Frank Shkreli/ Janë ekzekutuar me urdhër të Enver Hoxhës

662
Në një intervistë të fundit, Nexhmije Hoxha, bashkëshortja në jetë dhe bashkëpunëtorja në krime e ish-diktatorit Enver Hoxha, ka deklaruar se ish-udhëheqësi komunist i Shqipërisë ishte “burrë shteti” dhe se nuk merrej me gjëra të tilla. Fjala është për vrasje dhe ekzekutime me gjyq dhe pa gjyq të kundërshtarëve të regjimit komunist, klerikë dhe njerëz të shkolluar të kombit – ç’prej ditëve më të para të pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë dekadave që pasuan – madje përfshirë edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij. Duke filluar nga mesi i 1945, terrori komunist ishte më i prononcuar se askund tjetër në Shqipëri në Shkodër dhe rrethinat e saj në veçanti, kryesisht i drejtuar kundër klerit katolik. Ky vit shënon 70-vjetorin e një prej ekzekutimeve të para të regjimit komunist në Shqipëri, të një grupi klerikësh katolikë dhe laikë nga Shkodra, me urdhër ekzekutimi të drejtpërdrejtë dhe të nënshkruar nga dora vetë e Enver Hoxhës, në kapacitetin e tij si “Ministër i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare”, me 2 mars, 1946. (Shih dokumentin më poshtë). Cilët ishin këta martirë e atdhetarë në listën e Enver Hoxhës që “meritonin” ndëshkimin me pushkatim? Në krye të listës për ndëshkim me vdekje është Pater Giovanni Fausti, Zëvendës i Provincialit të Jezuitëve në Shqipëri. Lista përfshinë gjithashtu klerikë të dalluar shqiptarë si Pater Daniel Dajani dhe Pater Gjon Shllaku. Në shënjestrën mizore të pushkës së tij për pushkatim -70-vjet më parë këtë vit – Enver Hoxha kishte venë edhe patriotët si seminaristin në moshë të re Mark Ndoc Çunin, dhe laikët Qerim Sadik Muftarin dhe Gjelosh Lulash Bajraktarin. Në shkresën e diktatorit Hoxha përfshihen edhe emrat e Gjergj Vat Bicit, të cilin sipas dokumentit, Enver Hoxha vendosë ta dënojë me burg të përjetshëm dhe Fran Pjetër Mark Mirakajt, rastin e të cilit siç shihet më poshtë, Enver Hoxha premton se do ta shqyrtojë më vonë, ndërkohë që u zotua se vendimi i tij do të komunikohet mbas shqyrtimit të “fajtorisë” së Mirakajt. Në të vërtetë “shqyrtimi” nga Enver Hoxha nuk vonoi shumë, pasi Fran Mirakaj ekzekutohet në moshën 29 vjeçare, shtatorin e vitit 1946. 



