Ilir Vata/ Institutet e të përndjekurve, model Marksist-Leninist

547
Sigal

*kryetar i PDM-së

Jo më shumë se 10 të përndjekur kanë fituar nga politikat e integrimit, pikërisht ata njerëz që kanë bërë marrëveshje me qeveritë, janë dhe bilionerët e të përndjekurve politikë…!

Politika po përpiqe t’u marrë të përndjekurve politikë të vetmen gjë që u ka mbetur pas shpirtit, votën dhe ky është akti i fundit kriminal i politikës mbi këtë shtresë të martirizuar nga diktatura, është mizoria, pangopësia, pashpirtësia e një tufe injorantësh politik që me çdo çmim kërkojnë të përfitojnë dhe nga vuajtja e të tjerëve.

Përpjekjet e qeverive për të rehabilituar dhe integruar të përndjekurit politikë për gjatë këtyre viteve, thuajse kanë qenë të dështuara jo vetëm për faktin se ata e kanë parë si detyrim sa për t’u justifikuar para opinionit publik dhe interesit të ndërkombëtareve, por se kanë zgjedhur një model të vjetër tipik komunist për të integruar këtë shtresë të shoqërisë që doli nga diktatura me pasoja gati të pallogaritshme, si në aspektin social dhe moral. Në aspektin e rehabilitimit pos-traumë të kësaj shtresë, është bërë pak përveç se ekziston një qendër e Rehabilitimit të Torturave që zhvatën fonde nga Bashkimi Evropian dhe qeveritë shqiptare, pra ndonëse janë mijëra persona të dalë me sëmundje të rënda psikike dhe me status “A1”, askush nuk ka një qendër ku mund të rehabilitoje, lere të ketë kujdes pos-traumë, kujdesin e psikologut apo terapi të tjera të ngjashme, siç edhe i kanë ish-vendet e tjera komuniste. Në të njëjtin fatalitet është aspekti social, ku kjo shtresë e të përndjekurve në 75% të saj është në gjendje të vështirë ekonomike, për sa i përket kushteve të jetesës, strehimit apo dhe shpresës për të qene një ditë më mirë, pasi politika e punësimit për këtë kategori janë përhumbur dhe zënë si zëra vetëm në fushatë elektorale, për t’u mbushur mendjen sa për vota. Në dilemë ka qenë dhe është integrimi moral, pasi shumë projekte të ndërmarra nga grupet e interesit nuk janë marrë parasysh nga partitë e pushtetshme, ndonëse këto interesa kanë ardhur dhe në rrafshin politik të koalicioneve të partive të vogla të të përndjekurve apo të djathta në tërësi. Çuditërisht, kjo gjendje vazhdon edhe sot, pasi mënyra e zgjedhur për të integruar këtë shtresë është po e njëjta nga një qeveri në tjetrën, një vepër kjo e ideuar nga Nano kur erdhi në pushtet, që zgjodhi si mekanizëm integrimi Institutet e Integrimit, të ngjashëm me Institutin e Marksizëm- Leninizmit, (që u drejtua nga Nexhmie Hoxha), ku sipas tij, këto institute do të kishin mundësi të studionin, hulumtoni shkaqet dhe pasoja e një fataliteti tragjik të një pjese të popullsisë nën regjimin diktatorial. Në aspektin moral nuk është bërë asgjë, përjashtuar dy aspektet e fundit, Muzeu i diktatorit, ekspozeja e shtëpisë së gjethes së fundmi dhe një pavion multihistorik në Muzeun Kombëtar. Këto janë përpjekjet e deritanishme për 24 vjet, një përpjekje më shumë për të mbushur mendjen sesa për të kthyer dëmshpërblimin moral të të përndjekurve politik. Grupet e interesit, parti politike të të përndjekurve se PDM, kanë kërkuar një muze në kryeqytet, madje kohët e fundit është kërkuar që piramida e diktatorit të ishte një multimuze ku të ekspozoheshin fakte, broshura, pjesëza të vuajtjes artefakte nga kampet dhe burgjet e diktaturës, letërsia disidente, letërsia e burgut dhe çdo provë tjetër që kishte të bënte me krimet e diktaturës, por deri më sot asgjë për t’u besuar dhe vlerësuar. Në të njëjtën pazgjidhshmëri është dhe gjetja e varreve të humbura, që, deri me sot, nga statistikat e përgjithshme janë mbi 5300 varre të humbura në të gjithë vendin, të vrarë, ekzekutuar nga 1945-1990, nga regjimi komunist, madje të vrarë në burgje, kampe internimi me mizorinë më të madhe, natën dhe tinëz, pa të drejtë për të treguar varrin apo për ta marrë familja pa mbaruar dënimin dhe kështu ata varre, kufoma, nuk u dorëzuan kurrë, sa dhe sot në demokraci këto varreza mbahen të fshehura dhe nuk kanë një vend prehje ku të afërmit të kenë mundësin ti vajtojnë apo t’u hedhin lule. Përdhosja e gjysmë milioni njerëzve që u ekzekutuan në diktaturë sot është një përçudnim me dashje dhe një krim shtetëror ndaj të vdekurve, thjeshtë dhe vetëm se klasa politike kërkon të zhdukë gjurmët e krimit që bëri diktatura.

