Sigal

Çështja e lindjes dhe e ekzistencës së një cikli këngësh popullore për Skënderbeun, arsyet e zhdukjes së tyre, lashtësia e këngëve të mbledhura përbëjnë probleme me interes për studiuesit. Populli e ka ruajtur kujtimin e heroit legjendar në letërsinë gojore popullore, legjenda, toponimi e këngë. Qëllimi i Skënderbeut ishte të rifitohej liria e grabitur nga osmanët dhe mbrojtja e vendit. Fitoret që ai korri në lëmin ushtarak dhe politik e kanë burimin te përkrahja që gjeti te masat popullore, të cilat e mbështetën fuqimisht e gjer në fund heroin në luftërat e tij njëzetepesëvjeçare. Për popullin shqiptar lufta vigane e Skënderbeut kundër pushtuesve ishte një luftë që synonte mbrojtjen e tokës, të lirisë dhe të jetës nga pushtuesit e egër osmanë. Është në natyrën e popullit tonë që çdo ngjarje të jetës e, në radhë të parë, ato me karakter historik t’i përjetësojë në format e poezisë popullore. Këtu e gjen shpjegimin fakti që kemi një fond të pasur këngësh historike, si këngët për luftën kundër pushtimit nazifashist, ciklin e këngëve për Luftën e Vlorës më 1920, ciklin e këngëve të Lëvizjes Kombëtare (1878-1912), ciklin e këngëve popullore kundër Tanzimatit, ciklin e këngëve popullore për Ali Pashë Tepelenën dhe atë për Bushatllinjtë e Shkodrës. E pse do të përjashtohej nga ky ligj i përgjithshëm një periudhë aq heroike, aq e lavdishme si ajo e shekullit XV, e luftërave të ashpra të shqiptarëve kundër turqve me në krye Skënderbeun? Konkluzioni logjik që del nga kjo e vërtetë e përgjithshme është se për “Motin e Madh” dhe Skënderbeun ka lindur dhe ka ekzistuar një cikël i tërë këngësh popullore. Një argument tjetër është edhe vetë ekzistenca e këngëve popullore të mbledhura në Shqipëri, këngët popullore për Skënderbeun nga arbëreshët e Italisë, botuar nga De Rada më 1866. Në veprat e ndryshme historike, publicistike e ditarë udhëtarësh ka të dhëna, që flasin për këngë popullore për Skënderbeun, që jetuan edhe për shumë kohë pas vdekjes së heroit tonë legjendar. Historiografi dhe humanisti i shquar shkodran, Marin Barleti (Barleci), në veprën e përmendur “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut” na flet hapur, dhe madje disa herë, se çdo fitore kthehej në një festë me këngë e valle. Një tjetër dëshmi është ajo e historianit italian, bashkëkohës i Skënderbeut, Antonio Sabeliko (1436-1506), që thotë se “populli i tij, i ushqyer nga dashuria dhe admirimi, shihte diçka që është mbinjerëzore dhe kujtimin e udhëheqësit të vet e përkujtonte me këngë. Delegati apostolik, M. Bici, pohon se këngët e Skënderbeut këndoheshin në Lezhë, mu pranë hundës së pushtuesit, akoma më 1610. I pari folklorist vendas, Frano Bardhi, në një relacion që i dërgonte Vatikanit në qershor të vitit 1637, kur flet për malësorët e Pukës, shkruan midis të tjerave: “Sipas zakonit të të moçmëve ndër gostitjet e veta, në rrugë e në punë, këndojnë me zë të naltë trimnitë e burrave të tyne të mëdhenj dhe sidomos të Gjergj Kastriotit, të quajtun Skanderbeg, dhe të të shkëlqyeshmit Lekë Dukagjinit, princit dhe zotnisë së tyne…” Më 1836, dijetari francez Ami Bue, njoftonte se në Shqipëri ekzistonin këngë mbi Skënderbeun dhe Arianitin. Në Shqipëri si dhe tek arbëreshët e Italisë edhe sot e kësaj dite në folklor rron kujtimi i luftërave të lavdishme kundër “kjenit turk”. Në ato vise që kanë qenë trojet e operacioneve luftarake dhe të rezistencës së Skënderbeut, tradita poetike gojore është më e gjallë dhe më e pasur.

