-Për mendimin tim administrata e korrupsionit dhe bujqësia po vdesin nga derropolitika
- Të tjerët mbjellin tokën, ndërsa Shqipëria nuk miraton ligjet për financimin
- Ja ligji i pashkruar i 40% që po shkatërron investimet, bujqësinë dhe shtetin
- Ende ndodhin sjellje “kriminale” ndaj bujqësisë shqiptare edhe në kushtet e krizës globale.
Është sjellje antishqiptare mos hartimi i VKM për financimin e bujqësisë, ku çdo vit një VKM e tillë është hartuar që në muajin dhjetor të vitit të mëparshëm.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Mos hartimi në kohë i një VKM-je për financimin e bujqësisë është një problem serioz administrativ dhe politik. Në praktikë, mungesa e një vendimi të tillë sjell pasoja konkrete për sektorin: Vonesë në shpërndarjen e subvencioneve për fermerët. Pasiguri për planifikimin e mbjelljeve dhe investimeve. Rënie të prodhimit vendas dhe rritje të importeve. Humbje besimi ndaj institucioneve. Bujqësia shqiptare, që tashmë përballet me probleme strukturore (fragmentimi i tokës, mungesa e mekanizimit, emigracioni rural), e ndjen edhe më shumë këtë vakum politikash. Nëse VKM-të për financim janë hartuar tradicionalisht në dhjetor dhe kjo praktikë ndërpritet, atëherë kemi të bëjmë me një mungesë të qartë koherence dhe serioziteti institucional.

-Edhe pse kemi folur vazhdimisht për bujqësinë sërish problemet mbeten po ato. Shohim krizë globale dhe të njëjtat probleme për bujqësinë shqiptare. Pse?.
Për mendimin tim administrata e korrupsionit dhe bujqësia po vdesin nga derropolitika. Sjellja kriminale ndaj bujqësisë është më shumë se tradhti kombëtare. Për mendimin tim, fatkeqësia ma e madhe e Shqipërisë është kakistokracia dhe qeverisja e gjatë nepotike, hajdutërore, klanore, kriminale, amorale, dhe e papërgjegjshme. Të tilla qeverisje e dobësojnë dhe e shpërbëjnë shtetin dhe kombin shqiptarë, sepse në vend të punësimit, të prodhimit, të kohezionit shoqërorë e politikë, të mirëqenies, të shpresës etj, këto lloj qeverisjesh mbjellin dhe prodhojnë papunësi, varësi totale nga importet, konfliktualitet, varfëri, stres të gjithanshëm dhe një mizerje të thellë ekonomike e shoqërore. Historia na mëson që në kushtet e krizave rajonale e botërore, ndihma më e madhe, më e shpejtë dhe më e drejtpërdrejtë e çdo kombi dhe populli është bujqësia, nga ku buron forca, punësimi, ushqimi i përditshëm dhe mbijetesa.
Të gjitha qeveritë e vendeve të rajonit dhe vendeve të BE, të SHBA, etj, në plan të parë kanë vendosur bujqësinë dhe prodhimin bujqësorë, si mjetin më efikas të pavarësisë, prosperitetit dhe zbutjes së pasojave të krizave. Ndërsa e kundërta po ndodh në Shqipëri ku bujqësia është abuzuar, vjedhur dhe lënë në harresë e pa asnjë kujdes, pa mbrojte dhe pa financimin e duhur.
Është lënë pa ndërhyrje ligjore e stimuluese, në shërbim të prodhimit dhe të mbjelljeve të reja të pranverës. Është lënë pa asnjë mbrojtje përballë rritjes së çmimeve të naftës, pesticideve, farave, plehrave, etj. Ka kohë që është ekspozuar dhe lënë pa masa mbrojtëse edhe përballë vërshimit të importeve dhe mungesës totale të zgjidhjeve praktike e bashkëkohore në drejtim të strukturave varietore, rajonizimeve, testimeve, teknologjive, mekanizimit, farërave dhe fidanëve të certifikuar, etj.
Unë nuk di që të mund të ketë sjellje më kriminale apo një pabesi më të madhe ndaj Shqipërisë, se sa në këto kushte krize, të lësh bujqësinë jashtë kujdesit dhe ndërhyrjeve të nevojshme me financime, me ligje, me subvencione, me ulje akcize, me ulje të TVSH-së së inputeve, etj.
Është sjellje shumë e gabuar edhe mos hartimi në kohë i VKM për financimin e bujqësisë, ku një VKM e tillë, çdo vit është hartuar që në muajin dhjetor të vitit të mëparshëm. Ndërsa këtë vit, mbase drejtuesit e vendit tonë po mendojnë se edhe domatet, edhe koncentratin, por edhe lakrat do të na i sjellin nga NATO-a. Mua me irriton shumë mungesa e dijeve dhe e përgjegjësisë ndaj fateve të ekonomisë së vendit, sidomos në të tilla kriza që nuk dihet se si do të jetë fundi i tyre.
