Av. Adriatik Ago: A do të prodhojë procesi i konkurimit, titullarin e Policisë së Shtetit që kërkon koha?

Pak muaj më parë në shkrimin e titulluar “Procesi i konkurimit i jep integritet titullarit të policisë së shtetit në emërimin e tij “, të botuar në shtypin e ditës “Telegraf”, hodha tezën që emërimi i titullarit të organizatës së policisë së shtetit të kalonte nëpërmjet procesi të konkurrimit. Argumentat e kësaj teze mbështeteshin në historikun e traditës për caktimin e titullarit ku në harkun kohor të viteve të demokracisë, ka prevaluar modeli i emërimit dhe jo i përzgjedhjes përmes konkurimit. Besoj se për të gjithë tashmë është e qartë se modeli i “emërimit” pa transparencë publike, nuk mund të shmangë ndërhyrjet e politikës dhe cënimin e integritetit të këtij funksioni. Nga ky model, opinjoni asnjëhere nuk është bërë me dije as në rastet e emërimeve, por as në rastet e shkarkimeve të titullarëve të policisë së shtetit. Nga praktika e deritanishme, jo rrallë ky integritet është cënuar dhe nga vet niveli i aftësisë dhe fuqisë menaxheriale të individit që ka kryer detyrën e titullarit të institucionit të policisë së shtetit.

Sigal

Përfundimi i aftit të aplikimit dhe debatet e nxitura si në rradhët e vet organizatës së policisë por dhe jashtë saj, nxorrën në dritë një sërë problemesh që kanë lidhje me personelin e policisë, me ecurinë e tyre në karrierë, u evidentuan të meta e dobësi në drejtim të rezultateve për luftën ndaj kriminalitetit e deri në implikimet e rastet korruptive në individë të veçantë.  Këto debatet dhe dialogu i zhvilluar pothuajse në të gjitha mediat e shkruara dhe televizive pa përjashtuar dhe grimcat humoristike të portaleve, mendoj se i bënë mirë klimës politike por dhe vet organizatës së policisë. Në këtë kuptim, përbën risi sanskionimi i procesit të konkurimit në ligjin e ri për policinë e shtetit të miratuar në muajin Korrik të këtij viti. Duhet të pranojmë që mbas disa dekadash të demokracisë problematike të vendit, vendosja në ligjet organike   për realizimin e procesit të konkurimit për institucionet ligjzbatuese si për AMP-në, për Gardën e Republikës dhe së fundi për Policinë e Shtetit, është arritje që i shërben   integritetit të këtyre institucione por në rradhë të parë çështjeve të sigurisë dhe ruajtjes së pastërtisë së figurës.

Duke ndjekur me vëmëndje masat organizative të ndërrmara për këtë proces, kryesisht për Policinë e Shtetit, inkurajoj dhe mbështes titullarin e ri të ministrisë së brendshme, i cili me ndjenjë të lartë serioziteti dhe përgjegjësie, shpalosi kompozimin organizativ të procesit dhe që pa diskutim është në pritje të përfundimit me sukses të tij. Gjithashtu është inkurajues dhe garancia që transmetoj se ky proces nuk do të ndikohet dhe nuk do të cënohet nga asnjë faktor i jashtëm. Ndoshta, një panoramë e tillë për të kryer procesin e konkurimit me standarde, ka ndikuar në çlirimin e energjive të reja e cila është pasqyruar në numrin e pëlqyeshëm të kandidatëve pjesmarrës.

Precedentët e krijuar në shumë institucione ligjzbatuese të kësaj kohe që është ende nën efektet e tranzicionit, kur bëhet fjalë për procese konkurimi, na obligojnë që të ndalemi për rastin konkret dhe duke dashur që të mbështesim procesin, të analizojmë formulimet ligjore. Në neni 56 të ligjit 28/2024 “Për Policinë e Shtetit” të titulluar “Emërimi, lirimi dhe shkarkimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, përcaktohet formula se;

  1. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit emërohet me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të Ministrit.
  2. Përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit kryhet nëpërmjet një procedure transparente konkurrimi të kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore dhe shprehin interes për këtë pozicion.
  3. Ministri ngre një Komision ad hoc, i cili, pas procesit të vlerësimit të tyre, i propozon kandidaturat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
  4. Ministri i propozon Këshillit të Ministrave kandidaturën për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Përbërja dhe rregullat e funksionimit të Komisionit ad hoch përcaktohen në Rregulloren e Policisë së Shtetit.
  5. Kandidati i propozuar për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit duhet të jetë një nga punonjësit e policisë që mban gradën “Drejtues i lartë” ose “Drejtues i parë”.