Por çfarë kanë bërë Institutet e të Përndjekurve Politikë për gjatë këtyre viteve!?

Partitë politike që kanë pasur pushteti për gjatë gjithë post diktaturës, thonë se kanë bërë shumë, madje aq shumë sa gara dhe rivaliteti i ka marrë mendjen duke thënë edhe të paimagjinueshmet, por ama diçka kanë bërë që nga krijimi i Komitetit të të Përndjekurve dhe deri te Institutet që aktualisht janë dy institute: ai i të përndjekurve në aspektin social dhe instituti antikomunist në aspektin moral. Fondet e strehimit që kanë dhënë qeveritë, janë përkthyer në llokma për disa njerëz të vetëm dhe për gjatë gjithë këtyre viteve, vetëm 10% e fondit ka shkuar për të përndjekurit, pasi pjesa tjetër është vjedhur, shituar dhe kthyer në asete për pak njerëz dhe këta përfitues janë disa krerë shoqatash që kanë akses edhe kur vjen e djathta në pushtet dhe kur vjen e majta, e tashmë, në këtë garë të shfrenuar, shoqatat e të përndjekurve janë rritur pa mbarim sa është krijuar dhe një shoqatë e re, që nga burime të besueshme po financohet nga Instituti i të Përndjekurve dhe Ministria përkatëse për të bërë lojë politike dhe financimi fillestar është 15 mijë dollarë! Jo vetëm fondi i strehimit, por dhe statusi i të përndjekurve është shitur, fondet për libra, shtypshkronjë, fondet e ndihmës për familjet në nevojë e gjithçka ka ardhur, ka rënë në duar të 10 vetëve dhe jo më shumë, kur shumica e të përndjekurve nuk kanë përfituar asgjë. Propozimi bërë qeverisë aktuale për bashkimin e të dy instituteve, ka rënë në vesh të shurdhur nga qeveria, dhe vazhdon të ndiqet modeli i vjetër i Fatos Nanos për të përndjekurit, pa kurrfarë rezultati por thjeshtë për të kënaqur ca hiena të babëzitura dhe kjo se grupi i punës pranë maxhorancës për të përndjekurit jo vetëm që nuk e njeh problematikën por është nga më mediokrit, madje dhe injorant që kanë pasur të përndjekurit në përfaqësim politikë. Ca janë nga përfaqësimi i biznesit, ca që nuk kanë kurrfarë ideje që kanë jetuar jashtë e ca të tjerë, ca servilë që kërkojnë të kapin ndonjë kockë dhe ky fatalitet vazhdon. Shkrirja e dy instituteve është zgjidhja, pasi paratë që harxhohen nga buxheti i shteti për të përndjekurit janë më të mëdha sesa harxhon një Ministri dhe këto para nuk shkojnë tek të përndjekurit dhe problematikat e tyre, por në xhepat e disave, pra qeveria nuk po harxhon lekë për të integruar të përndjekurit, por po paguan ca njerëz për të mbytur problematikat e tyre, për ti fshehur ato në sy të opinionit publik dhe atij ndërkombëtar dhe duke krijuar kështu një disnivel integrimi dhe një hapësirë të madhe mes të përndjekurve dhe shqiptarëve në tersi. Integrimi i të Përndjekurve sipas modelit Marksist-Leninist është një ri persekutim i ri, mbytës, për të përndjekurit në vend që të kishim një model të avancuar integrimi dhe nëse do të ishte punuar me seriozitet, hendeku do të ishte mbyllur dhe sot do