Beqir Sina: Kuvendi Kombëtar i Federatës Pan-Shqptare të Amerikës, Vatra, Rezolutë për opinion Shqiptar

319
Nga Beqir Sina – New York
Bronx NY : Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA mbajti Kuvendin e Përgjithshëm Zgjedhor të Federatës, ditën e Shtunë më datë 26 Shkurt 2022 në qendren e re multikulturore Rotunda (Building 4 – Salla e Amfiteatrit) “ Illyria Community and Wellness Center”  Jacobi Hospital Pelham Parkway South, Bronx, New York City .
Elmi Berisha fitoi mandatin e dytë në krye të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Ai mori 23 vota kundrejt Rafaela Priftit me 2 vota, Prend Qetta 1 votë dhe 1 votë abstenim, në Kuvendin e Përgjithshëm Zgjedhor të Federatës të mbajtur në New York më 26 Shkurt 2022.
Ai tha se nga programi im gjithëpërfshirës për udhëheqjen e “Vatrës” në mandatin e ardhshëm, do të fokusohem në dymbëdhjetë prioritete programore me të cilat synoj ti çoj përpara, të rris kapacitetet vepruese e ndërvepruese dhe të masivizoj në aspekt shumëdimensional organizmin patriotik më të vjetër të shqiptarëve në SHBA:
“Do të reformoj dhe freskoj “Vatrën” duke u hapur ndaj brezit të ri të bashkëkombasve tanë në SHBA, ndaj ideve të reja, alternativave kreative që promovojnë kombin tonë dhe vlerat e tij në institucionet amerikane qoftë politike, ekonomike, edukative, shkencore dhe kulturore”tha ndër të tjera Kryetari Berisha.
Ndërsa, delegati i Degës së Detroitit z. Valentin Lumaj – vlerësoi arritjet e Vatrës dhe vërejti ato gjëra që nuk realizuan, ai ishte mjaft kritik edhe ndaj programit me 12 pika të kryetarit, Berisha, dhe i “ashpër” për linjën “liberale” të Editorit Sokol Paja.
Valentin Lumaj në një ndërhyrje të tij lexoi një rezolutë për gjëndjen e rëndë të shqiptarëve dhe qeverisjen e keqe në Shqipëri, të cilën mes “debateve të forta” e miratoi Kuvendi i Vatrës.:
New York, 26 Shkurt 2022
Kuvendi Kombëtar i Federatës Pan-Shqptare të Amerikës, Vatra, sot në Kuvendin Kombëtar të saj të rradhës, të datës 26 Shkurt 2022, vendosi që t’i drejtohet opinionit publik shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë me këtë rezolutë:
REZOLUTË
Të prirur nga dëshira e mirë, që nga viset përtej Atlantikut, të shohim një Shqipëri solide në zhvillim dhe prosperitet, me një shtet të konsoliduar në shërbim të qytetarëve, me një popull të lumtur dhe me mirëqënie, shprehim me keqardhje se vendi ynë amë nuk është në nivelin dhe drejtimin, që ne si shqiptaro-amerikanë dëshirojmë që ta shohim.
⦁ Është shumë shqetësues fakti, që qeveria aktuale në Shqipëri, në nëntë vite ka përqëndruar rreth saj një pushtet pothuaj absolut duke kontrolluar institucionet e varura dhe të pavarura, përfshi këtu edhe kontrollin mbi mediat. Qeveria nuk po bën përpjekje të mjaftueshme në parandalimin e krimit të organizuar, kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, aq më pak ndaj korrupsionit, i cili sipas perceptomit tone, atij qytetar shqiptar dhe raporteve të rëndësishme ndërkombetare, pikësëpari buron nga vetë strukturat e shtetit. Po ashtu jemi të shqetësuar me klimën e ftohtë të marrdhënieve në mes qeverisë së Tiranës me Qeverisë së Kosovës dhe politikën e jashtme rajonale të Kryeministrit të Shqipërisë, e cila nuk është në unison dhe dëmton interesat e popullit vëlla të Kosovës.
