Bujar Leskaj: SAI çek dhe integrimi evropian i Shqipërisë

965
Nga Bujar LESKAJ
Këto ditë, Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Çekisë, inxh. Miloslav Kala po viziton Shqipërinë dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit. Inxh. Kala është një personalitet i spikatur i auditimit më të lartë publik evropian. Ai mban postin e Zv-Presidentit të Bordit Drejtues të EUROSAI-t, organizatës së institucioneve supreme të auditimit(SAI-ve) të Evropës, e cila përfshin në gjirin e saj 50 SAI evropiane. Për të, z. Bohuslav Sobotka, Kryeministër i Republikës Çeke (janar 2014-qershor 2017) shprehet “Fati i jetës time është ndërthurur me fatin e Miloslav Kalës në disa momente që kanë qenë të lidhura me interesat e përbashkëta të menaxhimit financiar publik, por edhe nga fakti se ndajmë të njëjtat vlera njerëzore për solidaritet dhe drejtësi… Miloslavin e njoh si një kryebashkiak të spikatur të Blanskos, një qytet ku ka ditur të menaxhojë problemet, por në të njëjtën kohë të ecë përpara… Kaluam një kohë të gjatë duke folur mbi projektet publike, shumicën e të cilave ia dolëm që t’i realizonim. Më i rëndësishmi ishte fillimi i ndërtimit të hekurudhës Express R43… Më vonë, Miloslav Kala u bë anëtar dhe Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Çeke të Konsolidimit, e cila ishte problematike për nga natyra si pasojë e privatizimeve të egra dhe socializmit në vitet 90-të të shekullit të kaluar. Për mua, si ministër i Financave i asaj kohe, ishte një lehtësim që kisha dikë të besueshëm dhe të aftë në Bordin Mbikëqyrës, opinionin e të cilit mund ta dëgjoja pa frikën se fshihej ndonjë interes tjetër. Kur Miloslav Kala vendosi të përfshihet në Institucionin Suprem të Auditimit, nuk më erdhi mirë për shkak se ishin të paktë ata deputetë që bëjnë politika të ndershme në interes të publikut. Megjithatë, ishte një kënaqësi e madhe për mua kur u zgjodh President i Zyrës Kombëtare të Auditimit të vendit tim”.
Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës Çeke, SAI çek është një institucion i pavarur i auditimit, me misionin për të shqyrtuar menaxhimin e të ardhurave dhe shpenzimeve publike të Shtetit. Ajo përfaqëson një nga SAI-t më të zhvilluara të Evropës.
Si institucion është themeluar që në vitin 1761, në kohën e monarkisë Austro-Hungareze. SAI çek ndërthur kështu vlerat e një tradite dhe përvoje të madhe të trashëguar, me teknikat moderne të auditimit suprem publik, të bazuar në standardet e përditësuara ndërkombëtare të fushës, ISSAI-t. 
Detyra e SAI-t është të ofrojë informacion, mbikëqyrje dhe këshillim për hartuesit dhe zbatuesit e politikave kombëtare, në mënyrë që ata të dinë sa me sukses janë zbatuar politikat e tyre dhe me çfarë çmimi, sa efektive kanë qenë dhe cilat ndikime ekonomike dhe të tjera këto politika kanë pasur. Zyra Kombëtare e Auditimit i paraqet Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës Çeke, Senatit të Parlamentit të Republikës Çeke, ekspertëve dhe publikut të gjerë informacion të pavarur dhe të paanshëm, nëse burimet kombëtare janë përdorur në mënyrë efektive, ekonomike dhe eficiente dhe nëse janë respektuar të gjitha rregullat dhe ligjet në përdorimin e këtyre burimeve. Qëllimi i Zyrës është të përgjigjet se në çfarë mase burimet publike kanë kontribuar në përmirësimet e dëshiruara nga programet qeveritare dhe të tërheqë vëmendjen tek dobësitë në sistemin e menaxhimit te financave publike dhe në rrugët për përmirësimin e këtij sistemi. Zyra Kombëtare e Auditimit e realizon kryesisht misionin e saj nëpërmjet auditimeve, publikimeve dhe aktiviteteve të tjera, përmes të cilave ajo kontribuon në sferën publike. Që nga themelimi i saj si strukturë aktuale moderne në vitin 1993, Zyra ka kryer më shumë se 900 auditime dhe ka shqyrtuar çdo vit mesatarisht një buxhet prej 230 miliardë korona çeke, duke realizuar kursime të rëndësishme të parasë publike për ekonominë çeke.
SAI çek është një institucion profesional dhe i respektuar jo vetëm në gjirin e shoqërisë çeke, me një nga nivelet më të larta të perceptimit të besueshmërisë tek publiku dhe qytetari çek, por edhe në komunitetin e auditimit suprem publik evropian dhe më gjerë. Në planin e bashkëpunimit rajonal, vlen të theksohet kontributi i Zyrës si SAI në Grupin e Vishegradit, i themeluar në vitin 1991 nga kryetarët e shteteve dhe te qeverive të Polonisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke dhe Sllovake. Forumi i “Vishegradit 4 + 2” me ndihmesën dhe mbështetjen e SAI-ve të Austrisë dhe Sllovenisë është një eksperiencë shumë e mirë bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh ndërmjet SAI-ve, si dhe i shkëmbimit profesional të përvojave audituese. Zyra Kombëtare e Auditimit e Çekisë ka mësuar shumë nga ky bashkëpunim multidimensional, por edhe ka kontribuar shumë. 
