Ilmi S. Qazimi: Vatani, veterani, dhe virtyti i zhvlerësuar

-Përse kryetari i qeverisë tallet me pensionistët?

Veterani më telefonoi: ”Të lutem hajde që të shkojmë tok në homazhin për të ndjerin veteranin Dalan Buxheli.” U takuam, shkuam, e kryem detyrën njerëzore e shoqërore. Djemtë dhe vajza e njeriut të ëmbël e të paqëm, 94 vjeçarit Dalan Buxheli, pasardhës të familjes me katër dëshmorë, e vlerësuan jashtë mase gjestin e ish-partizanit skraparlli Qemal Hysen Bego dhe i uruan atij jetë sa më të gjatë edhe pse ky, me pakëz humor, u tha se e kishte realizuar planin e viteve…Duke u kthyer, gjithnjë në këmbë, e pyes për pensionin që merr. Më thotë: “gjithsej 34 mijë lekë nga të cilat 3400 i kam nga ato të partizanllëkut!” U befasova shumë por …

Sigal

Kush është veterani Qemal Hysen Bego?

Ai po shkon me hapa të guximshme drejt moshës 98 vjeç, sepse ka lindur në Çepan, në mes vitin 1926. I gjatë, shtatdrejtë, me thinja të fisnikëruara, fjalë pak dhe i veshur thjeshtë. Kostum pa kollare. Ecën pa shkop. Nuk mban kapele. Nuk vesh kapotë. Lexon pa syze. Dëgjon pa aparat. Flet lirshëm, qartë, me logjikë të fuqishme dhe flet pak. Më shumë dëgjon. Nuk jep këshilla shumë, por ato që thotë çdokënd e bëjnë të mendohet. Në sytë e tij shkrepëtijnë xixa lumturie: iu gëzohet shumë nipërve, djemve të djemve të djalit që ka këtu në Shqipëri. Del thuajse përditë me vëllain e vetëm, sepse gruaja dhe motra i janë ndarë nga jeta. Por më shumë del me shokët pensionistë të pallatit e të lagjes. Ata kanë qenë oficerë, mjekë, ekonomistë dhe janë të gjithë nën moshën 90. Është thuajse gjithmonë në rast vakije apo gëzimi në qytetin e Tiranës dhe kur shkon në Berat, i bën tërë qokat e duhura. Ai ka provuar shumë vuajtje, andrralla, hidhërime, por edhe sadopak gëzime në këtë segment tepër të gjatë kohor prej thuajse një shekulli. Në kohën që duhej të vendoste të zgjidhte: o kurbetin, o atdheun, o pushkën, o parmendën, o qëndrimin e mekur në hi, o luftën partizane për liri, ai zgjodhi udhën e fundit. Dhe nga shtatori 1943 deri dhjetor 1945 ishte partizan. U dallua dhe u dekorua në luftë e pas lufte për trimëri. Mirëpo jeta e mësoi se armiku s’është vetëm ai që të pushton vatanin, as vetëm ai që tradhton idealet, por edhe miku yt më i afërt. Letrat anonime s’e lanë rehat. Por ai nuk u tremb aspak. E caktuan të punonte oficer, referent bujqësie, topograf, punëtor e, më pas, kryetar kooperative bujqësore, në një nga më të vështirat e kohës, në qarkun e Beratit. Këtu ai gjeti vetveten me këto cilësi të rralla të tij: punë e ndershme duke udhëhequr me shembullin personal; disiplinë të rreptë kudo dhe mbështetje tek njerëzit e punës. Ishte vlerësuar si trim në luftë, me tre dekorata, tani meritoi potësisht dekoratën si trim në punë, duke iu akorduar titulli më i lartë “Hero i Punës Socialiste”. Është një ndër trembëdhjetë heronjtë e punës socialiste të rrethit të Skraparit. Katërmbëdhjetë vjet kryetar ai ishte plotësisht i shkrirë me kooperativistët dhe specialistët, që i donte dhe i respektonte pa masë. Më në fund e caktuan të drejtonte mekanikën bujqësore të një rrethi të tërë, që rrezatonte në gjithë Shqipërinë e mesme. Edhe këtu me nder e përkushtim. Deri sa doli në pension. Aktivizohet gjerësisht si veteran i Luftës Antifashiste NacionalÇlirimtare të popullit shqiptar, që nga viti 1994 dhe shqetësohet për gjallërimin e jetës së kësaj organizate. Lexon e