Gurët kilometrikë të zonjës Kim dhe rruga drejt humnerës e sistemit të drejtësisë!

388
Sigal

Nga Dritan Kaba

Sot, ambasadorja Kim përshëndeti, për herë të gjashtë, zgjedhjen e Aida Hajnajt si drejtuese e SPAK. Edhe kushërirë të parë apo vajzë ta kishte nuk do shkruante kaq shumë për të!
Zonja ambasadore shkruani ndonjë gjë edhe për viktimat e prindërve të zonjës Hajnaj, se i “harruat” atë ditë kushtuar viktimave të terrorit komunist, siç “harruat”, po e vendos në thonjza për të mos thënë e neglizhuat me qëllim dhe ditën e viktimave të sistemit, që sot ende nuk i dihet varri. Me ngritjen e BKH dhe SPAK besoj bijtë do të gjejnë vendet ku dergjen viktimat e prindërve të tyre.
Deti të lodh në fakt, sidomos skafi.
Me Aidēn u plotësua kapja e plotë e sistemit të drejtësisë nga pinjollët e komunizmit dhe banda e organizuar që ka pushtetin. Po si nuk u gjend qoftë edhe një përfaqësues i të persekutuarve të rregjimit komunist apo edhe e njerëzve të thjeshtë pa të kaluar kriminale të prindërve të tyre që të emërohej në kupolën e drejtësisë së “rilindur”?
Pjesët e këtij puzzle të ashtuquajtur drejtësi, prokurori, hetim dhe polici qepen me një fill të dukshem për atë, që do ta shohë. Të gjithë drejtuesit i mban bashkë filli i Fondacionit Soros. Të gjithë duhet të jenë të paguar nga ky konglomerat i së keqes, i shitur si bamirës, ose në rastin më ekstrem duhet të kenë besimin e njërit prej “besnikëve” të Fondacionit. Duhet të jetë patjetër dikush që e ka promovuar dhe ngritur në detyrë edhe në kundërshtim me ligjin siç është rasti i Aida Hajnajt. Po njësoj si pjesa më e rëndësishme e drejtuesve të mediave, që i shërbejnë mbytjes së të vërtetave, diku hapur dhe diku në mënyrë të kamufluar.
Nuk arrij realisht të kuptoj këtë pathos për këta gurët kilometrike, që për mua janë si piramidat e kufirit komunist. Një kërcënim që kush guxon t’i kalojë do të ekzekutohet. Të tillë njerëz sot e drejtojnë sistemin e Law&Order në Shqipëri. Pathosi juaj e dashur ambasadore më pataks.
Flisni për makinat e “së vertetës”, për kurse nga ICITAP për përdorimet e armës apo të tjera vogëlsira, por harroni të thoni se drejtuesve të ICITAP nuk i është ndjerë zëri i gojës as për drogën, as per kupolën e policisë që mbron trafikantët. Është po ky ICITAP që bashkëpunoi me Parlamentin për ligjin e kontrollit të figurës së policëve që u kalua në Parlament. Mirë që ligjin e kthyen si deshën, pa filluar fare zbatimi, por në të paktën dy raste drejtuesit e lartë të policisë janë të lidhur me të kaluarën e errët të Sigurimit të Shtetit Komunist. Nuk kam dëgjuar as nga Ju, as nga drejtuesit e ICITAP që e kanë hartuar ligjin të bëjnë ndonjë deklaratë për këtë shkelje të hapur dhe flagrante të tij.
Nejse e dashur ambasadore! Sot me këta shembuj tē kapjes dhe emërimit në katër kollonat e sistemit të drejtesisë po i jepni një shembull vrastar të rinjve shqiptarë, që aspirojnë të ndërtojnëbtë ardhmen e tyre në Shqipëri. Sot po u tregoni atyre, se që të bësh karrierë në Law&Order duhet të kesh pasur prindërit pjesë të nomenklatures komuniste, pjestarë të Sigurimit të Shtetit ose duhet të shkojnë të kalojnë bankoproven në Fondacionin Soros. Nëse ke prirje normale, je njeri me dinjitet, prindërit apo gjyshërit e tu kanë refuzuar komunizmin ose kanë qenë njerëz të thjeshtë nuk do të keni kurrë mundësinë të jeni pjesë e këtyre organizmave të rëndësishme të shtetit të së drejtës. E drejta qenka vetëm për pinjollët!