Puna e SAI-t çek me auditimet paralele me Gjykatën e Llogarive të Gjermanisë për përmirësimin e qasjes së auditimit në prokurimet publike dhe parandalimin e korrupsionit është me shumë vlera jo vetëm për këto dy SAI të zhvilluara, por edhe për mbarë komunitetin evropian të auditimit dhe ne si KLSH. Ne kemi një marrëveshje bashkëpunimi me SAI-n çek, të nënshkruar në vitin 2016 dhe duam që këtë eksperiencë ta ndajmë me audituesit tanë dhe të përfitojmë prej saj, për të realizuar auditime më cilësore në prokurimet publike shqiptare.
Ditën e djeshme inxhinier Kala u takua me Presidentin e Republikës, z. Ilir Meta. Të dy popujt tanë i lidh një miqësi e vjetër dhe tradicionale. Gjatë kohës së komunizmit, ndër produktet më të vlerësuara që regjimi ofroi nga jashtë ne Shqipëri ishin kamionët çekë Tatra. Shqiptarët shpreheshin në atë kohë “Të jesh i fortë dhe rezistent si një kamion Tatra!”. Qytetarët e vendit tonë e kanë vlerësuar dhe pëlqyer shumë ndër dekada kryeveprën e shkrimtarit të njohur çek Jaroslav Hashek: “Ushtari i mirë Shvejk”. Nën regjimin komunist, ky roman i famshëm solli gëzim dhe humor në jetën e tyre. Edhe sot e kësaj dite batutat më të njohura të veprës janë të pranishme në komunikimin e përditshëm të shqiptarëve.
Në kohët e vështira të diktaturës komuniste, intelektualët dhe studentët shqiptarë lexonin vepra të panteonit të letërsisë botërore, mes tyre veprat e shkrimtarit të madh çek Franc Kafka, si “Procesi”, “Gjyqi”, “Metamorfoza” etj, si dhe i komentonin dhe flisnin për këto vepra dhe mesazhet e tyre me pasion dhe shpresë se situata mund të ndryshonte në Shqipëri.
Më vonë shpresat u shtuan dhe ne të gjithë e kemi admiruar Revolucionin e Kadifenjtë të politikanit, dramaturgut të famshëm dhe aktivistit të njohur të të drejtave të njeriut, Presidentit çek Vaclav Havel, i cili i dha fund komunizmit në Çekosllovaki në vitin 1989. Si shumëkush në botë, ne e konsiderojmë atë si një nga intelektualët më me ndikim të Shekullit të Njëzetë, për kontributin e tij të spikatur në aktivizimin civil dhe demokracinë e drejtpërdrejtë.
Sot, qytetarët çekë vijnë për të vizituar malet tona dhe shijuar përvojën e turizmit aventuror, por edhe për turizmin e rërës dhe detit në rivierën shqiptare. Marrëdhëniet tona tregtare, edhe pse në nivel modest, po vijnë duke u zgjeruar.
Në këtë këndvështrim, edhe rritja e bashkëpunimit dypalësh mes SAI-t çek dhe KLSH kontribuon në marrëdhëniet mes dy popujve dhe vendeve tona, por edhe në përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në BE. Vizita e Presidentit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Çekisë, inxh. Miloslav Kala në Shqipëri është një shenjë e qartë e rritjes së këtij bashkëpunimi. 
Më 24 maj 2017, delegatët në Kongresin e X-të të EUROSAI-t në Stamboll, Turqi, zgjodhën Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës Çeke për të ushtruar presidencën EUROSAI-t në periudhën 2020-2023, si SAI organizator i Kongresit XI të EUROSAI-t në vitin 2020. 
Në këtë mënyrë, SAI çek, mbi bazën e traditave, por edhe përgatitjes së shkëlqyer të audituesve të tij në fushat e Auditimit Financiar, të Përputhshmërisë dhe të Performancës, paraqet një strukturë të mirëprojektuar drejt së ardhmes. Bashkëpunimi i audituesve shqiptarë me audituesit supremë publikë çekë do të jetë me një vlerë të jashtëzakonshme për ne, për të rritur kapacitetet tona audituese dhe për të marrë pjesë në projekte të përbashkëta, në auditime paralele dhe të integruara. 
Në cilësinë e koordinatorit të Qëllimit Strategjik Nr. 1 “Bashkëpunimi Profesional” të Planit Strategjik 2017-2023 të EUROSAI-t, SAI çek na ftoi të bëheshim si KLSH pjesë e grupit përkatës të punës dhe aktiviteteve të tij, ftesë të cilën e pranuam me kënaqësi dhe u përgjigjëm menjëherë. 
Duke përcjellë nismën e kolegëve çekë për një portal të posaçëm të EUROSAI-t në anglisht, të krijuar dhe mbajtur prej tyre, për të lehtësuar komunikimin dhe bashkëpunimin mes SAI-ve evropiane, sidomos idetë dhe projektet për auditime të përbashkëta, edhe ne jemi duke vendosur informacionin elektronik për auditimet tona sipas formatit të ofruar. Shikojmë po ashtu me shumë interes pjesëmarrjen e audituesve tanë në Seminarin ndërkombëtar për shkëmbimin e përvojës në kryerjen e auditimeve bashkëpunuese, që Zyra Kombëtare e Auditimit e Çekisë organizon nën kujdesin e EUROSAI-t, në Pragë më datat 13-15 nëntor 2017. 
Jam i sigurt se nën kujdesin dhe mbështetjen e Presidentit Kala do të ketë edhe shumë bashkëpunime dhe shkëmbime eksperience dypalëshe mes audituesve çekë dhe shqiptarë. Për ne si KLSH përfitimi do të jetë i menjëhershëm dhe i madh, në rrugën e integrimit të auditimit më të lartë publik shqiptar, por edhe të mbarë Shtetit dhe shoqërisë sonë, në familjen e madhe evropiane. 

Sigal