-Të tjerët mbjellin tokën, ndërsa Shqipëria nuk miraton ligjet për financimin, çdo të thotë kjo?
Në vend që të kemi një ministri dhe një qeverisje që punon për të mbjellur çdo metër katrorë të tokës bujqësore, po shohim një ministri dhe administratë që edhe pse kanë kaluar tre muaj (janar-shkurt-mars 2026), në terren akoma nuk ka asgjë, akoma nuk është bërë asnjë zgjidhje konkrete për punësimin, as prodhimin, as përpunimin e as marketingun e as tregjet dhe masat mbrojtëse.
Në vend që të ketë një sjellje të përgjegjshme, qytetare dhe Europiane ndaj të korruptuarve që kanë vjedhur ditën për diell mbi 33 milion euro të IPARD 2, duke shkaktuar edhe humbjen e besimit dhe anulimin për një afat të pacaktuar e mbase edhe djegien e mbi 146 milion eurove të IPARD3, shohim që ka nisur loja e zarfeve dhe e padive civile, që vetëm sa e ndërlikojnë edhe më shumë këtë punë, duke mos ndihmuar në zgjidhjen që është kthimi i parave të abuzuara.
Të korruptuarit e Shqipërisë, duhet ta kuptojnë sa më parë që OLAFI i BE, i ka kapur me presh në dorë, e me mijëra fakte të vjetra e të reja që akoma janë sheshit, e që po dalin çdo ditë.
Drejtuesit e lartë të qeverisë dhe zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë e dinë shumë mirë faktin që paratë nuk mund të kthehën nga fermerët, sepse fondet kan shkuar për tek korrupsioni.
– Të gjitha qeveritë e rajonit dhe BE, të SHBA, në plan të parë kanë vendosur bujqësinë dhe prodhimin bujqësorë, si mjetin më efikas të zbutjes së pasojave të krizës, ne asgjë.
– Bujqësia jonë është lënë pa asnjë ndërhyrje ligjore e stimuluese në shërbim të prodhimit dhe të mbjelljeve të pranverës
-Bujqësia jonë është lënë pa asnjë mbrojtje përballë rritjes së çmimeve të naftës, pesticideve, farave, plehrave, etj 
-Çfarë është Ligji i pashkruar i 40% që sipas jush po shkatërron investimet, bujqësinë dhe shtetin?
Sikurse të gjithë e dinë faktin, që për të gjitha subvencionet dhe financimet e marra nga buxheti i shtetit dhe nga fondet e IPARD-it, përmes një ligji të pashkruar, fermeri apo qytetari gjithnjë ka dhënë në formën e rushfetit 40-60% të vlerës së financimit.
Para 6 ditësh pata një bisedë me një fermer të madh të Shqipërisë, i cili me tregoj se si e hartoj dhe e paraqiti projekti për një frigorifer, e që kërkonte 3 milion euro financim.
Ai me tregoj se si kur shkoj për të paraqitur letrat, i është shfaqur sekseri ku i ka thënë që financimi do të kalojë, vetëm nëse juve do të lini tek neve 40% të vlerës, ose 1,2 milion euro.
Madje edhe këtë shumë ja ka ndarë në dy këste, 20% ose 600000 euro paradhënie, e po kaq do të jepeshin pasi të kalojë kësti i parë i financimit, këtë praktikë mizore e din çdo shqiptarë .
Sikurse me tha mua dhe studentëve të mi, ai nuk e pranoj gjobën 40%, dhe frigoriferi mbeti vetëm një projekt në letër, një humbje shumë e madhe, është akoma i pa ndërtuar.
Nuk ka asnjë përfitues që të mos ketë lënë përqindjen e kërkuar, prandaj në terren nuk ka mbetur pothuajse asgjë përveç shkresave dhe dosjeve fiktive, e ku kthimi i parave nga fermerët është totalisht i pamundur, e ku loja me zarfet është kohë e humbur dhe vetëdiskreditimi i radhës.
Bashkimi Europian nuk vuan për 33 milionët e vjedhura nga zyrtarët e Shqipërisë, ama BE ka standardin dhe përgjegjësinë e duhur ndaj taksapaguesve të vet, e me të drejtë i ka bllokuar e nuk ka asnjë shans për ti zhbllokuar përmes artificave të zarfeve që po dërgon AZHBR-ja, etj.