Pse kjo traditë jetoi në këto zona? Populli luftoi kundër pushtuesve turq në vise të thepisura, në gërxhe e male, në fushë e kodra, atje ku mbrohej më mirë; kjo rrethanë shpjegon toponiminë e gjerë mbi Skënderbeun, sepse emrin e heroit luftëtarët dhe popullsia e lidhi shpeshherë me kampin e luftimit, malin e lartë, luginën e thellë, pritën e fortë, me kështjella dhe kulla, në të cilat u shkrua me gjak epopeja e lavdishme gati 25-vjeçare. Luftërat e kësaj periudhe rritën e forcuan ndjenjën e lirisë në masat dhe u bënë burim frymëzimi për këngë popullore të bukura, të cilat himnizonin burrërinë e popullit dhe ngrinin lart heroin e tij; frymëzonin luftëtarët për t’u hedhur më me guxim në zjarrin e betejave dhe përleshjeve të vazhdueshme me pushtuesit turq. Me gjithë kërkimet që janë bërë në vendin tonë, gjer sot janë gjetur fare pak këngë ose copëza këngësh popullore historike për Skënderbeun. Që të hidhet dritë për shkaqet e vërteta të këtij fenomeni, d.m.th. të arsyeve të zhdukjes së këngëve popullore për Skënderbeun, duhet të kuptohen rrethanat objektive që pasuan pushtimin e egër turk, i cili synonte të shtypte shpirtin liridashës të popullit tonë, si dhe mënyra specifike e ekzekutimit të këngës në përgjithësi dhe asaj historike në veçanti. Pushtimi ushtarak turk u shoqërua me një agresion të egër ideologjik e kulturor, që synonte të zhdukte, të fshinte nga mendja dhe zemra e shqiptarit çdo kujtim të “Motit të Madh”. Ja një fakt kuptimplotë: “Hejret, kur shifjin zebekët granitë, a burra me rrobe t’zeza, i zijin e vritjin, pse thojin “mani zi për Skënderbeun”. Nga ana tjetër turqit propagandonin dhe përhapnin islamizmin me qëllim që të shkombëtarizonin popullin shqiptar. Kënga, për karakterin e saj të hapur, nuk mund të bëjë një jetë të fshehtë, të heshtur, të padukshme; ajo është jehonë e betejave dhe heroizmit popullor, prandaj pushtuesi turk nuk mund të lejonte që këngët për trimëritë e Skënderbeut të përhapeshin e, aq më tepër, të buçisnin lirisht. Një tjetër arsye e zhdukjes së këngëve popullore për Skënderbeun është edhe koha shumë e gjatë që ka kaluar që nga lindja e tyre. Pesë shekuj nuk janë pak për kujtesën popullore, fuqia e së cilës zbehet me kalimin e shekujve, megjithëse disa krijime edhe më të hershme, si p.sh. cikli i këngëve të kreshnikëve, ka arritur gjer në ditët tona. Një çështje tjetër është ajo e lashtësisë së këtyre këngëve. Qysh nga çasti i lindjes, kënga popullore, në shtegtimin brez pas brezi nëpër shekuj, pëson ndryshime dhe përpunime. Forma e sotme e këngës është rezultat, pra, i këtyre ndryshimeve dhe përpunimeve. Populli i thuri Kapedanit të madh vargjet dhe këngët më të bukura, sepse si dëshmon edhe Marin Barleti: “Fytyra e Kastriotit ishte ngulitur aq fort në mendjen e secilit dhe emri dhe mbretëria e tij ishte skalitur aq thellë në gjokset e të gjithëve, sa do të ishte më lehtë, siç thonë, t’i shkulje nga duart Herkulit topuzin, sesa të fshije nga zemrat e zjarrta të vegjëlisë dashamirësinë dhe dashurinë për Skënderbeun”. Pas vdekjes së Skënderbeut, më 17 janar 1468, e veçanërisht pasi ranë në duart e turqve kështjellat e fundit të rezistencës, Kruja dhe Shkodra (1478-79), ngjanë shpërngulje të mëdha për në viset e Italisë jugore; familje të tëra lanë brigjet e vendlindjes, që të mos i nënshtroheshin sundimit të egër osman. Ata që shkuan në Itali morëm me vete edhe këngët popullore epike e lirike, proverbat, përrallat, legjendat. Të gjitha këngët historike të kësaj kohe flasin për betejën titanike që Skënderbeu zhvilloi për gati 25 vjet kundër turqve, që sillnin skllavëri dhe zgjedhë të egër.

