Andrea Petromilo: Mbrapshtia e një sistemi apo paaftësia drejtuese

Andrea Petromilo

Kjo mbrapshti është e sistemit që po jetojmë dhe e instaluan për ta bërë sa më të vobekët popullin e për t’ia shtruar trasenë sa më të volitshme pehlivanëve të korrupsionit e hajdutëve , që nën etiketën e biznesit privat, me lirinë e plotë dhe gjithpushtetin e mbretit, mbetën duke rrjepur popullin, duke ia marrë frymën çdo ditë, aq sa s’u mbetet gjë tjetër veçse të mallkojnë veten, përse ende jetojnë në këtë vend e s’ndoqën pas ata që ikën, me bindjen e plotë se vendi nuk ua ka fajin, por ata që e drejtojnë…  

Shpesh rastis të ndodhesh në supermarket apo në çdo njësi shitjeje, e të shikosh klientët, pikërisht në momentin para banakut për të paguar, apo duke bërë “parade” para rafteve me asortimentet, që, pasi kërkon të blejë, zgjat dorën, por në çast tërhiqet kur shikon çmimin, siç struket kërmilli në guackën e vet prej ndonjë ngacmimi, nis e pëshpërit me vete: Ishim më mirë më parë…(!) E ka fjalën për sistemin e mëparshëm shoqëror, i cili, sipas tij e kujtdo që përjetoi atë kohë, veç të tjerave, kishte një të mirë, çështjen e çmimeve. Ato ishin të pandryshueshme për vite e vite, Kjo shpjegohet se ekonomia kishte një stabilitet, që ishte e lidhur me koston e prodhimit të produktit dhe çmimin e shitjes në treg. Dhe tregu ishte shtetëror dhe kontrollohej në çdo moment prej tij. Pra, shteti ishte rregullatori! Ndryshe qëndron ky problem në kushtet e sotme, kur sistemi shoqëror kapitalist, prodhimin dhe tregun e ka privat dhe krejt të lirë. Dhe s”ka si bëhet ndryshe! Por…

