Gëzim ZILJA/ Ngatërresa me dekoratën “Nderi i Kombit”

600
Sigal

Ndoshta nuk do ta kisha shkruar kurrë këtë artikull nëse gjatë bisedës me miq të mi të dikush tha: Përse unë të mos bëhem “Nderi i Kombit?” Unë e meritoj plotësisht. E kanë marrë këtë titull njerëz që nuk i njeh as lagjja ku janë rritur e jo më unë që jam themelues partie, kam shkruar kaq artikuj në gazeta e kam punuar këtu e atje, kam vuajtur nën diktaturë etj., etj. – Me sa di unë një titull të tillë e ka Ismail Kadareja,- i thashë qetësisht. Ai e kapi nëntekstin dhe mu drejtua: “Nuk them për Kadarenë se ai është tjetër gjë, por ja e kanë marrë këta,- dhe përmendi disa emra që unë vërtet nuk i kisha dëgjuar e lexuar kurrkund. Që të mos isha fare i paditur në lëmin e dekorimeve hapa faqen e Presidentit të Republikës në internet për të parë se kujt i jepej kjo dekoratë dhe çfarë kushtesh duhej të plotësonin ata që e mëtonin një gjë të tillë. Në faqen e presidentit për një sërë dekoratash që ky jepte me propozim të institucioneve të ndryshme ose edhe të vet atij shkruhej; “Urdhri “Nderi i Kombit” u jepet qytetarëve shqiptarë që me veprat dhe emrin e tyre kontribuojnë, nderojnë kombin shqiptar brenda dhe jashtë vendit.”Nuk do të merrem me këtë formulim të çuditshëm, azmatik dhe çalaman sipas meje. Sepse aty shprehet qartë që një titull (dekoratë) të tillë mund ta marrin vetëm njerëzit. Më tej shikon që me titullin “Nderi i Kombit” kohët e fundit janë dekoruar Rrethi i Malësisë së Madhe, Komuna Kelmend, Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë të Universitetit të Tiranës etj. Nuk i hyj fare problemit nëse e meriton apo jo fshati apo universiteti përkatës dekoratën, se ajo nuk është puna ime. Por ama jam i sigurt se asnjë nga emërtimet e mësipërme nuk përfaqëson njeriun, homo sapiens-in. Sepse ndodh si sot, ditën me diell, që deputetë të Kuvendit Popullor meqenëse kanë qenë studentë të “Lëvizjes së Dhjetorit” dhe Lëvizja ka marrë titullin “Nderi i Kombit” rrjedhimisht ai e ka këtë titull. Ndonjë deputet e ka shkruar madje edhe në CV-në e tij. Si duket këto lloj përcaktimesh e dekorimesh sjellin keqkuptime dhe ngatërresa. Qëllimi im ishte të gjeja emrat e atyre njerëzve të shquar të kombit shqiptar që ishin as më shumë e as më pak po Nderi i Shqipërisë, i atdheut ku unë jetoj e punoj. Kontrollova qetësisht të gjitha faqet e Presidencës në internet, por gjëkundi nuk pashë emrat e të dekoruarve në këta njëzetedy vjet. Atëherë mu desh të komunikoja me një njeri të kujdesshëm, që mban në arkivin e tij privat edhe këto lloj të dhënash. Gjeta emrat e të dekoruarve në kohën e Presidentit të nderuar Moisiu dhe ata të kohës së Topit. Lista është e gjatë dhe nuk kam fare ndërmend t’i botoj se nuk është ky qëllimi i shkrimit. Ka aty, që nga Kadareja i Papërsëritshëm, e deri nga ata që citoi ai njeriu në bisedë, që nuk i njeh as lagjja. Po pyetja që më lindi ishte: përse nuk ka një faqe (arkiv) ku të jenë të gjithë të dekoruarit nga presidentët në vite? Është pakujdesi? Nuk e di nëse ka një ligj për këtë gjë, por mendoj se njerëzit e shquar që janë dekoruar nga presidentët ( të gjallë ose jo) duhen të gjenden diku dhe të ketë mundësi të shikohen. Për më tepër, historiku i çdo institucioni është një detyrë atdhetare-patriotike edhe sikur në asnjë rregullore të mos jetë shkruar. Kjo ka të bëjë jo vetëm me kujtesën historike por edhe patriotizmin dhe krenarinë kombëtare. Madje jo vetëm emrat. Aty duhet të shkruhet edhe disa nga veprat që ka kryer ai njeri për të merituar titullin e madh “Nderi i Kombit”. Se atdheu dhe vlerat e tij bëhen të njohura nëpërmjet veprave të luftëtarëve dhe njerëzve të ditur të tij. Janë ata që e bëjnë të njohur një komb dhe e çojnë atë përpara. Në të kundërt mendoj se edhe në këtë rast kemi të bëjmë me veprime jo serioze, si ai i një presidenti që dekoroi shoferin e vet me “Medaljen e Mirënjohjes”. Ky “libër i dekorimeve” duhet të jetë i hapur e të lexohet nga çdo shqiptar që dëshiron në të gjithë kontinentet. Sepse mund të ndodh që në një orë historie një  mësuese e pasionuar kërkon të njohë fëmijët e shkollës me njerëzit e shquar që janë dekoruar këta 22 vjet me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Mund të dalë një orë mësimi e shkëlqyer mbi patriotizmin ashtu si mund të kthehet dhe në një orë humori e të qeshurash nëse dekoratat janë dhënë “qesim”.