-Dhimbja e jetimit
Që në fëmijërinë time, në Kullën me tre kate ku linda në Shebe, më është ngulitur thellë në shpirt një dhimbje e veçantë: dhimbja e jetimit. Unë jam biri i një jetimi. Nuk e kam njohur drejtpërdrejt atë ndarje që të lë pa prind, por e kam parë e ndjerë përmes historisë së babait tim, i cili mbeti jetim pa e mbushur ende moshën dy vjeç. (Përveç mungesës së prindërve, ai nuk pati as vëlla e as motër) . Në të njëjtën shtëpi, nën të njëjtën çati, u rrit po ashtu jetim edhe kushëriri i parë i tij. Pra, dy fëmijë të vegjël, në një shtëpi të madhe, mësuan që në hapat e parë të jetës se çfarë do të thotë mungesa, braktisja e detyruar dhe boshllëku që lë humbja e prindërve. Më vonë, gjatë jetës time kam njohur shumë jetimë të tjerë. Në rininë e hershme, në Konviktin “Bardhok Biba” të Rrëshenit ku mbarova 7 vjeçaren dhe gjimnazin, kam njohur disa jetimë që i kishin sjellë aty për të jetuar dhe për të mësuar. (Bashkëmoshataret e mi konviktor, besoj se i kujtojnë jetmët P. Gega; F. Luka; Gj. N. Gjini; Gj. Legisi; T. Luka etj.) Kam kuptuar se jeta e jetimit nuk është vetëm histori individuale, por është një plagë shoqërore që prek zemrën e komunitetit. Çdo jetim mbart në vete jo vetëm dhimbjen e humbjes, por edhe peshën e padrejtësive dhe mungesës së mbështetjes.
-Disa statistika për jetimët në kohën e sotme.
Kam studjuar prej vitesh për këtë shtresë të shoqërisë. Sipas statistikave të publikuara, sot bota ka mbi 60 milion jetimë, një numër tronditës, që flet për tragjeditë e luftërave të pakuptimta, të varfërisë, migrimit, sëmundjeve, krizave të ndryshme familjare e tragjedi të tjera. UNICEF në vitin 2022 raportonte për 53 milionë jetimë. Në Azi flitet për 71 milionë të tillë, (vetëm India ka 31 milionë), Afrika 51 milionë etj. etj. Pra, sot në botë ka mbi 100 milion jetimë të raportuar por duke i analizuar sipas shteteve numri del shumë më i madh. Në Shqipëri raportohet për 31 mijë fëmijë jetimë. (Mendoj se kjo shifër nuk është e saktë, pasi janë më shumë, pa llogaritur këtu edhe qindra fëmijë jetim të familjeve shqiptare në emigracion.) Jetimët, çdo ditë përballen me vështirësi të pafundme; nga ekonomike te sociale, nga mungesa e përkujdesjes deri te paragjykimi. Dhe, sikur kjo të mos mjaftonte, kemi konstatuar se Ligjit Nr.8153, datë 31.10.1996, “Për Statusin e Jetimit” (i shpallur me dekretin nr.1634, datë 11.11.1996), në vendin tonë nuk është prekur që prej vitit 1996, pra ka 29 vite që qëndron i pandryshuar, duke mos u përshtatur me realitetin e ri dhe nevojat jetësore të fëmijëve, ndërkohë që ligjet e tjera janë ndryshuar disa herë.
Në një emison TV, drejtori i projekteve Denis Zavalani u shpreh se; “Në kuadër të ditës së Jetimëve u zhvilkua një aktivitetku ku ishin të pranishëm 1000 jetimë !!!!. U shpërndahen pako për ta si dhe u zhvilluan aktivitete argëtuese me muzikë etj”…. Si qytetar i këtij vendi pyes: Po a zgjidhen problematikat e shumta te jetimeve me te tialla aktivitete, nje here ne vite ????? Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve në Shqipëri, Ilir Çumani i ftuar në studion e “Mirëmëngjesi Shqipëri”, deklaroi se Lipset një angazhim i madh i institucioneve shtetërore dhe mekanizmave të mbrojtjes për të mbështetur këta fëmijë. Ai bëri me dije se, Në Shqipëri ka 31 mijë fëmijë jetimë, por jo të gjithë marrin përkujdesin e duhur.” Kur flasim për fëmijët pa kujdesin prindëror, mendja të shkon te ata fëmijë që vuajnë vështirësi nga më të ndryshme që kanë të bëjnë me integrimin e tyre; -ekonomikë, -financiarë dhe të arsimimit e edukimit të tyrde, si dhe të integrimit në jetën sociale. Kryetari Çumani disa herë ka renditur një sërë shkaqesh dhe problematikash me të cilat përballen në vazhdimesi jetimët, por pak ose aspak është dëgjuar e përkrahur. Ai është shprehur publikisht në media se: “Sfidat e jetimëve janë të shmangshme sepse lidhen me mbijetesën. Janë faktorë psikologjikë, social, ekonomike. Divorcet sjellin pasoja, emigracioni dhe varfëria në përgjithësi. Zhvillimet e fundit që kalon sot shoqëria shqiptare, tregon që kemi një dinamikë të madhe mbi problematikat që ndeshin sot fëmijët jetimë që jetojnë në komunitet. Ne kemi thënë që ekziston një ligj i vjetër në ’96-ën, që asnjëherë nuk ka qenë efektiv. Ka pasur shumë dinamika në këto vite tranzicioni. Ai ligj në ato kohë ngarkonte pushtetin lokal për të zbatuar politikat e mbrojtjes, por me decentralizimin e këtyre institucioneve, pati një lloj përplasje me institucioneve qendrore dhe lokale. Ende kemi problematika. Kjo kërkon nevojë emergjente nga politika që duhet të ndjekë pushteti lokal për të qenë pranë individit fëmijë që u mungon familja, e përditshmja e tyre”…. Mendoj se Varfëria e kalon kufirin ekonomik kur nis të prekë marrëdhëniet njerëzore dhe është pasojë e politikave keqqeverisëse që e zhysin individin nën një sistem nga, i cili s’ka më mundësi të dalë, kjo sepse tashmë qëllim është mbijetesa. Në çdo shtet të së drejtës kanë përparësi politikat sociale, por në Shqipërinë e tre dekadave të fundit, si rrjedhojë e keqqeverisjes dhe korrupsionit galopant, qytetarët janë lënë në gjendje të mjerueshme ekonomike, e pandashmërisht sociale dhe kulturore…Aq me keq jetimët.