koleksionon shkrime, gazeta, fotografi, që ruajnë idealet e luftës e të punës; aktivizohet në Organizatën për Dëshmorët e Atdheut. Merr pjesë rregullisht në aktivitetet e shoqatës “Tomorri” dhe veçanërisht jep ndihmesë të gjithanshme në shoqatën “Çepani”. Kërkoi me këmbëngulje që të vinte në 80-vjetorin e çlirimit të Skraparit, ashtu siç kish qenë në tërë përvjetoret jubilare të asaj date historike. Erdhi, mori pjesë në të gjithë veprimtaritë dhe u kthye shumë i kënaqur në Tiranë, i gatshëm për aktivitete të tjera atdhetare, historike, kulturore. Nuk i pëlqejnë aspak postet, lëvadatat, elozhet. I ka shumë inat servilët, gënjeshtarët dhe ata që ngulin thikën pas shpine. Ai ecën krenar, me trupin drejt. Flokët e thinjura krejtësisht i mban të shkurtra dhe të krehura lart, këpucët e mbath gjithnjë të lustruara, duart nuk i fut kurrë në xhepa. Nuk pi duhan. Edhe rakinë e ka rralluar shumë. Një herë në javë shkon tek zyrat e komitetit të veteranëve dhe merr gazetën “Kushtrim Brezash”, në të cilën abonohet çdo vit dhe e ‘këndon’ në çdo rresht. Ai lexon rregullisht edhe gazetën “Dita” se ” më  pëlqejnë shkrimet që thonë të vërtetën dhe urrej gënjeshtrat e politikës”-shprehet thjesht. Për çdo ditë ai lëviz në këmbë, si dikur nëpër male e shkrepa me partizanët e brigadës së dhjetë sulmuese, me dyfek në krah e nëpër luftime kundër gjermanëve, fashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendas; e më pas kur nuk i zinin këmbët dhé nëpër arat e kooperativës bujqësore të Kutallisë; më vonë  nëpër fushat ku punonin kombajnat e traktorët…Lëviz nga kodrat e Liqenit të Tiranës me një apo dy shokë të tij të luftës e të punës , të cilët, ah, çdo vit e më tej po rrallohen. Ai megjithatë, e mposht trishtimin dhe vijon lëvizjen. Para disa vjetësh atij iu nda nga jeta e shoqja, Ferideja. Dhimbjen për njeriun e shtrenjtë, aq të mirë e të urtë, mikpritëse e punëtore,që pati shok jete, e kapërceu me pjesëtarët e familjes, miqtë e shokët e shumtë, por nuk u tkurr.”E kush ka mbetur mbi dhé? Puna është që të vdesësh me nder”-thotë ai. Për çdo javë merr në telefon nipërit e strënipërit, që jetojnë në fshatin  Çepan, ku ai lindi në vitin  e zymtë 1926. Sipas një ‘plan-kalendari’  kontakton në telefon me të gjithë miqtë, shokët e shoqet në Berat, Kutalli, Donofrosë, Dimal (atëkohë quhej Ura Vajgurore), Kuçovë. Po ashtu nuk lë pa folur në telefon asnjë nga shokët e shoqatës atdhetare kulturore “Çepani”, për të cilën ishte një nga nismëtarët, që i pyet për shëndetin, hallet, punën. Sistemon të gjithë dorëshkrimet dhe  fotografitë e jetës së tij që nga ajo  kur ishte partizan 14 vjeçar, ajo kur kryente detyrën e nëntogerit për kapjen e diversantëve, ato me udhëheqësit e shtetit e të partisë së vetme si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Spiro Koleka etj., por më shumë i dhëmb shpirti për shokët. “Po shfletoja albumin e luftës, më tregoi para ca ditësh në telefon, dhe vura re se pak shokë kanë mbetur. Ja edhe Anastas Arbri, na iku…dhe mua nga zëri i tij m’u duk sikur i shkau një lot. E pyes për situatën e kovid-19 dhe ai përgjigjet shkurt: “është luftë njëlloj si atëhere në vitet 1943-1944, veçse tani nuk ka armë, ka vetëm viruse e ilaçe, …na ka mbyllur e s’takohemi dot, por edhe këtë flamë do ta mundim”, i tingëllon fort fjala në telefon. Ky është Heroi i Punës Socialiste, një ndër të përveçmit e veçantë që lumturisht e kemi midis nesh.

