Dr. Ina K. Zhupa: Propaganda e paguar shtrenjtë, por pa vlerë

383
Propaganda bëhet me qëllim ndikimin tek publiku për objektiva të caktuara, duke paraqitur dhe i mëshuar vetëm një ane, asaj që i intereson propaganduesve. Në këtë stil qeveria shqiptare mendoj të blinte faqe reklame për të bërë propagandën e radhës. Edhe propaganda duhet të kishte një standard besueshmërie, që vinte nga përtej kufijve dhe nga një prestigjioze në shtypin ndërkombëtare si “The Economist”. Por cila audiencë ishte qëllimi për ta përçuar mesazhin dhe a u realizua ai? Le të shtrojmë të dyja hipotezat, duke qenë se nuk kemi një qëndrim zyrtar nga qeveria shqiptare se, përse e bëri këtë shpenzim qeveritar? Hipoteza e parë është që audienca që duhet të manipulohej ishte ajo ndërkombëtare. Të ishin biznesmenët, investitorët, turistët, njerëzit e qeverive të tjera, të cilët janë edhe lexuesit de facto të revistës. Në këtë mënyrë ata do e shikonin me një sy tjetër qeverinë shqiptare dhe reformat e saj dhe do hidhnin sytë nga vendi jonë. A realizohej dot ky qëllim nëpërmjet kësaj propagande? 
Përgjigja është JO 
Së pari, sepse artikulli në fjalë nuk ka një anë të medaljes, duke lënë në hije anën tjetër. Por nuk ka lidhje fare me realitetin shqiptar. 
Së dyti, ajo shkruan qartësisht që është një reklamë e blerë (shtrenjtë biles) dhe lexuesi i përhershëm i saj e di fare mirë që ato nuk janë as opinione dhe as analizë e prestigjiozes, por janë autoreferenciale të artikull blerësit- shkruajtësit, që në këtë rast është vetë qeveria shqiptare. 
Së treti, publiku europian është edukuar që t’i kushtoj më shumë rëndësi raporteve të nxjerra nga institucionet e specializuara ndërkombëtare dhe artikujve analizë në përgjegjësi të gazetave dhe revistave, sesa reklamave dhe propagandës.
Nuk mund të harrojmë që vetëm 2 ditë nga pagesa e majme për reklamë, gazeta Daily Mirror publikon një artikull, ku e vendos Shqipërinë si vendin droge-prodhues dhe drogë- shpërndarës që lidhet edhe me rrjetet mafioze të financimit të ISIS. Nga ana tjetër këtë pamje të nxirë të Shqipërisë e tregojnë raportet mbi klimën e biznesit dhe investimeve në vend. Thënë më thjesht asnjë biznesmen nuk do investoj në vendin tonë, se lexoj reklamën propagandistike apo asnjë turist nuk ndjehet më i sigurt për të vizituar Shqipërinë duke lexuar këtë artikull. Pra nëse publiku ndërkombëtar synohej atëherë është një dështim i suksesshëm ky shpenzim parash publike. Hipoteza e dytë është që audienca që duhet të manipulohej nga qeveria të ishte ajo shqiptare. Për të thënë që reformat tona po na i vlerësojnë të huajt. Apo më thjesht një zë mbi palët që na ngre në qiell është konfirmimi që jemi në drejtimin e duhur. Ndoshta me këtë naivitet bënë edhe njoftimin për shtyp edhe shpërndarjen e lajmit për mediat shqiptare. A realizohej dot ky qëllim nëpërmjet kësaj propagande? Së pari pjesa e besueshmërisë ndërkombëtare ra shumë shpejt, sapo doli dhe u përhap lajmi që ky është një artikull reklamë që e ka shkruar vetë qeveria shqiptare duke e paguar me paratë e taksave tona. Së dyti, shqiptarët në këtë mënyrë u njohën edhe me një rast më shumë të shpërdorimit të parasë publike jo për qëllime publike, por private të Ramës me të tijët. Pra në vend që këto para të shkonin fjala bie për të përmbyturit, të shkonin për shtresat në nevojë, të shkonin për ndihmë sociale, të shkonin për ish-të përndjekurit, të shkonin për ish-pronarët, të shkonin në investime publike, u zgjodh që të shkonin për të lavdëruar qeverinë nga vetë qeveria!!! Së treti, publiku shqiptar edhe sikur mos ta merrte vesh kurrë që është artikull reklamë i bërë nga qeveria, i mjafton gjendja e tij e përditshme për të kuptuar, sesa keq po qeveriset. Publikut shqiptar nuk i duhet t’i tregojnë që ka më pak para në xhep; nuk i duhet t’i tregojnë që e paguan më shtrenjtë energjinë, por pavarësisht kësaj nuk e ka këtë shërbim 24 orë në ditë; nuk i duhet t’i tregojnë që spitalet nuk kanë ujë, nuk kanë ilaçe, nuk kanë çarçafë, nuk kanë shërbim; nuk i duhet t’i tregojnë që sot kanë biletën e autobusëve më shtrenjtë dhe po ashtu karburantet më shtrenjtë; nuk i duhet t’i tregojnë që rendi publik është në pikën e vet më të keqe, që uniforma e policisë u bë pjesë e veprimeve kriminale, që maskat bëjnë namin, që vriten njerëz më shumë se në luftërat civile, por askush nuk mban përgjegjësi. Këto edhe të tjera si këto publikut shqiptar nuk duhet ti tregoj ndokush, sepse i jeton në kurriz përditë. Aq sa i është bërë jeta e pajetueshme, ka nga ata që kanë vrarë veten nga pamundësia dhe shumë e shumë të tjerë që kanë zgjedhur rrugën e azilkërkuesit nëpër Europë. Kur kjo është gjendja e përditshme ç’vlerë mund të ketë një artikull edhe sikur i pa blerë të ishte!! Reformat e suksesshme maten tek xhepat dhe kënaqësia e qytetarëve më kollaj se çdo indikator tjetër. Pra, nëse synimi ishte audienca shqiptare ky është përsëri një dështim i suksesshëm. Vetëm se një pyetje ngelet nëse asnjëra nga audiencat hipotetikisht të synuara nuk u arrit, asnjë vlerë nuk pati reklama a mban njeri përgjegjësi për shpërdorimin pa kuptim të parasë publike??? A do ketë ndonjë dorëheqje, minimalisht të stafit që e kanë këshilluar, në mos të kryeministrit të paditur mbi këto gjëra?! Të paktën, nëse duheshin patjetër blerë ato 8 faqe reklame të ishin vënë foto të bukurive të vendit tonë. Se minimalisht edhe po nuk u tërhoq njeri, nuk do të ishin të gënjeshtërta si artikulli, që më shumë na bëri qesharak dhe diletant në sytë e botës, sesa shembull suksesi.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 20.01.2016
Sigal