Abdulla Diku: Pse dështojmë me zjarret në pyje?

110
Sigal

E kemi thënë vazhdimisht që problemi i zjarreve në pyje nuk zgjidhet nga satelitët, as nga kamerat termike që si kemi e s’ka pse t’i kemi.

Të derdhësh djersë për të luftuar flakët e zjarreve është mirë, por nuk është kurrë e mjaftueshme.

Duhet mendja së pari.

Pa të nuk vlen asgjë. Njëlloj si të kesh një makinë të mirë, por pa motorr e pa asgjë brenda.

Ama, të kesh dy satelitë në hapësirën e zjarrit të përpiqesh ta fikësh me degë pemësh, s’ka tragji-komedi më të madhe.

Të reklamosh epokën digjitale, a thua se ke vajtur në Hënë e ndërsa forcat zjarrfikëse shkojnë për të luftuar flakët me kanatiere, nuk ka paradoks më të madh.

Të kesh makina Range Rover të vitit të fundit për policinë, ndërsa mjete zjarrfikëse 60-vjeçare që mezi qëndrojnë në këmbë, sërish nuk di se me çfarë të qeshësh më parë.

Por ama, të kesh 1000 a më shumë inxhinierë pyjesh pa punë e në vend të tyre ju jep rrogë njerëzve pa asnjë lloj shkolle e integriteti, është më shumë se keq. Është kriminale, se pyjet po digjen përditë!

Po digjet vendi, po digjen pyjet e vendit!

Nuk është vetëm histori pyjore kjo. Pyjet janë vlerë kombëtare. S’ka asgjë tjetër në univers që t’i zëvendësojë ato. Janë jetike për ne. Po digjet një pjesë e historisë dhe kulturës tonë, përgjithmonë.

Çfarë vlere ka të bësh propagandë për mbjelljen e 100 hektarëve a thua se ke gjelbëruar planetin, e në të njejtën kohë të digjen 10,000 hektarë me pyje. Dhe mbjellja ka ndodhur vetëm këtë vit, ndërsa zjarre e dëmtime prej tyre kemi patur çdo vit në pyjet tona.

Kemi djegur rreth 450,000 hektarë me pyje.

Ama për të mbjellë, as 1/1000 e asaj sipërfaqeje të djegur.

Çfarë arithmetike është kjo dhe kujt i duhet e kujt duam t’i mbushim mendjen se 100 ha është më shumë se 10,000 ha?!

Përse, për 20 a më shumë vite nuk ka asnjë fushate sensibilizuese të mirëfilltë për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret?!

Si ka mundësi që televizionet tona kanë kohë televizive për të gjitha idiotësitë që ndodhin në planet, por nuk kanë asnjë sekondë kohë për pyjet tona, për burimet tona natyrore.

Çfarë vlere ka të kërkosh të të vijnë 20 milion vizitorë, teksa në Vlorë ju ve zjarrin plehrave për t’i mbytur me ré toksike tymi e në Shëngjin ju ve zjarrin pyjeve, i cili shkon e djeg deri dhe çadrat në bregdet.

Do bësh turizëm zjarresh?

Si është e mundur që krimi mjedisor në Shqipëri dhe veçanërisht ai në pyje ka nivelin më të ulët të ndëshkueshmërisë në botë?! Kjo nuk do shumë mend për përgjigjen pasi dihet, kush do e ndëshkojë zjarrvënësin, ai që nuk njeh asgjë nga zanati?

Le t’i kthehemi pak zjarreve në pyje.

Zjarret kanë qenë e do të jenë prezente. Por nëse nuk përmirësohet menaxhimi i tyre, pasojat do jenë gjithnjë e më katastrofike.

Menaxhimi i zjarreve në pyje është një lëndë mesimore, që bëhet vetëm në Fakultetin e Shkencave Pyjore, askund tjetër.

Shërbimi zjarrfikës është stërvitur e ka eksperiencë me zjarret urbane, por jo në male, jo në pyje. Për më tepër që mjetet zjarrfikëse nuk shkojnë dot në male në rastin e zjarreve në pyje. Pra nuk duhet patur shumë shpresë tek shërbimi zjarrfikës.

Duhet që Shërbimi Pyjor të drejtojë teknikisht të gjitha operacionet për shuarjen e zjarreve në pyje. Por nëse ke hequr nga puna Inxhinierët e pyjeve, kush mundet t’i drejtojë këto operacine? Askush tjetër!

