiptarë më shumë se vjet’, se janë ‘ekstraduar më shumë të burgosur’, se vitin që shkoi. Kurse dikur në sistemin socialist, po kjo ministri si institucion, raportonte sa krime kishte parandaluar, sa banorë ishin mirëedukuar për t’u rikthyer në shoqëri të pastruar nga veset, pa u dënuar me burg. Mburret kryeministri se u dha pensionistëve pesë mijë lekë për vit të ri(!), duke u prezantuar si qeveri e lëmoshave. Turp! Ngado shohim e dëgjojmë mashtrime, vjedhje, arrestime, reklama zbukuruese, ekzagjerime, deformime morale, nota pesimiste, rritje çmimesh, ngritje taksash, ritaksime. Po ku është respekti për njeriun e punës? Respekti për fshatarin-tani i thonë gabimisht fermer-as që duket kund! Respekti për mësuesin është zbehur dhe transformuar keqas.  Përse të mos punojmë ashtu siç bëjnë ata që e duan kombin, vendin, njeriun? Edhe pse Gjermania ‘nuk punon se ka milionat e emigrantëve ‘shërbyes të saj’, prapëseprapë ja dëgjoni se çfarë tha, ndër të tjera, kryetari gjerman Olaf Scholz në prag të vitit të ri 2024: “Ne jemi të fortë edhe sepse e dimë që çdo individ është i nevojshëm, që nga studiuesi i nivelit më të lartë, deri te infermierja, polici dhe postieri”. Dhe e mbylli me fjalët: “Nëse e kuptojmë këtë, nëse e trajtojmë njëri-tjetrin me këtë respekt, atëherë nuk ka pse të kemi frikë nga e ardhmja!”