RAMAZAN ÇEKA: SHUHET NË MOSHËN 80 VJEÇARE “MJESHTRI I MADH” I HUMORIT SHQIPTAR GËZIM KRUJA

671
Sigal

Sikur dita mbaron n’mbrëmje
Zemra jote ka pushu
Por humori n’buzën tënde
Përgjithmonë ka me u kujtu

Pas një sëmundje të gjatë, e cila e shkëputi për së gjalli nga skena dhe spektatori me të cilët kaloi një jetë të tërë, duke korrur suksese dhe fituar dashamirsinë e të gjithë artëdashësve shkodranë e shqiptarë, shuhet në moshën 80 vjeçare aktori i humorit shkodran “Mjeshtri i Madh” Gëzim Kruja”, duartrokitjet për të cilin mbeten melodia më mbreslënëse dhe komunikimi i drejtë për drejtë i tij me mijëra e mijera njerëz në mbarë botën
Keqardhja është e dyfishtë për mua e për çdo shkodranë, kolegë dhe bashkëpuntorë të artit e të kulturës për pamundësinë për të qenë të pranishëm në ceremoninë e varrimit, e për t’i dhënë lamtumirën e fundit mikut tonë e të gjithë shqiptareve Gëzim Kruja.
Një jetë të tërë në skenë e me një karrjerë të pasur artistike kapi majat e suksesit, duke marrë edhe vlerësimin maksimal, “Mjeshtër i Madh”. Ti po largohesh fizikisht nga ne, por do të mbetesh i pavdekshëm në kujtesën e këtij qyteti dhe gjithë shqiptarëve.
Në fillim të muajit dhjetor 2019 ne ishim të gjithë bashkë ku festuam datëlindjen tënde të 80-të, për të cilën të dedikova edhe një shkrim.
Le të jetë ai dedikim lamtumira ime me ty dhe ngushëllimi për familjarët e tu, si i vetmi imazh i pavdeksisë tënde.
Gjatë punës sime për përgatitjen e një cikli artikujsh kushtuar personaliteteve të artit dhe kulturës shkodrane kryesisht në fushën e letërsisë, skenës dhe muzikës, një vend të veçantë do të zinte edhe figura e “Mjeshtrit të Madh”, shkrimtarit dhe humoristit Gëzim Kruja.
Kjo figurë e shquar e galerisë së humorit shkodran radhitet në mënyrë dinjitoze edhe me pararendësit e tij, edhe me bashkëkohësit e tij, por e gjithë gama e veprimtarisë artistike e bën atë më specifik; ai nuk është një aktor si të thuash “klasik i skenës”, por është shumë dimensional me aftësi të gjithanshme, që në fillimet e tij, ku e shohim si: akrobat cirku, klloun, parodist, pantomimist e mbi të gjitha aktor brilant në skenën e estradës.
Talentin e tij e plotësonte në mënyrë ideale portreti gazmor, mimika plot grintë, ku “flisnin” të gjithë muskujt e fytyrës, trupi prej sportisti dhe gjallëria e lëvizjeve. Të gjitha këto cilësi i garantonin atij suksesin, të cilin e “korrte” pa as më të voglin dyshim në të gjitha skenat ku debutonte. Ky është pra aktori Gëzim Kruja.
Talenti lind biologjikisht, por atë e zhvillon dhe e përfeksionon tabani dhe puna e palodhshme e artistit. Në një taban të tillë jo vetëm shkodran, por edhe familjar lindi dhe u zhvillua ky artist që asnjë ditë, që nga fëminia e tij, nuk pushoi së punuari dhe së kontribuari në skenën shkodrane dhe atë shqiptare.
Humoristi Gëzim Kruja ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 55 vite që ushtron profesionin e humoristit. Ka realizuar 10 koncerte recitale në Shkodër dhe tre recitale në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në vitin 1977 ka marrë titullin “Artist i merituar”, Në vitin 1999 është vlerësuar “Krenaria e qytetit”, në vitin 2004 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”, akredituar nga Presidenti i Republikës.
Për vlerat e këtij artisti të madh e pashë të arsyeshme të kontaktoja edhe me disa të tjerë artistë të mëdhenj dhe bashkëpunëtorë të tij, të cilët jam i sigurtë që me opinionet dhe kujtimet e tyre e plotësojnë më mirë këtë figurë, ikonë e humorit shqiptar.
“Spektaklet dhe show-t e sotëm, e fillon bisedën mjeshtri i madh i këngës shkodrane Bujar Qamili, e kanë zanafillën në sofrat dhe tryezat e ngjarjeve të gëzueshme familjare dhe shoqërore të shkodranëve, e pse jo të të gjithë shqiptarëve, por imagjinoni një dasëm ku unë kam kënduar të mos ketë qenë pjesë humori, barcoleta e bejta, ku më të veçantin unë do të specifikoja aktorin e madh Gëzim Kruja”.
Më poshtë Bujari kthehet prapa në kohë dhe me buzëqeshjen e tij kujton: “Gëzim Kruja është një emër që nderon veten, familjen, Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë, nëpërmjet figurave të tia të njohura, si aktor shumë planesh i humorit.