Mundet të punojnë e lodhen zjarrfikësit më të mirë që kemi, por zjarri në pyje është çështje teknike pyjore dhe vetëm specialistët e pyjeve mundet ta menaxhojnë. Mund të harxhojmë sa të duam, por pa patur trurin në funksion, gjymtyrët nuk do na bëjnë punë. Kështu dhe me zjarret. Kemi hequr trurin nga pyjet, dhe ato po menaxhohen nga gjymtyrë, që lëvizin kuturu, si ato të një të sëmuri nga Parkinsoni.

Përse përdoren degë pemësh për fikjen e zjarrit, ndërkohë që ekzistojnë pajisje të thjeshta dhe shumë efektive dhe me kosto minimale. Cila bashki fjala vjen nuk paska 500 a 1000 euro për pajisje jetike për fikjen e zjarreve në pyje?

Kemi thëne që menaxhimi folklorist i pyjeve nga bashkitë duhet të marrë fund menjëherë. Ishte qëe në fillim një eksperiment i dështuar dhe në çdo shifër kjo del mëse e qartë. Çdo ditë ky gabim veçse thellohet më shumë.

Bashkitë as kanë patur e as kanë interes për të menaxhuar pyjet në mënyrë të qëndrueshme. I vetmi interes është të fitojnë ndonjë lek në dorë përmes aktiviteteve legale e ilegale në pyje, si dhe të punësojnë njerez që bëjnë vota, por jo punë. Duhet që pyjet të menaxhohen nga një institucion qëndror si psh. Agjensia Kombëtare e Pyjeve, si në çdo vend evropian.

Sa kohë që gjerat do vazhdojnë në këtë lloj agonie ku jemi, me shumë zjarr e më shumë dëme të sipërfaqeve pyjore do kemi. Me shumë kosto pastaj për të menaxhuar përmbytjet, erozionin, rrëshqitjen e tokës, mbrotjen e tokës etj.

Çelësi i suksesit në menaxhimin e zjarrit është koha.

K O H A!

D.m.th. sa më shpejt të ndërhyhet, me shumë shance ka për ta menaxhuar zjarrin.

Ja, 4-5 ditë më parë zjarri në Shëngjin ishte veç një vatër e vogël. Nuk u menaxhua në momentin e parë dhe tani Shëngjini duket i mbuluar me flakë ferri.

Edhe përfshirja e komuniteteve lokale është jetike. Pa to, çdo betejë ndaj zjarrit është e humbur. Por edhe këtu nuk kemi gjë në vijë. Komuniteteve ju është marrë uji apo zaptuat pronat ndaj vështirë ta kesh në krah kur ke më shumë se kurrë nevojë për te. Kështu që betejë e humbur është kjo me zjarret në pyje.

Pyjet, ashtu si dhe zonat e mbrojtura, prej vitesh kanë qenë nën presion të madh. Sot janë më shumë se kurrë. Digjen e do t’i djegin për resorte turistike, apo për të fshehur gjurmë të tjera krimesh mjedisore.

Askush nuk do kapet e dënohet, sepse askush nuk dënon veten për një krim të bërë me gjakftohtësi. Ai që ka paranë, blen gjithëçka, edhe dënuesin. Në mos jo me parà, por me shumë parà, po.

Situata vitin tjetër do jetë e njejtë, në mos më keq!

Më shumë zjarre e më shumë dëme prej tyre. Pa pajisje logjistike, pa mbështetje dhe pa personelin e kualifikuar pyjor, veçse do bëjmë statistikat e dëmeve nga zjarret në pyje.

Fundja, çfarë ka ndodhur këto vite?! Ja, nga 200,000 hektarë me pyje të djegura tani kemi rreth 450,000 hektarë. Ka ndryshuar apo është përmirësuar?!

Aspak!

Punë ka, profesionistë (inxhinierë pyjesh) pa punë po e po. Por punë për inxhinierët e pyjeve nuk ka ama!

Nuk ka ndonjë gjë për t’u çuditur se pse digjet Shëngjini për çdo vit, pasi metrat e betonit që pushtojnë për çdo vit pyjet aty, duken nga Hëna, jo më nga satelitët.

Ecim përpara, me statistikat në rritje të zjarreve!