Çdo problem e ka një zgjidhje. Nuk është kurrë zgjidhje e mirë ajo që imponohet nga njerëzit burgaxhinj apo ish-burgaxhinj,qofshin ‘shtëpijak’ apo të qelisë, kokëmish apo kokëkashtë, të cilët kanë interesa të ngushta personale fitimprurëse dhe për rehabilitim. Më e mira zgjidhje, siç e ka provuar jeta, është ajo që cakton ligji, gjykata,statuti,vendimi kolegjial, morali mbarëshoqëror.

Ishte viti 1957 kur mësuesi ynë i fizikës kur vinte ndonjë nxënës i papërgatitur, i thoshte fjalët: “Po pse nuk ke mësuar, more kokëmish!?” Dhe gjente kohën për t’ia shpjeguar nxënësit deri sa ta kuptonte. Atëkohë ora mësimore konsiderohej e shenjtë.Ne na bënte shumë përshtypje dhe, si të vegjël që ishim, herë-herë mendonim se si mund të ishte kokëmishi!?Por realisht, mësuam prej atij mësuesi se jeta është luftë e madhe dhe e fiton vetëm ai që thith dituri, fal dashuri, punon me ndërgjegje të pastër dhe rrezaton mirësi.
Kaluan vitet dhe ja ku erdhi kjo kohë me plot kuadro, zyrtarë, zorzopë, zuzarë e zokopurë, që kokën nuk e kanë me tru, por me mish. Mishi i këtyre kokave ka edhe aromat individuale e specifike , sipas karriges, makinës, zinxhirit të florinjtë, tatuazhit, telefonit apo vilës me e pa pishinë e qen.Bie fjala,meqë është militant, është caktuar me detyrën e drejtorit. Meqë nuk di ta përdorë kompjuterin-mjeti kryesor i punës në ditët e sotme-, ai iu shmanget shkresurinave. Jep detyra e urdhra me gojë dhe detyron dikë që të shkruajë.Kështu, kjo, më kujton vitin 1946 kur një luftëtar pas fitores mbi nazisto-fashistët e kishin caktuar të shërbente si oficer kufiri. Ai dinte të shkruante e lexonte se kishte mësuar edhe përgjatë luftës kundër pushtuesve, por nuk njihte orën.Dhe, edhe pse ora qe në tavolinën e tij, ai thërriste kapterin që t’ia tregonte!?
Gjithmonë ka pasur e do të ketë njerëz kokëmish, pra persona të trashë nga mendja, që i kuptojnë me vështirësi gjërat, apo nuk i kuptojnë kurrë,por në kohën e sotme është tejet e papranueshme që të kërkosh e të gëzosh post e rrogë të majme pa intelektin e nevojshëm për atë detyrë. Mjafton të jesh servil, i dënuar me burg ose “mik i filanit”. Pra kjo është edhe risia që na ka sjellë teknologjia dhe kapitalizmi. Deputeti, (që vetëm shefi që e ka zgjedhur mund ta dijë se çfarë kokëmishi është), domethënë ligjhartuesi, nuk gjen udhën e zgjuarësisë njerëzore për të argumentuar atë që duhet bërë, por iu vë zjarrin karrigeve!? Iu hedh pluhur syve rojeve të gardës!? Hedh kuti tymuese në sallën e parlamentit.Gënjen hapur dhe me guxim të paparë vijon me vjedhje, sikur po promovon të vërteta universale. Për muaj të tërë shumë e shumë njerëz sa naivë aq edhe lëpirës,shkonin poshtë ballkonit të shtëpisë së S.Berishës. Tani që loja amerikane e nxori nga kafazi, ata thonë se ishin pikërisht presioni i tyre që e detyroi ‘drejtësinë shqiptare’ ta lëshojë të lirë Saliun!? Kokëmishët nuk kanë të sosur.Ata do të jenë të pranishëm përsa kohë sundon antivlera, përsa kohë nuk i gjendet punës njeriu, por njeriut një lloj pune. Kokëmishët nuk janë vetëm meshkuj, por edhe femra.Jo në një sektor, por në tërë arteriet e administratës shtetërore, deri edhe në grupet kriminale ku përdoren si kokëmish për top.Imagjinoni se sa e tmerrshme është për shoqërinë kur merr diplomën e mjekut një kokëmish!? Apo kur një kokëmish është caktuar për të vendosur drejtësinë! Ju kujtohet sesa dëme i solli bujqësisë shqiptare ajo kokëmishja që nuk dinte kur mbillej gruri dhe që donte të krijonte akademinë e blegtorisë!?Por kokëmish i parë ishte ai që e solli aty në atë post. Neise!Deri sa motivi i jetës nuk është t’i shërbesh sa më mirë shoqërisë, por vetëm pasurimit personal me çdo mjet e sa më shpejt;deri sa virtytet janë vyshkur dhe veset quhen virtyte,nuk ka se si të mos shtohen kokëmishët.
