Engjëll Musai: Amaneti i 21 Janari, pushteti i “Rilindjes” dhe disa pyetje për SPAK

195
Sigal

Engjëll Musai
Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Vrasja e 4 protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është një nga rastet më kriminale në historinë e kombit shqiptar. E njëjta situatë kishte ndodhur më 2 Prill 1991 në qytetin e Shkodrës, ku gjatë protestës popullore për rrëzimin e diktaturës u vranë 4 protestues. Çuditërisht as më shumë dhe as më pakë, por fiks pas 20 vitesh, ( 1991 – 2011 ) Shqipëria mbulohet nga bloza dhe tymi i flakëve që ne shqiptarët pa asnjë shkak dhe arsye ia vumë vetes. Personalisht do të mendoja, gjykoja dhe arsyetoja, se sapo Shqipëria fillon stabilitetin, një dorë e zezë e turbullon situatën dhe ndez gjakrat me qëllimin final: futjen në kaos dhe qorrsokak të vendit. Dhe këto do të vazhdojnë deri sa në Shqipëri askush nuk dënohet dhe askush nuk hetohet deri në detaje, për rolin që ka pasur në këto fatkeqësi të Shqipërisë. Kush ishte nxitësi? Kush ishte shtytësi? Kush ishte organizatori? Kush pagoi për dhunë dhe derdhje gjaku? Këto e shumë, e shumë të tjera duan përgjigje. Në të kundërt ky vend nuk do të gjejë kurrë stabilitet dhe situatat do të rikthehen dhe do na mbajnë peng të së ardhmes sonë dhe të brezave, që do të vijnë.

Si ka mundësi që ndodhi 2 Prilli dhe askush nuk e gjeti shkakun e vërtetë? Në librin e tij të kujtimeve ish -zëdhënësi i UDB-së theksonte se ne ishim të interesuar për rrëzimin e sistemit në Shqipëri dhe kishim dijeni për ngjarjet që pasuan 2 Prillin: si dhe dëshironim shkatërrimin e ndërmarrjeve dhe fabrikave, pasi kjo do rriste protestat dhe largimin e shqiptarëve jashtë vendit.  Ndodhi tragjedi e madhe e 1997-ës dhe askujt nuk i hyri një gjemb në këmbë. Edhe në këto ngjarje, grupe të caktuara kriminale u sollën nga burgjet e Greqisë dhe morën pozitat dominante në krijimin e komiteteve dhe rënien e shtetit në disa qytete të Jugut të Shqipërisë. Ndodhi edhe 21 Janari dhe gjithçka kaloi në qetësi dhe heshtje, a thua se në bulevard u mbollën lule dhe jo u vranë 4 protestues? Po t’i analizojmë këto ngjarje pas shqiptarëve ndodhen qarqet e caktuara antishqiptare, të cilat kanë qindra -mijëra vjet që na kanë vrarë, prerë dhe futur në vëllavrasje. Janë këta personazhe, që bizneset e tyre i shumëfishuan në vendet fqinjë dhe për më tepër u shkolluan në këto vende. Dhe sa herë që u kërkohet nga padronët të destabilizojnë vendin, derdhin miliona për t’i vënë flakën vendit tonë të shumëvuajtur. Dhe jo rastësisht pjesa tjetër e batakçinjve hodhën poshtë edhe dëshmorët e atdheut, luftën partizane dhe prishën lapidarët e heronjve të kombit, që shkruan historinë e luftës së dytë botërore me gjakun e tyre të pastër prej kristali. Çuditërisht si në ngjarjet e 2 Prillit edhe të 21 Janarit, drejtësia dhe ata që përfituan nga këto trazira dhe erdhën në pushtet, u mjaftuan me dënimin e disa drejtuesve të policisë lokale dhe gardës! Ndaj edhe ky 21 Janar duhej të shërbente si apel për të gjithë ata protestues, që ishin në shesh dhe mund të ishin një nga ata të katërt, që t’i kërkojnë llogari socialistëve se, përse e shitën gjakun e këtyre martirëve? Është koha t’i thuhet në sy drejtuesve të partisë socialiste, se 21 Janarin dhe gjakun e 4 dëshmorëve, si dhe të qindra të plagosurve, të rrahurve dhe të keqpërdorurve politikisht ju i shitët paturpësisht! Ju zotërinj të “Rilindjes “ e shfrytëzuat që të pasuroheshit për veten tuaj, ndërkohë që fëmijët dhe të afërmit e familjarëve të vrarë janë rrugëve pa bukën e gojës dhe pa njerëzit e tyre të dashur. Është turp dhe fatkeqësi që ministrat tuaj, zotrinj të Rilindjes janë majmur dhe vazhdojnë të majmen prej gjakut të 4 dëshmorëve të harruar të 21 Janarit.