Në pamje të parë duket gjithçka normale. Jepet kompetenca e organit më të lartë të pushtetit ekzekutiv që është Këshilli i Ministrave të procedojë me vendim nominal. Edhe në pikat e tjera procedura është e qartë, pasi janë veprime teknike të saj. Fillimisht, shprehem se, me duket me vend zgjerimi i rrethit të kanditaturave për të marrë pjesë në konkurrim edhe punonjësit që mbajnë gradën “Drejtuesi i Parë”. Ky zgjerim është koherent për vijimësine e reformave në policinë e shtetit, kur për drejtimin e menaxhimin në instancat e larta duhen çliruar energjitë nga poshtë, pasi ka vite që ato mbahen peng nga një shtresë kuadrosh që janë bërë pengese për këtë fakt. Për këtë lloj shtrese të personelit do të ishte mirë të aplikohej trajtimi financiar nëpërmjet formulës së “Pensionit të Shërbimit”, gjithnjë që ky trajtim të ishte i kënaqshëm, i garantuar dhe i mbrojtur në rrugë ligjore.

Argumentoj se të diskutueshme dhe që mund të sjellin mjegull në proces, janë rregullimet ligjore te përcaktuara në pikat 2, 3 dhe 4 të këtij materiali, të cilat lënë shteg për keq interpretim ose për cënim të integritetit të procesit dhe për subjektivitet në përzgjedhje nëqoftëse gjatë rrugës krijohen pika të errëta. Konkretisht,

E para, lënia në dorën e ministrit të brendshëm për të ngritur një Komision “ad hoc”, ku për shkak të përbërjes nga funksione të vartësisë së tij, tregon qartë se objektiviteti është i cënueshëm. Pse? Sepse këto funksione janë me burim formimi sipas modelit me “emërim”, nga Këshilli i Ministrave përvëç anëtarit që përfaqson AMP-në, dhe asnjë prej tyre nuk i është nënshtruar konkurimit. Gjithashtu këto funksione bëjnë pjesë në nivelin e politizuar të adminisdradës publike.

E dyta, sipas komenteve të medias për përbërjen e tij, gjykoj se niveli i Komisionit “ad hoc” i dalë nga strukturat e brendshme të ministrisë është i ulët  për të  përzgjedhur  Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku sipas nenit 57 të ligjit organik, ky funksion ka përgjegjësira tepër të gjera që lidhen me rendin publik, me luftën ndaj  kriminalitetit, me kufijtë shtetror, me antiterrorizmin, me arsimin policor, me marrdhëniet me pushtetin lokal, me organet e drejtësisë  dhe në fund të fundit  ky institucion është përgjegjës për sigurinë e brendshme të shtetit dhe të shoqërisë. Janë me dhjetra ngjarjet e cënimit të sigurë së brendshme ku përballja dhe ndërhyrjet e policies, kanë qënë vendimtare duke realizuar stabilitetin e shtetit. Nuk mendoj se është në tagrin e këtij Komisioni të udhëheqë një proces konkurimi të një titullari me një spektër kaq të gjerë detyrash. Ky lloj niveli i Komisionit “ad hoc” që më shumë i ngjan një komisioni provimesh në një fakultet, nënvleftëson rolin dhe vendin që i takon organizatës së policisë së shtetit dhe vet titullarit të saj në organigramën e shtetit. Zgjerimi i anëtarsisë së Komisionit “ad hoc” dhe me pjesmarrjen e figurave si nga Komisioni i Rendit dhe i Sigurisë të Kuvendit, nga avokati i popullit, i pushtetit lokal, i organeve të drejtësisë pse jo dhe nga vet shoqëria civile, përbën dosmosdoshmëri. Formulimi i përbërjes së Komisionit “ad hoc” me formulën e sipërcituar, paragjykon përzgjedhjen e produktit të tij. Duke e ngushtuar rrethin e anëtarsisë, në mënyrë të llogjikshme do të ngushtohet edhe prognoza e kandidatit, objektivat e prioritetet e tij me të cilat do të garojë para Komisionit.

