Eliana Hoxha: Respekt për ty që proteston për Shqipërinë Evropiane

983
Respekt për ty qe e njeh të drejtën për të protestuar si një vlerë të çmuar të demokracisë. Respekt për ty që je i vetëdijshëm, se e drejta jote mbaron aty ku cenohet e drejta e tjetrit. Respekt për ty që proteston për një Shqipëri pa korrupsion, nepotizëm, klientelizëm. Respekt për ty që proteston i vendosur e besimplotë për dënimin e të gjithë zyrtarëve të lartë (të majtë apo djathtë) që kanë abuzuar me fondet publike. Respekt për ty që proteston për shërbime më të mira në çdo zyrë të çdo institucioni, sot, nesër dhe gjithmonë. Respekt për ty që proteston pavarësisht qeveri e majtë apo e djathtë në pushtet. Respekt për ty që nuk proteston për siglën apo liderin e partisë/partive. Respekt për ty që proteston i bindur, se protestat demokratike janë gjithmonë dobiprurëse për shëndoshjen e demokracisë dhe vullnetit të popullit për të mos u gënjyer gjithmonë me të njëjtat premtime elektorale të pa mbajtura nga të gjitha qeveritë e deritanishme. Respekt për ty që proteston për një demokraci pa diktatorin hero të popullit, pa dëmshpërblim të të përndjekurve, pa pronarë të ligjshëm e të pa tokë. Respekt për ty që vendi yt nuk të dhemb vetëm kur në pushtet është “kundërshtari” yt politik. Respekt për ty që, ndonëse jeton në luks, përsëri nuk mbyll sytë ndaj halleve të të tjerëve, solidarizohesh me ta. Respekt për ty që proteston koshient se përgjegjës për këtë katrahurë jetësore janë të majtë e të djathtë, e megjithatë nuk i dorëzohesh idesë, se kështu ka qenë, është dhe duhet të jetë gjithmonë. Respekt për ty që nuk proteston për një rotacion pa meritokraci punësimi me teserë partie. Respekt dhe për ty, që do dëshiroje të protestoje, por për të ruajtur vendin e punës e ke te pamundur. Respekt për ty që proteston për një raport të drejtë qytetar-shtet e shtet-qytetar, pavarësisht përkatësisë partiake. Respekt për ty qe proteston për një Shqipëri evropiane, ku qytetarit veç detyrimeve duhet ti njihen dhe të drejtat e veta. Respekt për ty që proteston çdo ditë, gjithmonë pa u lodhur.. jo vetëm kur të thërret partia. Respekt për ty që proteston edhe kur partia jote është në pushtet, me qëllimin e mirë; përmirësimin e cilësisë së jetesës për të gjithë. Respekt për ty që proteston jo për partinë, por për veten, për familjen dhe vendin tënd. Respekt për ty që proteston për një Shqipëri demokratike dhe jo për demokraturë si sot e 27 vite me radhë. Demokraci fasadë, ku pushteti kalon sa majtas djathtas.. E ku qytetari i ndershëm nëpërkëmbet deri në limitet e mbijetesës.
Sigal