Filip GURAZIU/Gjenocidi komunist dhe dinjiteti i ish të përndjekurve politike

531
Sigal

Gjenocidi komunist në Shqipëri ndodhi. Unë, së bashku me shumë të tjerë, jemi dëshmitare të gjallë të atij kobi, që si rrufe ra në familjet tona. Brenda një nate, 27 Shkurt 1951, hijet e zeza me zemër të kuqe, eliminuan 22 intelektualë nacionalistë, pa zhvilluar proces gjyqësor dhe pa provuar asnjë lidhje me akuzën, vetëm e vetëm për terror, si  kurban për baba Stalinin. Kaq e turpshme dhe skandaloze qe ajo masakër, sa që Ramiz Alia, për t’i treguar shqiptarëve dhe botës së lirë se komunizmi në Shqipëri po fillonte të merrte “fytyrë njeriu”, urdhëroi Plenumin e Gjykatës së Lartë që të shpallte të pafajshëm 22 intelektualët e masakruar! Vendimi u mor më 8 Gusht 1991. Ky qe rasti i parë që komunistët shqiptarë pranuan publikisht krimin e tyre!

Atë gjenocid të gjithë e jetuam dhe një pjesë e madhe e popullit shqiptar e provoi mbi supe. Brezat e ri që lindën rreth viteve ‘90, arritën ta njohin sipas tregimeve të prindërve të tyre, arkivave të shtetit apo dëshmive autentike në publikimet që bënë dhe vazhdojnë të bëjnë ato që e vuajtën direkt në burgjet komuniste. Aplikimi i gjenocidit komunist, si metodë kriminale-mafioze-terroriste për të fituar dhe mbajtur pushtetin, eliminoi elitën intelektuale shqiptare, shkatërroi institucionet fetare, i mori jetën në tortura rreth 6000 shqiptarëve, burgosi 30.000 persona dhe internoi 60.000 të tjerë. Familjarët e tyre u përbuzën, u poshtëruan, u diskriminuan dhe u quajtën “të prekur”!. “Të prekur”?, po prej kujt?: “Të prekur nga murtaja komuniste”.

Po, gjenocidi ishte një murtajë, një sëmundje shfarosëse me virus politik, që aplikoi klika kriminale e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut “dhe kompani” për të ndërtuar gjoja (sepse edhe ato e dinin që ishte utopi) shoqërinë komuniste, në themel të së cilës duhej të qëndronte “njeriu e ri”, gjë që do të realizohej në luftë të pamëshirshme dhe të vazhdueshme me mbeturinat e shoqërisë së vjetër borgjezo-kapitaliste!.

Sot pas 23 viteve të  kapitullimit të diktaturës komuniste dhe të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare për konsolidimin e demokracisë, po përjetojmë një situatë të paparashikuar, të interpretuar sipas një propagande mediatike të mirëmenduar e cila tenton ta bëjë ujkun qengj, ose më qartë po kërkon të bindë brezat e ri “se edhe në qoftë se ndonjëherë diku në Shqipëri paska pasur gjenocid komunist ( pasi minarja nuk futet në thes), ai gjenocid është bërë vetvetiu, pa urdhërdhënës, si pasojë askush nuk mund të mbajë përgjegjësi!.

Për të arritur në këtë konkluzion makiavelist, personazhe me të kaluar të errët në aparatin shtypës të diktaturës së Enver Hoxhës, duke përfituar nga mangësitë e demokracisë së brishtë shqiptare, po publikojnë libra, artikuj si dhe organizojnë programe televizive për të  paraqitur se si ujqërit e kuq komunistë nuk paskan pas qenë bisha që u ushqyen me gjakun e pafajshëm të shqiptarëve, por në realitet, paskan pas qenë qengja, që ngjajnë me ujkun rastësisht, vetëm nga ngjyra e kuqe, sepse ashtu  ka qëlluar edhe ngjyra e flamurit komunist. Ato udhëheqës komunistë, urdhëruesit dhe zbatuesit e gjenocidit, paskan pas qenë një lloj qenie njerëzore e veçantë, vërtetë të ashpër me armikun e klasës, por me “shpirt babaxhani, kryefamiljarë të dashur, me moral të pastër, me shije letrare, poetike dhe sentimentale, të ditur, strategë dhe burra shteti, etj..

Kurse me gjenocidin ato s’kanë të bëjnë fare, atë e kanë bërë vetë shqiptarët, (pra populli), ato vetë e kanë dashur, ajo është vepër e tyre!

Trashëgimtarëve të ish kupolës komuniste, përgjegjëse për krimet më mizore ndaj popullit shqiptar, sot pas 23 viteve ndërrim sistemi, nuk i mjafton pozita që zotërojnë, nuk i mjafton pasuria që ato gëzojnë, pensionet e majme që marrin etj., por duan më, duan më. Ato duan moralin, të rifitojnë moralin e humbur, që pason me njohje të titujve dhe ringritje të monumenteve në kujtim të krimeve të bëra dhe të “meritës së madhe” që transformuan Shqipërinë në varrezë bunkerësh dhe “njeriun e ri” shqiptar në qenien më mjerane në botë.

E thënë troç dhe shqip, kjo do të thotë përbuzje e kujtimit te atyre martirëve që u masakruan dhe vuajtën nga diktatura e Enver Hoxhës, do të thotë përdhunim dhe poshtërim i shtresës së ish të përndjekurve politikë që kontribuoi aq tepër në konsolidimin e demokracisë.

Në diktaturë humbëm njerëzit më të dashur dhe pësuam vuajtjet e ferrit dantesk, sot pas 23 viteve në demokraci, po përpiqen të na vjedhin dinjitetin dhe moralin. Kjo nuk mund të durohet dhe nuk duhet të lejohet!

Është koha, që të gjithë forcat antikomuniste; shoqatat, institucionet, religjionet, partitë e djathta, përfaqësuesit e PD, intelektualët me bindje liberale, mediat progresiste etj., të reagojnë të bashkuar ndaj kësaj përpjekje të mbarsur me moral pervers që po kërkon t’i serviret dhe në një fazë të dytë t’i imponohet brezit te ri. Helmatisja e brezit të ri me ideologji primitive dhe reaksionare që himnizon kriminelin dhe krimin, përbën aktin më të turpshëm dhe të papranueshëm për një shoqëri demokratike. Indiferentizmi ndaj kësaj çështjeje, duhet konsideruar tradhti ndaj idealeve të atyre që dhanë jetën dhe u sakrifikuan për liri dhe demokraci.

Historia, për kriminelët që bënë gjenocid ndaj popullit të vet, është e pamëshirshme, për ta, nuk rezervon vend tjetër, veçse koshin e madh të plehrave. O nostalgjikë donkishoteskë të diktaturës komuniste!

Lërini ato kriminelë aty ku janë hedhur nga historia. Mos i ngacmoni, lërini në punë të tyre,  të gëzojnë njëri-tjetrin  “të shtrënguar në unitet të çeliktë, si në byronë politike”. Mos ja vështirësoni ecjen përpara shqiptarëve të stërvuajtur, duke i ngarkuar artificialisht me emocione imorale te së kaluarës diktatoriale! Na leni edhe neve të qetë në vuajtjet dhe hallet tona që s’kanë të mbaruar… Shqiptarët sot, kanë nevojë më fort se kurrë, për forcim të unitetit kombëtar dhe jo për përçarje për “mullinjtë e erës”.