Bajram Lamaj*/ Auditimi i  Integritetit nga KLSH risi në luftën antikorrupsion

685
Sigal

Të gjitha njësitë publike janë duke u bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm për faktin se pa identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve të korrupsionit, nga të cilat gjenden të kërcënuara, ata nuk mund të arrijnë qëllimet e tyre në mënyrë efektive dhe të kryejnë detyrat e tyre, për një qeverisje të mirë. Duke e parë treguesin e përhapjes së “të menduarit në drejtim të rreziqeve”, si dhe rritjen e numrit të mendimeve, opinioneve apo dhe strategjive të publikuara që kanë të bëjnë me forcimin e integritetit në administratën publike dhe nevojën e zhvillimit të kulturës organizative dhe për rëndësinë e luftimit të korrupsionit, në kuadrin e reformimit  të KLSH- it dhe qasjeve të metodave të reja të auditimit, po vlerësohet që dhe KLSH si institucioni më i lartë i auditimit, të kryejë një auditim(pilot ndoshta në formë anketimi) për integritetin në një ose dy njësi vendore apo institucione qendrore që përballen me rrezikun e korrupsionit. Ky auditim do të kryhet në të ardhmen e afërt, duke u mbështetur në përvojën e marrë në trajnimin e zhvilluar nga Zyra e Auditimit Shtetëror të Hungarisë në Budapest,  ku një grup audituesish të KLSH janë trajnuar për këtë lloj auditimi. Puna do kryhet me metoda bashkëkohore, duke u mbështetur  tek përgjigjet e marra,  ku ne mund të përcaktojmë se paralel me rritjen e kompleksitetit të detyrave të grupeve të ndryshme të institucioneve, niveli i rreziqeve të korrupsionit është gjithashtu në rritje. Gjithashtu, mund të thuhet se sot në aktualitetin shqiptar, vërejmë se kemi një korrelacion të qartë në mes të normës së rreziqeve tipike të një grupi të caktuar të institucioneve dhe nivelin e kontrollit të ngritur në menaxhimin e këtyre rreziqeve. Synimi i auditimit të integritetit do të nxjerrë në pah arritjet që janë bërë në fushat e trajnimit kundër korrupsionit, rregullimi i çështjes së konfliktit të interesave dhe rregullimit mbi kushtet e pranimit të dhuratave, ftesave,etj. Nga marrja e masave të veçanta anti-korrupsion, do të kërkohet përparim i rëndësishëm në të ardhmen në lidhje me masat e veçanta anti-korrupsion, të cilat mund të përdoren për të rritur rezistencën e njësive publike të sektorit publik kundër rreziqeve të korrupsionit. Mundësia e ndryshimit të kulturës së caktuar nga implementimi i projekteve të veçanta për Integritetin, do të sjellë një funksionim më efektiv të sistemeve të kontrollit të brendshëm në njësitë të ndryshme publike, ose më saktë nga efektiviteti dhe efikasiteti i menaxhimit të rreziqeve që vijnë në këto sisteme. Nga auditimi do të përcaktohen pikat më të prekshme të rreziqeve të sektorit publik dhe do të hedhim dritë mbi përshtatshmërinë  e niveleve të kontrolleve me qëllim menaxhimin e rreziqeve. Kështu që do të rrisim ndërgjegjësimin e sektorit publik, Institucioneve, si dhe ndjeshmërinë e tyre ndaj rreziqeve, të cilat mund të provojnë se janë një bazë për një kulturë të re të administratës publike.