Sigal

Këto ditë, në lagjen “Pavarësia”, në Skelë të qytetit të Vlorës, një qytetar i drejtohet pronarit që ka biznesin e ashensorëve, ose më mirë të themi të montimit të ashensorëve nëpër pallate dhe mirëmbajtjen e tyre, ing.V.  Ll., pasi, ndryshimi i çmimit të shërbimit të ashensorit që duhet të paguajnë banorët, ndryshoi dhe qytetarit, i cili sillte dhe mendimin e pakënaqësinë e banorëve të pallatit, iu dukë jo i drejtë. Por V. Ll. i kishte fjalët të kursyera(!) e të prera: “Jam biznes privat! E për këtë jam “mbret”! Shko tek Rama ( e kishte fjalën për kryeministrin!), në Bashki…” Ishte e kot të debatohej më gjatë, pasi ky sistem e paska një mbrapshti, pasi “pjellka” shumë “mbretër”, që bëjnë si të duan e çfarë të duan(!) me biznesin  tyre, që i përcaktojnë çmimet si të duan e kur të duan, një paqëndrueshmëri gjithnjë në rritje, e cili lidhet pazgjidhshmërisht me vëzhgimin e ofertës ( nevojës!) dhe “ ngricën” e shpirtit të tij (pronarit) . Hidhu përpjetë ti po të duash (pupthi, thotë vlonjati!), e drejta i takon pronarit. Por a është e logjikshme  kjo dhe njëkohësisht edhe qëndrimi i biznesmenit? Kjo, e drejta për ta ushtruar profesionin në biznesin e tij, a nuk i a jep licensën shteti, e konkretisht Bashkia e qytetit? A nuk ka ekonomistë kjo Bashki, apo akoma më lartë , ministria përkatëse? A nuk mund të vendosi një çmim mbështetur mbi koston, i cili përllogaritet mjaft lehtë në bazë të kronometrimeve te operacioneve të punës, të proceseve të punës, kohës së punës e të shpenzimeve materiale, pa lënë mënjanë fitimin e biznesmenit, pra, një kosto reale e jo apriori? (nuk po marr rolin e lektorit!) Apo shtetit, (Bashkisë në këtë rast) i intereson vetëm TVSH-ja, dhe taksat bashkiake, pra, deri aty shkon kërkesa e llogarisë dhe përgjegjësia e saj?! Dhe populli “le të thyej qafën” (!), në rastin konkret, le të shtyjë këmbët e të hypi në katin e dhjetë, apo të dymbëdhjetë e nesër në katin e njëzetë apo të 100-të. Pyesim: përse duhet lënë “azat” lëvizja e çmimeve dhe kjo në kuriz të popullit, kur çdo prodhim apo punë kanë një kosto që përllogaritet lehtë e mbi atë bazë përfshihet dhe fitimi i pronarit, biznesmenit? Përse nuk vihet një tavan dhe toleranca të jetë në favor të privatit? Ne themi se është sistemi i tillë bazuar te Liria… Për cilën Liri bëhet fjalë? Liria e pakicës mbi përvuajtjen dhe pamundësinë e shumicës (popullit të thjeshtë!)? A nuk kuptohet se pakica e instaloi vet e për veten këtë mbrapshti, që jo vetëm ta shfrytëzojë krahun e punëtorit, por t’ia bluajë kockën edhe më pas, kur ai të ulet në tavolinë. çfarë ndryshoi ky biznesmen që e shpall veten “mbret”, pra i gjithpushtetshëm, madje dhe para atij që i dha të drejtën e licnshsimit për ta ushtruar këtë profesion? Nëse nuk i vë fre shteti kush tjetër mund ta frenojë zhvatjen? Dhe Shteti ka ç’ti tregoj këtij “mbreti”, ka koston e prodhimit, ka të ardhurat mesatare të qytetarëve, ka koefiçentin e mirëqënies dhe detyrimin që ka ky shtet për t’u kujdesur për popullin e tij dhe për të gjetur rrugët për ta rritur mirëqënien e tij. Nëse nuk e realizon këtë obligim, atëhere përse je qeveri, përse je shtet? Liria nuk është absolute, e nuk mund të jetë e tillë, pasi asgjë s’ka absolute, siç mund të pretendoj një “ mbret”, por dhe relativja është e duhet të jetë e kontrollueshme, duke luftuar konceptin e gjithpushtetit të” mbretit”, i cili është instaluar kur ende kultura e popujve ishte në “ përgjumje”, kur dija ishte e mekët, kur njohja e vitalitetit të njeriut ishte në plogështi, kur ideja e kishte “vështrimin “ nga qielli, dhe kjo ia ndriçonte  udhën mbretit që ta gëzonte pushtetin e tij. Por sot, kur kultura dhe dija e popujve kanë arrtur në zenith, të cilat janë “frena” për të evidentuar potencialin e uraganit që mbartet në gjirin e tyre , atëhere, për këtë duhet që shteti të gjëndet në krahë të tij, të popullit, duke ia lehtësuar jetën, dhe kjo nuk ka të bëjë me  liberalizmin as me diktatin, por me logjikën e instalimit të shtetit, funksionimin e administratës qeveritare dhe zgjidhjen sa më të drejtë ( në rastin konkret!) të problemit financiar. Mos vallë gaboj në ato çka them? Mos kam dalë nga shinat për këtë mendësi? Vallë mbeti tek unë të bëjë një vërejtje dhe t’i tregojë udhën një sistemi që ka vite e vite që funksinon? A nuk e dinë këtë korifejtë e ekonomisë në glob? Sigurisht që nuk ka dyzim për këtë, por kthetrat e skifterit janë kaq të fuqishme, thjesht, për të grabitur  pulën nga oborri i fermerit (fshatarit!). Do dal unë të jap rekomandime e leksione për një sistem që është në vitet e plakjes së tij (të paktën kështu flitet prej vitesh!)? E përse jo, kur kjo mbrapshti, (dielli nuk mbulohet me shoshë!) nuk është krijuar për popullin? Kur e di fare mirë se një prodhim e ka një kosto që përllogaritet? Kur e di që një prodhim, një mall do marri vlerë të re nëse mbi të e për të shtohen shpenzimet dhe mbi atë bazë, e vetëm mbi atë bazë, do ndryshojë kostoja e vlera e shitjes? Kur di se krijimi i shtetit është bazuar mbi një platformë që ka për qëllim ta bëjë më të lehtë e më të gëzueshme e më të sigurtë  jetën e popullit? E nëse gjithçka që mbart ky sistem, ta konsiderojmë të drejtë e të arrirë, pyesim si profan: të gjitha shtetet që e kanë instaluar, a lëvizin mbi të njejtin bosht dhe ingranazhet kanë të njejtin hap e ritëm?! Kam bindjen e plotë se jo. Majmunëzimi është version i shteteve dhe qeverive, që nuk kanë ngritjen e duhur të kulturës organizative, të intelektit, të përvojës, të dijes, të paaftësisë drejtuese por zotërojnë mendësinë e mbrapshtë, të përfitimit vetjak. A nuk ndodhi pikërisht tek ne, pas përmbysjes së sistemt të mëparshëm rrufeshëm lulëzoi e po lulëzon korrupsioni, vjedhja e paskrrupullt, mashtrimi, krimi. Në Kanada, siç kemi dëgjuar, qytetarët kanadezë nuk paguajë ujin, apo në Gjermani e në shumë vënde të tjera europiane çmimet janë më të ulta se në vendin tonë, në vëndet skandinave asistenca sociale mban jetën gjallë, në Itali emigrantët, që janë sipas rregullave, në moshën e  pensionit, u jepet një asistencë së bashku me qeranë e shtëpisë që ata të mos e ndiejnë veten ngushtë. Përse nuk i hasim këto tek ne? 34 vjt demokraci! Sa i duhet një shteti, kur i ka të gjitha rezervat, për t’ia bërë jetën popullit të vet luks? E vetmja përgjigje për këtë është paaftësia për ta drejtuar e për të luftuar vjedhjen, korrupsionin, vandalizmin e trajtimit të premisave, që sjellin begatinë e një vendi. Nuk ka ditë që media e shkruar dhe ajo televizive, që të mos flasi për ngritjen e çmimeve të perimeve, të mishit e të djathit, të artikujve industrial, E çfarë mbeti pa u” lajthitur” çdo ditë?! çoroditje në mendjen e njerëzve, që nisen për të blerë tre gjëra e kthehen pasi kanë blerë një. Plagë e rëndë kjo e ekonomisë familjare. Shtrenjtësi dhe reportazhet nuk reshtin. Media është zëri i popullit, që vjen tepër i freskët dhe me origjinalitet ku dhimbja regëtin… Po kush i dëgjon? Heshtje! A nuk ka një zyrë qeveria e shteti që ta dëgjoj zërin e të reagojë për këtë dhimbje të popullit?

