A është e sinqertë Greqia me Shqipërinë?

746
Sigal

Harallamb Kota

Politika e Athinës dhe shpenzimet marramendëse për asimilimin e shqiptarëve

Nacionalistët grekë me synime të pareshtura ndaj truallit shqiptar

Dekonspirimi i politikave greke lidhur me financimin e mediave dhe të gazetarëve për të mbështetur Greqinë në synimet e sajë aneksioniste ndaj Shqipërisë e Maqedonisë, është një kambanë alarmi për qeverinë dhe politikanët shqiptarë. Financimet greke për shqiptarët e Jugut, synojnë asimilimin e kombit shqiptar dhe aneksimin e territoreve shqiptare. Kambana e alarmit kishte rënë edhe më parë. Mjaft historianë, politolog dhe albanologë, na kanë afruar dijet dhe analizat e tyre shkencore lidhur me marrëdhëniet e popullit shqiptar me popullin grek. Nacionalistët, shovinistët dhe priftërinjtë grekë, kanë synuar pareshtur aneksimin e territoreve shqiptare, me pretendimin se “ortodoksët e jugut janë grekë”. Për të hedhur poshtë këtë tezë kaq të turpshme dhe antishkencore, qeveritë shqiptare kanë dërguar në tryezat e diplomacive evropiane e botërore, delegacione të kryesuara nga politikanë e shtetarë ortodoksë shqiptarë. Emrat e tyre janë të shumtë dhe kontributi tepër i vyer. Mund të sjell në vëmendjen e lexuesit emra të shquar të patriotëve, historianëve, politikanëve dhe shtetarëve ortodokës shqiptarë, që e kanë mbrojtur çështjen shqiptare, si Naum Bredhi (Veqilharxhi), Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi, Thimi Mitko, Andon Zako Çajupi, Papa Kristo Negovani, At. Stathi Melani, Petro Nini Luarasi, Kristo Luarasi, Spiro Dine, Thanas Tashko, Jan Vruho, Llambi N. Kota, Dr. Spiro Konda, Dr. Mihal Turtulli, Imzot Fan Noli, Dr. Koço Kota, Dr. Nuçi Kota, Kiço Ngjela, Spiro Moisiu, Aristidh Kola, Aleksandër Moisiu, Dr. Eleni Kocaqis, Av. Spartak Ngjela etj. Personalitetet e historiografisë shqiptare kanë ndriçuar shkencërisht me shkrimet e botimet e tyre vijimësinë e marrëdhënieve greko-shqiptare dhe pretendimet e pareshtura të strukturave nacionaliste greke për aneksimin e territoreve shqiptare, gjatë dy Luftërave Ballkanike dhe pas dy Luftërave Botërore. Kujtojmë ndërhyrjet e ushtrive greke në mbështetje të lëvizjes për “vorioepirin”, luftimet për pushtimin e Korçës, për aneksimin e Gjirokastrës e Vlorës, Provokacionet e gushtit 1949, pushtimi i fshatit Peshkëpi, ndërtimi i varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në territorin shqiptar gjatë luftës italo-greke dhe tashmë synimet për aneksimin e detit. Ndërsa nacionalistët grekë mburren që janë të tillë dhe organizmat ndërkombëtare heshtin, shqiptarët shigjetohen “si nacionalistë” dhe u kërkohet të heshtin. Të “gjorët” shqiptarë me zor guxojnë të quhen atdhetarë e patriotë. Bëhet pyetja: Përse ndodh kështu? Dhe marr guximin të përgjigjem: -Me sa duket disa media, gazetarë, opinionistë, politikanë e shtetarë shqiptarë e minoritarë janë paguar vazhdimisht me fondet sekrete nga buxheti i shtetit grek. Në fakt, duhet ta saktësojmë lajmin, duke njoftuar publikun shqiptar, grek dhe euro-amerikan, se burimi i vërtetë i financimit të aktivitetit antishqiptar, janë “fondet e BE-së për ta shpëtuar Greqinë nga falimentimi”. Populli shqiptar thotë: “Edhe dhi e zgjebosur edhe e mban bishtin përpjetë”. Nisur nga dekonspirimi i politikave greke lidhur me financimet e paligjshme të mediave dhe gazetarëve shqiptarë, qeveria shqiptare duhet t’i kërkojë shpjegime qeverisë greke dhe të largojë urgjentisht ambasadorin grek nga Shqipëria. Qeveria shqiptare i ka të gjitha të drejtat legjitime, t’i drejtohet organizmave politike euro-amerikane dhe OKB-së, për t’i bërë me dije lidhur me veprimtarinë antishqiptare të qeverisë greke dhe ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të shtetit shqiptar. Qeveria shqiptare duhet të sqarojë Brukselin dhe Uashingtonin, lidhur me presionet e qeverisë greke ndaj qeverisë shqiptare për të pranuar kushtet e palës greke, si “mundësia e vetme që të hapen negociatat e pranimit të Shqipërisë në BE”. Bëhet pyetja: Përse rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE kalon nga Athina? “Shqiptarët, shkruan Mithat Frashëri, –janë popull oksidental.” Kjo tezë me përmbajtje të thellë patriotike tingëllon kuptimplote edhe sot, pasi shqiptarët janë më evropianë dhe më proamerikanë se grekët, pavarësisht disa ndikimeve sipërfaqësore orientale kulturore e fetare. Sidoqoftë bëhet pyetja: A ka patriotë shqiptarV, ku janë dhe si shprehen? Sigurisht që ka. Janë me qindra e mijëra, “të gjallë e në jetë” por mediat vizive nuk janë të interesuara t’i kenë të pranishëm në emisionet e tyre televizive. Janë me dhjetëra libra të botuara nga historianë e studiues shqiptarë ku pasqyrohet e vërteta historike lidhur me marrëdhëniet e vështira shqiptaro-greke. Për këtë qëllim, mora përsipër financimin e përkthimit dhe botimit të librit “Shqipëria dhe çështjet e kufijve shqiptaro-grekë”, të autorit Dr. Nuçi Kota, mbrojtur në Universitetin e Sorbonës në Francë, në vitin 1942 dhe botuar në gjuhën frënge, në vitin 1946. Dr. Nuçi Kota, është përfaqësuesi më i lartë i diasporës shqiptare në forumet antikomuniste ndërkombëtare dhe personaliteti më i vlerësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cilësuar “udhëheqësi i ardhshëm i Shqipërisë Demokratike”. Libri u anatemua nga silogjet vorioepirote dhe nga administrata helene, por i shërbeu kancelarive perëndimorë lidhur me çështjen shqiptare dhe u shfrytëzua nga përfaqësuesit e shtetit komunist pas Luftës së Dytë Botërore, për demaskimin e politikave shoviniste greke ndaj Shqipërisë dhe për pranimin e Shtetit Shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Librin ia dhurova personaliteteve më të larta të shtetit, si dokument referimi në politikat e shtetit shqiptar me shtetin grek. Formalisht nuk mora asnjë falënderim. Me sa duket ne shqiptarët vuajmë nga “krenaria e sëmurë” dhe padyshim vuajmë edhe pasojat e kësaj krenarie.

