Engjëll Musai: Dekoratat patriotike të Metës dhe milionat me pensionet e posaçme të Ramës

376
Sigal

Engjëll Musai

Drejtor i Gazetës Telegraf

Presidenti i Republikës ka marrë pjesë në takimin  e organizuar në teatrin  Andon Z. Çajupi nga Bashkia e Korçës, në nderim të figurave të shquara dhe personaliteteve të artit e kulturës korçare. Nuk ka asnjë dyshim se qyteti i serenatave, apo siç quhet ndryshe “Parisi i vogël” së bashku me Shkodrën,Durrësin,Tiranën,Vlorën,Fierin etj. janë hambari që ka prodhuar dhe mbajtur gjallë kulturën dhe artin, jo vetëm në këto vite tranzicioni,por edhe gjatë kohës së sistemit monist, ku me finesën e tyre shpesh herë vinin në lojë edhe vetë sistemin komunist. Për këto vlera artistike në nderim të artëdashësve dhe në respekt të propozimeve të bëra nga Bashkia e Korçës, Kreu i Shtetit ka dekoruar disa përfaqësues të skenës dhe qytetarisë korçare.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Rama, i cili ka deklaruar pas ceremonisë së dekorimeve se Presidenti Meta, “nuk mund të bëjë asgjë tjetër, përveçse të shpërndaj dekorata pa asnjë vlerë”. Kjo deklaratë e kreut të së ashtëquajturës “Rilindje” nga njëra anë është një fyerje e madhe ndaj vlerave artistike dhe trashëgimnisë kulturore kombëtare, dhe nga ana tjetër është një shenjë xhelozie, për këto figura që i sollën buzëqeshje artëdashësve të Korçës dhe mbarë Shqipërisë. E nëse ecim në llogjikën e deklaratës së Ramës ,se dekoratat janë pa asnjë vlerë monetare, këtu Rama ka të drejtë. Pasi të vetmet “dekorata” që kanë vlerë janë shpërblimet për pensionet e veçanta që vetë Kryeministri Rama u akordon miqëve, shokëve, patronazhistëve dhe militantëve të rilindjes.


E ndërsa mijëra pensionistë,ushtarakë, mësues, mjekë, minatorë, naftëtarë marrin pension sa për të blerë ilaçet dhe të paguajnë dritat, të dekoruarit e Kryeministrit marrin pensione të posaçme shtesë në vlerën e 290 mijë lekë në muaj përveç pensionit të pleqërisë, i cili nuk duhet të kalojë shumën 580 mijë lekë në muaj. Ndërsa pensioni social që marrin mbi 38% e shqiptarëve  është 72 mijë lekë në muaj. Ja ky është dallimi midis Dekorimeve dinjitoze të Presidentit pa i shpenzuar asnjë qindarkë arkës së shtetit  dhe “dekorimeve speciale” të pensionit të posaçëm që jep kryeministri Rama nga paratë e popullit.