Sefer Pasha : Edi Rama dhe “ Toger BABA”

580
Sigal

Ka jetuar një ushatarak nga Kuçi i Vlorës i cili vinte nga lufta. Shërbeu në strukturat e Ministrisë së Brendshme. Nuk po ja përmend emrin.  Një nga djemtë e tij e kam pasur mik. Ushtarakut nga Kuçi i mbeti pseudonimi “Toger BABA”. Atij ju ngarkua detyra e vështirë për vendosjen e rendit në disa zona problematike të Shqipërisë.  Në vitet e para pas çlirimit kishte mjaft konflikte, vrasje e kundërshtim të vendimeve të pushtetit popullor. Po bëheshin krime.

Komanda i dha liri veprimi Toger BABËS. Shumë njerëz vepronin jangllësht edhe të nxitur nga agjenturat, të cilat u rebeluan pas ardhjes në pushtet të komunistëve. E lexova dosjen e Toger BABËS në Arkivin e Ministrisë së Brendshme. Ashtu siç e pashë nga dëshmitë e gjyqit, Toger BABA filimisht qe përpjekur që ta zbatonte ligjin. Por reaksioni kishte qenë i fortë. Toger BABËN edhe e patën fyer në kryerjen e detyrës. Ai u përpoq me të gjitha mënyrat. Nuk mundi. Por Togeri ishte kockë e fortë. Natën e bënte ditë për të vendosur rendin. Dhe kur e pa keq ai i vuri një diagnozë të gabuar zbatimit të ligjit. Të ligjtë e duan me dru tha ai. Nuk i duronte dot trallisjet e kësisojshme dhe zbatoi stilin funebër. U roit. Shkeli në udhë të vdekura. Me forcat që e shoqëronin ushtroi terror. Dhe me botën e një manjaku e arkitektoi detyrën e tij sipas proverbit: –  “I pari të prasmit, i fundit vetes”. Me autenticitetin e një ushtaraku që nuk i dilet përpara Toger BABA kundërshtarët e regjimit e të ligjit i hiqte zvarrë. Kush ja bënte dysh fjalën ai i nxinte jetën. Me këtë metodë  e vendosi rendin. Po të dëgjohej nëpër qytete e fshatra se “po vjen Toger BABA” njerëzit futeshin si minjtë nëpër shtëpira. I raportuan se në fshatin Zh. një fshatar kishte shumë armë dhe nuk begeniste t’i dorëzonte. Mbrriti vetë Toger BABA. Ai e mori të zotin e shtëpisë dhe e vari në pusin e tij të ujit. E la të varur. Aman i tha fshatari. Do të tregoj jo vetëm armët e mija, por dhe të gjithë fshatit. E di se ku i kanë fshehur. Si tu duk pusi i tha Toger BABA? Vetë e kisha bërë dhe nuk e dija se sa i thellë ishte u përgjigj ai. Por kjo nuk është gjë. Togeri nga Kuçi bëri dhe veprime të tjera të shëmtuara. Këto veprime të egra i mori vesh Enver Hoxha, i cili jo vetëm e futi në burg Toger BABËN, por edhe e pushkatoi. E rehabilitoi disa vite më vonë.