Gëzimi është i pari që më ka ndihmuar për t’u vendosur në punë në Fabrikën e Duhan Cigareve e gjithashtu që unë të jem edhe këngëtar i trupës së kësaj ndërrmarrjeje, sepse Gëzimi ishte regjisor. Gëzimi është nga ajo plejadë artistësh që do të mbetet si ikonë e humorit Shqiptar. Gëzimin e pëlqejnë të gjithë, që nga fëmijët e deri tek të moshuarit. Mua si Bujar gjithmonë më ka dhënë kënaqësi me humorin e tij brilant.
Po ju tregoj një moment të bukur; Ishim në një koncert madhështor në një ishull të Greqisë, Iraklio. Kur doli Gëzimi në skenë të gjithë njerëzit u ngritën në këmbë duke duartrokitur dhe duke bërë foto. Gjatë monologut të tij njerëzit dërgonin buqeta me lule dhe Gëzimi kur mbaroj tha: “Qysh kur keni fillu me hedh lule, se na gjithmonë hedhim pare”.
Aktori i mirënjohur i humorit, nxënës por edhe partner, shok e mik për vite me radhë i Gëzim Krujës, themeluesi i grupit “Thumbi” Muhamet Çekini, e fillon bisedën e tij me mua duke thënë: “Kam shumë gëzim, kam jashtëzakonisht gëzim që po flas për një “Gëzim” të jashtëzakonshëm. Dëgjo Çeka, s’po flas se kam pasur ndonjë gëzim familjar, por jam duke folur për Gëzim Krujën: Kam 50 vite që merrem me humorin dhe 30 vjet që kur kam debutuar me Gëzim Krujën. Për Gëzimin kam me thënë shumë. Ai ka qenë për mua, jo vetëm partner, por në radhë të parë mësuesi dhe regjisori që me kujdesin e tij më mësoi çdo gjë që një aktor e ka të domosdoshme të përvetësojë në skenë. Këto janë vlera që ky artist i madh ngjason me një mjeshtër që me shpirt don t’ia trashëgojë zanatin nxënësit të tij për t’ia mësuar deri në çdo detaj.
Unë jam një ndër këta nxënës, e sa për kujtimet e mia në këto tri dekada ato janë shumë dhe në këtë moment po përpiqem të kujtoj disa prej tyre. Dua të veçoj se Gëzimi është edhe më i lezetshëm se në skenë, kur është në tavolinë apo në udhëtim. Kemi pas raste që gjatë udhëtimeve me tren të grumbulloheshin aq shumë njerëz sa që të bllokohej vagoni nga lëvizjet.
Ishim në Gjirokastër të ftuar në një recital që këngëtari Petrit Lulo e organizonte në teatrin e qytetit. Mbaj mend se natën e parë dera kryesore e teatrit erdhi dorë më dorë deri në skenë. Kuptohet, nga turma e madhe që kërkonte të shihte shfaqjen. Të nesërmen na çuan për vizitë në fabrikën e këpucëve ku në atë kohë ishin në modë këpucët e lustrafinit. Gëzimi provon një këpucë dhe thotë: sa mirë më rrikan. Drejtori e dëgjon dhe i thotë që të shkonte në repartin e prestarisë që të merrte masën dhe të nesërmen t’i qepnin një palë këpucë të reja dhe t’ja bënin dhuratë. Gëzimi i thotë, po marr këto që provova se nesër ndoshta të heqin ty, vjen një drejtor tjetër dhe mbes pa këpucë.
Shumë kohë më parë, kur ishim të rinj, shkuam për një shfaqje në Teatrin e Estradës në Tiranë dhe na akomoduan në hotel “Arbëria”. Aty vjen një vajzë e re dhe i drejtohet Gëzimit duke i thënë: Xhaxhi Gëzim, ju lutem a keni një biletë për sonte se dua të vij t’ju shikoj. Ne menjëherë na ra në sy bukuria e saj dhe i them Gëzimit që ta pyeste sa vjeçe ishte. Ai më tha rri urtë mor kulim mos u tall me vajzën e huaj, por unë ngulmova përsëri që ta pyste për moshën. Atëherë Gëzimi i thotë: Goce, a votoni sivjet ju? Po, i tha ajo. Gëzimi më tha qënka taman për ty”.
Jashtëzakonist e kënaqur e priti kërkesën time aktorja tashmë jo vetëm profesioniste, por dhe me një përvojë të gjatë në Teatrin “Migjeni” Raimonda Marku dhe sot është një nga bashkëpunëtoret më të afërta të “Mjeshtrit të Madh” Gëzim Kruja.
Shiko, m’u drejtua ajo me buzëqeshje. Këto fjalë që po t’i them për Gëzimin ke për t’i shkruar fiks si po t’i them. Dhe e a din pse? Sepse mendoj se për veprimtaritë artistike të Gëzimit unë kam një kontribut të veçentë, siç ka edhe ai në aktivitetin tim. Prandaj duhet ta dinë të gjithë se: Padyshim Gëzim Kruja mbetet një nga humoristët më të mirë, një artist me dhunti natyrore, me një plastikë e mimikë tepër të veçantë, me talent jo vetëm si aktor humori, por edhe si autor, regjisor, pantomimist, ekuilibrist, zbutëskafshësh, boksier, xhongler… Një krijimtari e gjërë…
Megjithë jetën e gjatë artistike, ai vazhdon të jetë aktiv në skenë, pasi siç thotë vetë ai- me mend jam më i ri, por më është plakur pasaporta.
