Prof. Dr. Myqerem Tafaj: “Shqipëria, si gjithë Europa”, mbetet mision patriotik i rinisë, studentëve dhe intelektualëve

266
Sigal

Gëzuar 8 Dhjetorin, Ditën e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90!

Shqipëria është i vetmi vend i Europës Lindore ku përmbysja e diktaturës filloi nga Lëvizja e Studentëve dhe pedagogëve të universiteteve të Tiranës, së cilës iu bashkuan menjëherë qytetarët e Tiranës, dhe, ditë pas dite, të gjithë studentët, intelektualët dhe qytetarët në mbarë vendin. Kjo Lëvizje është ndër faqet më të ndritura të historisë moderne të Shqipërisë.

Lëvizja Studentore përmbysi diktaturën komuniste më të egër të Europës dhe solli LIRINË për çdo qytetar. Vendi nuk ishte i pushtuar, por ai ishte një ishull i vetizoluar nga bota dhe qytetarët e tij nuk gëzonin asnjë lloj lirie, as lirinë e besimit, as lirinë e mendimit të lirë, as lirinë e fjalës dhe shprehjes së lirë, as lirinë e organizimit politik, as liri ekonomike e të sipërmarrjes, as lirinë e lëvizjes brenda dhe jashtë vendit, dhe asnjë të drejtë të njeriut në shoqërinë demokratike. Shqipëria ishte vendi i burgjeve politike, kampeve të internimit politik dhe i kolektivizimit famëkeq që thuajse shkaktoi uri në shumë zona të vendit. Nga përmasat e shtypjes së qytetarëve që instaloi diktatura, Shqipëria i ngjante një kampi internimi, ku çdo qytetar ishte i dënuar të vuante nga shtypja dhe privimi, nga çdo e drejtë elementare e njeriut, nga çdo e drejtë elementare shoqërore.

Qytetarët që pushtuan ambasadat në 1 korrik 1990, ishin të parët që dhanë shkëndijën e ndryshimit. Pas ngjarjeve të ambasadave, Diktatura, në ditët e fundit të saj, u përpoq, përmes rritjes së represionit në mbarë vendin, deri tek vrasjet në kufi, të trembë qytetarët dhe sidomos studentët dhe intelektualët e Tiranës.

Lëvizja Studentore vendosi PLURALIZMIN dhe krijoi partinë e parë antikomuniste, Partinë Demokratike te Shqipërisë. Me këtë akt, Lëvizja Studentore fitoi karakterin e plotë të një Lëvizje politike që përmbysi diktaturën komuniste dhe vendosi Demokracinë.

Studentët me pedagogët e tyre e filluan Lëvizjen me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”! Në atë kohë, asnjeri nuk mund ta imagjinonte dhe ta pranonte që, pas 30 vitesh, Shqipëria akoma është larg pranimit në familjen e Bashkimit Europian dhe i duhet të presë së paku edhe një dekadë tjetër! Dhe shkaku kryesor që Shqipërisë nuk i hapen as negociatat, është se nuk bën dot zgjedhje të lira politike, të përgjithshme dhe vendore.

Rinia shqiptare dhe sidomos studentët e kanë kuptuar që vendi i tyre po ecën shumë ngadalë drejt Europës. Ata, dita ditës, po humbasin shpresën se mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Atdheun e tyre. Prandaj 7 në 10 të rinj dëshirojnë të emigrojnë. Shqipëria po zbrazet nga të rinjtë. Po emigrojnë masivisht të rinjtë e zonave të varfëra dhe zonave rurale, pas përfundimit të shkollës së mesme, sepse ata janë të diskriminuar nga politikat e qeverisë për vazhdimin e arsimit universitar ose familjet e tyre nuk mund të përnallojnë koston financiare të studimeve universitare. Studentët dhe të rinjtë, që kanë përfunduar shkollimin universitar, largohen nga Shqipëria, sepse nuk shohin mundësi për të zhvilluar karrierën e tyre profesionale. Sot po largohen masivisht mjekët, infermierërt, informaticienët dhe specialistët e teknologjisë së informacionit, dhe shumë profesionistë të tjerë. Shqipëria po e dëbon edhe “trurin” nga vendi. Vendi rrezikon një largim masiv edhe të kërkuesve dhe pedagogëve të rinj. Komuniteti akademik dhe shkencor i vendit po përballet me një politikë denigruese neodiktatoriale dhe një injorim total nga qeveria. Liria akademike dhe kërkimore e pedagogëve dhe kërkuesve po asgjësohen sistematikisht përmes ligjit të ri të arsimit të lartë, vendimeve dhe udhëzimeve qeveritare, si dhe politikave të tipit neodiktatorial të nënshtrimit dhe presionit që po aplikohen sot masivisht ndaj komunitetit akademik në universitete dhe qendra kërkimore. Asnjë mbështetje nga buxheti për kërkimin shkencor dhe injorim total i rolit të kërkimit shkencor dhe të një komuniteti prej rreth 7000 pedagogë dhe kërkues, në zhvillimin e gjithanshën të vendit. Kërkuesit dhe pedagogët e rinj po detyrohen të largohen nga vendi për të kryer studimet e doktoratës dhe për të zhvilluar karrierën e tyre shkencore në universitete dhe qendra kërkimore të Europës, ShBA, Kanadasë, Japonisë, etj, që po kërkojnë dhe mirëpresin kërkuesit e rinj. Kështu, kërkuesit dhe pedagogët tanë të rinj po i dëbojnë nga Atdheu i tyre politikat e qeverisjes, në një kohë kur Shqipëria ka aq shumë nevojë për të rinj me shkollim dhe kualifikim shkencor të nivelit internacional. Kjo politikë duhet ndalur një orë e më parë. Dhe të parët që duhet ta ndalin këtë politikë të zbrasjes së Shqipërisë nga rinia dhe nga “truri” duhet të jenë prapë studentët, pedagogët dhe intelektualët. Ky është vetëm një aspekt i zhvillimit të vendit tonë. Por duket se zhvillimi i vendit dhe i demokracise, në të gjitha aspektet, është shumë i ngadaltë dhe Shqipëria dhe Demokracia shqiptare duket se kane ngecur në vend në rrugën e integrimit në Europë. Shqipëria dhe shoqëria jonë duket se kanë nevojë sot, më shumë se kurrë, për kontributin e studentëve, rinisë dhe intelektualëve, në mënyrë që motoja e Lëvizjes Studentore e Dhjetorit ’90 “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” të bëhet realitet më shpejt.

Rinia, studentët dhe intelektualët nuk duhet të zgjedhin rrugën e largimit nga vendi, por ata duhet të rimarrin në dorë realizimin e misionit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90 “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”! Këtë mision nuk mund ta realizojë Shqipëria, nëse atë nuk e marrin përsipër rinia, studentët dhe intelektualët! Vetëm atyre u takon ky mision dhe ata janë garanti më i madh për realizimin e tij dhe integrimin e Shqipërisë në familjen e BE-së dhe të vendeve demokratike të zhvilluara.