Por prezantimi dinjitoz i shqiptarëve të ardhur nga Çamëria u bë edhe përmes figurave dhe personaliteteve që ishin jo vetëm të luftës antifashiste, por edhe para saj, deri në thellësitë e shekujve, po aq sa edhe të kohëve të mëvonshme në Rilindje dhe në Pavarësi. Ndaj dhe Latinët kanë thënë : “O kombe, i ruani të mëdhenjtë se përmes tyre do t’ju njohë e ardhmja”.
Ikja në kohë lufte është ikje me shumë probleme për një popull, aq më tepër për një popullsi si shqiptarët e Çamërisë. Historia e kësaj ikjeje është e njohur, por dhe e padënuar për një ikje me zjarr e me hekur qe mbolli vdekje të pafajshmish që e ka emrin “genocid”. Kjo popullatë me vete mori vetëm plaçkat e trupit dhe dashurinë për tokën e të parëve, kujtimin për shtëpinë ku lindi dhe u rrit, amanetin për varret dhe të vërtetat për historinë. Përqëndrimi në Shqipëri pati edhe ai problemet e veta. Por ajo që mbeti dhe u ruajt e paprekur për trashëgimtarët shqiptar, ishte dhe mbeti dinjiteti i përfaqësimit faqe botës kudo e kurdo. Në një territor të ri dhe mes një popullate shqiptare, jo shumë të njohur, për çamët ishin si ekuacione me shumë të panjohura. Ishte një detyrim i prindërve dhe gjyshërve që të ishin dinjitozë dhe të prezantoheshin me performancën e një komuniteti që mbartëte me vete edhe kulturën, po aq sa edhe traditën, duke ruajtur origjinalitetin e përfaqësimit.
Por sidoqoftë ky prezantim, në mes të një popullate që nuk e njihte, sepse 1913-ta kishte diktuar ndarje territoriale dhe ndikime jo të vogla shtetërore mbi Çamërinë, kërkonte përkushtimin për familjen si mjë shenjë vlerësimi për veten për çdo familje çame. Deri në 1944-1945, popullata e Çamërisë kishte kaluar shumë halle dhe derte, a thua se ndodheshin në një planet tjetër, se aq keq ishte trysnia zyrtare dhe jozyrtare e shtetit grek ndaj saj. Kjo trysni e njohur, por jo e marrë në konsideratë, edhe pse në një Ballkan ku njihen kombet, mes çamëve kishte lënë gjurmë. Jo thjesht gjurmë si në rërë, por gjurmë të pashlyeshme në jetën e një populli, gjurmë në jetesën dhe shpirtin e tij, gjurmë që janë të skalitura keqas në kujtesë, aq më tepër për faktin se pas asaj Konference të Londrës si tani e 112 vjet më parë diktoi prishjen e gjeografisë po aq sa edhe të gjeopolitikave, për të mos thënë edhe të gjeostrategjisë europiane e cila ka gjurmën e vet në këtë popullatë shqiptare gjatë gjithë kësaj periudhe deri në ikjen përfundimtare.
Ardhja dhe vendosja në Shqipëri u përball me problematika që i kishte vetë popullata shqiptare, aq më tepër në një vend ku gjeneroi urrejtja klasore, po aq sa edhe urrejtja krahinore, ne çamët u gjendëm edhe të papërgatitur. Megjithëse një njeri shumë lehtë mund ta largosh nga shtëpia e tij, por shtëpinë nga mendja e shpirti nuk ia heq dot. Me këto kujtime dhe me përballjet e reja, për çamët u krijua një domosdoshmëri përshtatshmëria. Duhet thënë se ata që ishin fisnikë dhe me buonsens në Çamëri, edhe në Shqipëri mbetën të tillë. Kuptohet, pati edhe përjashtime që janë normale.
Por prezantimi dinjitoz i shqiptarëve të ardhur nga Çamëria u bë edhe përmes figurave dhe personaliteteve që ishin jo vetëm të luftës antifashiste, por edhe para saj, deri në thellësitë e shekujve, po aq sa edhe të kohëve të mëvonshme në Rilindje dhe në Pavarësi. Ndaj dhe Latinët kanë thënë : “O kombe, i ruani të mëdhenjtë se përmes tyre do t’ju njohë e ardhmja”.
Jo rrallë thuhet se historia e një kombi është historia e personaliteteve të tij çka na jep të drejtën të mendojmë se Çamëria ekziston si tokë pellazge, si histori pellazge, ekziston si vendlindje dhe vendqëndrim i Pirros së Epirit, si trashëgimtarë të Aleksandër Mollosit, po aq sa edhe i burrave që bënë historinë me Ali Pashë Tepelenën e deri tek personalitete dinjitozë dhe përfaqësues mbarëkombëtarë nga Hoxha Tahsini, Abedin Pashë Dino e deri tek Bilal Xhaferi. apo burrat që luftuan kundër nazi-fashizmit si heronj të popullit si Ali Demi dhe të tjerë që më pas u bënë personalitete të fushave të ndryshme.
Detyrimisht që ne krenohemi me dinjitetin e përfaqësimit që na lanë Hilmi Seiti si baca i Shkodrës edhe sot e kësaj dite, apo Teme Sejko kundëradmirali më i shquar i flotës shqiptare i krahasuar edhe i të njëjtit nivel me kundëradmiral të kohës. Këtu lista vazhdon e gjatë, sepse shumatorja e personaliteteve, që ka nxjerrë Çamëria e dëshmorëve dhe e heronjve, që luftuan për kombin, e burrave dhe grave trashëgimtarë të kësaj toke të lashtë, është histori vlerash, dinjiteti dhe përfaqësimi dinjitoz që buron nga origjina e këtij kombi që nga Preveza në Paramithi, që nga Margëlliçi në Filat.
