“Prapë” debate për gjuhën dhe tekstet (!)

587
Sigal

Vangjush Saro

Ka një debat për gjuhën dhe mësimin e saj në shkolla; po qëndroj në problemin e teksteve, sepse në të vërtetë, atje fillon dhe mbaron ai debat. Dhe jo vetëm ai. Është folur shumë në këtë temë – edhe autori i këtyre radhëve është shprehur në disa shkrime e intervista – por hartimi i teksteve shkollore mbetet gjithnjë ndër pikat më të dobëta në jetën e arsimit dhe të qytetarëve shqiptarë. Ndokush mund të thotë (herë pas here ka zëra) që…po shikohen, që do të shikohen, por ju mos zgjidhni këto por zgjidhni ato etj. Fjalë dhe vetëm fjalë. Përtej debateve, pret sërish mediokriteti, diletantizmi; dhe ato kanë lidhje të dukshme e të padukshme me termin — abuzim.

Në tekstet shkollore – u bënë tre dekada me këtë histori të turpshme – pandjeshmëria ndaj gjuhës, fakteve, realitetit, është një sjellje harbutërie e përhershme .(Fusha është mjaft e favorshme për fitime dhe halabakëri të tjera të llojit të tranzicionit, kështu që kemi ende shumë për të folur e për të shkruar; dhe ‘lufta’ do të vazhdojë gjatë.) Në këto tekste, ende ka autorë ‘të lumtur’ të Realizmit Socialist, tema e problematika të ngjizura po në atë rend, madje edhe skemat e ndërtimit të ‘veprave’ e fragmenteve të përzgjedhura, janë gjithë në atë mentalitet e përvojë, me moralizime të tepruara dhe, pastaj, me armiq, me luftë klasash e ku di ç’vjetërsira të tjera. Në tekste, nuk pasqyrohet siç duhet zhvillimi i letrave shqip në këto dekada të fundit; për hir të së vërtetës, ato kanë njohur një dimension të ri, më bindës. Në këto tekste, nuk janë ende autorët më të rëndësishëm të çdo kohe, por sidomos të kohës që po jetojmë, nuk gjenden autorë që realisht janë në karrierë letrare dhe lexohen nga publiku i gjerë.

Por ndërkaq, atje nuk mungojnë diletantët. Diletantizimi është i pranishëm në autorë e në të ashtuquajtur hartues a përzgjedhës; dhe kjo është vërtet për t’u keqardhur, për më tepër që ka qenë dhe mbetet këso në kohëra…

Gafa të vjetra dhe të reja

Aty nga viti 2015, në një nga tekstet për gjimnazet, personi i parë që shkeli në Hënë, Neil Armstrong ngatërrohej me Juri Gagarin. Më pas, në një tekst të Gjuhës Shqipe për klasat e dyta, u pa një hartë ku nuk ishte fare shteti i Kosovës; ndërsa në vend të Austrisë, na ishte… Australia. E kuptoni çfarë ndodh dhe në duart të kujt ka shkuar kjo punë? Ja një fragment përralle që, me sa duket, është shkruar (pse jo edhe zgjedhur) në përçartje:

“Mbreti iu kthye një prej gjykatësve, që rrinte si i menderosur: -U bëre ti këlysh bushtre të tallesh me mua?!” (Këtu, përveç banalitetit, ka edhe gabime të rëndomta; (do të duhej: ‘iu kthye njërit prej’)

Gafat në tekstet shkollore janë të paparashikueshme. Në këto tekste, ka ndodhur, bie fjala, që Oqeani Paqësor të quhet Oqeani i qetë. Ka ndodhur që Stresi i novelës “Kush e solli Doruntinën” të ngatërrohet me një këngëtar që u quajtka Stres; një nga këta që po bëjnë para dhe emër (po, edhe emër, për fat të keq) falë injorancës së turmave dhe për shkak të qasjeve pa pikë profesionalizmi të mediave… Por në këto tekste (në testet e ‘zgjuarsisë’, O kasolle ku na mblodhe!) gjendet edhe një tjetër këngëtar i kësaj kategorie, Noizy. Me të drejtë ankohej dikush, që e lexova rastësisht, se çfarë mund të mësojnë fëmijët e vegjël nga reperi që këndon për drogën, për pjesët intime të vajzave e, nuk di për çfarë tjetër… (Në fakt, hashashi u mësohet fëmijëve që në klasë të pestë, në një tjetër birbo tekst.)