Dje isha me një nga avokatët që aktualisht po mbron një fermer, e sikurse ai me argumentoj që përderisa zyrtarët e korruptuar ose të pa ditur e kanë shqyrtuar projektin, e kanë pranuar, e kanë shpallur fitues, e kanë financuar dhe e kanë supervizuar e miratuar shpenzimin, kërkesa për të kthyer fondet është vetëm qesharake, është vetëturpërim, është një gjyq i humbur.
Por edhe sikur fermeri të kthejë 40-60% e fondit të marrë, shtrohet pyetja kush do ta kthejë 40% e marrë përmes ligjit të pashkruar të korrupsionit.
Me të tilla raste është mbushur vendi, kudo bisedohet për korrupsionin, që të gjithë e dinë dhe e zbatojnë ligjin e pashkruar të korrupsionit të ngritur në një sistem ku pasurohet hajni dhe paraziti, ndërsa varfërohen e largohen profesionistët, prodhuesit, rinia dhe popullsia.
Në këtë situatë duket që vetëm auditi i ministrisë, ai i AZHBR-së, apo edhe i atyre agjencive të njohura të sigurisë, bëjnë sikur nuk e kanë parë e nuk po e shohin, sikur nuk po dëgjojnë, edhe pse paguhen fiks për këtë punë, paguhen për sigurinë tonë ekonomike, mjedisore dhe financiare.
Për ata që dalin në terren, situata është shumë e rendë, aq më tepër nëse mendon që aktualisht të gjitha tokat e rajonit po mbillen, ndërsa toka e Shqipërisë akoma nuk ka asnjë aplikim, as planifikim dhe as subvencione për drithërat, as perimet, as pemët frutore, as vreshtat, etj.
Ndërsa për ata që nuk dinë asgjë nga bujqësia e që rrinë nëpër zyrat e administratës duke grumbulluar dhe konsumuar liket e facebookut, duket që nuk ka asnjë problem e asnjë dhimbje.
Mjafton që të mos mbjellim drithërat, sepse çdo vit na i sjellin nga importi mbi 400000 ton drithëra buke dhe koncentratë nga Rusia, Ukraina, Serbia, etj, pa folur për cilësinë e tyre.
Trangujt e zyrave dhe ata opinionistët e paguar të ekraneve, akoma nuk po e quajnë problem rritjen e çmimit të domate me 300%, nga 120 lekë/kg, në 360 lekë/kg, e as të naftës nga 170 lekë/litër në 220 lekë/litër, e kështu me radhë, që të gjitha çmimet me 30-60%.
-Në bisedë theksoni: Jemi aq vetëvrasës sa nuk po i ulim as akcizën dhe TVSH e inputeve?
Madje jemi aq të pandjeshëm sa edhe kur vendet e rajonit e të gjithë botës po e ulin akcizën e karburanteve dhe TVSH e inputeve bujqësore, ne shqiptarët nuk po reagojmë, nuk po flasim, heshtim, nuk e zgjojmë nga gjumi qeverinë për të bërë atë që ka bërë Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Serbia, po e bën e gjithë bota.
Madje jemi aq vetëvrasës e aq vetëturpërues saqë po i s’takojmë edhe ata pakë traktorë që kemi në punë, sepse naftën e kemi më çmimin më të lartë në rajon dhe botë, edhe pse jemi një vend i pasur me naftë. Kjo po ndodh në një kohë kur edhe ringritja e një industrie të re nxjerrëse e përpunuese të naftës shqiptare nga fillimi, nuk shkon më shumë se 50 milion euro, një shumë më e vogël se korrupsioni i një rruge qorre. Ama nafta do të na jepte tjetër forcë në këtë krizë, nga e cila prekemi dhe po rrezikohemi aq shumë. Prandaj duhet vizioni dhe qeverisja meritokratike, me perspektivë dhe në shërbim të mirëqenies dhe stabilitetit afatgjatë të vendit.
Sa herë që shkruaj them nga ta kapësh këtë rrobën tonë të korrupsionit dhe injorancës që na ka grisur e bërë zhele. Na ka dëmtuar që të gjithëve, të majtë e të djathtë. Prandaj edhe militantët e administratës nepotike e inkopetente, duhet të përmbahen e të bëhen zap në mënyrë ligjore
Që të gjithë e dinë që Shqipëria nuk prodhon e që po humbet edhe tregjet, markat dhe eksportet.
Kjo po ndodh për shkakun se na ka mpirë e na ka bllokuar korrupsioni, injoranca, ligësia, grykësia dhe konfliktualiteti politikë, në shërbim të një pushteti pa moral e pa fund.
Nga ku vetëm për importet aktualisht po shpenzohen mbi 5,5 – 6 miliard euro në vit, e që të gjitha për prodhime që mund të realizohen me shumë pak punë në tokën e Shqipërisë.
