Dr. Emilio Çika: Paqja e (pa) mundur nëpërmjet forcës

“Paqja nëpërmjet fuqisë”, ishte pjesë e programit politik të Presidentit Trump që në presidencën e tij të parë, dhe tashmë politika e jashtme amerikane është e mbështetur plotësisht mbi pilarët e kësaj dogme, për të rikthyer sigurinë nëpër botë. Politikat e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara, si vendi lider i Botës Perëndimore, diktojnë qëndrimet, vendimarrjen apo edhe sinergjinë midis vendeve aleate.

Dr. Emilio Çika, Pedagog Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

Rikthimi në Shtëpinë e Bardhë i Presidentit Trump, ishte një pikë kthese në mënyrën se si SHBA-të do të ndërvepronin në arenën ndërkombëtare gjatë presidencës së tij. Linjat e politikës së jashtme amerikane, u ridimensionuan me një qasje të re, se cili duhet të jetë roli i SHBA-ve, marrëdhënia me aleatët tradicional, apo edhe se si duhet të përballet me kundërshtarët, konfliktet rajonale dhe sfidat e ruajtjes së dominancës globale. Presidenca e re Trump, risolli në marrëdhëniet ndërshtetërore të SHBA-ve, një doktrinë me rrënjë që në lashtësi dhe e adoptuar shpesh herë, në periudha të ndryshme, si edhe nga presidentë të ndryshëm amerikanë, atë të “paqes nëpërmjet fuqisë”. Një dokrinë e cila i përket shkollës realiste (realpolitik) në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku çdo shtet lufton për interesat e veta, dhe ku siguria vjen nëpërmjet fuqisë së armëve, forcës ekonomike dhe dominimit strategjik. Ashtu si edhe përmenda, koncepti i “paqes nëpërmjet fuqisë”, vlerësohet se i ka rrënjët që në Romën e lashtë me Perandorin Adrian, dhe vjen në formën e saj moderne gjatë Luftës së Dytë Botërore pasi u adoptua nga Britania e Madhe. Përpjekja për dominim gjatë Luftës së Ftohtë, riktheu në fjalorin dhe zbatimin politik, nga Ronald Reagan të idesë por edhe zbatimit të dogmës së “paqes nëpërmjet fuqisë”. Pas marrjes së presidencës amerikane prejt tij, u vunë në jetë politikat për rritjen e buxhetit ushtarak dhe atë për armët strategjike nukleare. Politika këto, që u bënë pjesë e programeve dhe vizionit për zbatimin e politikës së jashtme, thuajse për të gjithë kandidatët republikan në vazhdimësi. “Paqja nëpërmjet fuqisë”, ishte pjesë e programit politik të Presidentit Trump që në presidencën e tij të parë, dhe tashmë politika e jashtme amerikane është e mbështetur plotësisht mbi pilarët e kësaj dogme, për të rikthyer sigurinë nëpër botë.

Sigal

Politikat e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara, si vendi lider i Botës Perëndimore, diktojnë qëndrimet, vendimarrjen apo edhe sinergjinë midis vendeve aleate. Sigurisht që se çfarë është Perëndimi ka shumë vend për diskutim si në aspektin e vlerave të përbashkëta, çfarë përfaqëson; a ka më vlera të përbashkëta si politike ashtu edhe kulturore; a vazhdon demokracia të jetë në qendër të sistmit politik, dhe deri në objektivat e përbashkëta të sigurisë; interesat e përbashkëta tregëtaro-ekonomike etj. Presidenca e dytë Trump, solli një rivlerësim të të gjithë këtij spektri bashkëpunimi me aletatët evropian, ashtu edhe me ata në rajonet e tjera rreth globit. Në qendër u vendos interesi i Shteteve të Bashkuara, i realizuar ky me terma të real politikës si në aspektin e dominancës ushtarake ashtu edhe të asaj ekonomike-tregtare. Lufta e tarifave, imponimi për rritjen e kuotizimit për vendet anëtare të NATO-s, tregoi qartë prioritetet e politikës së jashtme amerikane. Si kundër reagim aleatët evropian u përballën si me një pezmatim fillestar, ashtu edhe me një lexim realist të politikës së jashtme amerikane. Rritja e buxhetimit për sigurinë nëpërmjet ombrellës së NATO-s ashtu edhe programet e përbashkëta evropiane “ReArm Europe” apo edhe të atyre vetjake të vendeve anëtare, treguan linjëzimin e tyre me atë të politikës së SHBA-së.

