Hyqmet Zane: Përse heshtet nga akademikët kur bëhet fjalë për Çamërinë??

195
Sigal

 

Kjo vlen edhe për Kosovën.

 “Invazioni” greko-serb bën punën e vet dita-ditës dhe vit pas viti!

 Heshtja qe po shoqëron opinionin publik shqiptar në lidhje me problemin çam, më ka trishtuar jo vetëm mua, jo vetëm trashëgimtarët e shqiptarëve të Çamërisë, por edhe ata që janë atdhetarë shqitparë. Pyetja e parë që bëhet është se ku ndodhet Shoqata Çamëria, përse u krijua dhe përse hesht ? Kush është ajo dora fatale e cila ka shtypur butonin e heshtjes ?

Në këtë kuadër bëhet thirrja që po drejtoj që në krye të këtij shkrimi nuk është një fjali, por një protestë për të vënë në lëvizje një popull, pushtetarët dhe veçanërisht akademikët se një lojë e rrezikshme dhe e mbruajtur me poshtërsi dhe marifet tipik grek po i vërtitet Shqipërisë dhe tërë kombit. Jemi të rrethuar nga fqinjët gjarpër, që kërkojnë të na helmojnë dhe të na copëtojnë. Qëndrimet e një presidenti serb dhe një kryeministri grek, janë pohime zyrtare të përfaqësuesve të lartë të shteteve të tyre që duhen marrë seriozisht nga qeveritarët dhe akademikët e këtij vendi.

Dhe ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti që nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga pala shqiptare, por vetëm belbëzime. Megjithëse marr me mend edhe rrethanat diplomatike, por edhe praktikat që janë përdorur në kohë ndaj këtyre qëndrimeve, përsëri them se kurrësesi nuk mund të heshtësh në këto lloj formash që mbajnë erë tradhëti.

Realiteti ka treguar se jetesa me fqinjët për shqiptarët gjithnjë ka qenë problematike. Që në fillim të herës duhet thënë se asnjëherë problemi nuk ka qenë tek shqiptarët, por tek fqinjët. Ky ritual na ka dhënë mesazhin se që të jesh mirë në jetë, duhet dhe është domosdoshmëri që, ndër të tjera gjëra jetike, duhet  të kesh fqinjë të mirë. Por fati duket se na ka ndëshkuar.

Serbët në veri dhe grekët në jug historikisht kanë treguar se janë bërë si një mollë sherri për Ballkanin dhe, megjithëse janë të ardhur në këto troje pellazge, ku dardanët dhe ilirët kanë qenë autoktonë, kanë treguar gjithnjë se kanë pasur dëshirën shoviniste dhe tendencat nacionaliste e të qenurit invadorë ndaj të tjerëve, të bëhen zotërues të trojeve dhe të krijojnë fenomenin e eksodeve me zjarr dhe me hekur me çdo çmim.

Shekujt kaluan dhe serbët dhe grekët na mbetën në derë si fqinj të përhershëm me një barrë të madhe ngarkesash negative sa historia është e shkruar dhe e folur se, pikërisht këto dy shtete, edhe me mbështetjen e Fuqive të Mëdha, u bënë “zotër” të vendit dhe me tendenca të herëpashershme për të bërë trazira, për të prodhuar genocide dhe më shumë akoma janë bërë sebep i luftrave që nga lashtësia dhe deri më sot. Përse heshtet ???

Edhe pse në vendin e tyre dhe me një pasuri të konsiderueshme si dhuratë prej Zotit, shqiptarët nuk kanë gjetur asnjëherë qetësi, janë ndjerë si të huaj në vendin e tyre, kanë pësuar tragjedi të pamerituara dhe në fund të fundit asnjëherë nuk kanë qëndruar të qetë në shtëpitë e tyre. Dhe ata që e kanë vuajtur më shumë këtë kular në qafë në mënyrë kriminale janë shqiptarëte  Kosovës dhe ata të Çamërisë, për të cilat ka vetëm heshtje.

Doja të pohoja se intrigat dhe pabesitë e këtyre fqinjëve kanë qenë një lëmsh i zjarrtë që na ka djegur gjithnjë si një mallkim. A thua se hak e kishim këtë mizori që i ka ndodhur kombit shqiptar duke veçuar këtu Kosovën dhe Çamërinë që tashmë dihen qartë seç kanë pësuar veçanërisht në një shekull të tërë. Nëse gjithëçka u zyrtarizua më 1913, gjithëçka kishte nisur shumë herët, atëherë kur krimet serbe dhe greke bënin kërdinë dhe shqiptarët i duronin dhe çuditërisht luftrat e shqiptarëve kanë qenë mbrojtëse përballë invadorit serbë dhe grekë. Ata merrnin troje, shfarosnin popullsinë vëndase, popullata zbythej në brendësi të këtyre trojeve dhe serbët dhe grekët festonin fitoret e zaptimit të trojeve shqiptare. Kjo është një histori jo e sajuar, por e përjetuar siç edhe vazhdon. Epilogu i këtyre ngjarjeve është shekulli XX që u vuri vulën qëllimeve të mbrapshta nga thellësitë e shekujve të fqinjëve tanë.