Ndërsa edhe për këtë vit, realisht jemi të ekspozuar ndaj krizës botërore dhe rajonale të shkaktuar edhe nga konfliktet, edhe pse ky vendim (VKM e financimit të Bujqësisë) me aq sa di nuk ka dalë akoma as me u diskutuar, dhe as për një detajim të masave teknike e menaxheriale.
Është data 26 mars 2026, dhe akoma nuk është hartuar as platforma dhe as modalitetet dhe termat e bashkëpunimit dhe të përgjegjësive midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave, në shërbim të detajimit të fondeve sipas prioriteteve dhe hapjes së mundësive reale për mbjelljet e reja dhe investimet prodhuese në bujqësi.
– Akoma nuk është hartuar platforma e modaliteteve dhe termave të bashkëpunimit dhe përgjegjësive midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave
– Shqipëria nuk e ka luksin për të toleruar korrupsionin me fondet e bujqësisë
– Fondet janë vjedhur, kanë ngelur vetëm dosjet fiktive që nuk vlejnë për asgjë
– Heshtja ndaj korrupsionit me fondet e IPARD është krim me pasoja për bujqësinë
-Duket që edhe VKM për financimin e bujqësisë akoma nuk është miratuar…Po vitet e tjera?
Në vitet e tjera planifikimi i buxhetit dhe financimit të projekteve është bërë që në mesin e muajt janar. Ndërsa këtë vit, edhe pse në një krizë të thellë rajonale e botërore, akoma nuk ka as VKM, as informacion, as shpallje kriteresh, as rregullore, as prioritete, ka errësirë, asgjë tjetër.
Ka një heshtje që po cenon rëndë sigurinë ekonomike, ushqimore, jetësore e kombëtare të Shqipërisë. E këtë nuk e meriton asnjë banorë i Shqipërisë, që po rropatet ditë e natë për të punuar, jetuar e paguar taksat për njerëz kaq të papërgjegjshëm e mediokër, që duket që ka të drejtë fermeri nga Shënavlashi kur i quan “derrat e derropolitikës”.
Shqipëria është totalisht e varur nga importet, që nga buka e gojës, perimet, frutat, e deri edhe tek kashta për lopën, delen apo edhe gomarin, ndërsa toka si në asnjë vend tjetër është djerr.
Kjo ndodh në një kohë kur toka dhe klima e Shqipërisë, këto produkte mund ti prodhojë me shumicë, e ndër më të mirat kualitete të kësaj bote, e të plotësojë nevojat e dy milion banorëve që kemi mbetur për konsum të brendshëm, por edhe të ketë prodhime bujqësore për eksportet.
Por sikurse dihet, këtu ka vite që nuk prodhohet më asgjë. Sepse këtu fondet, studimet, projektet, ligjet, financimet, investimet nuk bëhen dhe as nuk shkojnë për fermerin, as për standardet, as për cilësinë, as për tokën, as për blegtorinë, as për mekanizimin, etj.
Projektet, strategjitë vetëm sap o kopjohen dhe rishkruhen ato të vjetrat e viteve 1970-1980, që nuk bëjnë më për asgjë. Ndërsa politikat i bëjnë ata që nuk janë marrë asnjë ditë me punët e bujqësisë, e që nuk kanë marrë as edhe një orë mësimi kulturë apo teknologji bujqësore.

-Mos besoni tek të parazitët dhe të paditurit, besoni tek puna, djersa dhe toka juaj
Bazuar në parimet e njohura të filozofisë që thotë që jashtë profesionit gjithsekush është injorantë (i paditur), duket që mëndje dhe dorë mizore e ka ngritur injorancën në sistem, pasi kudo në majat e shtetit, të politikes dhe të qeverisjes së bujqësisë. Unë nuk po shoh e as dalloj asgjë shkencore, as zhvillimore e as konkurruese, korrupsioni dhe injoranca po e vdesin prodhimin.
Në këto kushte aspak të favorshme, për të gjithë ju fermer dhe kolegë të bujqësisë, ju shpreh mbështetjen time dhe ju sugjeroj që të reagoni e të mos e ulni kokën përpara atyre që ju mashtrojnë dhe vjedhin.
Si një specialistë dhe djalë i një bujku, ju bëj rixha që sa më parë të kërkoni traditën dhe veglat e punës e të mbillni tokën, në mënyrë që të prodhoni ushqimin nga toka juaj.
Sepse po futemi në një periudhë ku kriza e çmimeve dhe ushqimeve është pashmangshme.
Fitorja dhe buzëqeshja do të jenë me ata që do të punojnë dhe prodhojnë nga toka e tyre.
Koha do ta provojë sikurse e ka provuar edhe më pare, shpresoj që ta kuptoni shqetësimin.






















