6 orë për një vulë para derës së Ministrisë së Mbrojtjes

941
Nga Kozma GJINI
Sot, e premte, 05/12/2018 kam qëndruar 6 orë para derës së institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes për të marrë një vulë. Dhe kjo krejt për rutinë burokratike. Më vjen keq që ministria ka njerëz të rinj, por mendësia e tyre s’më pëlqen aspak. Njeriut një herë i rastis të testojë shërbimin në administratë e jo përditë. Jam i zhgënjyer. Po shpjegohem atëherë. Meqenëse im bir, si shumë djem shqiptarë, është bërë shtetas grek, (por në moshë ushtrie për shtetin helen), atij i duhet të kryeje detyrimin ushtarak edhe për interes të shtetit grek .Djali e ka kryer shërbimin ushtarak në Shqipëri. Për t’i shpëtuar këtij detyrimi, prej shtetit amë, duhet paraqitur në Ministrinë homologe fqinje një shkresë që vërteton se ai e ka kryer shërbimin ushtarak. Për këtë gjë, në datën 15.12.2017 plotësova formularin përkatës në Postën e qytetit të Lushnjes (drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes) dhe pas pak ditësh më vjen përgjigja. Në shkresën që më vjen nga Ministria e Mbrojtjes lexohet: 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË. MINISTRIA E MBROJTJES. 
SHTABI I PËRGJITHSHËM I FORCAVE TË ARMATOSURA.
Qendra e Personel Rekrutimit. nr.21/145 prot, 
Tiranë, Më 21/12/2017. 
VËRTETIM.
Vërtetojmë se shtetasi G…..G….., i vitlindjes 1975, me shenjë personale 185, ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv nga data 11.06.1994 deri më datë 20.09.1995, në Repartin Ushtarak nr.2030.

Lëshohet për efekt dokumenti. 
Specialist për Kartonët e SHDUA Tetar K. Muço. 
Speciaist për SHDUA Rreshter A. Goxhaj.
ZV/KOMANDANTI. Nënkolonel Aleksandër Sinaj. Vula. Ministria e Mbrojtjes.
Reparti Ushtarak nr. 6670.Tiranë.

Dhe në fund, numri i telefonit…, adresa dhe se ky vërtetimi lëshohet pa pagesë. Fort bukur deri këtu. Drejtoresha e Postës së qytetit, më orientoi se ky vërtetim nuk pinte ujë, sepse duhej kthyer prapë për t’u vërtetuar firma e repartit që e ka lëshuar. O zot ç’bëhet kështu?! Burokraci me brirë. Ishte në ministri, i vjen qytetarit për ta çuar ky dorazi sërish në ministri e pastaj ta marrë qytetari. Sa qesharake! Pse u dashka që qytetari të shkojë ta marrë dorazi vulën po në Ministrinë e Mbrojtjes, për të vërtetuar identitetin e shkresës së lëshuar nga vartësi i vetë Ministrisë së Mbrojtjes(!). Pse nuk e kalon në Ministrinë e Mbrojtjes dokumentin Reparti i Rekrutimit dhe pastaj kjo t’i shkojë qytetarit e kompletuar në shtëpi? E shikoni se si i shërbeni ju popullit, Zj. ministre? Ç’bëhet kështu? Po le ta lemë mënjanë këtë praktikë anakronike shkresore alla 50 vjeçare. Erdha pra sot në ministri në ora 8 e pak me gjithë shkresën dhe ia paraqita punonjëses te sporteli te dera për ta vulosur. Më tha se duhet të prisja orën 13:00 për të marrë shkresën e vulosur. Pse kaq vonë?, e pyeta. Sot dalin shpejt, se është fundjava, se ditët e tjera dalin më vonë…kështu është rregulli, më tha vajza. S’ka faj. Urdhri i shefit është ligj për vartësin. Më vajti qumështi i nënës në majë të hundës deri sa erdhi ora 13:00. Në orën 13:00 u paraqita te sporteli. Do presësh dhe gjysmë ore, më tha, se akoma s’ka dalë. Prita. Vajta më 13:30. Do presësh dhe pak se se në orën 14:00 dalin shkresat më tha. Erdhi ora 14:00. Mora shkresën me porosinë se kjo duhej postuar që nga qyteti im për në Ministrisë së Jashtme. Kësaj i thonë të kapësh veshin e majtë me të djathtën që pas qafës. I lodhur e mërzitur mbërrita në vendlindje me autobus. Në shtëpi, ndërkohë që po i tregoja gruas sorollatjen për një vulë para derës së Ministrisë së Mbrojtjes, në televizor jepej lajmi se Ministria e Drejtësisë kishte bërë një kontroll në disa hipoteka, si Lushnje, Durrës etj, dhe për shkelje e sorollatje të qytetarëve, kishte pushuar disa punonjës. Ok! Po këto sorollatje që bëjnë “Muuu”në kreun e dikasterit të mbrojtjes, kush i kontrollon? Koha është flori, Zonja ministre. Thyejini kornizat burokratike! Shkatërrojini muret që ndajnë popullin nga administrata e tij. Bëjani sa më të lehtë shërbimin popullit që u ka vënë në ato karrige! Turp! Për një vulë të presësh 6 orë para derës së ministrisë! Sot merret një certifikatë online në çdo skaj të vendit, kurse për një vërtetim u dashka të sorollatesh me orë e ditë të tëra nëpër zyrat e shtetit (!). 


Sigal