Mbyllen edhe bastet sportive online

518
Sigal

Gjergj Erebara 

Një shtesë në propozimin e kryeministrit për mbylljen e basteve sportive u miratua të martën në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për të përfshirë edhe “bastet në distancë”, gjë që sjell mbylljen e kompanisë së vetme të licencuar në këtë fushë.

Deputetët, Antoneta Dhima, Ilir Xhakolli, Evis Kushi, Anastas Angjeli, Erion Braçe, gjatë një mbledhjeje të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, që miratoi projektligjin për lojërat e fatit. 

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi me ndryshime projektligjin e qeverisë që parashikon mbylljen e industrisë së basteve sportive nga një janari i vitit të ardhshëm, duke përfshirë në listën e aktiviteteve të ndaluara edhe “lojërat në distancë”, termi zyrtar që përdoret për aktivitetin e basteve në internet. Ndryshimi i projektligjit erdhi pas presionit disaditor nga ana e opozitës, e cila argumentonte se me propozimin e Ramës, në Shqipëri do të mbylleshin të gjitha pikat e basteve, përveç një kompanie të licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për “baste sportive dhe kazino në distancë”, një licencë e gjerë që përfshin pothuajse të gjitha aktivitetet e bixhozit. Në rast se propozimi miratohet në variantin ekzistues të Komisionit të Ekonomisë, vitin e ardhshëm në Shqipëri do të mbeten vetëm kazinoja e Tiranës, Lotaria Kombëtare dhe Telebingo Kombëtare. Kryeministri Edi Rama zuri në befasi shqiptarët më 10 tetor kur deklaroi se do të mbyllte të gjitha bastet sportive si një propozim i ri ligjor, krahas mbylljes së pikave të lojërave elektronike, të cilave u mbaron licenca sipas ligjit aktual në fuqi më 31 dhjetor. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi draftin në mbledhjen e së martës ndërsa kryetari i Komisionit Erion Braçe deklaroi se deputetët gjendeshin nën presion të lartë nga industria dhe se kishin marrë “kërcënime kriminale”. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se propozimi do të miratohet në seancë plenare të enjten ndërsa është ankuar se deputetët e tij kanë marrë kërcënime të shumta, por nuk ka bërë të ditur nëse deputetët kanë dorëzuar kallëzime në prokurori për kërcënimet. Mbyllja e basteve sportive dhe zbatimi për herë të parë në dy dekada i nismave për pastrimin e qyteteve shqiptare nga kazinotë elektronike është një masë që dukshëm mikpritet nga qytetarët dhe ajo është bërë tema e parapëlqyer e diskutimit për kryeministrin Edi Rama. Ndërkohë, industria e basteve sportive e përbërë nga tre kompani, i bëri një ofertë publike të hënën qeverisë duke kërkuar mosmbylljen totale të tregut, por përgjysmimin e pikave të basteve brenda vitit 2019 dhe uljen e mëtejshme të tyre më vonë. Artan Shyti, përfaqësues i tre kompanive, TopStart, ITSGA, Lottosport, propozoi “reduktimin e pikave të basteve deri sa të arrihet në një numër normal”. Ai kërcënoi me “betejë ligjore” në rast se ligji miratohet, por nuk shpjegoi se çfarë sfide ligjore mund t’i bëhet një ligji, me përjashtim të ankesës në Gjykatën Kushtetuese. Duke iu përgjigjur propozimit të industrisë, Braçe deklaroi se bastet do të mbyllen, ndërsa ndryshimet e shtuara në komision mbi draftin e qeverisë përfshijnë mundësinë që në të ardhmen, aktiviteti i basteve sportive të licencohet si sipërmarrje nën pronësi shtetërore. Nga ana tjetër, Partia Demokratike në opozitë akuzon qeverinë se me mbylljen e basteve sportive po krijon një situatë monopol për një kompani të vetme, Univers SH.A, e cila, pak kohë më parë, është licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për aktivitetin e basteve sportive dhe kazinosë në internet. Univers Sh.A operon përmes markës Bastarena. Ajo pranon pagesa përmes kartave bankare me akses në internet si dhe përmes një numri kompanish që kryejnë shërbime financiare në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, përfshirë Posta Shqiptare, kompania publike e shërbimeve postare dhe financiare. Qeveria nuk e ka shpjeguar qartë se çfarë do të ndodhë me këtë kompani, por ka hedhur poshtë akuzat në përgjithësi si “shpifje”. Vetëm të martën, në draftin e qeverisë u shtua togfjalëshi “lojëra elektronike në distancë” në listën e licencave ekzistuese që ligji i ri synon të anulojë duke i shkurtuar afatin deri më 31 dhjetor 2018. Shqetësimet mbi lojërat e fatit duket se nuk mbarojnë me ligjin për mbyllje. Tregu aktual i basteve dhe i bixhozit, sipas bilanceve të kompanive të licencuara të analizuara nga BIRN ishte rreth 124 milionë euro në vitin 2017. Por vetë kryeministri Edi Rama dha një shifër tjetër për shumën e qarkulluar në këtë treg. Sipas tij, mbyllja e bixhozit do të transferojë rreth 700 milionë euro nga industria e basteve te buxheti i familjeve. Nuk bëhet e ditur se ku mbështete ky vlerësim i kryeministrit, i cili sugjeron se rreth 80% e xhiros në industrinë e basteve është aktivitet ilegal.