I tejpritur si brenda vendit, ashtu edhe jashtë kufijve, kudo ku ka shqiptarë.
Ka qenë një kënaqësi e veçantë për mua bashkëpunimi me “Mjeshtrin e Madh” Gëzim Kruja. Kemi interpretuar me sukses bashkë në shumë skena në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Amerikë, Kanada, Zvicër, Greqi, Itali etj.
Gjithnjë e kudo ai dhuron shumë buzëqeshje. I uroj jetë të gjatë e të lumtur me familjen e tij, si dhe jetë të gjatë në skenë”.
Një ndër aktoret që ka një karrierë të gjatë në Teatrin e Estradës së Shkodrës dhe shumë të suksesshme është edhe Drande Xhai. Pyetjes sime në lidhje me bashkëpunimin e saj me aktorin Gëzim Kruja, ajo iu përgjigj me shumë “seriozitet” kështu: Kohët e fundit, në një reklamë televizive të një firme prestigjoze unë shprehem se ndjehem rehat kur pas lodhjes së ditës, shtrihem për të kaluar natën në një dyshek të firmës “Dormeo”. Ama, ta dini mirë se më rehat e ndjej veten kur shtrihem në këtë dyshek pas një aktiviteti artistik në skenë, ku partner kam pasur aktorin e madh Gëzim Kruja.
“Kam punuar shumë me mjeshtrin e madh të skenës Gëzim Kruja. Kam mësuar shumë prej tij. Ka qenë eksperiencë shumë e bukur për mua. Gëzimi është aktor i veçantë, sepse përveç anës profesionale si aktor ka një portret si rrallë aktor tjetër, d.m.th. flet shumë me mimikën e tij të veçantë. Gëzimi nuk shpreh moshë, është shumë energjik dhe plot jetë. Nuk njeh plakje. I paharruar do të mbetet për mua turneu në Gjermani dhe Zvicër në vitin ’97. Ishim vetëm unë e Gëzim Kruja nga Shqipëria dhe gjithë ansambli ishte nga Kosova me pjesmarrjen e këngëtarëve më të njohur të Kosovës dhe aktorin e mirënjohur Çun Lajçi. Kam marrë emocione të pashlyera nga ky turne shumë i suksesshëm. Prej 30 vitesh kam interpretuar me këtë mjeshtër në skenat kombëtare dhe në trojet shqipfolse. Gëzimi përveç se është një aktor i mrekullueshëm është gjithashtu edhe një shok shumë i mirë.
I uroj nga zemra jetë sa më të gjatë, kështu si djalosh, me plot energji dhe humor”.
Bashkëpunëtorët dhe kolegët e Gëzimit nuk janë vetëm në qytetit e tij, por anë e mbënë Shqipërisë. Në pamundësi për t’i pasqyruar në këtë shkrim kujtimet dhe opinionet e tyre, jo rastësisht e pashë me vend t’i rezervoj një hapsirë aktorit të mirënjohur Behar Mera i cili me zhdërvjelltësinë e tij që e karakterizon, pavarësisht nga pesha e trupit, u shpreh kështu për mikun dhe kolegun e tij të “zanatit”.
“Është kënaqësi që po më jepet mundësia të shprehem për një nga ikonat e humorit shqiptar, artistin e madh Gëzim Kruja. Karriera ime artistike fillon pikërisht me imitimin e këtij artisti, i cili rradhitet ndër figurat më të shquara të humorit shqiptar. Më vonë fati e deshi që ta njihja nga afër dhe të çmoja përveç vlerave artistike dhe ato njerëzore. Është një nga miqtë e mi shumë të mirë dhe unë i uroj jetë të gjatë dhe të lumtur, por edhe aktive në jetën e tij artistike”.
Shkodra pa Rozafën dhe humorin, nuk do të ishte Shkodra që njohim. “Rozafa” mbretëron në hyrje të qytetit prej 2400 vitesh, ndërsa humori mbretëron në të gjitha qelizat dhe arteriet e shkodranëve, e në mënyrë të veçantë me përfaqësuesit artistë që e trashëgojnë atë nga një brez në tjetrin.
“Ti ke të drejtë, më drejtohet Gëzimi duke qeshur, por Shkodra dhe Shqipëria kanë vetëm një “Gëzim” e ky është Gëzim Kruja”.
Duke i shprehur ngushëllimet familjes dhe kulturës shkodrane që e rriti në djepin e saj, e mbyll këtë shkrim, duke i dhënë lamtumiren e fundit “Mjeshtrit të Madh” Gezim Kruja.
I përjetshëm mbetet kujtimi i tij. Pushoftë në paqe.

Ramazan Çeka
Prill 2020