Shqiptarëve nuk u mbaron vuajtja. Nëse deri dje fajësonim vetëm gjyqtarët e korruptuar, sot realiteti është edhe më i errët: drejtësia është kapur nga një trekëndësh i rrezikshëm – gjyqtarë, prokurorë dhe ekspertë “të licencuar”, që në fakt funksionojnë si një rrjet i strukturuar për deformimin e së vërtetës.
Ekspertët, që sipas ligjit duhet të jenë garanci e paanshmërisë dhe profesionalizmit, janë shndërruar në vegla të shitura. Raportet e tyre nuk bazohen në prova shkencore, por në pazare të pista. Sot, fati i një procesi gjyqësor nuk varet nga ligji, por nga “eksperti” që do të firmosë sipas porosisë.
Në shumë çështje, ekspertët janë më të korruptuar se vetë gjyqtarët. Ata e dinë që raporti i tyre është vendimtar, ndaj shantazhojnë palët, negociojnë shuma parash dhe prodhojnë konkluzione të fabrikuara. Ky është krim institucional.
Kjo nuk quhet më drejtësi. Kjo është mafie me licencë shteti.
Shteti nuk mund të vazhdojë të bëjë sikur nuk sheh. Këshillat përkatëse, Ministria e Drejtësisë dhe institucionet e kontrollit kanë përgjegjësi direkte. Duhet një proces i menjëhershëm vettingu për ekspertët, siç u bë për gjyqtarët dhe prokurorët. Mbi 50% e tyre duhet të humbasin licencën, sepse janë kthyer në rrezik publik.
Pa pastrim të trupës së ekspertëve, nuk ka reformë në drejtësi. Pa drejtësi reale, nuk ka shtet. Dhe pa shtet, qytetarët mbeten viktima të një sistemi të kalbur që i shtyp çdo ditë.
Kjo nuk është thirrje politike. Kjo është alarm shoqëror.




