Diçka nga kalvari i kërkesave për pensionin e veçantë.

Dihej që titulli më i lartë “Hero i Punës Socialiste” ishte një dekoratë me një yll të artë dhe nuk kishte honorar shoqërues. I atillë ishte ligji i asaj kohe. Dihet gjithashtu që veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar, shteti i rendit ekonomiko-shoqëror- socialist u akordoi një kuotë simbolike shpërblimi si ish-partizanë, fillimisht ata që kishin dalë në luftë para 10 korrikut 1943 dhe më pas të gjithë ish-partizanëve. Ishte shifra një mijë  lek të asaj kohe. Këtë e mori edhe Qemali. Vijuan indeksimet dhe tani paska arritur 3400 lek me paratë e kohës së tashme, 2023!? Por askush nuk i ka shpjeguar Qemalit përse ka këtë shifër minimale pensioni? Edhe pse ai është krejt i heshtur dhe nuk ankohet, kur tregon se vartësit e tij të asaj kooperative bujqësore ku Qemali shkriu 1/5 e jetës së tij më aktive arritën deri në ministër bujqësie në kohën e demokracisë dhe nuk i folën një herë me gojë- kjo të trishton! Pas vitit 1999 dy herë janë bërë kërkesat zyrtare nga organet përkatëse shtetërore të Beratit që këtij heroi t’i akordohej pensioni i veçantë konformë ligjeve në fuqi, por ‘qeveria Rama’ ka heshtur. Përse vallë? Një herë ai, edhe pse e di që burokracia me kthetrat e saj të korrupsionit, tradhtisë, vjedhjes, mashtrimit, tek ne është ulur këmbëkryq,  vendosi që të shkojë edhe vetë në drejtorinë e sigurimeve shoqërore të Tiranës për një sqarim të mundshëm. Një nëpunës që e priti i premtoi se “do ta shikonte këtë problem” dhe do ta njoftonte. Kanë kaluar tre vjet që nga ajo ditë dhe asnjë lloj shpjegimi, sqarimi, interesimi. Ky njeri-Hero, që simbolizon vetë virtytin më të lartë të atdhedashurisë ngase kur i bëri thirrje vatani në shtator 1943 ai hodhi armën në sup dhe u rreshtua në grupin e Skraparit e më pas në Brigadën e 10 sulmuese, si mund të lihet në harresë? 28 muaj ai ishte pjesëmarrës aktiv, me armë në dorë e në luftime, për çlirimin e Shqipërisë nga nazifashistët dhe sot për këtë sakrificë të shpërblehet vetëm me 3400 lekë?! Ai punoi 41 vjet në sektorë të ndryshëm të mbrojtjes, ekonomisë, administratës shtetërore dhe tani të mos ia hedhë sytë kush? Këto pyetje shtrohen, sepse jetojmë në kohën kur ministrave e deputetëve “qeveria Rama” ua dyfishoi rrogën. Cilat janë vlerat dhe kontributet që i ka dhënë atdheut tonë, ta zëmë si shembull ministri Peleshi, që merr rrogën mujore 318.750 lekë (pra afër katërqind mijë) ndërkohë që ish-partizani, ish-oficeri i vitit 1948, 97 vjeçari veteran lufte, merr 34000 lek? Ai, partizani i 1943-shit, heroi i 1974-ës, veterani i 1994-ës është e mbetet etalon, vërtet i përveçëm ndër të veçantët e rralluar të Shqipërisë tonë. Zemra e tij, prej 97 vjetësh, rreh për vendlindjen, rreh për Shqipërinë. Kontaktet nuk i shkëput kurrë me Çepanin, Kutallinë, Beratin, Shkodrën. Jeton në Tiranë, por i përket gjithë shoqërisë shqiptare edhe pse merr pension minimal të mundshëm.

