Cilat janë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut që mund të kufizohen, kur dhe sa mund të kufizohen?

962
Sigal

Nga Av. Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI

Në kohën kur çdo ditë del një akt normativ që prek të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me të drejtë shtrohen pyetjet se cilat janë ato të drejta dhe liri themelore që mund të kufizohen, në cilat raste mund të kufizohen dhe sa mund të jetë kufizimi i tyre. Normalisht, Kushtetuta e RSH dhe traktatet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut posaçërisht Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (KEDNJ( me protokollet shtesë të saj, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (PNDC) i OKB-së dhe shumë akte të tjera duke përfshirë praktikën e Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) etj, u kanë dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. Konkretisht, mënyrat e kufizimit të të drejtave janë:

Shteti nuk ratifikon ose denoncon një traktat.
Shteti mund të ratifikojë një traktat, por bën rezervime dhe deklarata.
Shteti mund të derogojë ose të kufizojë një ose disa të drejta sipas dispozitave të një traktati specifik.
Shteti mund të interpretojë ngushtë dispozitat lidhur me të drejtat që dëshiron të kufizojë, ose nëpërmjet interpretimit të zgjeruar të dispozitave që parashikojnë kufizime.
Kufizimit të drejtave të njeriut nëpërmjet derogimit
Mënyra e tretë e kufizimit të detyrimeve është nëpërmjet derogimit. Derogim është shmangia e detyrimeve të marra përsipër nga shtetet lidhur me të Drejtat e Njeriut, nëpërmjet qenies palë në një traktat të caktuar, duke u justifikuar që disa detyrime specifike lidhur me respektimin e të Drejtave të Njeriut, nuk mund të zbatohen për shkak të rrethanave të veçanta që kërkojnë përdorimin e një pushteti të veçantë, për të ruajtur rendin ligjor etj.
Derogimi, si rregull, zbatohet për më shumë se një të drejtë dhe, zakonisht, justifikohet me nevojën për ruajtjen e rendit, mbrojtjen e interesit publik, të sigurisë kombëtare, apo rrethanave të tjera që klasifikohen si ‘vis majore’ (forcë madhore) etj. Sigurisht ekziston një kategori e caktuar të drejtash të cilat janë të paderogueshme, pavarësisht nga rrethanat. Të tilla janë: e drejta për të mos iu nënshtruar torturës, ose çdo lloj forme trajtimi çnjerëzor apo degradues, të drejtën e lirisë nga skllavëria, e drejta e jetës, e drejta për mos ju nënshtruar dënimit pa ligj, etj.
Zakonisht për bërjen e derogimeve kërkohet plotësimi i disa kushteve si:

a. Të provohet që ekzistojnë rrethanat e një situate emergjence.
b. Derogimi është i nevojshëm nga nevojat e situatës konkrete.
c. Të  jetë informuar organi depozitues dhe shtetet e tjera palë në traktat.
d. Derogimi është i kufizuar vetëm për periudhën gjatë së cilës ekziston gjendja e jashtëzakonshme.
Derogimi sipas KEDNJ
Në rast lufte, ose në rast të një rreziku tjetër publik që kërcënon jetën e kombit, çdo Palë e Lartë Kontraktuese mund të marrë masa që nuk u përmbahen detyrimeve të parashikuara nga kjo Konventë, vetëm për sa e kërkon situata dhe me kusht që këto masa të mos jenë në kundërshtim me detyrimet e tjera që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare. Megjithatë, neni 15 i KEDNJ nuk autorizon asnjë shmangie nga neni 2 (e drejta e jetës), me përjashtim të rastit të vdekjes që rrjedh nga akte të lejueshme të luftës dhe nga nenet 3 (ndalimi i torturës, trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues ose degradues), 4 (paragrafi 1) ose ndalimi i skllavërisë dhe 7 (ndalimi i dënimit pa ligj dhe dhënia e fuqisë prapavepruese të ligjit që përmban dënim).

