Denion Ndrenika/ Petro Marko: Himara e jona!

200
Sigal

Ishtë me e lehtë të shkoje me mushka, gomerë dhe kuaj nëpër 55 fshatrat e vendit të Himarës deri në Artë e Prevezë të Çamërisë se sa me varka nga deti në Itali

Denion Ndrenika, Nju Xhersi- SHBA

 

“Për të vijuar me qëllimin e vizitës së Micotaqisit të ri në Himarë. Jo rastësisht u bë në 22 dhjetor. Në këtë datë të motit 1943 në mos më pastë lënë kujtesa, grekët e quajtën të bashkuar Himarën me Greqinë pasi Italia fashiste u telendis rrugëve si qeni pas kockës.”

10 vjet pasi ndërroi jetë, Petro Markos fjalëndritur iu botua libri “Intervistë me vetveten”. Kam një keqardhje jo të pakët që e kam lexuar pjesërisht, por aq sa ka thelbin, ia mora. Kam besim qe po. Dhe, thelbi është se Himara në malet akrokeraune njehsohet me shqiptarizmën. Në qindra e qindra motmote. E nisa me mendje çmuarin Petro Marko pasi ndalem jo rrallë te biseda e tij me dhërmiqotët, që mbledhur si për rrëfim, ia pohonin në sy se nga e kishin prejardhjen teksa i pyeste për të mësuar vërtetësisht në ishin shqiptarë (a larg qoftë), grekë.

Nuk është faj të jesh grek, mirëpo Shën Kozmai thoshte sipas shumë të lexuarit të ortodoksisë mikut tim të fëmijërisë Ektrit Manushi, porosiste që të mos shanin njerëzia shoshoqin me atë fjalë, pra “grekë”. Mua nuk më kanë bërë gjë. Madje, kam krushqi e miqësi me grekë. Mirëpo, nuk lihet dot mënjanë çka i kanë bërë popullit që i përkas. Na kanë masakruar. Çamërinë dhe viset tona etnike në Maqedoninë Perëndimore, që është pushtuar nga greku, pra në Follorinë, Konicë, Kostur e gjetiu. Mos duket se i ika Petro Markos. Jo, vetëm sa shtova ca fjalë për të vijuar me qëllimin e vizitës së Micotaqisit të ri në Himarë. Jo rastësisht u bë në 22 dhjetor. Në këtë datë të motit 1943 në mos më pastë lënë kujtesa, grekët e quajtën të bashkuar Himarën me Greqinë pasi Italia fashiste u telendis rrugëve si qeni pas kockës. Ky ishte qëllimlig me vizitën dhe me datën. Çfarë fushate mund të bëjë Micotaqisi në një vend të huaj ku bashkatdhetarë të tij sikur nuk ka. Na del qartë nga “Intervistë me vetveten”. Aty dalin mbiemrat e banorëve dhe vetë ata tek ia thanë se vinin nga viset shqiptare. Ja, unë e kam Ndrenika. Pra edhe Ndre, edhe Nikë. Mbiemër i bashkuar. Si Koleka, edhe Kolë, edhe Lekë. Mos jemi grekë meqë përkatësinë fetare e kemi ortodokse dhe u zhvendosëm ndonja 600 vjet më parë në Vuno? Ne Ndrenikët kemi kishën e familjes, kishën e Shën Kollit. Grekë jemi? Është e vërtetë që flitet një formë greqishteje, mirëpo nja 200 vjet ishte italishtja më e përhapur. Ishim italianë asokohe?! Rënia e forcës venedikase dhe pavarësimi i Greqisë padyshim që e bënë më të nevojshëm dhe të lehtë rrugëtimin tregtar dhe lëvizjet e popullatës. Ishte më lehtë të shkoje me mushka, gomerë dhe kuaj nëpër 55 fshatrat e vendit të Himarës deri në Artë e Prevezë të Çamërisë, se sa me varka nga deti në Itali. Pa të kujtojmë që emigracioni i Bregdetit ishte më shumë në Itali, Francë dhe Amerikë krahasuar me ca pak në Greqi.