Këtu janë parë libra ku nxënësit mësojnë që në Tiranë kryebashkiak është Edi Rama. (Pas tij, Tirana ka pasur edhe dy kryebashkiakë të tjerë, Lulzim Bashën dhe Erion Veliajn.) Janë parë tekste për gjuhën angleze, ku për turp të tekst-bërësit, shkruhet: ‘çfar kërkon të arrish? Ajo nuk kënaqet kurvë.”(Më e pakta, fjalia e parë duhej të fillonte me Ç. Kurse ‘finalja’ e fjalisë tjetër, është dashur të kuptohet si‘kurrë’. Por duhet të merret me mend.) Ja edhe një tjetër marrëzi, demek ‘letërsi’: Dhe, sapo Iliri futi nja tri litra ajër brenda mushkërive të tij, u detyrua t’i nxirrte jashtë me shpejtësinë e vraplepurit”. Dhe studjuesja, duke u nisur nga ky ‘neologjizmi’ në fund të kësaj fjalie brilante, e veçon këtë ‘margaritar’. Në fakt, duhen veçuar nga kjo punë ajo dhe autori e autorët e këtyre përçartjeve.

Vazhdojmë pa ndonjë kënaqësi, por duhet. Në një nga këto palo tekste, tregohet një përvojë e habitshme: Se si fëmija, nëse nuk do të shkojë në shkollë, mund të sëmuret duke hedhur shkumës në një gotë me ujë dhe duke e pirë atë. Këtë ‘marifet’ ua tregon shokëve njënxënës (!)Nuk e di në cilin tekst është përfshirë ky ‘marifet’ dhe nëç’kohë, nuk e di cili është autori, ‘marifetçiu’ pra, nuk e di, gjithashtu, kush është‘antologjisti’(po me atë emër) i kësaj pjese midis ‘humorit’ dhe harakirit – jam shumë larg tyre, në të gjitha kuptimet – por përveçse një temë jashtë çdo lloj vlere e, që shkon përtej marrëzisë, ka gabime skandaloze edhe në pikësim. (P.sh. pikëçuditëse pa funksion.) Ja vetëm njëra nga fjalitë e shoqëruara së koti me pikëçuditëse: “Një provë e vetme mjafton!” Di ndokush të më thotë, se jam me të vërtetë i çuditur, përse përdoret këtu pikëçuditësja? Është një fjali dëshirore? Urdhërore? Është apostrof? Është thjesht papërgjegjshmëri, përçartje.

Ndërkohë që në këto tekste gjenden me shumicë këta letrarë gjysmakë (madje u dhashë shumë) nuk janë e nuk përfillen autorët e vërtetë. Ky është një vend i çuditshëm. Si mund të tallen kështu me shkollën, me fjalën, me gjuhën, me krijuesit që, ndërkaq, kanë bërë dhe bëjnë letërsi të mirë?! Mjerim. (Ndoshta këtu duhej vënë një pikëçuditëse…) “Ne jemi kafshë dhe shumica e kafshëve bëjnë tinguj”, thuhet në një tekst tjetër nga këto që shkruajnë palaçot e Ministrive të partive e të tenderëve ku favorizohen kafshët, hajvanët…(Iu kërkoj ndjesë lexuesve për këtë shfrim, por kemi tre dekada që durojmë hajvanëritë e tyre.)

Në tekstin e Gjuhës Shqipe për klasën e pestë, mund të lexosh gjithfarë broçkullash, p.sh. si ‘karakterizohen’ (në fakt fyhen) vajzat: “S’kanë pikë force. Sikur kanë lëng rrepkash brenda në vena. S’kanë fare fuqi, vetëm të lodhen dinë. Asgjë, as guxim, as forcë, as trimëri nuk kanë. Janë tërë naze, tërë lajka. Një e dy, veç të klithin dinë. Ajo që nuk u rri kurrë e qetë është gjuha.” Dhe më tej: “Kanë frikë nga gjithçka: nga vetëtimat, nga greminat, nga vemjet, nga thithëlopat, nga errësira. Kur bien bubullimat, zënë veshët me duar. Pale që ia japin vrapit e shkojnë fshihen nën krevat. Gjëmimi i një topi i shastis fare.” Nuk kanë të mbaruar budallallëqet: “Sa për t’u besuar ndonjë të fshehtë, as mos të të shkojë mendja. S’kalon një orë dhe tërë dynjaja e merr vesh.” Pastaj: “Për gjënë më të vogël ia japin të qarit. Lotët s’i kanë për gjë, as që u vjen zor nga vetja…”

