Ku nxirret naftë duhet të ruhet jeta, shëndeti e pasuria e njerëzve
Së dyti, të ketë sa më shumë të ardhura drejt shtetit, të cilat populli meriton t’i shohë
– Për shkak të politikave të gabuara ne renditemi në kufijtë e çmimeve të papranueshme të naftës
-Uzina e Ballshit mund të rinovohej dhe skishte pse të shkonte për skrap.
-Çuarja për naftë e Uzinës së Ballshit bëri që të fitojnë grosistët dhe tregtarët e pakicës
– Grosistët dhe tregtarët e pakicës përgjegjësinë e kalojnë tek palët jashtë Shqipërisë, ata duan një mjet të justifikojë rritjen e fitimit.
-Për sa kohë s’ka përgjegjësi të caktuara, ka edhe justifikim
Dr. Vladimir Mici
Kanë kaluar 15 vjet nga shpërthimi i pusit të gazit në gjirin e Meksikës dhe ende drejtësia nuk e ka dhënë fjalën e saj. Betejat ligjore vijojnë, ku nga njëra anë është BP petroleum, dhe nga ana tjetër banorët e Luizianës. Për tre vitet e parë BP shpenzoi 14 miliardë $, por situata para 2 vjetësh kishte ndryshuar shumë pak. Nëse BP shpenzoi për pastrimin e territorit, ujit në sipërfaqje, të njëjtën gjë nuk mund ta thoshte për habitatet e tij. Nga statistikat e vërejtura, shkencëtarët amerikanë vunë re që tek delfinët kishte rritje të vdekshmërisë 15 për qind. Habitatet e tjera kishin ndryshime në strukturën qelizore të tyre. Prania e tyre dhe rendimentet e prodhimeve detare, vijonin në nivele mjaft të ulëta, koralet kishin pësuar deformime dhe zhdukur në një rreze prej 9 km nga qëndra e pusit. 1700 breshka ishin gjetur gjatë vitit 2010-2012, një kufi tre herë më i lartë se norma. Pra katastrofa e ndodhur vijon edhe pas 5 vjetësh dhe rikuperimi ekonomik dhe i ekosistemit vijon të jetë ende një iluzion. Dhe ku? Në një shtet si SHBA! Por, le t’i kthehemi Marinzës. Kush ka qënë në Marinëz, e di mirë se ky vendburim i ka kufijtë nga Bubullima e Lushnjes në veri, deri në qytetin e Patosit në jug, dhe nga Jagodina e Kallmi në lindje, deri në afërsi të fshatit Sheq i Madh në Fier. Ai përfshin fshatra të tërë si Marinëz, Jagodinë, Belinë, Kallm, Frashër, Sheqishtë, Kuqar, Zharrës, Patos, etj. Pranë saj janë dhe dhjetëra fshatra e qytete në një rreze 10 km, si Fier, Roskovec, fshatrat Mbyet, Grizë, Baltëz, Lalar, Ngjeqar, Suk i Madh dhe i Vogël, Strum, Kuman, Vidhishtë, Mbrostar, etj. Çfarë po ndodh? Po të shohim të gjitha shkrimet, vërehet shqetësimi për ekosistemin. Atë kohë Kryebashkiaku Baftaj Zeqo, një gjeolog nafte, e ndali makinën dhe shikoi kanale dhe lumenj të ndotur, ku fjala peshk e ngjalë, është e ndaluar, sepse nuk ekziston më; bari anës kanaleve nuk ka ngjyrë jeshile, por ngjyrë në të zezë dhe me njolla nafte. Vdekshmëria foshnjore më e lartë, sidomos nga zonat naftëmbajtëse, popullsi me fenole në gjak dhe moshë më të ulët jete. Njerëz të deformuar nga efektit e gazit dhe i naftës. Ndotja e fundit në ato vite (2015) na ka rikthyer edhe njëhere kujtesën për t’i përcjellë