Rama duke u justifikuar

Pikëpyetje janë ngritur gjithashtu mbi faktin se pse ligji ekzistues nuk u zbatua asnjëherë ose u zbatua keq përgjatë viteve të fundit. Ligji thotë se çdo kompani e licencuar nuk mund të hapë më shumë se sa 1 mijë dyqane ndërsa aktualisht në treg ka 3 kompani të licencuara dhe mbi 4300 dyqane. Kryeministri Edi Rama erdhi në pushtet në shtator 2013 dhe pak muaj më vonë Ministria e Brendshme organizoi një operacion masiv kundër industrisë së bixhozit, duke angazhuar mijëra policë në kontrolle të imtësishme të mjediseve dhe dokumentacioneve. I emërtuar “Fundi i Marrëzisë”, operacioni synoi të mbyllte pikat ilegale të basteve që kishin mbirë në çdo cep pallati. Gjerësisht i lavdëruar nga popullsia, operacioni u kritikua nga opozita si selektiv dhe i njëanshëm. Në vitin 2015, Ministria e Financave propozoi një projektligj që synonte mbylljen e lojërave të fatit elektronike nga viti 2016 dhe rrallimin e pikave të fatit të basteve sportive duke kufizuar numrin e pikave sekondare në 500 për licencë dhe duke taksuar të ardhurat bruto të industrisë në masën 25%. Një rishikim i dokumenteve parlamentare nga BIRN zbuloi se si masat e propozuara në projektligj për disiplinimin e industrisë u zhbënë falë ndërhyrjeve 24 orë para seancës plenare me propozim të një deputeteve socialiste dhe një të LSI. Si pasojë e lehtësive të përfituara me ligj por dukshëm edhe si pasojë e keqzbatimit të ligjit në tërësi nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, një zyrë pranë Ministrisë së Financave, industria e basteve lulëzoi përgjatë periudhës nga viti 2015 deri më 2017, me rritje të madhe të të ardhurave dhe rritje akoma më të madhe të fitimeve, sipas shifrave të bilanceve të kompanive. Aktualisht, sipas shoqatës së basteve sportive, në Shqipëri gjenden 4300 pika bastesh, me një trefishim në krahasim me katër vite më parë. Kjo është një shifër e pabesueshme në një vend ku popullsia mbi 19 vjeç vlerësohet në 2.1 milionë banorë dhe ku rezulton se për çdo 500 banorë ka një dyqan bixhozi. Sipas ligjit, çdo kompani bastesh sportive nuk mund të hapë më shumë se sa 1 mijë pika ndërsa në treg janë tre kompani dhe numri i pikave të basteve dukshëm tejkalon kriterin ligjor. Çdo pikë bastesh duhet të miratohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, një institucion që ka edhe detyrime të tjera, të tilla si mbikëqyrja e kriterit të refuzimit të shërbimit nga ana e kompanive për individët të raportuar nga familjarët si persona me varësi nga bastet apo ndalimi i reklamave të basteve nëpër media me përjashtim të medias sportive. Duke konfirmuar faktin që mbikëqyrja e lojërave të fatit nuk ka funksionuar përgjatë katër viteve të fundit, qeveria vendosi së fundmi pezullimin e aktivitetit të këtij institucioni. Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim të gjatë të hënën para mbështetësve të vet në Laprakë të Tiranës ku u përpoq të justifikojë veten. “Ka njerëz që gabimisht e interpretojnë se Shqipëria, për shkak të mungesës së aftësisë së shtetit për të kontrolluar këtë aktivitet po ndërmerr një masë drastike që tregon paaftësinë e shtetit,” tha ama duke iu referuar vendimit për mbylljen e basteve. Ai argumentoi se edhe vende të zhvilluara si Franca kanë krijuar monopole publike për bastet sportive për të shmangur rrezikun e krimit që shoqëron zakonisht industrinë e bixhozit. Rama argumentoi më tej se aktiviteti i bixhozit në Shqipëri, financohet në masë të madhe nga krimi i organizuar. “Janë burime financimi kriminale, janë para që pastrohen përmes aktivitetit të kumarit,” tha ai. Elementë të krimit të organizuar ose njerëz me të shkuar kriminale rezultojnë aksionerë në së paku një nga tre kompanitë e basteve sportive ndërsa ligji aktual i lojërave të fatit i jep të drejtë autoritetit mbikëqyrës të refuzojë ose revokojë licencimin e kompanive me aksionerë të tillë. Rama nuk shpjegoi se si ka ndodhur që persona me dënime për krim të organizuar janë licencuar nën qeverisjen e tij për të operuar në tregun e bixhozit. Kjo është hera e disatë që nga viti 2004 që qeveritë e ndryshme shqiptare shpallin luftë kundër bixhozit. Më 2004, një ligj i ri synonte krijimin e katër kazinove të mëdha dhe mbylljen graduale të gjithë të tjerave përmes mosrinovimit të licencave. Ligji mbeti i pazbatuar dhe u zëvendësua nga një ligj tjetër më 2008 e më tutje, nga një ligj i ri më 2015. Tani shqetësimi është që industria e basteve mund të kalojë e gjitha në ilegalitet, një mjedis ku rreziku i krimit është edhe më i lartë se sa te industria e licencuar. BIRN