**
Tani në fundvitin 2024, në Tiranë, shkova në një dyqan me etiketën anglisht “Meat Shop”, mbi portën kryesore. Po pse nuk e shkruani shqip e pastaj anglisht more njerëz?! Jemi në Shqipëri e jo në Angli, apo Indi!Ja, a nuk është edhe ky një tregues se sa kokëmish janë këtu në vendin tonë,ata që kanë mish po s’kanë kokë?Mendova, se do të ishte ndonjë shitës apo shitëse me shkollë e me gjuhë të huaj.Por,lëre mos e nga! Del një lloj shitësi me kapuçon të zi mbi krye, që, sa e pashë seç më shkoi mendja te fjala e mësuesit tim të mrekullueshëm të shkollës shtatëvjeçare. Kishte kokën, qafën dhe gjoksin të ngjitur thuajse në të njëjtat dimensione.Nuk foli asnjë fjalë, por nga matanë banakut të xhamtë më hodhi një vështrim zhbirilues si turjelë.E përshëndeta dhe e pyeta: ‘A shisni kokë qëngji?’ Ai m’u përgjegj: “gjyshi, ti nuk e arrin dot atë, se koka e qëngjit bën 19 mijë lekë të vjetra”. Pa shprehur habi,me që dyqani ka ngjitur edhe një dyqan që shet mish të pjekur, e pyes përsëri:”E pjekur apo e papjekur?” Ai, hoqi kapuçin e zi që mbulonte kokën në formë kubike dhe vazhdoi në të tijën, jo për të sulmuar apo goditur,por me një të qeshur sarkazmë: “Por ti nuk e di se ne e shesim kokën bashkë me mishin, sepse edhe fshatari ne na i shet qëngjin me këmbë, trup e kokë bashkë. Prandaj ti do të blesh detyrimisht më shumë se një kile mish pa të marrësh edhe kokën bashkë me të. Ik o gjyshi, harroje kokën dhe shih mos merr ndonjë fetë sallam…!”I thashë ‘faleminderit’ dhe u largova. Kisha hasur në një kokëmish pikërisht në dyqanin e mishit!Thashë me vete: ja sa poshtë kemi rënë sa edhe këtu ku shitet mish, punojnë e drejtojnë kokëmishët.Fatkeqësia jonë kombëtare u thellua sapo u atrofizua shkolla, sapo në politikën dhe qeverisjen tonë erdhën disa nga kokëmishët e partive më të forta. Duhet theksuar se sistemi shqiptar arsimor i socializmit, në vitin 1944 e gjeti popullin me mbi 85% analfabet vetëm me 11 shkolla gjithsej. Por puna e paimagjinueshme dhe e gjithanshme e pushtetit popullor (që sot kokëmishët e quajnë ‘diktaturë’) për tridhjet vjet,siguroi bukën në vend dhe zhduku analfabetizmin. Arriti të ndërtonte me funksion maksimal 11 universitete dhe institute. Sot, sa e rëndë është që ta themi(!), nën udhëheqjen e fuqishme te Edi Ramës,jemi kthyer mbrapsht në vitin 1946.Janë shtuar analfabetët realë dhe funksionalë dhe nga ana tjetër ngrihen ndërtesa komode për shkolla dhe shtohen policët e psikologët në ato egzistueset!