Turp dhe faqja e zezë kur mendon që Aleks Nika, Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrto u vranë nga dora kriminale e gardistëve, të cilët sot janë punësuar dhe bërë drejtorë dhe pushtetarë, ndërkohë që familjarët e tyre janë rrugëve pa punë. Kishte edhe nga ata protestues që u sollën nga Greqia dhë që në 1997 bënin pjesë në “komitetet e shpëtimit” apo ishin dënuar si grabitës  në posblloqe, vjedhës të bizhuterive dhe që ndonjëri ka prerë edhe gishta. Dhe për këto krime janë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare pas vite 1998-2000. Është maskarallëk kur mendon që këta 4 protestues anti-qeveritarë, u vranë që Rama dhe njerëzit e tij, Ilir Beqaj dhe shpura e tij,Tahiri, Ahmetaj dhe ministra të  tjerë të bëhen milionerë. Sa poshtërsi! Sa pabesi! Por një shprehje popullore thotë, se zoti vonon, por kurrë nuk harron. Ndaj në këtë ditë të veçantë ngushëllojmë nga zemra familjet e personave, që humbën jetën dhe qindra të plagosurve dhe të rrahurve si dhe atyre që ju vodhën dhe shkatërruan dyqanet nga disa turma të droguara. I paharruar kujtimi i familjarëve tuaj të dashur dhe zoti Ju bekoftë! Gjithsesi apeli është i qartë: Që dimri të ketë ngrohtësi dhe pleqëria e prindërve të tyre të mos kenë akoma më shumë hidhërime! Jepni drejtësinë e munguar zotërinj të Rilindjes! Nuk është kurrë vonë dhe se drejtësia e munguar është më e rëndë se drejtësia e vonuar.

Disa pyetje për drejtuesit e Rilindjes dhe që do ndihmojnë edhe SPAK-un

 

-Kush i organizoi dhe armatosi protestuesit nga rrethinat e Shkodrës, Dibrës, Durrësit, Kamzës, Laçit, Vlorës, Rrogozhinës, Elbasanit, komunat e Tiranës etj?!

-Cili ishte roli i i Ilir Gjonit në grumbullimin tek xhamlliku. Cilat ishin mesazhet e transmetuara prej tij në emër të drejtuesve dhe organizatorëve të protestë?!

-A kanë përdorur drogë një pjesë e protestuesve të sjellë në Tiranë, kryesisht të zonës së Dibrës, Kamzës dhe Malsisë së Shkodrës?!

-A u hetua roli i disa sindikalistëve, që ndanin para tek ura e Lanës. Kush ua dha paratë dhe përse i shpërndanë drejtuesit e sindikatës? A do fillojë hetim SPAK për privatizimet dhe shitjet e pronave në përdorim të Sindikatave, që kapin vlerën e 3 miliard USD?!

-Cilat ishin lidhjet mes gardistëve, grupit të zjarrit dhe ish drejtuesve të Gardës, të pozicionuar në funksionet politike në radhët e PS?! Po të ministrit të Brendshëm Basha?!

-Kush ishte truri i komandimit të protestës nga Kullat e Bulevardit?!

-Po deklarata e Ngjelës, që jo 4, por 400 e 4 mijë të vriten për demokraci?! A duhet marrë në hetim, nëse kishte apo jo prapavijë politike kjo deklaratë?!

-Cilat janë përgjimet e Prokurorisë dhe SHIK-ut? Cili është roli i ish-Prokurores  Ina Rama (sot anëtare e KPA) dhe Shaqirit. Ku janë dosjet dhe përgjimet origjinale?! A e kanë informuar me gojë, me shkrim dhe me prova, Presidentin e kohës njëkohësisht edhe Kryetar i Sigurisë Kombëtare z. Bamir Topi?! Ku janë ruajtur dhe pse nuk bëhen publike?!

-Po makina e Beqajt që sulmoi kryeministrinë pse nuk hetohet?!

-Kush e zhduku serverin e kryeministrisë? A është hetuar dhe gjykuar çështja e serverave?

-Kush janë hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët, që mbyllën çështjen dhe çfarë lidhjesh kanë me Ballën dhe të tjere funksionarë të Rilindjes në ditët e sotme? A janë verifikuar nga Vettingu?!

-Flitet se pas kullave në Bulevard kanë qënë 2 makina, me portobagazh të mbushura me armë, 1 benz dhe 1 volkswagen. Kush i kishte sjellë dhe pse u larguan, sapo ndodhi vrasja e pare?! A u sekuestruan nga prokuroria, kamerat pas kullave të Bulevardit për këtë rast?!