Çdo Palë e Lartë Kontraktuese që ushtron këtë të drejtë shmangieje, mban plotësisht të informuar Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës për të gjitha masat e marra dhe arsyet që i kanë shkaktuar ato. Gjithashtu, ajo duhet të informojë Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës për datën në të cilën këto masa pushojnë së qeni në fuqi dhe dispozitat e Konventës vihen rishtas plotësisht në zbatim.
Derogimi sipas Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile e Politike
Sipas nenit 4, në rastet kur një rrezik publik i jashtëzakonshëm kërcënon ekzistencën e kombit dhe shpallet me një akt zyrtar, shtetet pale në këtë Pakt mund të marrin, masa deroguese që e kërkon situata, masa që shmangin nga detyrimet e parashikuara në këtë Pakt, me rezervën që këto masa të mos jenë të papajtueshme me detyrimet e tjera që u ngarkon e drejta ndër-kombëtare dhe të mos sjellin si pasojë një diskriminim të bazuar vetëm mbi racën, ngjyrën, seksin, gjuhën, fenë ose origjinën shoqërore. Dispozita e mësipërme nuk autorizon asnjë shmangie nga nenet 6, 7, 8 (par.1 dhe 2), 11, 15, 16 dhe 18. Shtetet palë të këtij Pakti që përdorin të drejtën e shmangies duhet që, nëpërmjet të Sekretariatit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të njoftojnë menjëherë shtetet e tjera, që janë palë, për dispozitat nga të cilat ato janë shmangur si dhe për arsyet që i kanë shtyrë të bëjnë këtë shmangie. Një njoftim i ri duhet të bëhet në të njëjtën rrugë, për datën kur këto shtete do t’u japin fund këtyre shmangieve.
Sikurse vërehet, formulimi i këtyre dispozitave dhe dispozitave të tjera në aktet të tjera ndërkombëtare, është shumë i përgjithshëm dhe lë vend për shumë interpretime lidhur me kuptimin e termave si dhe rrethanat në të cilat zbatohen dispozitat. Në këtë kuadër akademikë, studiues dhe praktikantë të së Drejtës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut kanë interpretuar dispozitat e derogimit në PNDCP të cilat janë miratuar më vonë edhe nga OKB. Interpretimi i bërë njihet si “Parimet e Siracusa-s mbi kufizimin dhe derogimin e dispozitave në PNDCP” UN Doc E/CN.4/1984/4, Annex (1984). Në këtë dokument, bëhet interpretimi i shprehjeve si “situatë e jashtëzakonshme që kërcënon ekzistencën e një kombi”, e cila nënkupton kur situata prek gjithë popullsinë, ose pjesë, ose të gjithë territorin e një shteti, ose kur cenon integritetin fizik të një popullsie, pavarësinë politike, ose integritetin territorial  të një shteti, ose ekzistencën ose funksionimin thelbësor të institucioneve të domosdoshëm për siguruar dhe projektuar të drejta të njohura në PNDCP…etj.

Në mënyrë të ngjashme është formuluar edhe neni 15 i KEDNJ, i cili lë gjithashtu shumë vend për interpretim. Ky i fundit është bërë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në disa vendime të saj, ku, ndër të cilat shumë i rëndësishëm është rasti i ‘Kolonelëve Grekë ose Danimarka, Holanda, Norvegjia dhe Suedia kundër Regjimit Grek të Kolonelëve’, për veprimet e tyre të cilat përfshinin torturë dhe pezullim të garancive të një procesi juridik të rregullt, pas marrjes në kontroll të vendit në 1960. Autoritetet greke të asaj kohë, deklaruan që kishin të drejtë të derogonin nga detyrimet në kuadër të Konventës me qëllim mbrojtjen e rendit publik, dhe sigurisë së shtetit etj. Gjatë shqyrtimit, ndër të tjera, Komisioni konstatoi që, njoftimi i masave të marra iu bë Sekretarit të Përgjithshëm të KE me vonesë, mos njoftimi mbi masat legjislative të marra, si dhe mos njoftimi lidhur me arsyet e derogimit deri më 1967, përbënin një shkelje të nenit 15 të Konventës. Ndërkohë që, Gjykata në këtë rast, ka interpretuar gjendjen e jashtëzakonshme që kërcënon ekzistencën e një kombi (shteti) si: “Një situatë e jashtëzakonshme e cila prek të gjithë popullsinë dhe përbën një kërcënim për jetën e organizuar të një komuniteti nga i cili përbëhet një shtet”. Gjithashtu, në tekstin në Frëngjisht i cili është origjinal, përmendet edhe togfjalëshi “kërcënim i vërtetë ose eminent (Curtis, 2003)”.
Ndërsa Gjykata Ndër-Amerikane ka vlerësuar më gjerë derogimin në Mendimin Këshillimor mbi Habeas Corpus në situata të jashtëzakonshme duke vlerësuar që: “bërja e një “habeas corpus” dhe “ampar” (mburojë ose mjet ankimi ligjor kushtetues) janë mjete gjyqësore që janë thelbësore për mbrojtjen e shumë të drejtave për të cilat ndalohet derogimi nga Neni 27 dhe nuk mund të pezullohen. Gjykata ka theksuar gjithashtu që derogimet mund të jenë e vetmja mënyrë për të zgjidhur situatat e jashtëzakonshme dhe, rrjedhimisht, për të mbrojtur vlerat më të larta të një shoqërie demokratike”(Habeas Corpus in Emergency Situations, Advisory Opinion, OC-8/87 of January 30, 1987, Ser.A, No.8 (1988)).
Interpretim më i vonshëm i klauzolave të derogimit është bërë nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut në Komentin e tij të Përgjithshëm Nr.29 të datës 31gusht 2001, konkretisht të nenit 4 të PNDCP. Komiteti ka theksuar që masat që derogojnë nga dispozitat e PNDCP duhet të jenë të një natyre të jashtëzakonshme dhe të përkohshme. Sipas Komitetit, përpara se shteti të zbatojë nenin 4, duhet të plotësohen dy kushte:

