“Kushton 600 mijë euro në vit”, Ëngjëll Musai ngre shqetësimin për rimbursimin e oksigjenit, ironizon qeverinë: Kemi sistemin më të mirë shëndetësor, por 560 chartera fluturuan për Turqi

303
Sigal

Drejtori i gazetës Telegraf, Ëngjëll Musai ka ngritur shqetësimin e mos rimbursimit të oksigjenit të pacientëve të infektuar me Covid dhe trajtohen në shtëpi. Në emisionin “Me Xhaxhiun”, Musai tha se rimbursimi i oksigjenit do ti kushtonte qeverisë 600 mijë euro, ndërsa thekson se po shkojnë miliona euro në koncesione të ndryshme.

“Problemi i oksigjenit është fare i thjeshtë. Në Shqipëri, sot meqë kemi situatën e Covidit që është i përcaktuar në 3 faza: I pari për sa fillojnë shenjat e para, faza e dytë kur situata është pak më e agravuar dhe e treta në kushte spitalore. E para ka nevojë për të paktën 2 javë oksigjen që kushton 10 mijë lekë të reja. Ti fare mirë mund të marrësh motor gjenerator për përdorimin e oksigjenit mjekësor dhe e nxjerr nga situata mjekësore të sëmurin. Pra për 10 mijë lekë të reja oksigjen, askush nuk u kujtua të merrte masa.

Faza e dytë kushton rreth 15 mijë lekë të reja dhe e treta është në kushte spitalore. Që të trajtosh të gjithë sistemin me oksigjen falas se nuk ka gjë më elementare dhe oksigjenin nuk e rimburson, përse? Ti jep koncesione me miliona euro me check upe e sterilizime e pajisje kirurgjikale. Janë 480 milionë euro koncesione në shëndetësi. Sipas ekspertëve, kushton 600 mijë euro në vit të rimbursosh oksigjenin”, tha Musai.

Gazetari komentoi edhe deklaratat e Ramës se sistemi jonë shëndetësor nuk ka asnjë mungesë për të trajtuar pacientët, të cilët zgjedhin të fluturojnë drejt Turqisë për tu kuruar nga Covidi.

“I themi gjithë shqiptarëve që sistemin shëndetësor se e kemi më të mirë se Austria e Turqia, por si ka mundësi që 560 charter fluturuan gjatë pandemisë drejt Turqisë. Ku e kemi këtë shëndetësi më të mirë? Kemi sistemin më të paralizuar, në spitale shqiptare duhet të marrësh me vete bukën, të blesh shiringat, serumet, të paguash mjekët dhe gjithçka. Edhe pse vdesin pacientë e të sëmurë, sot nuk është futur asnjë në burg”, tha Musai.