**
Por praktika po tregon se kokëmishët qenkan të lidhur ngushtë edhe me shumë nga ata që kanë qenë të dënuar me burg dikur apo këto kohët e fundit.Janë thënë e stërthënë shumë fjalë, fjali, cilësime dhe etiketime për burgun dhe ata që kryejnë dënim me burgim.Edhe kështu do vijojë të thuhen. Risia e këtyre 35 viteve shqiptare kapitaliste është se, në tërësi, personat që janë dënuar me burg, pasi e kanë kryer atë lloj ‘fakultet edukimi’, marrin ose iu jepen poste të larta qeverisëse, admninistrative,drejtuese në shkallët më të vogla deri tek kryeministri. Kjo ecuri është krejt normale për një shoqëri ku nuk ka kriter vlerash për veprat e njerëzve dhe ku vlerësimet maksimale iu jepen dhe i pranojnë e i marrin me shumë kënaqësi kafshët, kryesisht qentë.Në të folurën popullore ai apo ajo që ka kryer dënim me burg, qoftë një ditë qoftë edhe deri një jetë, quhet burgaxhi.Eshtë disi fyese por saktësisht është ‘meritë’. Dikur thuhej se, tek e fundit “burgu për burrat është!” kurse tani, shtohet fjalia”më mirë në burg se sa në punë.” Diku, për atë që ka kryer burgim, thuhet se i shkruhet”i ndëshkuar me privim lirije!”E çfarë lirije i mungoka të burgosurit? Ngrënia, pirja,sporti,liridalja,celulari,televizori,leximet, përqafimet, takimet intime, shkrimet,etj-??!Ai ose ajo i kanë të siguruara nga konventa e të drejtave të njeriut!? Atij(asaj) i mungon vetëm e drejta për të punuar, me kazmë,lopatë, me timon, me shportë,me gjiplërë e gërshërë, apo me ndonjë lloj tjetër mjeti pune. Po përse i duhet puna atij,xhanëm,kur,sot ,bota e tërë të pasurve dhe të majmurve, që bërtasin edhe si besimtarë, ka deklaruar solemnisht se’ nuk duam të punojmë;na mjafton të hamë, të lutemi dhe të bëjmë qejf!’
A nuk e kini vënë re se, fatkeqësisht edhe tek ne në Shqipëri, puna, sidomos ajo fizike e pastaj edhe ajo mendore, po braktiset!? Një ‘shkrimtar bashkëkohor’ i yni para ca kohësh deklaronte me zë të lartë se “Europa nuk po punon më! Punojnë emigrantët për të!” (Në kllapa po themi përsëri të vërtetën e helmuar: pikërisht ata shqiptarë që këtu nuk duan të rrinë, por shkojnë andej nga Europa e Amerika për një jetë më të mirë dhe iu bie bretku në punët më të rënda fizike,kthehen në burgaxhinj, drogaxhij e madje lënë edhe kockat atje!Kur kockat e prindërve i kanë këtu, ku toka, ajri e uji derdhin lot për banorët autoktonë shqiptarë).
**
Por le të kthehemi te burgaxhiu ‘ynë’. Pavarësisht se me çfarë lloj motivi është dënuar, pavarësisht se në çfarë lloj dërrase të kalbur ai pati shkelur,pavarësisht se sa euro pagoi për gjykim të shkurtuar,pasi kreu ‘vadenë’ sipas vendimit të gjykatës, burgaxhiu del ‘tërësisht i pastruar’ nga njollat,dëmet dhe ‘mëkatet’ dhe nis punën për të ngjitur shkallët e karrierës, ku e si të mundet.Ai këtë udhë e ka të hapur, sepse në shoqërinë tonë tashmë prej mëse tre dekada sundon mendimi i mbrapshtë: sa herë të jesh i dënuar, aq herë më shumë je vlerë e shtuar për shoqërinë! A e lexuat mirë ju lutem? Po e përsëris: po të jesh i dënuar një herë, pasi del nga burgu, nga instancat qeveritare dhe nga naivët e gënjyer, konsiderohesh një vlerë e shtuar. Po u dënove katër herë, je katër herë vlerë e shtuar për shoqërinë, që po ndërtojmë. Kështu ka ndodhur në shumë sektorë të ekonomisë, kulturës, mbrojtjes, sigurisë publike,politikës, diplomacisë, kibernetikës, financës, etj.Janë jo të paktë rastet që nëpër organizata e shoqata, zyra dhe kryezyra, futen si minjtë e gjirizeve ish-burgaxhinjtë që duan të mbulojnë të kaluarën e tyre. Ata zotërojnë aftësi e dhunti të posaçme e për pasojë kanë sjellë përçarje, ndarje dhe prishje të rëndë uniteti.Shembulli më pikant, që dua të përmend, do të ishte ai i një qytetari të