mesazhin qeverisë se kjo situatë nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohet. Por janë tre-katër çështje aktuale dhe sot, të cilat meritojnë vëmendje dhe meritojnë përgjigje, siç është çështja e dëmtimit të pasurive rë familjeve të zonës, apo edhe supozimi për rrezikun e jetës nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës, nga aktiviteti i kompanive që nxjerrin naftë. Është çështja e energjisë, problemet e “Albpetrolit” dhe të papunësisë që lidhen edhe me keqmenaxhimin e “Albpetrolit”. Nuk e di çfarë mund të thotë qeveria pas kaq kohësh për problemet e shtuara 7 vjet më parë….Atëhere diskutohej se kompania duhet bllokuar dhe puset t’i operojë shoqëria “Albpetrol”. Ajo duhet të penalizohet për dëmtimet në mjedis, ujëra, ajër dhe ekosistem dhe në shkurtimin dhe zhdukjen e jetëve të reja. Uji dhe ajri kalojnë në një popullsi prej 200 mijë banorësh dhe për më tepër ato janë prezente, ndonëse “Bankers” ka 11 vjet që operon. Ende fshatarët nuk kanë marrë përgjigjen ligjore nga shteti në mënyrë zyrtare dhe ligjore se çfarë ishin shpërthimet? Gjobat mjedisore janë minimale dhe është gjithmonë një gjobë e prerë për t’i paraprirë çdo situate. Situata mbetet qesharake, e cila lidhur me shkeljet e konstatuara ndaj kompanisë Bankers Petroleum, nga ana e Inspektoratit të Mjedisit, në datën 31.10.2014, u mor masa administrative e dënimit kryesor me gjobë në vlerën 5.000.000 lekë (38,500$) dhe dënimi plotësues i pezullimit të shkarkimit të ujërave nga të gjitha gropat ekologjike, si edhe: Pezullimi i aktiviteteve të kompanisë deri në paraqitjen e planit të menaxhimit të mbetjeve. Marrëveshja që Bankers ka në rolin e operatorit, nënkupton se ajo duhet të përdorë teknologjinë më të përparuar dhe më të sigurtë në drejtim të ruajtjes së mjedisit. Këtë ajo nuk e ka bërë dhe operatori tjetër, i quajtuar “Albpetrol” mund ta flakë dhe t’i heqë të drejtën e operimit sipas marrëveshjes MOP. Në këtë rast shkeljet e konstatuara duhet të detyrojnë AKBN t’i heqë liçensën kësaj shoqërie, e cila automatikisht e largon këtë shoqëri nga Shqipëria. Situata vështirësohet nga fazat e përfshirjes së palëve të ndryshme, ku pa dyshim rol ka ligji shqiptar, i cili përcakton rastet kur hiqet liçensa dhe masat e gjobës sipas klauzolave ndërkombëtare, që kanë sjellë në mjedis, në ekosistem, në jetëgjatësinë e jetës së banorëve dhe shpenzimeve shtesë të buxhetit të shtetit për të garantuar jetën e qytetarëve të vet. Fakti që Bankers derdh në buxhet 10 për qind rentë minerare, nuk është një e mirë që e dhuron ajo, por është një e mirë që na i lanë trashëgim brezat e kaluar. Po të gjykojmë për atë derdhje, qeveritë shqiptare i kanë dhuruar pa të drejtë një vendburim nafte. Kjo situatë duhet të ndihmojë edhe në përqasjen e ligjeve të ndëshkueshmërisë mbi kompanitë, kur ato rrezikojnë jetën e një komuniteti kaq të gjerë banorësh.