Në qendër të këngëve të rezistencës kundër turqve është figura e Skënderbeut; fytyra e tij shkëlqen në shumicën e këngëve epike historike. Këto këngë sjellin ushtimën e luftërave dhe të bëmave të Skënderbeut. Me të vërtetë, figurë qendrore në këto poezi është ajo e Skënderbeut, po rreth tij dhe pranë tij veprojnë edhe heronj të tjerë, që kanë qenë shokë armësh në luftë. Të gjithë poezinë epike popullore arbëreshe e përshkon një urrejtje e egër kundër “kjenit turk”, që ka pushtuar vendin. Poeti i madh patriot, Jeronim De Rada, ishte i pari që botoi të gjitha këngët arbëreshe për Skënderbeun, në përmbledhjen me titull “Rapsodie d’un poema albanese raccolte nella colonie del Napolitano” (1866). Në të përfshihet “Canti nazionali”, që përmbante këngë mbledhur nga krahina të ndryshme me prejardhje dhe përmbajtje të ndryshme. Më pas titullin e botimit “Canti nazionali” e ndërroi në “Rapsodi nazionali”. Folkloristi ynë i shquar botoi tetë këngë, nga të cilat “Skënderbeu dhe vdekja” ishte botuar më parë nga Vinçenco Dorsa, më 1847, e përkthyer vetëm italisht. Këngët mbajnë këtë rend në librin e De Radës: 1) Trimi dhe vasha. 2) Motra e Skënderbeut. 3) Skënderbeu dhe Miloshini. 4) Martesa e Skënderbeut. 5) Skënderbeu dhe Ballabani. 6) Vjehrra e keqe. 7) Skënderbeu dhe vdekja. 8) Vdekja e Skënderbeut. Përpjekje serioze rreth përcaktimit të origjinës dhe të moshës së këtyre këngëve është bërë nga Dhimitër S. Shuteriqi, në studimin e tij “Legjenda e Skënderbeut” (1949) e në ndonjë artikull tjetër. Megjithatë, materialet dhe dokumentimet që kemi deri sot nuk na mjaftojnë ta zgjidhim njëherë e mirë çështjen nëse këngët arbëreshe vijnë apo nuk vijnë nga tradita gojore, apo vijnë nga poetë që e kanë njohur mirë frymën popullore dhe, nga këta, kanë hyrë në popull. Është larg logjikës të thuhet që këngët, ashtu si janë te De Rada, nuk kanë pësuar limën e poetit. Emra personazhesh e vendesh, ndonjë varg a motiv në disa këngë, kuptohet se janë shtesa e përpunime të autorit, por shtrati i tyre popullor është i dukshëm.