Në zbatimin e këtij projekti (auditimi pilot) për Integritetin, qëllimi është që të vlerësojmë ekspozimin e institucioneve të sektorit publik përballë rreziqeve të korrupsionit, si dhe niveli i kontrolleve që shërbejnë për të zvogëluar rreziqet e tilla dhe promovimin e zbatimit praktik të qasjes së integritetit si qëllim prioritar. Pra promovimi i qasjes së integritetit, lufta kundër korrupsionit në bazë të parandalimit dhe të menduarit në drejtim të rreziqeve, supozimi fillestar është se në çdo rast, statusi ligjor dhe fusha e përgjegjësive të institucioneve të dhëna, shërbejnë si bazë për përcaktimin e aktiviteteve që ushtron pushteti ekzekutiv ose në shërbimet publike që kryhen(prokurimet,sipërmarrje të ndryshme, koncesionet,etj), ku kërcënimi i korrupsionit është i pranishëm. Megjithëse, nga shumë institucione integriteti është vlerësuar si pjesë e rëndësishme e Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit të Brendshëm(MFKB), nga auditimi do të synohet se lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i një kulture administrative që favorizon funksionimin organizativ në përputhje me kriteret e integritetit do të trajtohen si “Objektivat e një rëndësie strategjike”. Nga ky aspekt, kjo do të jetë një  përvojë shumë e rëndësishme që institucionet buxhetore dhe publike,të bëhen të vetëdijshëm për kërcënimin e rrezikut të korrupsionit dhe si rezultat, ata do të tregojnë më shumë vëmendje për të parandaluar këto rreziqe dhe nevojën për krijimin dhe funksionimin e kontrolleve që përforcojnë integritetin. Në Shqipëri megjithëse kemi literatura, kemi studime për integritetin nga OJF të ndryshme, ka ardhur koha që organet e pushtetit ekzekutiv të kontribuojnë në zhvillimin e një integrity based (Integritet i bazuar) të quajtur “Kultura e administratës publike”. Krijimi i saj do të identifikojë rreziqet midis institucioneve të ekzaminuara që mund të dëmtojnë integritetin e këtyre institucioneve dhe pikënisjen për punën që duhet të  bëjnë në fushën e menaxhimit të rrezikut të korrupsionit. Gjithashtu përvoja që do të nxirret nga ky auditim integriteti, KLSH do të përcjellë në organet e pushtetit vendor dhe qeverisjes qendrore si dhe në institucionet e tjera të pavarura apo OJF që kanë interes në shfrytëzimin e këtyre materialeve në aktivitetet e tyre kundër korrupsionit.

Harta  me karakteristikat e mjedisit ligjor / institucional të institucioneve buxhetore, parashikueshmëria dhe stabiliteti i funksionimit të tyre, si dhe ndryshueshmëria e këtyre faktorëve të ndikuar nga Vendimet e marra nga drejtuesit aktual gjatë funksionimit të institucioneve, duhet të jenë në përputhje me qëllimet strategjike, krijimin e një strukture dhe kulture organizative, si dhe me menaxhimin e burimeve njerëzore dhe buxhetore. Ekzistenca e kontrolleve reflekton nëse njësia publike ka kryer kontrolle në vend, dhe nëse këto kontrolle vërtetë përmbushin objektivat e tyre. Në këtë vlerësim, përfshihen faktorë të tillë si rregullorja e brendshme e njësisë publike, ka patur auditim të jashtëm dhe të brendshëm, si dhe kontrollet e tjera për integritetin, ku përfshihen: përcaktimin e kërkesave etike, menaxhimi situata që përfshijnë konfliktet e interesit, nepotizëm, trajtimin objektiv të raporteve dhe ankesat, analiza e rregullt e rrezikut të korrupsionit dhe menaxhimi i vetëdijshëm strategjik.