Situata e çmimit të naftës
Ne renditemi në kufijtë e çmimeve të papranueshme, për shkak edhe të modelit të tatimeve që kemi. P.sh, në vitin 2003, struktura e tatimeve nuk kishte taksa të tilla drejtpërdrejtë mbi karburantin. Kështu që çmimi reflektonte tri taksa, akcizë e përzier me përqindje dhe që kthehej në shumë fikse kur përqindja tregonte më shumë se 37 lekë, TVSH dhe një taksë doganore për karburantin e importit. Nafta brut e prodhuar në vend, nuk i nënshtrohej rentës minerare, pra kishte një kosto prodhimi edhe më të ulët. Plus kësaj, shteti zotëronte rreth 15-20 për qind të tregut, duke detyruar tregtarët t’i bindeshin politikës së çmimeve që qeveria ndiqte ndaj standardit të jetesës dhe nuk kishte focus maksimumin e tatimit, ose në gjuhën profesionale: kërkimin e një tatimi optimal, ku secili paguan në mënyrë të ndershme dhe të drejtë tatim sipas të ardhurave të fituara; por ishte e angazhuar për të ulur ekstremin e varfërisë dhe matja kryesore ishte ulja e niveleve të varfërisë sipas përcaktimeve dhe ashpërsisë së saj.
Nëse i referohesh asaj kohe, do shohësh që qeveria mburrej me nivelet e uljes së varfërisë.
Sot nuk ka modele të gjetjes së nivelit optimal në një mishmash tatimesh dhe përjashtimesh që sistemi actual imponon. Ai është një sistem tatimor, i cili me mjete rrethanore kërkon optimalin.

Pse kjo rritje e çmimeve?
Sa kohë që ekziston një justifikim, sidomos objektiv, siç është rritja ndërkombëtare e çmimeve të naftës brut që po shkon në mbi100 $/barel, s’ka asnjë arsye të mos përdoret nga grosistët dhe tregtarët e pakicës, të cilët përgjegjësinë e kalojnë tek palët jashtë Shqipërisë. Ata duan një mjet të justifikojë rritjen e fitimit. Dhe sa kohë s’ka përgjegjësi të caktuara, ka edhe justifikim.
Para dy vjetësh Uzina e përpumimit në Ballsh u shit për skrap. A mund të rinovohej ajo uzinë? Pse e shtiti për skrap shteti? Kush përfitoi dhe kush humbi në këtë rast?
Ajo mund të jetë shitur për skrap nga kompania apo banka që ka pasur të drejtën për të përfituar pasurinë mbi garancinë e koletoralit që ka pasur kontratat e borxhit që firma azere, pronare e 85 për qind të aksioneve, ka marrë pranë bankave të nivelit të dytë. Por kjo përbën krim kombëtar dhe nëse ka ndodhur, i takon shtetit shqiptar ta zgjidhë. Për sa i përket faktit a duhet të emontohet, isha kundër këtij vendimi. Uzina është mjaft atraktive, biles edhe strategjike për ekonominë kombëtare dhe pavarësinë kombëtare. Po parashtroj disa mendime të miat, me të cilat kundërshtoj mjaft politikanët, specialistët dhe analistët, që janë shprehur pro prishjes apo demontimit të uzinës në Ballsh.

Duhet të themi fillimisht disa të vërteta:
1- Uzina është ndërtuar në vitin 1978 e përcaktuar për të trajtuar nafta të rënda dhe të kripura dhe me një strategji punësimi të lartë. Pra, paraqet një aktiv 43- vjeçar.
2- Uzina pas vitit 2008, kur u privatizua, nuk iu nënshtrua remonteve periodike, të paktën 2 herë në vit. Këto remonte mbanin uzinën në gjëndje efektive dhe të sigurtë.
3- Uzina kur u vendos të shitej për skrap ishte mjaft e zhveshur dhe pa
investime serioze, nuk mund të rikthehej siç ishte të punonte në kushte standardi. Pra, produkti përfundimtar i saj nuk mund t’i përgjigjet tregut.
4- Uzina shtrihej në një territor qyteti me një sipërfaqe të përgjithshme prej 800,000 m2
5- Uzina kishte pjesën ndërtimore të saj në një gjëndje mjaft të mirë.
Pra e gjithë kjo e vërtetë, nuk mund dhe nuk kishte asnjë mundësi për të çuar uzinën për skrap.



