Një fakt tjetër, që duhet mbajtur fort parasysh, është edhe ky: asnjë arbëresh nuk dihet të ketë dyshuar për autencitetin e tyre popullor, dhe kjo nuk tregon vetëm se “sa popullore u bënë këto këngë dhe sa mirë e ruajtën sekretin e tyre”, por më tepër dëshmon se ato janë krijuar në bazë fragmentesh ose këngësh të plota popullore arbëreshe me karakter historiko-legjendar. Këngët mbi Skënderbeun jetojnë akoma ndër arbëreshët e Kalabrisë; në festat e tyre tradicionale i dëgjon që t’i këndojnë shpesh e t’i kërcejnë. Në epikën historike arbëreshe figura e Skënderbeut del si udhëheqës popullor, luftëtar hero dhe njeri që kujdeset për fatet e atdheut. Epika heroike-historike popullore arbëreshe e ka rrethuar “Kulçedrën e Arbërit” me plot trima dhe heronj, si: Pjetër Shini, Milo Shini, Rada Vani, Dedë Skura, Nik Peta, Pal Golemi etj., po në krye të të gjithëve shkëlqen figura e Skënderbeut, që u bë figura qendrore e asaj epoke famëmadhe. Këngët popullore, vendase dhe arbëreshe për Skënderbeun janë krijime artistike të lindura në bazë të ngjarjeve heroike të shekullit XV dhe janë ushqyer nga gurra e traditës poetike popullore shqiptare, prandaj mendimi i folkloristit sovjetik B. N. Putilov se “Në eposin për Skënderbeun ka motive, që të kujtojnë eposin për Krajleviç Markun” është pa bazë dhe nuk gjen mbështetje në materialin faktik. Putilovit po i kujtojmë se qysh më 1636, folkloristi ynë i parë, Frano Bardhi, i kishte dhënë një shuplakë të fortë peshkopit të Bosnjës, Tomeus Marnavitius, që orvatej të nxirrte Skënderbeun me origjinë boshnjake. Bardhi sjell si argument faktin që kujtimi i Heroit Kombëtar është akoma i gjallë në popullin shqiptar, që e këndon ndër këngë si një hero të vetin. “Pastaj është nevoja të merret parasysh se, që nga koha e Skënderbeut e gjer tani, nuk ka kaluar aq kohë sa të jetë harruar e shlyer çdo kujtim i tij dhe i njerëzve të tij nga bashkëkombësit tanë, sepse këta e kanë zakon që të këndojnë gjithmonë nëpër gostitë e tyre, ashtu si bënin të vjetrit për origjinën dhe veprat e paharruara të burrave të tyre të shkëlqyer… Dhe vazhdimisht gjer në ditët e sotme bashkëkohësit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimëritë e tij nëpër gostitë dhe e quajnë Skënderbeun tonë, për metaforë, me emrin e shquar “Kulçedra e Arbënit”, d.m.th. dragoi i Epirit. Dhe sa herë shqiptohen këto fjalë, me to kuptohet vetëm Skënderbeu vetë”. Motivet që hasen në ciklin e këngëve popullore për Skënderbeun janë brumë shqiptar dhe, ashtu siç e ka paraqitur legjenda te Barleti dhe poezia popullore, janë në vazhdë dhe unitet me traditën poetike gojore shqiptare. Po sjellim këtë fakt: “Shpata e Mujit, armët e tij në përgjithësi nuk janë të zakonshme. Si vet heroi bashkëkombës, Skënderbeu, që pret gurin me shpatë në Pazar të Varoshit (Mat), Muji bën çudira të ndryshme me të. Edhe gjoku i tij është një kalë i jashtëzakonshëm…” Epika popullore për Skënderbeun është jo vetëm një pasqyrim artistik i disa aspekteve të luftës vigane të popullit tonë kundër atij oqeani të tërbuar barbarie, ku Skënderbeu qëndronte si shkëmb graniti me gjithë popullin e vet, por është edhe një interpretim nga pozitat popullore i ngjarjeve dhe fakteve, sepse fshatarët shqiptarë bartën mbi shpatulla të gjithë peshën e rëndë të luftës dhe i dhanë Skënderbeut përkrahjen e pakufizuar, pasi shikonin tek ai udhëheqësin trim dhe besnik në luftën kundër armiqve të huaj, feudalëve grabitqarë turq dhe kundër anarkisë feudale vendase. Gjurmët e historisë, në përgjithësi, janë të gjalla në këto këngë. Kënga “Skanderbegu nuk ka dekë” u botua për herë të parë në vëllimin “Kangë popullore gegërishte” (1911, f.98) dhe ka të ngjarë që t’i bëjë jehonë luftës së parë të rëndësishme të Skënderbeut kundër Ali Pashës, të parit komandant turk që ishte dërguar kundër forcave të Skënderbeut. Në qershor të vitit 1444, një ushtri turke prej rreth 25 mijë vetësh, e komanduar nga Ali Pasha, hyri në Shqipëri nga lugina e Drinit të Zi, në drejtim të Dibrës. Skënderbeu, i lajmëruar për afrimin e turqve, u doli përpara me ushtrinë e re shqiptare. Të dy ushtritë u rreshtuan ballë për ballë në fushën e Dibrës. Më 29 qershor, sipas planit të Skënderbeut, ushtria shqiptare e ndarë në tri pjesë manovroi me mjeshtëri dhe u tërhoq sikur të ishte thyer, deri sa e futi ushtrinë turke në fushën e ngushtë të Torviollit, të rrethuar male e pyje. Kur Ali Pasha kujtoi se i kishte zënë shqiptarët në kurth, u gjend papritmas i rrethuar nga forcat shqiptare, që ishin fshehur në pyje, të cilët i sulmuan turqit nga të gjitha anët deri sa i shpartalluan plotësisht. Megjithëqë flitet për një Ali Pashë, elementet për të identifikuar këtë këngë me fushatën që u bë kundër tij, në vjershën popullore janë të pakta. Figura e Skënderbeut paraqitet e fuqishme dhe burrërore kur hyn në Krujë:

Skanderbegu si u fut mrenda,

Të tanë botës i luejti menja!