A nuk e kërkon çdo ministri analitikisht materialin që përgatit kjo zyrë e pasi t’i ketë analizuar këto, të detajuara të arrijnë deri në veshin e kreut, i cili, që të bëhet i respektueshëm për popullin që udhëheq, duhet ta nisi punën me këto dhimbje? E jo të merret (34 vjet!) me lehjet e sharjet ndaj kundërshtarëve politikë? Me hajdutët, të korruptuarit, që pasqyra e portretit të tyre është shëmbëlltyrë e shëmtimit? Me ata le të merret drejtësia e t’u gjej vendin. Interesimi i tij duhet të jetë nëse i’u konfiskua pasutria e tyre dhe a shkoi në ujdhezën e popullit? Por asgjë prej këtyre nuk bëhet, prandaj mbretërit e vetkurorëzuar bëhen të gjithpushtetshëm dhe sillen si vandal ndaj popullit i cili vadhis pa mbështetjen e qeverisë e të shtetit të vet.  Nëse uji është jetdhënës, po ashtu dhe ajri është nevojë jetike. Pra, oferta si për njerin dhe tjetrin është absolute! Ujit iu gjend rruga për ta disiplinuar harxhimin e tij e për të vjelur të ardhurat shteti, por ajrit ende nuk i është gjetur ai mekanizëm që t’i ngarkohet në shpinë njeriut një bombël që t’i matet sasia që shpenzon e shteti të vjeli taksat(!). Kjo mbrapshti është e sistemit që po jetojmë dhe e instaluan për ta bërë sa më të vobekët popullin e për t’ia shtruar trasenë sa më të volitshme pehlivanëve të korrupsionit e hajdutëve , që nën etiketën e biznesit privat, me lirinë e plotë dhe gjithpushtetin e mbretit, mbetën duke rrjepur popullin, duke ia marrë frymën çdo ditë, aq sa s’u mbetet gjë tjetër veçse të mallkojnë veten, përse ende jetojnë në këtë vend e s’ndoqën pas ata që ikën, me bindjen e plotë se vendi nuk ua ka fajin, por ata që e drejtojnë…