Tradhëtia zemërgjerë!

234
Sigal

Nga Alket Veliu

Koloni greke në det, koloni greke në tokë! Ky është parapëlqimi in extremis i kryeministrit Edi Rama, dhurata më fatlume që i bëri mikut të tij grek Mitsotakis, në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të ri. Me një arbitaritet egoist dhe pushtues, me një diskriminim poshtërues, pas një marrëveshje kinse të fshehtë të kreut të qeverisë shqiptare me kryeministrin grek, Këshilli i Lartë i Shtetit të Greqisë miratoi dekretin presidencial për zgjerimin e ujërave territoriale në Detin Jon deri në 12 milje. Ndërkohë qeveria shqiptare, me përparësi, ka miratuar shpronësimin e tokave ku do të ndërtohen varrezat e ushtarëve grekë. Përmes një VKM-je të miratuar ditën e mërkurë, është vendosur vijimi i procedurës së ndërtimit të varrezave të ushtarëve të rënë në luftën italo-greke, në vitet 1940-1941.
Duke u bërë interpret i ndjesive dhe pretendimeve greke, pasi tradhtoi çështjen çame dhe e hoqi përfundimisht nga axhenda, në 27 gusht 2020, kryeministri Rama, befasoi opinionin publik shqiptar dhe atë grek kur shprehej: “Sipas konventave ndërkombëtare Greqia është në të drejtën e saj për t’u zgjeruar 12 milje në hapësirën e Detit Jon”. Pikërisht këtë deklaratë kërkonte pala greke për të avancuar projektin e saj të grabitjes së 12 miljeve, gjë që as nuk e ëndërronin kurrë më parë. Tani Rama padyshim pret lule nga emisarët grekë, ndërsa në brigjet e Jonit pritet të dëgjohen marrshe funebre, pasi fillimi i matjes së zonës ekskluzive ekonomike do të fillojë 6 milje detare më në thellësi, duke shkatërruar për pasojë turizmin dhe peshkimin shqiptar, si pasojë e ndotjes së detit nga kërkimet nënujore për naftë. Ende asnjë reagim nga qeveria shqiptare për Dekretin grek. Atmosferë tradhtie dhe trafik i ndyrë me interesat kombëtare.

Një e drejtë është një pushtet i njohur nga ligji pozitiv. Kështu është edhe e drejta e detit. E gjith kjo fabul, e paparë ndonjëherë, është ndërtuar duke sfiduar dukshëm sovranitetin dhe duke i hapur rrugë nënshtrimit. Shkenca praktike e politikës njeh si parim të saj të vetëm arsyen shtetërore por Rama, me sa duket, ndjek një axhendë krejtësisht private, pasi “pushteti” është bërë qëllimi i vetëm i veprimit të tij politik, duke krijuar një shtet autoritarist individual, ku nuk njihet kontrata shoqërore apo politike. Shteti bazohet mbi drejtësinë-thoshte Ciceroni. I ashtuquajturi shtet nuk i jep të drejtën askujt të bëjë marrëveshje që nuk bazohen mbi vlerat dhe dobinë e përbashkët.

Në territorin e një kombi nuk mund të hysh me Dekret apo me VKM qeverie. Grekët mund të zhvarrosin disa kafka në Përmet e Këlcyrë, të ndërtojnë dhe varreza të jashtëligjshme, duke shpronësuar pronarët shqiptarë për kockat e ushtarëve pushtues grekë, por populli shqiptar ka një konstitucion mendor të ngulitur ndaj veprimeve të tilla. Ato janë një eksploziv i rrezikshëm, që nuk mund të lejojnë brejtësit apo bishat greke të kafshojnë territore.
***
Shqipëria në 30 vjet tranzicion po kërkon vetëveten. Ishte shumë afër integrimit, por ardhja e Ramës në pushtet bëri që t’i ikë ora e fatit. Negociatat nuk u hapën kurrë, mbetëm jashtë Evropës edhe për disa vite.
Në fillim të këtij viti, Greqia i rikujtonte Shqipërisë, nëpëmjet presidentit Prokopis Pavlopoulos, se afrimi i saj në familjen europiane dhe raportet e mira fqinjësore kushtëzohen nga çështje të cilat Tirana zyrtare ende nuk po i adreson dhe veçanërisht ajo e varreve të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke në jugun e Shqipërisë gjatë viteve 1940-41. Por Athina zyrtare nuk e priste që Rama do i kapërcente pritshmëritë greke, duke e shitur detin si një kuti bojrash për shkarravinat e tij surealiste, sa dhe ekstremistët më të thekur të sillogjeve “vorio-epirote” e kanë mbyllur gojën. Ky nuk është thjesht një lapsus apo gabim momental , por një tradhti e hapur dhe abuzim i rëndë me sovranitetin e popullit dhe kombit shqiptar. Gjendja ka arritur deri në atë pikë sa ky njeri po i imponohet vullnetit kombëtar në një lëmë ku preket vetë ekzistenca e kombit. Pasi uzurpoi të gjitha pushtetet dhe shkatërroi zhvillimin e institucioneve, duke mbjellë shqetësime e lëndime kombëtare, me aktin e paprecedentë të faljes së detit ky kryeministër po e fut vendin në rrugën e shuarjes së sovranitetit kombëtar dhe konflikteve ballkanike deri në provokim lufte.

Gazetat turke i janë referuar deklaratave të mëparshme të gjeneralëve turq që një vendim i tillë do të ishte një shkak për luftë mes dy shteteve, ndërsa analizojnë vendimin duke dhënë alarmin se tashmë Greqia mund ta përdorë këtë si precedent për ishujt përballë Turqisë.

Rama po tregon dita -ditës se po guxon të hyjë në një rrugë të re të lajthitjeve pa fre , që nuk i shërben aspak politikës proevropiane të Shqipërisë, por një realiteti të rrezikëshëm të një ortakëzimi me antishqiptarizmin greko- serb.
Fqinjësia e mirë funksionon vetëm mbi parimin e reciprocitetit dhe barazisë së të drejtave dhe detyrimeve për të gjitha vendet. Shqipëria asnjëherë nuk është drejtuar kundër askujt, nuk ka pasur asnjëherë synime agresioni, siç ka bërë Greqia historikisht.
Për çështjen e detit duhej bërë një zgjedhje që të ishte përcaktuese në drejtim të së mirës ose të së keqes. Duhej një gjykim objektiv specialistësh, ekspertësh dhe konstitucionalistësh, i menduar mirë, i mbështetur në realitetin e fakteve dhe interesit sipëror kombëtar.