-Historia e jetimit; plagë e vjetër – plagë e re.
Dhimbja e jetimit nuk është e re në historinë e njerëzimit. Që nga antikiteti, shkrimtarë e poetë e kanë përshkruar këtë plagë të shpirtit. Gjatë jetës, kam lexuar poezi, tregime e novela por edhe kam dëgjuar shumë histori të dhimbshme për të cilët edhe kam shkruar… Në Iliadën e Homerit, një nga veprat më të mëdha të njerëzimit, kam ndjerë thellë dhimbjen e humbjes, klithmën e nënave e fëmijëve të mbetur jetimë, tronditjen që sjell vdekja e prindit në fushë-betejë. Nuk është vetëm një histori luftërash e heronjsh, por edhe një pasqyrë e plagëve që humbja lë në zemrat e njerëzve, sidomos tek ata më të brishtët. Të jesh jetim do të thotë të rritesh më shpejt, të përballesh me një botë shpesh të padrejtë e të ftohtë, pa mbrojtjen dhe dashurinë prindërore. Por njëkohësisht, në shumë raste, do të thotë të ndërtosh brenda vetes një forcë të veçantë për të jetuar, për të mbijetuar, për të ecur përpara. Jetimi është dëshmia më e fortë se njeriu, edhe në rrethana të pamundura, ka një burim të brendshëm që e shtyn drejt dritës. Prandaj, shoqëria ka detyrimin moral dhe ligjor të kujdeset për ta. Pra, nuk mjafton vetëm të përmendim numra e statistika; duhet të hapim zemrat dhe institucionet tona t’u gjenden pranë kësaj shtrese të shoqërisë. Sepse tek jetimi shohim fytyrën e pafajësisë së braktisur. Mbi supe të tij është një thirrje për drejtësi dhe përkujdesje që nuk duhet të mbetet pa përgjigje.
-Një fragment për jetimët nga Iliada e Homerit .
Në Iliadën e Homerit të shkruar rreth viteve 750-700 p.e.r. , një nga veprat më të mëdha të njerëzimit, ndjejmë thellë dhimbjen e humbjes, klithmën e nënave e fëmijëve të mbetur jetimë, tronditjen që sjell vdekja e prindit në fushëbetejë. “(këtu po sjellë disa vargje, nga faqja 486–498)”.
Theksoj se ky fragment nuk është thjesht poezi e lashtë: është një pasqyrë e gjallë e një dhimbjeje që vazhdon të shoqërojë njerëzimin edhe sot pas 2800 vitesh.
…………………
Dita kur një fëmijë mbetet jetim, pa babë,
e bën atë të përbuzur, të ofenduar, të buzëplasë,
dhe kundrejt bashkëmoshatarëve,
më të tërhequr, më të ngratë.
Gjithmonë ai do të jetë kokulur, i përbuzur, i pa begenisur,
i lënë mënjanë prej të gjithëve, i braktisur.
Dhe kështu,
jetimi, vjen rrotull herë këtej, herë andej, duke qarë,
ku të zerë ndonjë prej shokëve, që i ati kish më parë,
prej kitoni apo prej veshjes, atë duke e ndukur,
duke ju afruar, ngrohtësirë duke i kërkuar, atij duke ju lutur,
dhe ky pastaj, po qe se e mëshiron,
i jep të pijë, një kupë,
me të cilin jetimi, vetëmse buzët paksa i njom,
dhe nuk pi, nuk ngopet, më kot lutet, kërkon.
Jetimin gjithmonë,
vëllai thjeshtër që me të rron,
apo, ai fëmijë që me prindërit e gjallë gëzon,
prej sofrës qoftë njëri qoftë tjetri, e dëbojnë,
duke e goditur, duke e përbuzur,
duke i thirrur dhe prapë edhe me kaq s’mbarojnë,
derisa tutje prej tryezës e shtyjnë, e largojnë,
derisa më në fund edhe me këto fjalë e poshtërojnë:
“Gremisu që këtu, në sofrën tonë ç’kërkon,
yt atë nuk ha më, është i vdekur nuk rron!”
Dhe kështu pastaj, fëmija jetim i kthehet përsëri, nënës së ve të gjorë,
dhe ajo e kap, e ngre në krahë, a e merr atë për dore.
………………………………………………….
Shënim:
Vargjet që po sjell më poshtë janë shqipëruar nga Ilia V. Ballauri.
Është çasti kur, Andormaka sheh prej bedenave të Trojës, Hektorin e vrarë, të lidhur pas karrocës së Akilit tek tërhiqej zvarë dhe kuptohet, ajo pasi humbet ndjenjat për disa çaste, shkrehet më pas në një dënesë të papërshkruar. Fjalët e saj për Hektorin e vdekur janë madhështore dhe po të tilla madhështore janë edhe ato që ajo thotë për birin e saj, që tashmë mbeti pa baba, jetim përgjithmonë.






