Po cilat ishin “Aktet e Fajtorisë” së tyre, siç i cilëson Enveri? I ashtuquajturi “Fronti Demokratik” organizoi fushatë elektorale në fund të vitit 1945 në Shqipëri, por masat e popullit e panë shpejt se i ashtuquajturi “Fronti Demokratik” nuk kishte të bënte aspak me demokracinë dhe as me zgjedhje të lira, por ishte një fasadë që paralajmëroi fytyrën e vërtetë e të shëmtuar të Partisë Komuniste të Shqipërisë që do vinte më pas. Një regjim që do të qeveriste Shqipërinë për pothuaj një gjysmë shekulli me një dorë të hekurt, si njëri prej regjimeve më të ashpra komuniste në botë, duke propaganduar urrejtjen ndaj kundërshtarit politik dhe të shqiptarit ndaj shqiptarit, madje duke justifikuar edhe eliminimin fizik të kundërshtarëve të regjimit komunist, si “armiq të popullit”. 
Në këtë atmosferë, terrori në mesin e viteve 1940 në Shqipëri, seminaristi Mark Çuni, të cilit më vonë iu bashkuan një numër të rinjsh bashkëpunëtorësh të tjerë shkodranë, themelon brenda seminarit Papnor në Shkodër, organizatën “Bashkimi Shqiptar”. Në thelbin e programit të saj politik, kjo organizatë mbante një frymë kombëtare dhe anti-sllave, sipas një dëshmie të Gjovalin Zezaj, njërit prej pjesëmarrësve në atë organizatë. Ishte ky një grupim që kishte për qëllim të ekspozonte tradhtinë e të ashtuquajturit Frontit Demokratik. Ndërkaq, organizata anti-komuniste Bashkimi Shqiptar synonte që në radhët e saj të përfshinte përfaqësues nga të gjitha rrymat politike me frymë demokratike, të cilët ishin betuar të punonin për “idealin e shenjtë të Atdheut” dhe duke kundërshtuar regjimin komunist me mjete paqësore, ka kujtuar dëshmitari i mbijetuar Gjovalin Zezaj. Dëshmitari Zezaj ka pohuar gjithashtu se në këtë ndërkohë, organizata Bashkimi Shqiptar kishte filluar të zgjeronte aktivitetin e saj edhe jashtë Shkodrës, duke e lidhur atë fillimisht, nëpërmjet Myfit Bushatit një shoku të tyre gjimnazist, me grupin e rezistencës dhe me organizatën, “Bashkimi Kombëtar” që vepronte në Tiranë, pjesëtare e së cilës ishte edhe Musine Kokalari, që konsiderohet si shkrimtarja e parë grua shqiptare dhe disidentja e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste dhe themeltare e një partie opozitare.

 Por fatkeqësisht aktiviteti i organizatës Bashkimi Shqiptar dhe Bashkimi Kombëtar u zbuluan shpejt nga Sigurimi i Shtetit, gjë që fillimisht pasoi me arrestimin e shpejt të themeluesve dhe pjesëmarrësve në veprimtaritë e tyre dhe të eprorëve të tyre, gjë që eventualisht çoi në dënimin e disa prej tyre me vdekje, siç dëshmon dokumenti i nënshkruar nga dora vet e Enver Hoxhës. Fatkeqësisht, kjo histori e dhimbshme nuk mund të zhbëhet në këtë 70-vjetor të vrasjes së këtyre njerëzve të pafajshëm, të cilët u munduan të ndalonin fatkeqësinë e madhe të murtajës komuniste. Por as nuk duhet të harrohet kjo histori. Kaq mund të bëjmë në këtë 70-vjetor. Këto viktima të pafajshme të komunizmit duhet të kujtohen si viktima të një diktatori të çmendur, i cili me të rënë të penës, ekzekutonte me pushkatim kundërshtarët e tij politikë dhe fetarë, duke zhdukur kështu një pjesë të madhe të elitës politike, kulturore dhe fetare të kombit. Është kjo një njollë kombëtare që vonë zhduket, kur të merret parasysh se dora shqiptare, e dehur nga një ideologji e huaj sllavo-aziatike, me të cilën kombi shqiptar nuk kishte asgjë të përbashkët, mizorisht eliminoi bijtë dhe bijat më të mira të tij, duke varfëruar kështu përgjithmonë, historinë, kulturën, gjuhën dhe trashëgimitë dalluese stërgjyshore të shqiptarëve. Prandaj në këtë 70-vjetor, përvjetor të këtij abuzimi flagrant të historisë dhe të drejtësisë nga diktatori Enver Hoxha dhe ndërkohë që në Shqipëri po zhvillohet një debat i tejzgjatur dhe i zhgënjyer mbi të ashtuquajturën “Reformë në Drejtësi”, ka mbetur vetëm shpresa në të Madhin Zot se kjo klasë politike – më në fund – do të vijë në vete dhe me ndihmën e Zotit të sigurojë fuqi dhe urtësi për të ndjekë një rrugë të drejtë kombëtare dhe njerëzore – me drejtësi të barabartë për të gjithë shqiptarët, pa dallim, përfshirë edhe viktimat e “drejtësisë” së diktatorit Enver Hoxha dhe regjimit të tij. Problemet e drejtësisë me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare i kanë rrënjët pikërisht në dokumentin e mësipërm me nënshkrimin e Enver Hoxhës dhe në dokumente të tjerë si ky dhe si rrjedhim edhe në mentalitetin e paragjykimeve prapanike që rrjedhin nga ai sistem. 
Sigal