Unë e di që jemi një shoqëri e prapambetur, me një barrë ngarkesa nga e shkuara dhe që po deformohemi edhe më sot, por se mund të shkonim gjer këtu, në një tekst shkolle, s’e kisha menduar kurrë; kjo është përtej çdo marrëzie. Ndërkaq, mund të vazhdonim edhe me gafa të tjera, të vjetra e të reja, nga Abetarja në tekstet e gjimnazit e më tej. Por po kufizohem tani në thelbin e këtyre radhëve.

Njihni dhe respektoni shkrimtarët!

Pse prapë e prapë debate? Pse nuk shmangen mediokriteti dhe diletantizmat, gafat e pafalshme gjithashtu? Po shfaq opinionin tim. Mediokritetit të mëparshëm i është ngjitur grafomania në vijim. Mundësitë për përfitime dhe abuzime, janë shkaku kryesor i kësaj gjendjeje kritike; si në çdo fushë, pak a shumë. Por është kaq fyese një situatë e tillë, sidomos për gjuhën dhe letërsinë, që trashëguan krijimtari dhe antologjizëm nga emra si Bedri Dedja, Odise Grillo, Tasim Gjokutaj etj., për të vijuar me shkrimtarë e poetë si Bardhyl Xhama, Pandeli Koçi, Xhahid Bushati, Viktor Canosinaj, Fatmir Gjestila,etj., krijues me vlera të konsiderueshme dhe me kulturë gjuhësore e letrare të një klasi që nuk ka lidhje fare me ç’u tha më lart në trishtim e sipër.

Pyetjet ende janë të shumta; por unë po formuloj vetëm disa:

  • Përse nuk pranojmë përfshirjen e shkrimtarëve në tekste e antologjizëm, por ua besojmë ato amatorëve dhe pastaj katandisemi në ‘gjyhahe’ të tilla?
  • Përse nuk thirret një herë të vetme Shoqata e Shkrimtarëve për Fëmijë e Të rinj – nuk është fjala vetëm për atë që kemi sot, por në vite – për konsultime dhe bashkëpunim?
  • Edhe sa kohë do të vazhdojë kjo baltosje e fjalës, ngase disa zyrtarë partiakë apo të tjerë, që kanë vetëm aftësinë të nuhasin ku janë paratë, qasen kaq të ulët në një punë tejet të lartë e të rëndësishme, për sot e për nesër?

E theksoj, nuk ka zgjidhje pa protagonizmin e specialistëve të besueshëm, në rastin tonë të shkrimtarëve më të mirë të vendit; nuk bëhet pa krijimtarinë dhe mendimin e tyre. Duhet të jesh shumë i trashë ose shumë i keq që të mos e kuptosh këtë. Një shkrimtar profesionist, që mund të thirret për të kontribuar, qoftë me krijimtarinë e vet, qoftë me atë që mund të përzgjedhë nga kolegët, ju siguroj, ministra, ministresha, drejtorë, ‘ekspertë’, ju siguroj, që një i tillë, e përsëris, një shkrimtar profesionist, nuk do të lejonte assesi ato që ‘pata fatkeqësinë’ të ‘citoja’ më sipër. Madje, nuk do ta bënte veten t’i gjeje një gabim gjuhësor a teknik.

Nëse ju, ministra, zyrtarë, drejtorë, ‘ekspertë’, çfarë jeni, e hani turpin me bukë, të tjerë që shkruajnë prej një jete, nuk mund t’ju bëjnë sehir; as prindërit e fëmijët. E di që sërish mund të bien në vesh të shurdhër këto fjalë, por me shpresë e besim për më mirë, bëj detyrën time, si shkrimtar dhe si publicist.