Klodi Stralla: Rama për pushtetin personal, po lë Shqipërinë jashtë BE

308
Sigal

 

A do të përsëritet historia e 60 -viteve më parë, kur Kina maoiste u bë “komardaria e shpëtimit” për regjimin e Enver Hoxhës? Në fillim të viteve 60-të të shekullit që shkoi pushteti personal i E.Hoxhës u kërcënua për të dytën herë, pas asaj të prishjes me jugosllavët – kësaj here nga sovjetikët. Hrushovi në Kongresin e 20-të të PKBS (1956) kish denoncuar stalinizmin dhe krimet e tij dhe ishin ndryshuar të gjithë udhëheqësit komunistë stalinistë të Europës Lindore, veç Shqipërisë. Për të ruajtur pushtetin e tij E.Hoxha, përfitoi nga mosmarrëveshjet mes BS dhe Kinës, u lidh pas kësaj të fundit dhe mundi të mbijetojë për afro dy dekada, me një kosto shumë të rëndë për shqiptarët. Në të njëjtën pozitë është sot Edi Rama, ku Europa ia ka bërë të qartë se pa reforma reale dhe sidomos pa zgjedhje të lira e të ndershme, Shqipëria nuk do të pranohet në BE. Për të ruajtur pushtetin e tij personal, edhe për një mandat të tretë, ai po shfrytëzon një koniukturë ndërkombëtare, ku administrata Trump, që ndodhet edhe përpara zgjedhjeve presidenciale të rradhës, ka shfaqur fërkime me BE-në,  edhe përsa i përket qëndrimit të saj ndaj Kinës – konkurentit më të madh aktual të saj në fushën e tregëtisë. Nga do t’ia mbajnë shqiptarët? Historia e kaluar na tregoi se ku na çoi “karota” kineze dhe “shkopi” enverian dhe do të jetë fatkeqësi që ato të na rishfaqen pas 60 -vitesh si karota amerikane dhe shkopi edvinian! Amerikanëve, ashtu si kinezëve 60- vite më parë, pak u intereson se si qeveriset Shqipëria; për ta interesi prevalon mbi parimet demokratike. Varet nga ne shqiptarët, nga kujtesa jonë historike, që, ç’është e vërteta e kemi shumë të dobët – në kufijtë e amnezisë.