E treta, Duke ju referuar rasteve të tjera sidomos procesit të konkurimit për titullarin e SPAK-ut, të BKH-së, etj, pasi ende nuk e dimë të detajuar procesin, sepse ligji ja ka lënë Rregullores së Policisë për tu shprehur, natyrshëm vjen pyetja. Cila do të jetë forma deklarative e kandidatit para Komisionit? Ata do të shpalosin prognozën e tyre për zhvillimin institucional të institucionit dhe për përgjegjësitë e tjera ligjore apo do të plotësojnë ndonjë pyetësor të parapërgatitur? apo do të bëjnë provim me shkrim dhe intervistë me gojë? Gjithësesi, sido që të jetë forma e përballjes me Komisionin “ad hoc”, rrethi i ngushtë i përbërjes së tij, nuk u jep shans kandidatëve të shprehin në mënyrë të zgjeruar njohuritë dhe të tregojnë vlerat e tyre. Është tregues tjetër i kandidatit, aftësia për të qënë konciz, i saktë, i qartë dhe premtues. Po Komisioni “ad hoc” do i këtë këto cilësi kur të dëgjoi një kandidat që të flasë dhe të mbrojë tezat për fusha që nuk kanë lidhje me antarësinë përbërëse të tij? Duke mos dashur që ta paragjykojmë përbërjen e Komisionit “ad hoc”, të mirëkuptohemi se nuk duhet të ngatërruar funksioni me individin konkret që e mbartin atë.

E katërta, si do të renditen fituesit e procesit të konkurimit. Është e qartë që në funksion të modelit konkurues do të jetë dhe renditja e tyre. Pika 3 saktëson se është kompetencë e Komisionit “ad hoc” që “…pas procesit të vlerësimit të tyre, i propozon kandidaturat….”. Po në fakt, neni 56 i ligjit nr 28/2024, nuk tregon se cili është mekanizmi i vlerësimit të kandidatëve. Do të kemi vendosje pikësh dhe renditja do të bëhet sipas rendit zbritës të pikëve. Do të kemi zgjidhjet e detyrave të vendosura në pyetësor ku dhe këtu prevalon modeli i pikëve, apo anëtarët e Komisionit do të jenë të lirë të japin pëlqimin e tyre për fitues ose jo mbi baza subjektive? (!!!). Shpresojmë që këto alernativa dhe paqartësi ti zgjidhë Rregullorja e Policisë si akti normativ bazë për procesin e konkurimit.

E pesta, A do të ketë jo fitues në këtë garë konkurimi? Besoj që pa tjetër do të ketë. Është llogjike që kush hyn në garë, e merr në konsideratë dhe pozicionin jo fitues.  Por ende nuk dimë që sa kandidatë duhet të klasifikoj si fitues Komisioni “ad hoc”, sa është kompetenca e tij për të propozuar para ministrit dhe sa kandidatë fitues gjykon ky i fundit të propozojë para Këshillit të Ministrave për tu emëruar me vendim. Po Këshilli i Ministrave do të aplikojë parimin e diskrecionit apo ka ndonjë mekanizëm tjetër vlerësimi që nuk e dimë.

E gjashta, Për kandidatët të klasifikuar jo fitues nga Komisioni “ad hoc”, a do ti jepet mundësia e ankimimit, duke ditur që kjo është e drejtë kushtetuese. Ligji nuk bën fjalë për këtë të drejtë, se kur dhe ku mund të ushtrohet.

E shtata, A do të bëhet transparenca publike e kandidatit per fazën e dëgjesës para Komisionit “ad hoc”, Ligji e sanksionin këtë fakt, por jo të detajuar në këtë mënyrë. Kompetencë e kujt funksioni është të urdhërojë që dëgjesa e kandidatave të bëhet publike, të ndiqet on line në media televizive? Duhet të kuptohet se për çështjet e sigurisë është tepër i interesuar opinjoni publik. Titullari i Policisë së Shtetit nuk duhet të jetë enigmatik, i pa njohur dhe i pa dëgjuar. Ai duhet të flasë vet për prognozën e tij para shtetasve dhe para vet organizatës që pretendon të drejtojë, duhet të ngjallë shpresë, kurajë, të jete bindës dhe i drejtëpërdrejtë, ti përgjigjet pyeyjeve dhe shqetësimeve të komunitetit për sigurnë publike. Konkurimi në thelb këtë qëllim ka, jo të mjaftohesh me të lexuar dhe çfarë të kanë përgatitur të tjerët dhe suflerët nga prapa. Transparanca e procesit është shprehje dhe e barazisë juridike, kur ndërkohë kanë aplikuar dhe kandidatë të shkëputur prej vitesh nga organizata e policisë.