Ne kategorizimin e kontrolleve që kryhen, janë përcaktuar në mënyrë të detyrueshme në statutet si kontrollet “e buta”, të cilat përfshijnë zonat që lidhen me etikën apo menaxhimin e burimeve njerëzore. Në këtu kontrolle, ekzistojnë elemente të tjera “të buta”, në synimin e nxjerrjes së rreziqeve të korrupsionit,ku më i rëndësishmi është  kodi i etikës, me të cilin institucionet rregullojnë marrëdhëniet me aktorët e jashtëm dhe të brendshëm dhe përqendrohet në  përmirësimin  dhe rritjen e kulturës organizative. Auditimet që kryhen për integritetin mund të masin dhe të identifikojnë sukseset dhe dështimet, të cilat vijnë nga zbatimi i programeve të reformës dhe kërkojnë një monitorim të vazhdueshëm për të arritur rezultatet e dëshiruara në drejtim të rritjes së integritetit të nënpunësve publikë dhe administratës tonë  publike për një sjellje etike  dhe me integritet. Integriteti është gur themeli për mirëqeverisjen, si dhe parakusht i legjitimitetit të  veprimeve të një qeverie, (Integrity Framework OECD), prandaj instalimi i një kulture administrative  mbi integritetin me të gjithë komponentët e saj përbërës, do të sjellë  rritjen e ndërgjegjësimit të administratës publike dhe shoqërisë tonë mbi këtë çështje të rëndësishme dhe nevojën e auditimeve dhe vlerësimeve profesionale si nga KLSH, por dhe nga organizatat e tjera joqeveritare që merren me luftën anti korrupsion. Pikërisht procesi i institucionalizimit të tij dhe ngritja e sistemeve të kontrollit të brendshëm efikase, është kërkesë me prioritet të lartë dhe e vazhdueshme. Individi i korruptuar nuk është “ molla e vetme e  keqe” dhe heqja e tij nuk do ta shpëtojë sistemin, duhet trajtuar komplet sistemi, ose përndryshe personi që zëvendëson  “mollën e keqe” do të jetë subjekt i të njëjtave nxitje. Parandalimi mund të jetë më efektiv dhe shumë më ekonomik se sa hetimi apo përndjekja(Jeremy Pope, Transparenca Ndërkombëtare). Monitorimi kërkon matje efektive dhe matja më e mirë bëhet nëpërmjet auditimeve, kontrolleve dhe vetëvlerësimeve që kryhen nga vetë institucionet, duke evidentuar praktikat më të mira, ndërsa në ato më pak dhe ndoshta më të korruptuarat, mund të identifikohen edhe hapat që mund të merren për të rregulluar përformancën e tyre.Detyra për të arritur reforma të qëndrueshme anti-korrupsion në vendin tonë, do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Që pengesat do të jenë të shumta, kjo nuk diskutohet, por tani për tani, koha në të cilën ne mund të kemi një impakt domethënës në këtë fenomen, është akoma e pasigurtë. Nga njëra anë, mund të ndodhë që njerëzit të mos kenë më besim në praktikat demokratike dhe t’i kthehen autoritarizmit, si reaksion logjik ndaj dështimit të  metodave demokratike. Sigurisht, nuk ka arsye të supozohet se një cikël tjetër i autokracisë do të jetë më pak shkatërrimtar se sa në të kaluarën, prandaj është detyrë e çdo institucioni shtetëror,atyre të pavaruara, OJF dhe organizmat ndërkombëtare që merren me luftën anti korrupsion që mos të dobësojnë punën e tyre, por ta rrisin atë dhe shfrytëzojnë oportunitetet që kanë për të përballuar korrupsionin në mënyrë efektive, shanset nuk do të vijnë më. Korrupsioni do të minojë vazhdimisht demokracinë e brishtë në Shqipëri dhe do të vazhdojë të ketë një impakt negativ në të drejtat njerëzore, në mjedis dhe në të gjithë aspektet e shoqërisë tonë .

Sigurisht një program reforme “ Sistemi Integritet Kombëtar”, mund të vendosë një reformë progresive, por kjo duhet të koordinohet  dhe brenda kufijve  të një programi  holistik,  që përqafon çdonjë nga zonat më të rëndësishme dhe ndërveprimin  e tyre me të tjerët.

Mbrapa vlerësimit të sistemit të integritetit, qëndron bindja se të gjitha çështjet  e shqetësimit  aktual në fushën e qeverisjes dhe zhvillimit të kapaciteteve, orientimit të rezultateve, pjesëmarrja publike dhe nxitja e integritetit kombëtar, duhet të trajtohet në një pamje shumë të gjerë, ku auditim i i integritetit në njësitë publike do të japë një kontribut të rëndësishëm në luftën antikorrupsion.

* Drejtor i Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Kontrollit të Territorit, Administrimit të Aseteve të Qëndrueshme në KLSH. Opinionet e dhëna në këtë artikull shprehin mendimin personal të autorit