Spikat në këtë këngë figura e strategut dhe luftëtarit sypatrembur, i cili i drejtohet komandantit turk me fjalë të ashpra:

Ali Pashë, a e di ç’të baj unë?

Se bash me dorë kam me t’xanë!

Edhe Rasë e Madhe si toponimin vlen pak, sepse historianët nuk janë të një mendjeje se ku është zhvilluar kjo betejë. Prandaj, është e zorshme të besohet se kjo këngë është mbeturinë e atyre që këndonin atëherë shqiptarët. Kjo fitore e parë u kremtua si festë, fakt që e dëshmon edhe Marin Barleti: “Ushtria si në festë, me një gëzim që s’kish të mbaruar e me shaka e me këngë njëra pas tjetrës, po vazhdonin pa ndjerë lodhjen e rrugës”. Fitorja e parë e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu tregoi jo vetëm forcën e paepur të luftës popullore, por pati edhe një jehonë të rëndësishme jashtë vendit. “Beteja e Torviollit zgjoi shpresa të mëdha për të dëbuar turqit nga Evropa”. Në vitin 1948 inxhinier Jovan Adami mblodhi nga këngëtari popullor krutan Muharrem Tafariçi, 76 vjeçar, një këngë të panjohur për rrethimin e parë të Krujës (1450), të cilën e botoi Dhimitër S. Shuteriqi tek “Literatura jonë”, korrik 1949, f.19. Në këtë këngë gjejmë jo vetëm përshkrimin e një lufte të madhe, por edhe dashurinë e flaktë për atdheun “për të cilin kurrë nuk duhet kujtuar se është derdhur tepër gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ja kalon çdo dashurie tjetër…” Në muret e Krujës matën forcat shqiptarët të udhëhequr nga Skënderbeu dhe turqit, që kishin në krye sulltan Muratin II. Ky i fundit kishte ardhur bashkë me të birin, Mehmetin, me qëllim që të zhdukte përfundimisht rezistencën heroike shqiptare. Skënderbeu la brenda në Krujë një garnizon prej 1500 burrash nën komandën e Kont Uranit, një nga komandantët e tij më të shquar. Vetë, me pjesën tjetër të ushtrisë prej gati tetë mijë vetash, qëndroi jashtë mureve të Krujës dhe si bazë të veprimeve të tij ushtarake kishte malin e Tumenishtit, në veri të qytetit (sot mali i Skënderbeut). Me gjithë rrethimin e gjatë, gati pesë muaj, e me gjithë përdorimin e mjeteve më moderne të luftës, sulltan Murati pësoi një disfatë të plotë në muret e Krujës dhe shqiptarët korrën një fitore të shkëlqyer. Lufta popullore, lufta e drejtë e shqiptarëve që kishin në krye Gjergj Kastriot-Skënderbeun, përcaktoi këtë fitore të lavdishme. “Gëzimi i zemrave -na thotë Barleti- shpërtheu sa mundi më tepër me brohori, me këngë dhe gjithë farë veglash popullore. Skënderbeu, në këngë, paraqitet njeri i veprimit, i aksionit të shpejtë:

 

Skanderbegu, sa mur xhevapin,

Meniherë ç’e njeshi shpatën.

 

Ai u tregua jo vetëm një komandant i pajisur me aftësi të shquara ushtarake, një strateg i madh, por edhe një luftëtar i zoti; hartonte planet e luftës, udhëhiqte ushtrinë, po luftonte edhe vete:

Skanderbegu me ushtrin’e vet-e,

Ka dalë malit kep më kepe-e,

Kep më kep e prru më prruve,

Të gjithë Krastën ç’e ka rrethuve.