Frank Shkreli/ Stoltenberg: NATO po i përcjell me kujdes zhvillimet në Shqipëri

568
Nga Frank Shkreli*

Anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior NATO, me të drejtë konsiderohet si arritja më e madhe e Shqipërisë në këtë çerek shekulli, në përpjekjet dhe hapat e sajë të mundimshëm për t’u bërë pjesë e integrimeve euro-atlantike. Në të vërtetë, në një shkrim muajin që kaloi, me rastin e 8-vjetorit, e kisha cilësuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një pikë të shkëlqyer të historisë post-komuniste të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi. 
Ndër të tjera, në atë shkrim kam cituar ish-presidentin Xhorxh Bush i cili ka thënë me rastin e pranimit zyrtar të Shqipërisë në NATO, prillin e vitit 2009. “Ne po forcojmë partneritetin e Amerikës me kombet që dikur kanë qenë nën kthetrat e komunizmit”. Ish-Presidenti Bush, pat deklaruar gjithashtu gjatë nënshkrimit të protokollit në Shtëpinë e Bardhë, se menjëherë pasi Shqipëria të bëhej zyrtarisht anëtare e NATO-s (gjë që ndodhi korrikun e vitit 2009), të jetë e sigurt se në qoftë se ndonjë shtet kërcënon sigurinë e saj, çdo anëtar i aleancës tonë do të jetë pranë saj, për ta mbështetur. Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Jaap de Hoop Scheffer e pat cilësuar me atë rast, anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën perëndimore si, “Një përfitim për NATO-n, si një masë që do të forcojë përpjekjet e përbashkëta në ruajtjen dhe promovimin e sigurinë dhe të stabilitetit”, të vendeve anëtare dhe Evropës. 
Gjendja aktuale politike në Shqipëri sot është ajo që është dhe do të ishte e tepërt të komentohet më, pasi sipas deklaratave të vetë zyrtarëve të opozitës dhe pozitës, si dhe analistëve në vend – nga mosmarrëveshjet politike midis dy partive kryesore të vendit – Shqipëria është bërë turpi i Evropës dhe i NATO-s, si vend anëtar i së cilës është Shqipëria. Duket se kjo klasë politike po e çon vendin drejtë një kërcënimi të sigurisë së vendit. Jo se kjo situatë po shkaktohet nga ndonjë fuqi e jashtme, por nga vet forcat e brendshme, të cilat në rend të parë janë përgjegjëse për sigurinë e vendit dhe për mirëqenën e të gjithë shqiptarëve. 
Konfliktet politike në Shqipëri dhe mungesa e vullnetit politik midis palëve për t’i zgjidhur ato, kanë tërhequr jo vetëm vëmendjen e politikanëve evropianë — të cilët dështuan kohët e fundit dështuan në ndërmjetësimin e tyre midis palëve shqiptare — por edhe të organizatës NATO, e cila nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Z. Stoltenberg shprehu shqetësimin në lidhje me gjendjen e krijuar në Shqipëri. Të mërkurën, duke folur para Komisionit të Punëve të Jashtme dhe nën-Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje të Parlamentit Evropian, Z. Stoltenberg citohet në media të ketë thënë se Aleanca e Atlantikut Verior po i ndjekë me kujdes zhvillimet në Shqipëri dhe se do të dëshironte që problemet politike midis partive politike dhe udhëheqësve të tyre në Shqipëri të zgjidhen midis tyre, dhe në institucionet e vendit. “Kjo do të thotë se dëshirojmë që atje të zgjidhen problemet politike dhe të përfundojë bojkoti në Parlament” citohet të jetë shprehur Z. Stoltenberg në Parlamentin Evropian, “pasi Shqipëria është aleate e NATO-s, të cilën e çmojmë veçanërisht”, ka thënë ai.
Fatkeqësisht, duket se institucionet më të larta euro-atlantike dhe miqtë e Shqipërisë po humbasin durimin dhe shpresat se Shqipëria, si anëtare e NATO-s, në vend që të prodhojë siguri e stabilitet të brendshëm dhe të jashtëm, në qoftë se vazhdohet kështu dhe në qoftë se nuk arrihet ndonjë marrëveshje e shpejt politike midis palëve, ajo është në rrugën e de-stabilitetit të saj politik. Shqipëria qe pranuar në NATO me besimin se ajo do të ishte stabile, sidomos të kishte stabilitet politik, një kusht ky për të gjitha vendet anëtare dhe për ato që aspirojnë të bëhen anëtare të NATO-s. Duket se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO qe pranuar më shumë duke shpresuar në vullnetin e mirë të politikanëve shqiptarë për ndryshime politike në Shqipëri se sa në realitetin politik të vendit, 8-vjetësh më parë. Është fatkeqësi që edhe sot pas 8-vjetësh anëtarësimi në NATO, Shqipëria gjithnjë përballet me mos-vullnetin politik nga pozita dhe opozita, për të zgjidhur sfidat serioze me të cilat përballet vendi, përfshirë korrupsionin, reformat politike, institucionale, elektorale dhe juridike. Shtoju këtyre problemeve gjendjen aktuale politike, mos tolerancën ndaj njëri tjetrit dhe mos vullnetin për dialog serioz politik– si rezultat pastaj ke para vetes krijimin e mundshëm të një situate të tmerrshme me pasoja të pa parashikueshme. Sjellje të tilla nga kjo klasë politike nuk i kanë hije një vendi anëtar të NATO-s, e për më tepër nuk u kanë hije shqiptarëve! 