Qeveria aktuale – institucioni i zhvlerësimit të vlerave kombëtare.

Hipokrizia qeveritare lidhur me pagat shprehet qartë në diskutimin lakonik të kryetarit të saj në parlament:”Nivelet e pagave nuk përcaktohen sipas qejfit. Por, sipas një ekspertize të caktuar. Ka një piramidë pagash. Nuk mund të paguhet presidenti i republikës më pak se një mësues, dhe nuk mund të kemi prokurorë që paguhen më shumë se presidenti”. Asnjë fjalë nuk u tha për pensionistët, as nga kryetari e as nga deputetët. As nga kryetarja e parlamentit! Ndërsa për veteranët as që i shkon kujt ndërmend se ka pasur e ka të tillë. Shqipëria ashtu si tërë bota lindore e perëndimore do të ketë gjithmonë veteranë lufte. Se lufta është bashkudhëtare e imperializmit dhe aktualisht Shqipëria-si vend pa ushtri- nxjerr vetëm ndonjë batalion si mish për top për të vendosur “paqen “në vendet ku urdhëron Amerika e NATO. Sot është dita që ne të ngremë zërin edhe për pensionistët edhe për veteranët edhe për heronjtë. Këta duhet të jenë të parët e jo të mbeten të fundit. Sepse u takon mbasi e kanë marrë këtë vlerë, me luftë, me gjak e me punë e djersë. Ne na drejton një qeveri e korruptuar, me tipare antikombëtare, që jo vetëm nuk i njeh vlerat e kombit, as Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar, as djersën e derdhur për ndërtimin e socializmit në vitet 1945-1990, por i zhvlerëson ato. Jemi nën sundimin e një qeverie që me zellin më të madh po sjell në krye të vendit antivlerat e kombit, tradhtarët, atdheshitësit dhe sahanlëpirësit. Prandaj dalin nga shpirti edhe mallkimet e pensionistëve “Mos u ngopshi! Hajdutë! Ju more ministrat tanë, harram e paçi paranë!”

*

Por veterani hero, me fakte tregon disa nga virtytet, si vlera më madhore njerëzore prej të cilave ai nuk u shmang kurrë në këtë udhëtim të gjatë afër njëqind vjeçar, pavarësisht nga sa u pagua, që janë: “ndershmëri e disiplinë në punë; vetëm thjeshtësi e dashuri për njerëzit; mos harro vendin ku linde dhe atë ku derdhe djersën tënde; mos i shkelmo vlerësimet e kritikat e shokëve!” “Askush nuk e fitoi këtë botë! – thotë ai. ”Lum ai që lë gjurmë të mira në këtë jetë”! Dhe nga lartësia e një shekulli  përvoje, fare thjeshtë e pa bujë  jep porosinë: ”Po të doni të jetoni faqebardhë gjatë jetës suaj, ruani unitetin në familje e në shoqëri, punoni dhe mbroni lirinë e atdheut.”Prandaj njerëz të tillë, si partizani dhe heroi i punës Qemal Hysen Bego, mbeten vlera kombëtare, të cilat fatkeqësisht qeveria jonë i ka nënvleftësuar deri në zhvlerësim.