Pashë shënimet që kisha mbajtur në arkiv për gjyqin ju bë Toger BABËS. Dhe dëshmitë  u bën sebep ta kujtoj këto ditë të rënda të pandemisë botërore. Shteti dhe bota po kërkon një gjë fare të kollajt e të domosdoshme. Populli të mbyllet në shtëpi. Nuk ka ilaç tjetër. Por duke e ndjekur situatën e luftës kundër koronavirusit shikojmë vështrimet e murrëtyera të shumë qyetarëve, të cilët në gjendje harbimi nuk duan t’ja dinë. Mjaft specie dalin për qoka kur po bëhet qameti në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk na kap koronavirusi thonë ata, pa e kuptuar se “çdo qen e ka ditën e tij”. Me këtë gjuhë të ngjashme ndeshet në intervista medja dhe policia. Epidemiologu Pëllumb Pipero u ngjir nëpër ekrane me ndjenjën e respektit më të thellë se nuk ka “shefajet” jashtë banesës. Me thagmën e një impulsi të brishtë ai po këmbëngul, që ti thërrasim mendjes e të mos infektojmë e dërgojmë në varreza qindra njerëz. Fenomenologjia e koronavirusit nuk është gojëdhanë. Por të gjitha këshillat shkojnë sipas proverbit korçar: “Vëthkë e florinjtë në vesh të derrit”. As policia nuk po ja del. Hapen kafenetë fshehtas dhe “palaçot” mbyllen brenda e pinë kafe e raki të shënjestruar nga “ujku”koronavirus. Dhe kështu virusi përhapet si vaj në lakra dhe ekonomia ka marrë të tatëpjetën. Këta maskarenj të Ali Asllanit nuk e kuptojnë se brenda së qindës së sekondës infektohet një, e dhjetë, e njëqind. Këta tipa kërkojnë të mesmen e artë. Po të tillë nuk ka. Edhe zoti lart po thotë mbylluni në shtëpi. Niçja shkruan: –  “Të jetuarit është vuajtje, të mbjejtuarit është gjetja”. Dhe që të mbjetojmë të gjithë duhet të ngrihemi në nivelin e energjive për ta mposhtur monstrën. Problem në Tiranë kanë dal psikot, të cilët si në vetëhipnozë për kënaqësitë e qashtra të kafes, rakisë, dashurisë çastore po krijojnë shqetësime të rënda. Vetëm  kur u vjen veza marin numrin 127 e kërkojnë ndihmë duke harruar se kanë lënë të infektuar me dhjetra të  tjerë, bile njerëzit më të dashur. Ç’epitet mund t’u vesh këtyre njerëzve, të cilët s’duan ta kuptojnë se rrufa marroke e koronavirusit të bën gjëmën e të çon në zgrip te ekzistencës. Kronologjia e ngjarjeve të këtyre dy javëve tregon se i vetmi investim i shoqërisë në këto momente ankthi është të zëmë një këndth në shtëpi sa dora – dorës ta përzëm të ligën. Po të vazhdojmë kështu do dalim tek fjalët e Hajnes, i cili thotë: –  “Një mijë vjet të kalojnë, s’do të keni shpëtim”. Ka individ që vjellin vrer gjarpëri ndaj qeverisë dhe Edi Ramës. Përse? Edi Rama po ju thotë se do t’ju paguaj vetëm rrini në banesa. A nuk t’i nxjerin zorrët e barkut këto ndyrësira. Edi Rama është tolerant. Po të drejtonte Toger BABA i Enver Hoxhës të merte për zverku, të hipte në makinat ushtarake me kuç e me maç e të çonte atje në male prej nga ke ardhur. Kam informacion se pasanik, bile edhe deputet, mblidhen më të dashurat në haremet e tyre me grilla të mbyllura. Po a e dinë këta “birbo” se të dashurat pasi dalin prej andej shkojnë me “hunj” të tjerë. Sot kërkohet strukja dhe jo dukja me të dashurat. Policia t’i verë në shtjegzën e shenjestrës. Ndryshe nuk ishim askund. Po nuk morëm masa koronavirusi është një stuhi e pambarimtë.

Në këtë kohë krize kur sëmundja po gjunjëzon vende si Italia dhe Spanja me shumë të infektuar dhe të vdekur në Shqipëri dhe Kosovë dëgjon të çmendur, të cilët thonë me nervozizëm, “Se me jetën time bëj ç’të dua”, “Koronavirusi nuk fluturon si mushkonjë”, “Përballuam luftën me Millosheviçin”, “Nuk jemi kope bagëtish që të na mbyllni nëpër kasolle”, “S’ jemi as në kohën e Enver Hoxhës” e të tjera metafora të turbullta. Shprehje të tilla idiote e dëmtojnë rëndë situatën në të cilën ndodhemi. Sot askush nuk mund të thotë “unë”, por “ne”. Një individ i papërgjegjshëm, i cili e mori “belanë” në vende të tjera e pruri në shtëpinë e tij dhe po e përhap në shoqëri guxon dhe të broçkullisë. Çfaj ka shoqëria kur ti shkërdhehesh rrugëve, nuk dëgjon këshillat e mjekëve, bile i përbuz ato dhe kur e ndjen veten keq kërkon ndihmë. Këta individ duhen goditur, gjobitur dhe i kanë hak ato veprime të Toger BABËS ndaj thyesve të ligjit. Le të jemi në kohë tjetër. Toger BABA kundërshtarëve të dhunshëm të ligjit të kohës u fuste si xhahil “maçok në mbathjet e grave”, por dhe në Huan të Kinës ligjzbatuesit bënin të njëjtën gjë. Ata që thyenin ligjin e karantinës u hidhin tortuarave rrjeta në kokë siç kapen zebrat e egra për t’i futur në kafaz. Në Spanjë gjoba është 6 mijë euro, ndërsa “derrat” në Shqipëri nuk duan t’ja dinë. Në mes të kësaj mynxyre individi nuk është më i lirë si ujku në male. Si nuk kanë turp këta maskarenj kur i shikojnë familjarët, të cilët i çojnë njerëzit e tyre të vdekur, duke i mbajtur arkivolet në krah të vetmuar për në varrezat e Sharrës apo Shish Tufinës.