Çamëria dhe “çështja çame”

Lidhur me këtë problem kaq madhor, mendoj se jemi para një dileme hamletiane “të rrosh, a të mos rrosh”. Të mbështesësh çështjen kombëtare është një qëndrim i drejtë, moral dhe patriotik. Mirëpo, tek disa protagonistë të çështjes çame, morali dhe patriotizmi është mbytur nga interesi vetjak për të përfituar politikisht dhe financiarisht. Rilindësit tanë, u bashkuan mes tyre “pa dallim feje, krahine dhe ideje” dhe për ardhmërinë e shtetit të shqiptarëve përcaktuan drejtimin e duhur, aleancën me Fuqitë e Mëdha oksidentale. Politika shtet-formuese e ideuar nga Abdyl Frashëri dhe Ismail Qemali nxitën krijimin e një shteti dhe shoqërie shqiptare laike. Feja u nda nga shteti dhe nga shkolla. Mirëpo, -Politikat shoviniste të qeverive greke në krahinën e shqiptarëve të Çamërisë, shkruan Hasan Prishtina, – për t’i konsideruar shqiptarët myslimanë si turq, u mbështetën edhe nga kleri mysliman, nga imami i Paramithisë dhe hoxhallarët. Ky qëndrim, ishte ndër arsyet e shpërnguljeve masive të myslimanëve çamë në Turqi. Sidoqoftë, politikat e qeverive greke për pastrimin etnik të Çamërisë nga banorët etnik shqiptar të besimit mysliman, janë demaskuar nga të gjitha qeveritë shqiptare në vitet 1912-1990. Me ndryshimet e sistemeve politike dhe kalimi nga diktatura në pluralizëm, u shfaqën tendencat e ndarjeve krahinore, fetare e politike. Në tregun foshnjarak u hodh ideja e vjetër “që myslimanët janë turq” dhe aleati i tyre është Turqia. Këto tendenca, dëmtuan rëndë dinjitetin dhe unitetin kombëtar, çështjen shqiptare dhe në veçanti atë çame. Situata u shfrytëzua nga nacionalistët grekë, të cilët përsëritën pretendimin e pas Luftës së Dytë Botërore që “çamët myslimanë bashkëpunuan me fashistët italianë dhe nazistët gjermanë”, duke justifikuar gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë çame. Kam mendimin, se çështja çame duhet trajtuar si një problem i madh kombëtar dhe aspak fetar. Ideja kombëtare është e vetmja platformë e bashkimit të shqiptarëve, është tempulli gjithëpërfshirës pa dallim feje, krahine dhe ideje. Për realizimin e kësaj ideje dhe pasjen e mbështetjes së popullsisë çame dhe të krejt popullit shqiptar, drejtuesit e shoqatave dhe të partive çame duhet të ndjekin gjurmët e paraardhësit të tyre Rilindësit Hasan Tahsin, të distancohen kundrejt përfitimeve politike, financimeve të paligjshme dhe privilegjeve vetjake. Sidoqoftë gabimeve programore dhe qëndrimeve jo inteligjente të derisotme, situata mund të ndryshojë në favorin e shqiptarëve dhe në zgjidhjen e problemit çam, vetëm me mbështetjen euro-amerikane.