Një marrëveshje e kahershme diku nga 1500 i bëri bashkë bregdetasit me arbëreshët dhe garantuan papatin që le të sillte misionarë për rikthimin e katolicizmit në këmbim të mbrojtjes nga islamizimi, meqenëse Fanari (kryeqendra ortodokse në Stamboll nga fuqia perandorake osmane për të mbrojtur veten, heshtte ndaj dobësisë së ortodoksëve në viset e largëta). Për këtë mund të shihni priftërinjtë ortodoksë sot e kësaj dite në viset arbërore, që ushtrojnë ritet tona, ndonëse me një varësi papale. Që, rrjedh nga ajo marrëveshja e himarjotëve dhe arbëreshëve me papatin. Himara, Bregdeti ishte dera e ikjes për në Itali pasi Gjergj Gjon Pali i Kastriotëve, pra Skënderbeu, shkoi në amëshim. Himara, Bregdeti ishte edhe dera e përpjekjeve që bëri biri i Gjergjit për të ardhur në luftë kundër osmanëve. Mos vallë janë grekë?! Grekët e pritën, e përcollën, e mbështetën?! E vërtetë është gjithashtu se Bregdeti ka qenë kryemëvedi, i panënshtruar. Historia lexohet ndryshe nga çdokush. Mirëpo kjo na ka edhe ne pjesë që nuk duhet të heshtim. Që nga antikiteti. Ka pasur ndonjë ngulim helen (si të pretendueshëm se janë paraardhës të grekëve) në Bregdet, në Himarë? Tash, ta rilidh me Micotaqisin. Për ata pak njerëz që ndihen grekë edhe nëse AND-ja u tregon gjak shqiptar, ka të drejtë t’i shohë, përqafë e kujdeset. Mirëpo jo të na flasë për vetëvendime. Në tokën tonë jo! Në Bregdetin, Himarën tonë jo! E tash “tung e bofshi”, se merak nuk kam se greqizohemi, pasi historia na dëshmon se nëse do të kishim qenë apo të kishte qenë tokë e huaj, pse do të vuanin sot e kësaj dite fqinjët e tejshëm jugorë që jetojnë poshtë Çamërisë për të na bindur se nuk është e jona?! Nëse nuk u greqizuam qindra e qindra motmote, megjithë vështirësitë, skamjen, përpjekjet greke për të na zvetënuar, ndryshuar emra, pushtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pensionet e harramura, teknologjinë përparuese, që është një mundësi më shumë për atë greqizim, përse të kemi frikë? Domosdo që jo, sepse Bregdeti, Himara është e jona!

Pjesë nga “Intervistë me vetveten”:

Pyetje : – Pasi fole për shkollat shqipe, pa me thuaj pse fshati juaj e humbi gjuhën, pse flet greqisht ?

Përgjigje: – Këtë do ta zgjidhin mirë kompetentët : historianët, gjuhëtarët.Unë vetë jam interesuar dhe kam qenë shumë kureshtar. Shumë shokë më kanë pyetur : Po ju, jeni shqiptarë apo grekë ?

Të jesh i çdo kombësie nuk është turp, por unë para disa vjetësh, kur isha në fshat, dhe pasi kampistët (punëtorët që shkonin në kampin e Dhërmiut për të pushuar) më pyetën nëse ishim shqiptarë apo grekë, u përgjigja me siguri :

“Ne jemi shqietarë!” Me pyetën pastaj pse flisnim greqisht. Me sa munda, u thashë arsyet. Te nesërmen provokova një mbledhje të gjerë në fshat. U mbush oborri i shkollës me burra e gra. Menjëanë ishin nxënësit dhe gjithë të rinjtë, se e kishin marrë vesh që unë do të flisja rreth temës : “Jemi shqiptarë apo grekë?”

Bisedën e nisa pak a shumë kështu : – Duhet ta dimë mirë se ç’jemi, ç’kombësi kemi, se dëgjohen poshtë e lart fjalë se këta janë grekë, këta nuk dinë se ç’janë! Pra fillojmë : Ti, shoku Pavllo Beja, nga e ke origjinën?….

– Familja jonë, si gjithë Gjileku, jemi krutanë. Erdhëm këtu pas vdekjes së Skënderbeut. – Po ti, Vangjel Liza, si e di origjinen e familjes sate ?

– Ne vijmë nga Tërbaçi. Këtu erdhën tre vëllezër nga Tërbaçi. Dhe nga të tre vëllezërit u shtuan lagjet Lizaj, Cacedhimitret dhe Trekot.

– Po ju o Kostë nga vini ?

– Ne vijmë nga Velça! Jemi Tavajt, – dhe qeshi.