Veprimet e ndërmara nga qeveria duhet t’i mbështesim. Po a është Edi Rama sot si Toger BABA? Krahasimi çalon. Po nuk ja vlen të merresh me krahasimet. Edi Rama ndoshta bëri mirë që me ton dramatik i nxori trupat ushtarake në bulevard. Por jo ti mwshojw wktij fakti. Jo tw ngrej zwrin 24 orw…Ai nuk po vepron si nishanlli dhe pa madhështi sipërore. Është e pamundur t’i fusish në rresht “derrat”. Këto ditë i izoluar si gjithë të tjerët lexova dhe njëherë librin “Dashuria në kohën e kolerës” të Garsia Markezit. Më bën përshtypje fjalët e një personazhi, i cili thoshte: – “Po shkoj drejt të njëqindave dhe kam parë të ndryshojë gjithçka, deri dhe pozicionimi i trupave qiellorë në gjithësi, por akoma s’kam parë të ndryshojë gjë në këtë vend”. Për shqiptarët nuk është koha të qesin fall “kam apo nuk kam koronavirus”. Është emregjente t’u shpallim luftë paranojakëve, që pispillosen si sorrat me pendë palloi. Na duhet dhe vetësfilitja. Sekondë pas sekonde të ndjekim situatën kur jeta po shkon në skaj. Egzigjenca ndaj kësaj murtaje misterioze që sëmbon lyp nevojën që ta duam edhe Toger BABËN, të cilin e pushkatoi Enver Hoxha.  Ku shkonte manjati i rendit Toger BABA s’lëvizte as miza. Bizantinizmi i tij shkurt e shqip bëri punë dëshpërimisht. Tani megjithë masat sa dita hap siparin të pandreqëshmit vërshojnë tortuarëve  si dreqërit në botën e materies ogurzezë të koronavirusit. Dhe kur policia u thotë një fjalëzë ata në makth çfarë nuk nxjerin nga goja e groteskut. Namatisjet nuk i duhen sot Tiranës, por i duhet një rregull kozmik. Ne jemi një popull që na mungon ndjenja e dorëzimit. Tek e mbramja kërkohet asëll – asëll të zbatohet, jo vetëm ligji, por dhe kanuni, kodi i fisit dhe kodi i gjakut. Njerëzit ta kuptojnë se nuk kemi të bëjmë me një vegim apokaliptik, por me një nevojë që këndellet duke u vetëizoluar. Bilbilosjet janë për maskarenjtë. Përkohësinë tonë të mos e afrojmë. Dhe kjo nuk është një shprehje dëshirore.

Në këtë kaos e ankth idhnak plot fatalitet na vijnë në ndihmë edhe bëmat e legjendat. Bajroni thoshte në çastet kritike të jetës së tij: – “Përpara! Kurajo!” Selam Musai u hodh me gunën mbi telat e predhat e armikut.  Adem Jashari edhe pse po i shuhej shtëpia luftonte dhe këndonte këngën e Çerçiz Topullit. Selim Hasani ja mori këngës për të birin e vrarë në luftë. 220 burra u vranë në Krushën e Madhe të Kosovës dhe vejushat i rritën fëmijët. 11 vjet qëndroi në qeli filozofi i Kosovës Ukshin Hoti me gjithë lëkundjet sizmike pa pasur lekë as për një paketë cigare. Studenti i Harvardit në kushtet e izolimit solli në kapërxyellin e vitit 1981 një opus kodesh morale dhe mesazhin homerik: – “Bëje ose vdis”!

Në këtë gjendje makthi tek po i sistemoj këto shënime mërmërijë këngën e Caush Hormës: /Kapedan o Spiro Prifti/ /Në hell të shkoi evgjiti/ /Evgjiti Isuf Arapi/ /Të pikoj me dyllë cjapi/. Pasternaku shkruante:- “Gjithçka është në mua dhe unë jam në gjithçka”. Po a po prodhohet vaksina? Sigurisht që po! Dostojevski thotë: – “Më jepni një dhimbje e t’ju jap një kryevepër”. Dhe njerëzimi ka dhimbje. Pas dhimbjes vjen shpresa.