⦁ Rendi i humbjeve të njëpasnjëshme të opozitës gjatë tetë viteve, e cila konkludoi në përçarje drastikë të saj, tregon se opozita nuk ka qenë në lartësinë e saj të detyrës për të kritikuar dhe vënë para përgjegjësisë qeverinë për mosrealizimet dhe dështimet e saj, për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve nga tjetërsimi i cili ka ndodhur sistematikisht, për t’u bërë barrierë ndaj pushtetit kur cënohen të drejtat e qytetarëve apo për të kontrolluar tejkalimin e kompetencave të pushtetit nga partia në pushtet.
⦁ Me gjithë përpjekjet e prokurorisë speciale dhe reformës në drejtësi, është e dukshme influenca ndaj këtyre të fundit nga pushteti dhe politika. Ngadalësia dhe mungesa e vullnetit për të dënuar zyrtarët e lartë, mbushja e burgjeve me qytetarë për shkelje të vogla të ligjit si dhe rritja e numrit të çështjeve të pagjykuara, tregon që sistemi i pavarur i gjygjësorit dhe prokurorisë nuk po funksionon si duhet.
⦁ Niveli i ulët ekonomik, rënia e sigurisë së jetës dhe rendit publik, rritja e korrupsionit dhe e trafiqeve të jashtëligjshme, largimi në masë i rinisë dhe dëshira për të emigruar ku Diaspora shqiptare llogaritet frikshëm në 57% të popullsisë vendase, lodhja the gjendja depresive e shoqërise civile për të prodhuar dhe qarkulluar elita efikase, na kanë krijuar bindjen se nevoja për ndryshim është evidente dhe imediate.
Në këto rrethana që përmendëm më lart:
⦁ I kërkojmë qeverisë Shqiptare, gjykatës, prokurorisë dhe gjithë strukturave shtet-formuese, që të ushtrojë detyrën e tyre në shërbim të qytetarëve, të jetë garant dhe zbatues të ligjit dhe të Kushtetutës, të mos marrin në mbrojtje por të denoncojë dhe dënojnë sipas ligjit zyrtarët e korruptuar, të luftojë realisht krimin dhe trafikun e narkotikëve, të mbrojnë jetën, liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
⦁ Inkujarojme forcat opozitare, që të vazhdojne me guxim procesin e filluar të riorganizimit dhe mbrojtjes të pluralizmit real, si themeli i lirisë dhe demokracisë. Partitë dhe opozitare, me përjashtim të atyre që mbështesin dhe mbështeten nga shumica qeverisëse, të bashkohen rreth partisë më të madhe dhe të krijojnë një opozitë të vërtetë për të përmbushur rolin tyre si qeveri alternative, për t’u kthyer shpresën rinisë dhe popullit shqiptar për realizimin e aspiratave dhe mireqënies së tyre në Shqipëri.
⦁ I kërkojmë institucionit të ambasadës Amerikane dhe trupave të tjerë diplomatike të akredituar në Tiranë, që të evitojnë ndërhyjet apo përfshirjet e tyre në jetën e partive politike, në përzgjedhjen e kandidatëvë apo liderëvë politikë, të mos intimidojë kandidatët e partive politike dhe të mos orientojnë votuesit shqiptarë në prag të një procesi votimi. Këto sjellje të evidentuara bien në kundërshtim me Konventën e Vienës, Ligjin zgjedhor dhe Kushtetutën së Shqipërisë, sipas të cilave trupat diplomatike duhet të operojnë.
⦁ Inkujarojmë shoqërinë civile, sindikatat dhe rininë studentore, që të qëndroje në nivelin e përgjeqësisë qytetare, të reagojë fuqishëm sa herë që shkelen të drejtat e tyre apo cënohet ligji, të jenë më aktivë në përmbushjen e proceseve demokratike, të promovojnë dhe mbështesin ndryshimin dhe të furnizojnë politikën me elita intelektuale me integritet.
Ne delegatët e ketij Kuvendi të Vatrës jemi të bindur se implementimi i këtyre kërkesave dhe sugjerimeve do të ndikonte dobishën në një plan afat-shkurtër në përmirësimin e gjendjes jo të mire institucionale, politike dhe shoqërore që gjendet Shqipëria sot.
Kuvendi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, Vatra

New York, më 26 Shkurt 2022
Sigal