– Ju e keni dëgjuar atë breg-shkëmb atje lart, që quhet Trapeza ose Kont-Tava. Rrjedhim nga Kontet,si ju nga Buajt. Aty tek Trapeza paguanin venecianët, prandaj quhet dhe sot e kësaj dite Kont-Tava ose Trapeza… Kështu me rradhë të gjitha familjet thanë se nga rridhnin. Na dolise vetëm një ishte i huaj : Josif Averbahu, me origjinë çifute, nga Austria. Kjo është një histori e çuditshme : Një konsull i Austro- Hungarise, që ishte në Vlorë, dashuroi një fshataren tonë që mblidhte myshqe në Llogara me shoqet e saj. Ky konsull shkonte në Llogara për gjah. E pa këtë vashëz dhe u çmend pas saj. Erdhi në Dhërmi dhe e kërkoi për grua. I thanë të ndërronte fenë. U bë ortodoks dhe banor i fshatit…. Pra ç’jemi ne ? Shqiptarë! Po pse e humbëm gjuhën ? Unë do të them ato që di: Pse nënat plaka, gjyshet dhe gjyshit dinë më mirë shqipen se greqishten? Pse qajmë e këndojmë në shqip ? Pse fjalët e urta i themi në shqip ? Siç duket që nga viti 1820 e tehu, greqizimi u bë me qëllim politik nga vetë Greqia, që fitoi lirinë me gjakun e shqiptarëve, qoftë në Mesolongji, qoftë në revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptare, po dy krahina autonome që nuk njihnin as Greqinë, as Shqiperinë, së cilës i kishte humbur edhe emri. Suli dhe Himara ishin kurdohere në luftë me turkun. Erdhi koha që Himara u nda: Himara bregdetare mbeti e lirë dhe e krishterë, kurse Himara e mbrendshme , Labëria, Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u myslimanizuan dhe u ndanë. Megjithëse u ndanë në dy fe nuk e humbën kurrë lidhjet e gjakut dhe të fisit. Çdo fshatar kishte të tijtë në një fshat të myslimanizuar që në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Kur bëheshin operacione ndëshkimore nga turqit, bregasit nuk shkonin përtej maleve, në Mesaplik e në Kurvelesh, për t’u mbrojtur, siç bënin gjer në atë kohë, por iknin me varka për në Korfuz ose për në Gjirit, nën mbrojtjen e venecianëve. Aty shkonin pleq e plaka dhe fëmijët. Burrat luftonin. Aty rrinin shumë vjet, gjersa mbaronin operacionet ndëshkimore. Thonë se banorët e Dhërmiut shkonin në ishullin grek, kurse ata të Himarës në Gjirit. Prandaj dhe, kur flasin greqisht, dhërmijasit flasin si korfjanet, kurse himarjotët, si gjiritlinjtë. Pastaj shkollat ishin greke. Mesha këndohej greqisht. tregtinë e bënin me Korfuzin, Janinën. Pak nga pak u shkëputën lidhjet me Labërinë, me Dukatin. Greqia, që u çlirua e para, thoshte se kudo ku janë ortodoksë, janë grekë; myslimanët janë turq. Nisi antagonizmi turq e kaurrë! Propoganda bënte punën e saj. Kjo u thellua në kohën e Ali pashë Tepelenës, i cili dërgoi një delegacion në Himarë, që dhe Himara të myslimanizohej. Paria e Himarës delegacionin e priti ne Qeparo, se kishte më shumë kapedanë. Delegatët e Ali pashë Tepelenës u thanë mendimin dhe qëllimin e vizitës.

“Nëse nuk u greqizuam qindra e qindra motmote, megjithë vështirësitë, skamjen, përpjekjet greke për të na zvetënuar, ndryshuar emra, pushtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pensionet e harramura, teknologjinë përparuese që është një mundësi më shumë për atë greqizim, përse të kemi frikë? Domosdo që jo, sepse Bregdeti, Himara është e jona!”