Sot vijmë tek dy deklarata të drejtuesve të lartë të Serbisë dhe Greqisë. Deklaratat e njerit për Kosovën dhe mosnjohjen e këtij shteti dhe deklarata e tjetrit për mosekzistencën e çështjes çame janë një këmbanë që duket se vetëm në Tiranë nuk janë dëgjuar edhe pse nuk kanë nevojë për tingujt dhe zilet, por janë këmbana  që gjëmojnë dhe duhet të shqetësojnë gjithë sferën e pushtetit dhe shtetit dhe me shumë akoma duhet të ngacmojnë akademikët dhe pjesën atdhedashëse për të bërë një bllok  qëndrestar kundër një invadimi të ri, jo thjesht me armë dhe ushtri, por me politika imponuese ku fjala zë vendin e armëve dhe që vret më shumë.

Glorifikimi i Millosheviçit dhe nderimi për Napoleon Zerën janë treguesit e një invadimi me forma dhe mënyra të ndryshme që sjellin kujtesën e së shkuarës për të shtruar rrugën e një invadimi fizik ku nuk do të mungonte as arma dhe as ushtria. Nëse këto deklarata nuk i dëgjon Europa dhe diplomacia e Brukselit, kjo nuk do të thotë se ata janë në rregull, por të jep sinjalin e një mbështetjeje që kjo Europë i ka dhënë që në fillim të herës Serbisë dhe Greqisë.

Dokumentimi i fakteve që është bërë gjithnjë dhe mos konsiderimi i tyre nga diplomacia shqiptare për çështjen çame veçanërisht, ka krijuar një situatë të turbullt ku askush nuk merr vesh se ku është Edi Rama si kryeministër kur bëhen këto pohime antishqiptare dhe pse Tchipras është “futur” në Shqipëri dhe bën të fortin me pohime të tilla. Sa kam qenë dakort me pohimet e kryeministrit shqiptar Edi Rama, kur me zë dhe me figurë pohonte dhe thoshte të vërteta e çështjes çame duke cituar shprehjen se “çështja çame është çështje ndërkombëtare dhe jo minoriteti grek”, që për hir të së vërtetës ka bërë pallë në Shqipëri me të drejtat që iu janë dhënë.

Edhe mungesa e një platforme të qartë se ku janë çamët në qëndrimet e tyre antigreke dhe pse ka një çoroditje në Kosovë përballë Vuçiçit, kanë krijuar një “atmosferë të rrezikshme” ku qeveritaërt e fortë të Shqipërisë dhe naivët e qeverisë së Kosovës janë kthyer në kukulla diplomatike.

Nga ana tjetër si shpjegohet që Akademia e Shkencave sillet si e dalë në pension para kohe dhe asnjëherë nuk flet, asnjëherë nuk mban qëndrim dhe nuk thotë fjalën e vet si një zë i fuqishëm i së drejtës akademiko-historike. Përkundër tyre akademitë serbe dhe greke nuk lënë rast pa frymëzuar qëndrimet ekstreme të nacionalizmit serb dhe grek dhe pa ushqyer shovinizëm në mendjet e pushtetarëve të këtyre shteteve.

Ku i ka mbetur qefi kësaj Akademie që nuk bëhet e gjallë dhe nuk del si protagonist e të vërtetave që ndigjohen me shumë se deklaratat politike të një kyeministri. Ne na duhet Akademia e Shkencave, por nuk mund të bëhemi palë me heshtjen vrastare dhe me modelin e një mbyllje goje për problemet që kanë mijëra faqe dokumentime.

Në këto kushte thirrja ime dhe që do të ishte thirrje e çdo çami dhe çdo kosovari, i drejtohet pushteteve zyrtare qeverisëse në Kosovë dhe në Shqipëri për protagonizëm për të mbrojtur Çamërinë dhe Kosovën nga invadorët grekë dhe serbë. Më shumë kjo thirrje është për çamët dhe kosovarët që të bëhen të gjallë ndaj një serbi apo një greku që kanë harruar se zotërit e vërtetë të trojeve shiptarë janë ata vetë.

Me shumë respekt për shkrimtarin tonë Hil Mosi, do të sillja në vëmendje poezinë “Guximi” e shkruar nga ai  më 1910 në Stamboll si një mesazh që ka vlerë aktuale dhe që është një thirrje në kohën e duhur si atëherë :

Ti ke pas’ pa do koh’ ma t’vshtira,

Ti ke pas’ hjek’ ma shum’ mjerim,

Prandaj qindro burrnisht sikur përpara

E mos u tremb, por kij guxim!

Shum’ dallga t’rrepta ti i pate hjekun,

Që ty tu t’urrshhin me rrëmbim,

E pra, mbasi der sot trimnisht qindrove,

E mos u tremb, por kij guxim!

Shum’ her’ mbi ty pat ra e mbet’rrufeja,

Tue dasht me t’çuemun n’nji harrim,

E kur ather’ ti smujte kurr me humbun,

E mos u tremb, por kij guxim!

Sado e rrept’ qi mundet t’jet’ duhia,

Mos u frigo, por banu trim !

Do t’bahesh prap i fort’ sikur përpara,

E mos u tremb, por kij guxim !

Na ka mbetur në vesh pohimi i mbrapshtë i thënë edhe në Parlamentin Europian i Tchipras thotë “Avancim në marrëdhëniet me fqinjët” çka nënkupton të të sulmojmë dhe ju të mbyllni gojën, ne t’ju imponojmë planet tona dhe ju të nënshtroheni pa asnjë kërkesë dhe të mohoni idetë tuaja”. A nuk kërkohet guxim qeveritar dhe mençuri akademike po aq sa edhe një shpirt protestues mbarëshqiptar për t’u thyer hundër grekërve dhe serbëve për qëllimet që kanë?