shkolluar në socializëm, i ngritur natyrshëm nëpër shkallët e karrierës, i cili kur ndërroi sistemi, ndërroi plotësisht edhe metodën e punës.Ai me”punë” arriti deri drejtor i policisë së shtetit, dhe prej aty, përsëri me “punë” u shoqërua nga ish-vartësit e tij për në burg,sepse gjykata e gjeti fajtor në një nga llojet e punëve që kish kryer. Dhe, sipas të shkruarave, koha që qëndroi në postin më të lartë qe e barabaratë me kohën që qëndroi në burg. Pasi u lirua, sepse plotësoi ‘ndershmërisht’ afatin e caktuar të dënimit, ai nisi punën për të treguar vlerat e vërteta që kishte, veç atyre që kish manifestuar për tërë ato vite, edhe në fushën e veprimtarisë së “shoqatës për mbrojtjen e specieve në zhdukje”. Pikërisht me atë shoqatë që atë organikisht, familjarisht dhe historikisht nuk e lidh ndonjë hallkë kund! Vetëm “ideali “për të mbrojtur ata që po zhduken! Me’ punë’ e me zotësi shkoi deri në postin e dytë pas kryetarit veteran real të shoqatës.Dhe kur i ndjeri kryetar u nda nga jeta, ky, vlerështuari i shoqërisë, kompetent edhe për këtë fushë veprimtarie, u ul në karrigen e kryetarit. Mirëpo nuk e lanë ata që ishin pranë. I treguan që kishte shkelur statutin e shoqatës.Por ai nuk dëgjoi nga ia vesh. Punoi ‘ndershmërisht’ për fushatën zgjedhore, me metodën ‘vetë vali, vetë kadi’, duke qenë tërësisht i maskuar, arriti të vetzgjidhet.Gjeti edhe një ‘veteran’ të shkencave ‘biologjike’ diku dhe e ‘vuri’ kryetar gjasme “të zgjedhur”.Si kryetar kukull.Iu afrua edhe ndonjë shok me vlera të shumëfishta. Domosdo, burgaxhiu-ish, i dha postin e nënkryetarit potent.Tërëçka u bë në rrugë të ‘rregullt’ organizative!? Dërgoi edhe dy emrat, të kryetarit dhe të tijin në gjykatë për t’u rregjistruar si titullarë të asaj shoqate, e cila domosdo ka edhe fondet përkatëse, dhe vijoi “punën” pavarësisht se shokët e shoqet i thoshin se “nuk e ke mirë kështu!” Erdhi një ditë që gjykata e gjeti të jashtëligjshëm emrin e tij dhe të atij kryetari si të ardhur në ato poste ku qenkëshin ”zgjedhur”. Kurse ai nënkryetari më kompetent u demaskua në median e radhës.
**
Gjykata i pezulloi nga detyra,kryetarin veteran të shkencave dhe sekretarin burgaxhi-ish. Por ish-polici, me metoda të punës së atij sektori,vazhdon e i bën ato lloj takimesh me idhtarë naivë e servilë të tij, që ai i quan “mbledhje kryesie” me polic te porta. Polici(me sa kuptohet,i sajuar vetëm me pagesë ditore, sepse nuk ka asnjë lidhje me atë lloj mbledhjeje) nuk lejon askënd të futet , as ata që janë të zgjedhur rregullisht sipas statutit, as ata që duan të dëgjojnë e debatojnë, apo filmojnë, askënd tjetër.Polici bën punën e kokëmishit.Lejon vetëm ata që ka urdhëruar shefi vlerështuar!U mahis puna deri tek grushti por, tek e fundit polici te porta nga jashtë,dhe një tjetër po në rolin e policit nga brenda portës me çelës në dorë, zbatonin urdhërin e ish-policit shef. Kësisoj, anëtarët e kryesisë të zgjedhur normalisht nga konferenca e fundit e rregullt e shoqatës e gjetën të arsyeshme të largohen për të shmangur incidentin.Ndonëse u thirr edhe policia e qytetit.U bë edhe denoncimi. Por kështu janë këto punë:” polic ti e hajdut unë, hajde t’i nxjerrim fundin!” Kështu burgaxhiu u poq edhe me kokëmishin dhe krijuan një lloj mburojë madje në rrugë ‘ligjore’!?
Çdo problem e ka një zgjidhje. Nuk është kurrë zgjidhje e mirë ajo që imponohet nga njerëzit burgaxhinj apo ish-burgaxhinj,qofshin ‘shtëpijak’ apo të qelisë, kokëmish apo kokëkashtë, të cilët kanë interesa të ngushta personale fitimprurëse dhe për rehabilitim. Më e mira zgjidhje, siç e ka provuar jeta, është ajo që cakton ligji, gjykata,statuti,vendimi kolegjial, morali mbarëshoqëror.






