të kishim një shoqëri shqiptare të barabartë në aspektin social apo barazisë së ligjit që ka shteti për shtetasit e saj. Deri më tani, në planin e vendosur mirë është skema e dëmshpërblimit, si për ndarjen e kategorive dhe dëmshpërblimin e të burgosurve politik, por trashëgimtarët me këtë lloje skeme janë përjashtuar nga skema ose është zgjatur pa mbarim. Në të njëjtin rrafsh është interesi i qeverisë për sa i përket punësimit, që deri më tani janë punësuar për dy vjet vetëm gjashtë të përndjekur politikë, pra kemi një diskriminim dhe jo një politikë punësimi dhe gjashtë të tjerë i ka punësuar biznesmenja e grupit të punës..! Hapja e dosjeve do të çelte udhën e besueshmërisë tek një qeveri që mendon për të qenë e hapur dhe transparente, jo vetëm me të persekutuarit politik nga diktatura, por me të gjithë shoqërinë në tersi, por me gjasa ku ligj po gjen kundërshti mes palëve politike dhe madje po vjen në një version lustracioni, sesa një ligj i mirëfilltë për të bërë transparencën me të shkuarën, pra në aspektin e parë, po vritet besim për një transparencë që është dhe fillesa e pajtimit kombëtar të shqiptarëve. E kaluara nuk lustrohet, nuk fshihet, nuk zhytet e stërhollohet, por nxirret në dritë për ta parë të gjithë mizorinë e një diktature të errët, për të na shërbyer si një reflektim për të ardhme, për të ndriçuar të rinjtë, para të ardhmen tonë me ato çfarë diktaturat bëjnë mbi popuj kudo në botë dhe në veçanti me diktaturën komuniste në Shqipëri. Qeveria, para se të ndërmarrë me seriozitet integrimin e të përndjekurve, duhet të hetojë fondet që qeveritë kanë dhënë për këtë kategori dhe të çohen para drejtësisë abuzuesit dhe e dyta duhet të bashkojë institutet për të qenë pjesë e ngjitur e një ministrie, si ajo e integrimit, për të çuar para në të gjithë dimensionin rehabilitimin e kësaj shtrese. Përpjekja për të fshehur të vërtetën, për të minimizuar krimet e diktaturës, për të lënë të pa integruar të përndjekurit është një model gjysmë komunist që kërkon me çdo kusht të ruaj vazhdimësinë neokomuniste, duke zhdukur memorien kombëtare, duke bërë propagandë dhe me qëllimin më meskin, për tu marrë dhe të vetmen gjë që u ka mbetur pas shpirtit të përndjekurve, votën.

Som

Në të njëjtin fatalitet është aspekti social, ku kjo shtresë e të përndjekurve në 75% të saj është në gjendje të vështirë ekonomike, për sa i përket kushteve të jetesës, strehimit apo dhe shpresës për të qene një ditë më mirë, pasi politika e punësimit për këtë kategori janë përhumbur dhe zënë si zëra vetëm në fushatë elektorale, për t’u mbushur mendjen sa për vota. Në dilemë ka qenë dhe është integrimi moral, pasi shumë projekte të ndërmarra nga grupet e interesit nuk janë marrë parasysh nga partitë e pushtetshme, ndonëse këto interesa kanë ardhur dhe në rrafshin politik të koalicioneve të partive të vogla të të përndjekurve apo të djathta në tërësi.