Situata duhet të përbëjë një emergjencë publike që kërcënon ekzistencën e shtetit;
Shteti palë duhet të ketë deklaruar zyrtarisht gjendjen e jashtëzakonshme.
Disa përfundime në lidhje me gjendjen e tanishme në RSH
Nga sa më lartë, del në pah qartë që RSH, është në shkelje të hapur të detyrimeve të traktateve ndërkombëtare në lidhje me detyrimin për njoftimin e organeve përkatëse për derogimin e ndodhur ‘de jure’ dhe ‘de facto’ të një seri të drejtash, si dhe për derogimin e disa të drejtave që janë të paderogueshme sikurse është ajo e “mos dënimit pa ligj dhe dhënies së fuqisë prapavepruese” ndaj personave që nuk kishin detyrim për deklarim të udhëtimeve kur ato janë kthyer dhe nëpërmjet përcaktimit të dënimeve me akte normative, si dhe kufizimit jo në përputhje me nevojën dhe qëllimin të të drejtës së paprekshmërisë së banesës, lirisë nga kontrollet personale, të drejtës për jetë private dhe praktikisht edhe të së drejtës për siguri të personit, procesit të rregullt etj. Madje në ndonjë rast, në mungesë të burimeve dhe mbështetjes financiare dhe me mjetet e nevojshme për ushqim për disa persona të paaftë dhe pa mundësi ekonomike, mund të jemi edhe para shkeljes së nenit 3 të Konventës duke qenë se kufizimi i punës dhe i lëvizjes në mungesë të mundësive dhe ndihmës mund të përkthehet si trajtim çnjerëzor për disa individë duke përfshirë në mënyrë të pashmangshme dhe tërthorazi edhe shkeljen e të drejtës për jetë. Mos bërja e njoftimit për gjendjen e derogimit, e ekspozon shtetin shqiptar para mundësisë së dënimeve të rënda me ndikim edhe buxhetor në rastet kur do të kemi ankime në GJEDNJ apo edhe në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB-së.
Nga ana tjetër, fillimi i përdorimit të programeve në telefona dhe pajisjet e tjera hap rrugën për një abuzim tjetër ende më të frikshëm porsa kohë nuk dihet nëse këto programe do të marrin të dhëna të tjera personale duke përfshirë kopjimin e përmbajtjes së pajisjes, gjurmimin e vendndodhjes, kthimit të tyre në përgjues ambiental etj. Të gjithë këto masa mund të jenë normale për Kinën dhe ndonjë vend tjetër, por janë të papranueshme për standardet e KEDNJ dhe traktateve dhe normave të tjera të detyrueshme  për RSH.

Gjithashtu, duhet të theksohet që neni 101 i Kushtetutës të RSH, nuk i jep të drejtë Këshillit të Ministrave qe me akte normative të rregullojë çështje që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të cilat kufizohen vetëm me ligj (akti normativ ka fuqinë e ligjit, por nuk mund të barazohet me ligjin) dhe aq më pak që të prek kuadrin ligjor kryesor sikurse janë vetë Kushtetutën, normat ndërkombëtare të detyrueshme, kodet dhe ligjet e tjera të miratuara me shumicë të cilësuar. Për më tepër, në të gjithë këto akte, mungon analiza midis nevojës dhe qëllimit të tyre të ligjshëm dhe të nevojshëm për një shoqëri demokratike.