Nëse ke ide të ndryshme nga Rilindja as mos të shkojë  në mendje se mund të jesh gjykatës, prokuror, pjesë e SPAK apo e BKH, këto janë “ëndrra” të parealizueshme. Me inkurajimin tuaj ju po sillni edhe njëherë të gjallë “Luftën e klasave” në Shqipëri.
Zonja ambasadore ju po përkrahni ata dhe bijtë e atyre, që burgosen dhe internuan me mijëra njerëz se thonin se SHBA është vendi i demokracisë. Ju po nëpërkëmbni ata që u dënuan me dhjetra vite burg dhe fëmijët e tyre se pëlqenin një këngë amerikane ose dëgjonin fshehurazi “Zërin e Amerikës”.
Zonja ambasadore në qershor të vitit të kaluar, ndihmës sekretari i Shtetit z. Palmer i deklaroi shqiptarëve që brenda korrikut të vitit të kaluar Shqipëria do jetë me Gjykatën Kushtetuese të ngritur. Kanë kaluar 15 muaj nga afati dhe ende asgjë. Një Gjykatë Kushtetuese e pakapur është ajo që presin shqiptarët, jo gurët kilometrike të Rilindjes.
E dini ju zonja ambasadore që Shqipëria sot ka mbi 30 ligje antikushtetuese në fuqi?
E dini ju zonja ambasadore, që shumë nga këto ligje cënojnë të drejtat e qytetarëve dhe janë bërë me porosi nga oligarkët? Ju ishit pikërisht me pushime në një nga rezortet që ka përfituar si pasojë e njërit prej ligjeve antikushtetuese për ndërtimin e tij.
E dini ju e dashur ambasadore se ka një ligj për dividentin që nuk ka asnjë Gjykatë Kushtetuese ta kalojë se ka shkelur hapur Kushtetuten në disa nene të saj dhe prej këtij ligji përfituan oligarkët dhe u dëmtuan bizneset dhe qytetarët e thjeshtë?
E dini ju e dashur ambasadore e “gurëve kilometrike” që janë në fuqi dy kontrata koncensionare te miratuara me ligj nga Parlamenti monist ku distanca nga një gur në tjetrin kushton rreth 23 milion euro?
E dashur ambasadore, lërini gurët se me ta po ndërtoni një kala komuniste dhe autokrate në Adriatik, siç thonin edhe eterit e bijve që janë sot në pushtet.
Zonja Kim kapjen e sistemit nga majtistet dhe “specialistet” e FBI e ka provuar ne kurrizin e tij dhe Presidenti Trump. U sajuan dosje, histori të paqenë, u kërcënuan, u përndoqën, u denigruan, u spiunua fushata e tij nga këto “specialista”. Aida pa filluar ende punë është e ngjashmja e Comney-t. Ajo është gati të zbatojë çdo urdhër politik. Njësoj si kreu i SPAK, që mbyll dosjet ose i lë në “harresë” ato. Shembujt në këta gjashtë muaj ulërijnë me të madhe, për këtë strukturë të kapur politikisht nga koka tek këmbët. Shembujt i dini edhe Ju, por edhe shqiptarët. Ata janë në sytë e të gjithëve. Vetëm ata që i verbon dielli në det nuk arrijnë t’i shquajnë dot!

P.S. Zonja Kim thuaj atyre “specialistëve” t’ja mësojnë mirë përdorimin e aparaturave vartësve të zonjës Hajnaj, se po na shurdhojnë nga veshët. Për mua të mos lodhen se çfarë kam e shkruaj. E kam “hallin” për të tjerët.