Me plaku i kuvendit himarjot u tha delegatëve : – E falenderojmë pashanë, që mendon për të mirën tonë. Po i thoni pashait se këtu poshtë, në fshat, kemi një fushe që s’ka ujë. Thahet në vërë dhe nuk na jep asgjë. I jemi lutur Krishtit dhe Shën Merisë, Shen Kozmait dhe Shën Spiridhoit, po s’na dhane ujë. Në na dhente Muhameti ujë, menjeherë bëhemi myslimane. Keshtu i thoni pashait. Kur vajten e ia thane pashait përgjigjen e bregasve, ai qeshi me zemërim dhe tha : – Eh kauret e dreqit, do të ma paguajn ! – Pastaj, duke qeshur shtoi – Pizevengët, janë të zgjuar, s’ke c’thua, janë rrufjanë të mëdhenj ! Pak nga pak propoganda greke bëhej më e madhe, duke pretenduar se Himara ishte krahina heroike e Greqise. Shumë kapedanë, sidomos paria, kishin privilegje. Dhe paratë e mirëbërësve himarjotë, që i kishin lenë në bankat greke për shkollat e Himarës, ishin një shkak shume sërioz për propogandën greke. Gjike Bixhili nga Dhermiu kishte fituar shumë para në Rusi, ku e kishte marrë Pano Bixhili, përfaqësues i himarjoteve pranë Carit, në Peterburg. Mësuesit dhe shpenzimet për shkollen merreshin nga fondi i Gjike Bixhilit. Gjike Bixhili ndertoi dhe një shkollë, që është sot e kësaj dite. Ne kur ishim te vegjël, ne shkollën e fshatit shihnim portretin e tij , të varur në klasë. Sic i la Gjike Bixhili paratë në bankën greke, ashtu i lanë dhe shumë mirëbërës të tjerë nga Jugu, si Zhapa më shokë. Ishin miliona, te cilat u bënë burim për të ushqyer propogandën greke në vendin tonë, sa u krijua miti i Vorio Epirit dhe sillogu vorioepiriot, qe merrej me clirimin e Vorio Epirit, domethënë të Shqipërisë së Jugut. Paratë u vunë në dispozicion të parisë, e cila merrte një mijë dhe shpenzonte një… Paria merrte parà nga banka greke, e cila që e autorizuar nga qeveritë reaksionare nacionaliste të Megali Idhesë ( Megali Idheja : që Greqia të bëhej e madhe duke përfshirë në kufijtë e saj jugun e Shqipërisë dhe vendet ballkanike ku janë ortodoksë). Himarjotët që emigronin në Greqi, kishin privilegje : përkraheshin si bij të një “krahine heroike greke” me histori trimërie e burrërie. Fatkëqesia ishte se Shqipëria u çlirua e fundit në ballkan. Himara kishte ushqyer shpirtin e aneksartisë, autonomisë, si Suli, i cili pak nga pak u greqizua. Dhe, pasi u clirua Shqiperia, me kufijte të cunguar shumë, propoganda greke e ushqeu shumë idenë e autonomisë së Himarës : as shqiptarë, as grekë! Kishte hedhur rrënjë të thellë kjo propogandë në shpirtin e himarjotëve, të cilët sytë i mbanin nga Greqia. Kreret himarjote, si Spiro Miloja, nje luftetar që e ndihmoi shume Greqinë, ishte në krye të kësaj propogande, me gjithë farefisin dhe sojin e tij të përndarë në Dhërmi, Vuno e gjetkë. Spiro Miloja ishte nga Progonati. Ne fshatin tonë ai kishte farefis LLukë Zh. e të tjerë, që propogandonin ndarjen e Himarës nga Shqipëria. Si bazë kryesore të propogandës përdornin dhe këtë : Pse labëria u be turke ?

E pse të mos bëhemi edhe ne me Greqinë, që është armike e betuar e Turqisë, siç jemi dhe ne armiq të betuar të turkut. Shumë fanatikë ishin fshatarët e mi ! Njëzet e gjashtë kisha kishte. Mbaj mend unë se kishte tetë priftërinj.Lidhjet ekonomike, privilegjet në Greqi, interesimi i Greqisë për himariotët, sillogu vorioepiriot ndikuan shumë për t’i bërë himarjotët t’i kthenin sytë nga Greqia dhe të ëndërronin për një autonomi. Pastaj, edhe në kohën e pavarësisë himarjotët panë se asnjë qeveri e Tiranës nuk u kujdesua asnjëherë për ta. Nuk shkonin as xhandarë dhe nuk merreshin në asnjë punë. Ata pëlqyen të mërgonin : herën e parë ne Llavrion, ku kishte miniera ; në Korint, për të hapur kanalin; në Vllahi, në Rusi, pastaj në Amerikë, në Francë, në Meksikë, në Argjentinë, në Australi, Kanada e gjetkë. Kështu ne dinim më mirë ku binte Buenos Ajresi sesa Kukësi, që nuk ia kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Australia dhe jo Kosova, që nuk ja kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Athina dhe Korfuzi ose Tirana e Shkodra. Ishim pa asnjë lidhje me atdheun tonë. Disa perçarës, vetë regjimi i Zogut, sidomos Musa Juka, na perçau. U ndamë në fshat në dy parti: pendekuqët që deshën Shqipërinë dhe shkollat shqipe ; dhe pendebardhët, që deshën Greqinë e shkollat greke në fshat. Këtë përçarje e ushqeu shume Musa Juka, duke na armiqësuar vëlla me vëlla.

Familja jonë bënte pjesë në partinë e pendëkuqeve dhe mbanim në ballkon kurdoherë flamurin e Shqipërisë. Kapedanët e Spiro Milos na kishin ardhur disa herë në shtëpi, duke na thënë se Andrea Markoja ishtë vrarë për Greqinë, Marko Jani ishte internuar nga italianët për Greqinë e të tjera. Deshën që ne të linim shtepinë e të shkonim në Korfuz, ku do të na mbante me shkolla e me pensione Athina. Qoftë im vëlla, Fotoja, qoftë kushuriri im Jani, i sikterisnin duke u thënë : “Andrea Markoja u vra për Himarën dhe Marko Jani vdiq i veremosur nga internimet dhe vuajtjet e shumta për Himarën dhe jo për Greqinë. Himara sot është dhe mbetet shqiptare. Prandaj mbajmë dhe flamurin ditë e natë në ballkon. Ne e dimë gjakun tonë se nga buron”.