Vitet e demokracisë kanë diktuar qëndrime në rrethana specifike, katërcipërisht të kundërta me diktaturën. Gjithsesi, edhe pse trysnia antiçame e qeverisë progreke dhe proserbe e diktaturës së Enver Hoxhës e denigroi këtë popullatë deri në qytetarë të dorës së tretë, në potencën njerëzore si trashëgimtarë historik të një treve pjellore dhe bujare, paqësore dhe mikpritëse, çamët ruajtën po aq sa vlerën njerëzore dhe dinjitetin si shqiptar, ruajtën dhe karakterin, edhe besimin. Aq e vërtetë është kjo sa për këtë atdhe, për flamurin kuqezi dhe për besimin e tyre në fe, ata nuk u bënë pjesë e greqizimit, por kërkuan të mbeteshin të tillë kudo që të shkonin. Vetë banorët e Shqipërisë ku ata gjetën strehë e kanë pohuar shpesh se komshiu i tyre, miku i tyre nga Çamëria është dinjitoz dhe që meriton vlerësim.
Sot ndodhemi në një pikë kulmore edhe të përfaqësimit politik, dhe këtu ndodhemi përballë një kërkese të kahershme për të ruajtur vlera. Përpara të tjerëve puna e kryer me shumë dinjitet nga Tahir Muhedini më herët se të tjerët për të bashkuar çamët në një përfaqësim politik ka lënë gjurmët e saj dhe gjetja e gjuhës mes vetes, ka dhënë frutet e veta.
Ka ardhur koha që të ndodhemi në një pikë pragzgjedhjesh dhe shumë debate dhe kundërshti janë hedhur në tregun e thashethemeve për kandidaturat që do të jenë prezente në disa qarqe të vendit për të marrë deputetët e nevojshëm për në parlamentin e ardhshëm pas zgjedhjeve të 2025-ës.
Si gazetar që kam shprehur shumë herët opinionet e mia në lidhje me ecurinë e një force politike që ka në programin e saj eskluzivitetin e zgjidhjes së problemit çam, kam bindjen se rruga në të cilën kemi shkelur, çamët, ka qenë dinjitoze. Kam dëgjuar dhe jam takuar me shumë njerëz që e duan Çamërinë. Ajo që më ka mbetur në mendje është sentenca se “kush di të vlerësojë veten, është i vlerësuar edhe nga të tjerët”. Por që të arrihet kjo është domosdoshmëri prezantimi dinjitoz i çështjeve të këtij problemi jo vetën mediatikisht, por edhe ballë për ballë me njerëzit që të njihen vlerat individuale dhe ato në tërësinë e kontributeve. Kauza është kauz, më e rëndësishme se çështje pronash që kemi humbur tash e 80 vjet të shkuara, se ato do të rikthehen, nëse shërbimi që i bëjmë kauzës së sotme është me këmbë në tokë dhe jo si qëllim në vetvete.
Dëshira ka mbetur vetëm dëshirë, sepse prania e trashëgimtarëve të Çamërisë në Parlamentin Shqiptar nuk ka qene në funksion të kauzës, por të interesave personale, por të përfaqësimit dinjitoz të çdo kandidature që nesër pretendojnë të jenë ata që ne prisnim të bënin, por nuk bënë asgjë , veç tek tuk ndonjë fjalë sa për të thënë dhe jo për vlera, por për retorikë.
Mendjet e ftohta e vlerësojnë këtë fakt dhe u vjen mirë që të shkohet mbi këto shina, por mendjet e ngushta edhe mund të mërziten, por mbi të gjitha Çamëria pret jo përmes realizimit të dëshirave personale, por dëshirave për të zgjidhur një çështje që tashmë ka mbetur në vend numëro në axhendën se ku ndodhet dhe çfarë u bë me Rezolutësn Çame nga Parlamenti Shqiptar dhe që më pas edhe nga instanca ndërkombëtare qoftë edhe nga Kongresi Amerikan, apo Parlamenti Europian. Të gjitha këto kërkojnë që potenca e përfaqësimit të atyre që marrin një karton deputeti në Kuvendin e Shqipërisë të jetë me një përfaqësim dinjitoz përtej çdo interesi të ngushtë siç është vepruar deri tani.
Idealizmi i personaliteteve që bënë Shqipërinë, si Sami Frashëri që tha: ” Gjithsecili është i detyruar t’i shërbejë atdheut të tij pa shpërblim, nuk është për t’u qortuar edhe ai që i shërben atdheut të tij dhe shpërblehet; por s’ka poshtërsi më të madhe se të vesh atdheun në rrezik për interesa personale”, është një mesazh i provuar shumë herët kur bëhet fjalë për kombin, vlerat e të cilit duhen ruajtur jo për hobi, por për të ardhmen, siç edhe ka thënë një latin i lashtë “O kombe, ruani të mëdhenjtë se përmes tyre do t’ju njohë e ardhmja”.
Gjithkush qoftë ai apo ajo nga çamët duhet të mos harrojmë se mësimet e historisë sonë të krahinës në veçanti dhe asaj mbarëkombëtare në përgjithësi na ka dhënë mësime të vlefshme se edhe mund të harrojmë çfarë na lëndoi në të shkuarën, po ama, kurrë nuk do duhet të harrojmë se çfarë të mësoi ky lëndim i madh i shpirtit çam, i tokës çame dhe i historisë çame. Kauza jonë është e drejtë, por ajo kërkon njerëz dinjitozë që të kthehet në realitet.