Prof. Dr. Arben Malaj: (Mos) identifikimi dhe (mos) paralajmërimi në kohë i risqeve

87

Prof. Dr. Arben Malaj – ish Ministër i Financave

Vlerësimi kompanive të ratingut/renditjes  së vendeve në aftësinë e tyre  për të marr borxh me kosto sa më të ulët ka rëndësi në dy aspekte.  E para, për politik-bërësit për të  patur një ekspertizë të thelluar, sidomos për risqet e padukshme me të cilat mund të përballen vendet e tyre. E dyta, për kreditorët e huaj – për të ditur shkallën e riskut  kur ata blejnë obligacione të shteteve apo financojnë kompani të ndryshme. Rregulli i artë – sa më i keq vlerësimi, aq më e shtrenjtë  kostoja e huamarrjes. Sëbashku me kompanitë ndërkombëtare të auditimit, kompanitë e ratingut kanë një rëndësi jo të vogël për: (i)  të vlerësuar shëndetin e financave publike dhe kompanive huamarrëse; (ii) për të identifikuar dhe paralajmëruar risqet potenciale dhe  (iii) për të rekomanduar politika antikrizë të sukseshme. Kompanitë e ratingut dhe të auditimit janë përballur jo rallë me sfida jo të lehta të kredibilitetit të tyre. Pyetja që shtrohet nga ekspertët  është nqs, këto kompani ndihmojnë për të identifikuar dhe paralajmëruar në kohë risqet, apo duhet të kuptojmë atë që ata kanë dashur të thonë në mënyrën më të vështirë për t’u kuptuar qartësisht.

Edhe këtë sfidë që profesionalisht të jenë vetë formalisht, disa prej  kompanive te ratingut dhe auditimit nuk e kanë kaluar lehtë. Një nga krizat e rënda ishte ku falimentoi një prej “Big five” të auditimit. Ishte kompania “Arthur Andersen” e përfshirë në skandalin e kompanisë “Enron” në SHBA. ( https://ëëë.britannica.com/event/Enron-scandal ). Ishin punonjësit  e saj që kishin manipuluar bilancet e “Enron” që në momentin e parë të nisjes së hetimit ndaj tyre, u kapën duke grirë/zhdukur çdo dokument që vërtetonte mashtrimin e tyre. Si pasojë e këtij mashtrimi, “Enron”  dhe kompania audituese  “Arthur Andersen” falimentuan. Koston e mashtrimit dypalësh e paguan shumë rëndë qindra-mijëra aksionerë që  humbën kursimet e jetës së tyre. Në kulmin e krizës financiare globale 2008,  jo pak kompani private që ishin audituar dhe rankuar pozitivisht falimentuan.  Kjo hapi një debat kritik sesi është e mundur që kompanitë që falimentuam kishin auditime dhe renditje të manipuluara? Kësaj pyetje i ka dhënë përgjigje Hollyëood në filmin “Inside Job”( https://en.ëikipedia.org/ëiki/Inside_Job_(2010_film). Shqipëria pas vitit 1990 është përfshirë për herë të parë në vlerësimin nga kompanitë e ratingut  në vitin 2003, projekti është financuar 100 % nga UNDP-ja.  Ministria e Ekonomisë vlerësoi që edhe pse ishte shpejtë për të dalë në tregjet e kapitaleve, në  një periudhë të ardhshme  Shqipëria do t’u drejtohej tregjeve të kapitaleve për financimin e borxhit dhe investimeve publike. Në 2019 si anëtar i komitetit të Auditimit në Bankën e Shqiperisë,   këmbëngula që kompanitë e auditimit të saj, duhet të  ishin më të qarta në gjetjet dhe rekomandimet e tyre, gjë që nuk u pranua lehtë nga kompania e auditimit. Këmbëngulja bazohej edhe në faktin që në auditimet e mëparshme, kompanitë audituese të BSH-së nuk kishin identifikuar dhe qartësuar në kohë risqet që sillte  keq manaxhimi i arkave të mbajtjes dhe përpunimit të  fondeve, mangësi të cilat “lehtësuan” vjedhjen e 7.2 milionë euro. Për rëndësinë që kanë, sidomos (mos) identifikimi dhe (mos) paralajmërimi në kohë i risqeve potenciale po analizoj momente lidhur me raportin  e fundit të “S&P”.