Pjesmarrja e pëlqyeshme e kandidatëve dhe shprehja e interesit të tyre në aplikimin për konkurrim, e nënkupton përmbushjen e kritereve formale të ligjit. Do të ishte absurditet që të bëhen përjashtime për mos plotësim të këtyre kritereve. Por këto kritere janë të pa mjaftueshme për konkurimin dhe përzgjedhjen e titullarit. Jemi në një kohë kur nga strukturat e posaçme të drejtësisë si SPAK-u apo gjykatat, janë evidentuar raste tepër të rënda të implikimit dhe akteve korruptive në rradhët e organizatës së policisë dhe kryesisht në nivelet e larta të saj. Deklaratat e bëra publike apo hetimet e kryera dhe që janë në ndjekje për rrjedhje të informacionit në rastet e operacioneve policore, flasin qartë për një klimë jo dashamirëse për publikun. Është e qartë që përpos kësaj gjendjeje, ngacmimet politike nuk rrinë duarkryq. Politizimi dhe keqinterpretimi nëpër media i drejtorit të policisë së qarkut Shkodër, (kandidat aplikues) apo sekuestrimet e pajisve të komunikimit elektronik të disa prej figurave të policisë, si të ish drejtorit M. Rrumbullaku apo të drejtorit të policisë të qarkut Elbasan (kandidat aplikues) në kohën e çeljes së procesit të konkurimit, nuk është ogur i mirë dhe flet për mungesë besueshmërie ndaj institucionit dhe ekzistencë të dyshimit në këto raste. Pritshmëria e opinjonit për këtë rast, është për të parë një të mirë publike se jemi të nginjur me lojra e akrobacira politike.

Prandaj është e domosdoshme që në këtë proces konkurimi, Komisioni “ad hoc” duhet të thellohet në veprimtarinë verifikuese për figurën e kandidatëve dhe kriterin e pasurisë. Koherenca dhe nevoja për titullar me integritet për policinë e shtetit, kërkon që procesi i verifikimit të figurës të kalojë në sitë çdo të dhënë, çdo indicie në ngarkim të tij nga kushdo burim që ka ardhur dhe administrohet nga agjensitë që punojnë me informacionin e klasifikuar. Do të jetë pozitiv fakti që pa përfunduar procesi i vetingut të mos bëhet shpallja e kandidadit fitues dhe të përcillet në Këshillin e Ministrave për emërim me vendim. Këtu ka vend të zbatohen kërkesat e ligjit nr 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar (ndryshuar me ligjin 47/2021), ku e ka të parashikuar një fakt të tillë. Gjithashtu për titullarin e policisë së shtetit, duhen të hetohen dhe kërkesat ligjit të vetingut, Ai përmban edhe elementë të tjerë që AMP-ja, si një shërbim i specializuar për monitorimin e mbikqyerjen e subjekteve duhet të zgjerojë hetimet e veta edhe në drejtime si;

  1. Verifikimi i identitetit në të shkuarën dhe të tashmen e gjeneralitetet, në se ka ndryshime në to, kur janë bërë këto ndryshime, si dhe arsyeja e këtyre ndryshimeve.
  2. Refuzimi për hyrje në vendet e BE ose të NATO-s, kërkesa për azil në ndonjë shtet apo dëbimi nga shtete të tjera për shkelje të rregullave të hyrjes apo qëndrimit.
  3. Verifikimi në se ka tendenca ose lidhje për veprimtari kriminale, verifikimi i të dhënave për përfshirje të mundshme në veprimtari kriminale të tij apo të pjesëtarëve të familjes me të cilët bashkëjeton;
  4. Verifikimi i dënimeve penale si dhe procedimeve penale apo administrative, të nisura apo përfunduara, brenda dhe jashtë vendit.
  5. Testimi për përdorim narkotikësh dhe varësia nga alkooli apo nga lojërat e fatit;

 

Zëmërata e opinjonit publik për korrupsionin edhe në polici është e madhe. Në këtë konteks, përgjegjësia e procesit të konkurrimit duhet të jetë me standarde. Në analizën time ky proces, duhet ti paraprijë vetpastrimit të organizatës nga individë që ende vegjetojnë, dhe nuk janë të demaskuar për paaftësinë dhe për cënime të figurës. Zbehja e procesit te vetingut për këtë organizatë të sigurisë, i dha mundësi këtyre individëve  të fshihen pa marrë në konsideratë njollën e madhe që i  kanë lënë imazhit të policisë, dëmtimin që i kanë bërë  punës dhe luftës së  pastër  që bëjnë dhjetra e qindra punonjës  policie në të gjithë strukturat përbërëse të saj dhe në të katër anët e vendit për garantimin e sigurisë publike.

Reformat administrative dhe në mënyrë të veçantë në policinë e shtetit, kërkojnë nje prijës model dhe lider me integritet, përzgjedhja e tij në një process të garantuar ligjerisht dhe jo të cënueshëm nga faktorë të jashtëm, është garant për zhvillimin institucional të policisë së shtetit me standardet e vendeve që aspirojmë tu bashkohemi në europë. Personlisht i uroj rrugë të mbarë procesit të konkurimit dhe mirëpres përzgjedhjen e titullarit me vlerat më të mira për vet organizatën dhe sigurinë publike.