Për më tepër është një gjendje e rrezikshme që Zot ruajna, po të dalë jashtë dore, pret që të përdoret nga influenca dhe forca të huaja anti-perëndimore, për objektivat e tyre qëllim këqija për rajonin, dhe për nga natyra historike, edhe anti-shqiptare. Mezi presin që forcat e brendshme politike shqiptare t’ua përgatisin terrenin për veprim! Të mërkurën u takuan në Soçi të Rusisë, Presidenti rus Putin dhe Presidenti turk, Erdogan. Z. Erdogan u shpreh për takimin e tij me udhëheqësin rus se të dy palët, “Kanë një rast të mirë për të biseduar mbi çështjet bilaterale dhe ato rajonale.” Kemi një punë serioze mbi supet tona”, u shpreh udhëheqësi turk, duke shtuar se kemi “Një përgjegjësi tepër të madhe. Jam i sigurt se masat që do të marrim së bashku (me Putinin) do të ndryshojnë fatin e mbarë rajonit”, u shpreh Presidenti Erdogan. Ndërsa Presidenti rus, Putin u shpreh se marrëdhëniet ruso-turke po marrin një “status të veçantë”. “Është shumë mirë që kemi këtë takim zyrtar për të biseduar çështjet kryesore në marrëdhëniet tona dhe për të diskutuar çështjet ndërkombëtare. “Vet fakti se ne po bashkëpunojmë, tregon se marrëdhëniet ruso-turke po marrin një karakter të veçantë…”, është shprehur udhëheqësi rus për takimin e tij me Presidentin turk. Mbetet për tu parë nëse këto deklarata ishin kërcënime a po premtime. Ndërkaq, media ruse ka brohoritur takimet e fundit midis Presidentit Putin dhe Presidentit Erdogan, si shenja serioze se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë janë duke u përshkuar nga ndryshime që cilësohen si sizmike, e që mund të ndodhin vetëm në një gjeneratë.
Lëvizjeve putinisto-erdoganiste në fushën ndërkombëtare dhe sidomos në politikën rajonale të Ballkanit Perëndimor duhet tu kushtohet vëmendje e posaçme dhe të mos u jepet mundësi veprimi në ujërat e turbullta të Ballkanit. Shqetësimi ndaj influencës së këtyre dy autokratëve në punët e Ballkanit është shprehur nga nivelet më të larta të botës perëndimore. Edhe vërejtja e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Stoltenberg për gjendjen aktuale në Shqipëri duhet të merret gjithashtu seriozisht dhe në këtë kontekst. 
Është e vështirë të merret me mend që një udhëheqës i NATO-s të shpreh shqetësim mbi konfliktet e brendshme politike të një vendi anëtar, pasi NATO ekziston për të mbrojtur vendet anëtare nga ndonjë sulm i jashtëm e jo nga trazirat e brendshme që mund të shkaktohen nga vet klasa politike, e cila si përgjegjësi të parë të sajën ka ruajtjen e stabilitetit të vendit, mbrojtjen e atdheut dhe sigurinë e popullit të vet. NATO si organizatë shumëkombëshe angazhohet për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe konflikteve në radhët e saj por rri larg konflikteve të brendshme të vendeve anëtare. Është e nevojshme që klasa e sotme politike e Shqipërisë, si anëtare me të drejta dhe përgjegjësi të plota në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO – ta pyes veten nëse në marrëdhëniet midis tyre, si individë dhe si parti, po sillen ashtu siç meriton kjo organizatë dhe ashtu siç u ka hije shqiptarëve? Qeveria shqiptare duhet ta pyes veten gjithashtu, a janë sjelljet e politikës shqiptare standarde të NATO-s, anëtare e të cilës është Shqipëria dhe a janë këto standard që të çojnë drejtë të integrimeve në organizmat tjera euro-atlantike, siç është Bashkimi Evropian, pjesëtare e të cilit shpreson të bëhet Shqipëria? 
Në mungesë të një zgjidhjeje të shpejtë politike midis pozitës dhe opozitës shqiptare në Tiranë, mendoj se kështu nuk mund të shkohet më dhe besoj se është përgjegjësi e Presidentit në detyrë dhe Presidentit të posa zgjedhur të vendit të ndërhyjnë, së bashku dhe urgjentisht, me palët për t’i dhënë fund këtij cirku të rrezikshëm politik, për të shpëtuar vendin nga ndonjë e papritur. Parë nga kjo anë e Atlantikut, me zgjatjen e gjendjes aktuale, po kalon koha për mënjanimin e një krize të pariparueshme në institucionet politike të vendit!
*Ish Drejtori i VOA-s për Euroazinë
Sigal