Përballë, duke lënë mënjanë analizës Kinën, sigurisht ndodhet Federata Ruse e cila përbën dhe brinjën e tretë të tripodit ndërkombëtar, SHBA-Europë-Rusi. Lufta në Ukrainë shënon përpjekjen për realizimi  të qëndrimeve politike të Moskës të shprehur me të njëjtën dogmë, të mbështetur mbi fuqinë. Një luftë e cila tashmë është në vitin e tretë të saj, dhe që në këndvështrimin e Rusisë, ka si qëllim kryesor të saj, rishikimin e balancave rajonale por edhe më gjerë, duke patur si synim thyerjen e rendit botëror të pas Luftë së Ftohtë. Aleancat e ndërtuara nga Rusia me Kinën, por dhe më gjerë, nëpërmjet organizatave politiko eknomike, si psh, BRICs, kanë si synim vënien në pikëpyetje të dominancës amerikane, apo akoma më tej, vënien në provë të aleancave tradicionale perëndimore. Rusia kërkon ridimensionimin e pozicionit të saj ndërkombëtar, gjë që vjen si produkt i politikave të ndërmarra ndër vite nga Rusia. Federata Ruse, si aktori më i rëndësishëm bërthamor global, ka synim kthimin e saj në skakierën botërore duke u përpjekur që të imponohet nëpërmjet fuqisë, duke qënë se dominimin ekonomik e ka të pamundur për arsye të kapacitetve të saj të limituara krahasuar me Perëndimin. Akoma më tej, duhet theksuar se Rusia, përveç zhvillimit teknologjik në fusha të caktuara të industrisë së armëve, nuk arriti kurrë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, që të shndërrohet në një lider botëror teknologjik, duke patur vartësi nga teknologjia e vendeve Perëndimore apo edhe Kinës. Akoma më tej, valët e shumta të sanksioneve të pas sulmit në Ukrainë kanë limituar akoma më tej kapacitetet e saj ekonomike dhe rrjedhimisht ato teknologjike.

Sigurisht që Rusia po arrin deri diku të përfitoj nga hendeku midis Europës dhe SHBA-ve, shpesh herë falë qëndrimeve të dualizuara të tyre. Europa, e parë qoftë si Bashkim Evropian, qoftë si vende anëtare të NATO-s nuk kanë patur unanimitetin e vendimarrjes së përbashkët në lidhje me çështjet e sigurisë. Politikat e ndërmarra nga presidenca amerikane bazuar pikërisht në dogmën e “paqes nëpërmjet fuqisë”, vendosën në lëvizje vendet evropiane duke adoptuar këtë dogmë kundrejt Rusisë si në aspektin ushtarak ashtu edhe ekonomik, e ushtruar nëpërmjet paketave të ndryshme të sanksioneve. Megjithatë, edhe kjo ka sfidat e saj për t’u realizuar. Së pari, vendet dhe aleatët evropiane brenda NATO-s, nuk kanë sinergjinë apo vendimarrjen e plotë si politike ashtu edhe ekonomike që shpesh herë të ushtrojnë politika të përbashkëta. Kjo vjen si pasojë e presioneve financiare brenda vendeve, pamundësisë për të realizuar kuotizimet kundrejt sigurisë së përbashkët, mos dakordësisë së brendshme politike, influencës politike apo edhe ekonomike të Rusisë kundrejt vendeve të caktuara, vendosja e interesit shtetëror kundrejt atij kolektiv etj. Shembull karakteristik është iniciativa e fundit e presidencës amerikane, për të furnizuar me armatime amerikane Ukrainën nëpërmjet buxhetimit të NATO-s, po përballet me kundërshtitë e para të Italisë dhe Francës për arsye të presioneve të brendshme financiare.

Sigurisht nga ana tjetër, në antipodin e dogmës së “paqes nëpërmjet fuqisë”, ndodhen kritikët e saj, që mbështeten në shkolla të tjera mendimi, që nga social liberalët, progresistët deri edhe tek liberalët të cilët konsiderojnë se përplasjet ndërkombëtare mund të shmangen, duke përdorur bashkëpunimin ekonomik, qeverisjen demokratike, diplomacinë, të drejtën ndërkombëtare,  etj. Sipas tyre, “paqja nëpërmjet fuqisë”, nuk ka funksionuar sepse është shndërruar në “paqe nëpërmjet luftës”. Sipas tyre, në një botë ku sfidat e sigurisë apo konfliktet rajonale rrezikojnë të shndërrohen në konflikte të zgjeruara apo edhe globale, ku lufta në Ukrainë apo përplasjet në Lindjen e Mesme janë indikative, roli i fuqisë do të shtohet. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Për këtë është e rëndësishme që diplomacia të rikthehet si forma më e lartë e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Për Europën, sfida parësore e suksesit apo jo të kësaj politike ngelet rezultati i luftës në Ukrainë, duke patur parasysh të gjithë indikatorët dhe interesat jetësore të palëve të përfshira. Si Ukraina, duke u mbështetur në ndihmën e Perëndimit, ashtu edhe Rusia e kanë përqafuar këtë politikë, rezultatet e të cilës po ndërtojnë arkitekturën aktuale të sigurisë rajonale, evropiane,  por edhe më gjerë. Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara, si vendi lider i rendit botëror, zotërojnë si karotën, ashtu edhe kamxhikun.Ngelet për t’u parë!