Programi stimulus nuk rezulton i fortë,  pasi parashikimet për rritjen ekonomike dhe borxhin publik nga periudha e nisjes së paketave  “të forta” stimuluese”,  deri tani janë në trend përkeqësues. Qeveria nuk ka arritur të bëj efektive financimet  e donatorëve bilaterale të konferencës për tërmetin e 26 nëntorit 2020. Lidhur me vlerësimin për uljen  e kredive të këqia. Është profesionalisht e qartë se rënia kryesore e kredive të këqia ka ardhur nga pastrimi i tyre nga bilancet e bankave. Kostot  e keq-manaxhimit dhe mbikëqyrjes së bankave tregtare janë financuar me paranë e lirë nga interesat e pa paguara për depozituesit e vegjël.  Këto të “ardhura të munguara” tek depozituesit e vegjël kanë ushqyer rritjen e informalitetit dhe varfërisë. Shqipëria ka nevojë për një sistem bankar dinamik, konkurues dhe të sukseshëm duke kreditur me shumë ekonominë dhe duke  përzgjedhur më mirë projektet konkuruese. Në rast të kundërt rrezikohet rishfaqja e kredive problematike, jo vetëm për shkak të efekteve negative nga tërmeti dhe pandemia. Konsolidmi fiskal i Shqipërisë nuk ka ardhur nga rritja  e  qëndrueshme e ekonomisë dhe e të ardhurave, por nga shkurtimi i pa studiuar i shpenzimeve. Buxheti afatëmesëm i Shqipërisë 2020-2027, nuk parashikon rritje të ardhurave as nga mirë-administrimi, dhe as nga  reduktimi i informalitetit. Konsolidimi nga shkurtimi i shpenzimeve,  kryesisht i atyre  për arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale, është varfërues dhe nuk ushqen një  perspektivë të qëndrueshme.  Shqipëria edhe sipas IFN-së nuk ka hapësira për të shkurtuar shpenzimet sociale. Këtë e vërtetoi edhe kriza e pandemisë,  ku mbështetja buxhetore  për shëndetësinë është shumë e vogël, edhe poshtë një niveli  minimal  të “mirë-kuptueshëm” në kohë krize. Financimi nga donatorët gjatë krizës është një burim financimi jo i përhershëm. Reduktimi i deficitit primare apo arritja e suficitit primar, që nuk mbështeten tek rritja graduale  e të ardhurave,  dëmtojnë perspektivën afatgjatë të një rritje  më të lartë, më të drejtë dhe të qëndrueshme. Kriza 2008, na mësoi se rritje nëpërmjet rritjes së borxheve  të individëve, të biznesit dhe buxhetit rezultojnë rritje varfëruese dhe ushqejnë krizat e ardhshme. Rastet jo vetëm  të  Greqisë dhe Italisë e konfirmojns këtë. Ndërsa  “S&P”  e vlerëson pozitivisht shkurtimin (e  pa studiuar) të shpenzimeve,  Banka Botërore  e vlerëson këtë si një opsion varfërues, dhe rekomandon ndërtimin dhe financimin e një sistemi më të drejtë dhe funksional të mbrojtjes sociale. Vlerësimi për risqet e projekteve miliarda dollarë të partneriteteve publike private  preferenciale, nuk del i qartë. Mungon një projeksion me disa skenarë i ecurisë së borxheve,  i risqeve të  ekonomisë shqiptare dhe i stabilitetit  të financave publike me disa alternative risku nga më të voglat deri më kërcënueset, duke  e shoqëruar me rekomandime për politika fiskale, monetare dhe reformat strukturore efektive. Me një  eksperiencë 150- vjeçare dhe me njohjen e historive të krizave të borxheve të shume vendeve të tjera,  “S&P” mund të bëhet i dobishëm kur jep rekomandime antikrizë. Shpesh kompanitë e ratingut  kanë përfshirë në vlerësimet e tyre  ecurinë e vendeve përkatëse në procesin e integrimit europian.  Në momentin aktual mazhoranca e ka bllokuar çeljen e negociatave ndërsa raporti i  “S&P” – nuk ka asnjë vlerësim paralajmërues për kostot e këtij bllokimi,  apo ngadalësimi. Ne duhet të mbajmë parasysh se Greqia e pagoi shumë keq përpunimin “shkencor” të statistikave të financave publike nga kompani konsulente që  nuk e paralajmëruan  në kohë për problemet e thella dhe risqet e rënda të ekonomisë dhe financave të saj publike.  Atë që  grekët e “përfituan” përkohsisht  nga zbukurimi/fshehja   e  problemeve konkrete, e paguan kur kriza financiare shpërtheu  në formën e saj më të ashpër në 2008, ku pa punësia për të rinjtë  arriti 50%,  dhe kur grekët humbën rreth 1/3 e pasurisë së tyre. (Greece condemned for falsifying data. https://ëë.ft.com/content/33b0a48c-ff7e-11de-8f53-00144feabdc0 ) Prandaj është koha që çdo vlerësim, edhe ndërkombëtar,  ta lexojmë me përgjegjshmërinë e sfidave reale të vendit tonë, sfida të cilat  shqiptarët  i ndjejnë në jetën e përditëshme.