Sigal

Përsiatje nga cikli “ Antiharresa “ –

“Ai që hiqet i madh edhe mbahet i rëndë,/ E ka mendjen të vogël e të lehtë si  pendë”. E tha bilbili i Gjuhës Shqipe lerë e rritur në viset e mia, e tha Naim Shqipëria i pavdekshëm. E tha dhe na e la si gur qosheje të gdhendur në tempullin e mencurisë kombëtare. Feksi dje, sot, nesër e përgjithmonë. Brez pas brezi i falen frashërlliut të madh, e asnjëherë atyre që hiqen zvarrë e lëpihen para të mëdhenjve dhe tallen  e si mujsharë të pandreqshëm shkelin me këmbë të vegjëlit, fukarenjtë e ata që jetojnë përtej gardhit të nepotizmit qeveritar. Dhe kur kjo papërgjegjshmëri fodulle vjen si gjiriz edhe mbi punonjësit mediatikë, e drejtpërdrejt nga maja e pushtetit ekzekutiv, nuk mund të heshtësh duke mbajtur hundën me dorë. Por këtë meditim të shkurtër ma ndërpreu përshëndetja e një miku të vjetër devolli, teksa po ecte ngadalë pranë Brrylit në Tiranë të premten në mesditë. Një njeri mendjehapur që nuk e fut kurrë në shishe dhe larg lajkosjes neverindjellëse përballë pushteteve të majtë e të djathtë. Nderon sinqerisht të vërtetat e ëmbla e të tharta dhe shpesh befas merr zjarr jo të vogël kur dëgjon disa gënjeshtra publike në mikrofona e ekrane… C’hall të ka rënë mbi tepelekun e kokës, o t’u mbylltë, kaloje me një mendje të lehtë ! Apo ke kënduar sot fjalët tollumbace të Kryeministrit për sukseset madhështore të Pordhalit (kështu e thërrasin në fshatin tim) qeveritar qysh në pikë të mëngjezit ? Se nuk thonë kot, te arroganti shpesh mendjemprehtësia kthehet në palacollëk. Asnjë fasadë nuk e mbulon dot të vërtetën e njerëzve të thjeshtë hallexhinj e dinjitozë. Ja, bëj pakëz durim, këndoje këtë Letrën e publikuar sot dhe besoj se do “qetësohesh” e do marrësh xhevap taze. Aman, të keqen vëllai, mos u sëkëlldis shumë, se në vapë a në ngricë nuk të vret vetëm plumbi. Fjala vjen, zemërimin dhe zhgënjimin e të drejtit, Edi Rama e rilindistët e tij mercenarë nuk e njohin ende. Dhe lëshojnë gati përditë si lopa bajgën “bashkëqeverisjen” e kujtojnë se popullit të majtë e të djathtë ia bënë mendjen ujem duke zbrazur shifra e pallavra me okë. Të dehurit majë kalit të pushtetit flasin qesimce nga studio e reja të ERT që pushtojnë pacipërisht shumicën e kanaleve televizive në metropol. Ku janë kamerat e tyre, po gazetarët ku fshihen vallë ? Apo janë mbytur në fund të kazanit qeveritar e nën këmbët e censurës kapitaliste me pronarë të shitur e të blerë ? Dinjiteti e profesionalizmi po japin shpirt ! Dhe mua personalisht kjo maskaradë më dhemb shumë. Ti, miku ynë, që iu përkushtove mbi 40 vjetë shtypit të shkruar, përse dukesh si i mbytur në përrenj zhgënjimi e dëshpërimi dhe nuk ke ku të qeshësh e ku të qash ?!…

-Këtë lloj Shqipërie nuk e duam zoti Kryeministër !

Kjo thirrje acik e publike nuk vjen nga goja dhe pena e një njeriu të rëndomtë që e ka pushtuar egoizmi provincial apo ankesomania mediokre. Është Letra e hapur e një veterani të Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare, është protesta intelektuale e qytetare e një personaliteti themelues të Kinematografisë shqiptare. Është një tragjasiot 24 karat që po i troket muzgu i 90 viteve jetë ! Nuk mund të dogëndisësh a të tallesh, të mashtrosh sy më sy në pordhale e ekrane laramane, sic po bën me shumë të tjerë nëpër takimet groteske, irrituese e estradeske me atë mbishkrimin joshës “bashkëqeverisje”. Kësaj Polit(h)ike i ka dalë boja herët përballë shqiptarëve brenda e jashtë Shqipërizës sonë halleshumë. Vërtet Kryeministri piktor nuk e ndjen litarin që po ngushtohet përditë në grykën e përtharë të Qeverisë rilindiste, litar që e ka emrin : NEPOTIZËM me brirë ?! Administrata e lartë, e mesme dhe ajo e ulët shtetërore, nuk ka qenë më e coroditur se sot. Kjo është e vërteta ulëritëse e tepër sfilitëse për njerëzit e thjeshtë, që duan t’i ngopin e vilanosin me lugë të zbrazët dhe me eufori demode. Thjesht e vetëm për të mos lëshuar kolltuqet e pamerituara dhe të rrëmbyera nga pushteti i socialistëve të ndershëm!…  “-Ky portal në thelbin e tij tregon se nuk ekziston shteti, se nuk ka nëpunës që u shërbejnë qytetarëve dhe jo vetëm që nuk merren me zgjidhjen e halleve por i vërdallosin me muaj e vite, u marrin shpirtin, u përvetësojnë pronat, i fusin në konflikte me njëri-tjetrin dhe u shkurtojnë jetën…Kjo tregon se tek ne është vendosur një sistem diktatorial ku sundon Njëshi…Përse është zhdukur orari i pritjes së popullit në mjaft nivele drejtimi ?…,-shprehet jo pa indinjatë, zoti Abaz Hoxha. Ai rrëfen mjaft episode vetiake të jetuara e të provuara dhimbshëm mbi kurrizin e tij. Probleme të mahisura në mbi dy dekada nëpër istikamet e Administratës njerkë. Dhe as kërkon qiqra në hell. Dhe daullet elektorale bien pa pushim për rrëmbimin kontrabandë të votave. Ndërsa daullet pikëllimtare të mosbesimit po shtohen e gjëmojnë edhe te arratia biblike shqiptare nëpër botë. Dhe pordhalet i bien teneqesë së fasadave. Përshembull, jo më larg se pardje më erdhi në celular edhe një mesazh nga lagjia “24 Maji” në qytetin e Vlorës. Kanë mbi 5 muaj që i janë drejtuar Kryeministrit dhe…asnjë zgjidhje në praktikë (?!) “Dolën gjoja urdhëra e vendimet nr.481; 480; 479 (me datë e vulë). Por mbetën udhëve nga të paudhët, nga ata që Shqipërinë e urrejnë… Drejtësia ka 1 mal mëkate, po Administrata ka 1 det zullume ! (Ankuesit e Portalit të Kryeministrisë, nr.11521; dt. 1/3/2018). Dhe shembuj të tillë nuk po bëjnë firo. Përkundrazi. Po shtohen bashkë me hipokrizinë qeveritare që përmbyt protestat qytetare. Hipokrizi që promovohet me shifra të kullandrisura nëpër zyra gjatë 10 muajve të fundit : 13.694 halle e probleme konkrete qenkërkan “zgjidhur” si me magji nga kjo Platformë ( mos është vallë ajo Platforma ediramiste që u rrëzua para dite në forumin më të lartë të PS dhe cuditërisht në mëngjes u gdhi Kryetar partie ?!). Të tallesh në këtë farë feje me qytetarët duke vërvitur pallavra me dokrra e gjepura rilindiste, nuk është thjesht cinizëm me cizme. E tha bukur një miku im nga Progonati : “Aguridhet i mbledhin vetë me Timonierin në krye dhe pastaj i lëshojnë pa shkop si bravaret azate nëpër kullotat e Këndrevicës…Unë shpohem në hundë ose do të syrgjynosem në ndonjë shpellë të lashtë e nuk do dal më që andej, nëse janë të vërteta ato shifra kallpe. Le të kërrejë listën me emra e mbiemra, me adresat e problemet e tyre konkrete, pastaj llafosemi bashkë…”. Ka ikur koha e besimit të gënjeshtrave me bisht e pa bisht. Se vërtet Rama e mori i vetëm Tepsinë, por Beni i mëmë Lenos labovite që e donin aq shumë edhe të paharruarit Jusuf Alibali e Thoma Noti, e tha shkoqur ditët e fundit : “…

Tepsia afron,

Të mirat e shtetit,

Por ajo të shton,

Barrën e pushtetit !

 

Tepsia e shkretë,

S’ka vetëm kismete,

Se barrë e pushtetit,

Të zë ndënë vete !…”.

Shkurt, kakarisjet apo kuisjet nga kotecet a kolibet e propagandës së shfrenuar fasadiste, me siguri një ditë kthehen në boomerang e ndëshkim popullor. Tatëpjeta rilindiste ka filluar ! Vetëm militantët e verbër dhe shurdhmemecë duartrokasin e korrin përmbi kallinj. Pa harruar ata pasanikë që ligjërojnë me këmbët në yzengjitë e pushtetit rilindist (jo socialist), që mjelin e vjelin në kurrizin e taksapaguesve të drobitur shqiptarë. Taksapagues që kanë mbetur herët si guri në rrokullimë. Vetëm këta nuk mund t’i gënjesh dot sy ndër sy. Timonieri i lëpihet tmerrësisht “Fatligxhafërisë” që e mbaka të karfosur kokë e këmbë në inkubatorin e intrigave në PS. Por mashtrimet do paguhen një ditë. Me cironka nuk mbahet ngritur muri i besimit popullor. Peshqit e mëdhenj i ka rreth vetes, të tjerat mbeten pallavra. Por le ta mbyllim me pakëz buzëqeshje që e kapërcen kufirin e një anekdote : “ –Dikush donte të nxirrte në pazar një gënjeshtër dhe ngrinte zërin: -Ka dalur shumë krap në filan vend. Kanë shkuar shumë veta dhe po kapin si ai peshk !”. Në mbrëmje kur po kthehej për në shtëpi, takon shokët e vet të ngarkuar me mjete peshkimi që nxitonin dhe i pyet :-Ku po shkoni? – Në filan vend, se ka dalur shumë peshk. Peshkatarët janë duke zënë mjaft e po shkojmë edhe ne… Gënjeshtari thotë me vete : “Unë kam dashur të gënjeja, por kjo punë qenka e vërtetë!”. Merr cantën e peshkut e shkon edhe ai atje, por kur mbërrin, sheh se nuk ka fare peshq…”.