Hyqmet Zane: “O e bukura More” si trashëgimi autentike shqiptare

286
Sigal

Kënga Arbëreshe mbi 600 vjeçare që na sjell mesazhe të freskëta

Vizita e ish Presidentit Ilir Meta në mesin e arbëreshëve para ca kohësh si i fundit ndër personalitetet shtetërorë, e ballafaqoi me këngën e lashtë “O e bukura More”. Presidenti u mbush me dashuri arbëreshe dhe mesazhi që na sjell kjo këngë mbi 600 vjeçare është aktual dhe konkret si dashuri ndaj vendit ku edhe kanë orgjinën edhe vetë arbëreshët. Kjo këngë mërgimi, kaq e njohur dhe e dashur jo vetëm për Arbëreshët, por edhe për Arvanitët e Greqisë dhe shqiptarët e të gjitha trevave, përmban në vetvete pothuajse gjithë sekretin historik të krijimit të fshatrave të arbërëreshëve të Italisë. Por shumë pak e dinë se kujt i kushtohet kjo këngë… ! Çfarë do të thotë fjala More ! – Është njw pasthirmë… ?, Është një vajzë e bukur… ?.- Jo ! More – është Peloponezi i sotëm i Greqisë! Një trevë e madhe së cilës grekët i kanë ndryshuar emrin nga More në Peleponez dhe kënga “O e bukura More” , memorizon kujtesën dhe mallin e një atdheu të humbur, është një toponim i këtij vendi nga ku u larguan shumica e arbëreshëve të sotëm të Italisë. Dokument i kësaj kënge për herë të parë gjendet në dorëshkrimin e Kieutit botim i vitit 1708, më pas këtë material do ta ribotonte në librin e tij filologu arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), në vitin 1866, që u realizua në Itali nga shtëpia botuese “F. Albergueti  E.C.” , i cili mban si titull: “Appendice al Saggio di Grammatologia Comprata Sulla Lingua Albanese”. Teksti i kësaj kënge është  shkruajtur në shqip, por me alfabet grek.

“O e bukura More”

O e bukura More!

çë kur të lje (lashë)

më nigjë të pe.

Atje kam unë zotin-tatë.

Atje kam u mëmëm time.

Atje kam u tim vëlla.

‘O e bukura More

çë kur të lje (lashë)

më nigjë të pe.

Ky tekst burimor-popullor me ritëm tresh, është i vetmi version dhe tekst origjinal i këngës “O e bukura More”, por nuk dihet se kush arbëresh i këndoi për herë të parë këto vargje kaq të thjeshta, por që mbeten gjallë dhe këndohen po me të njëjtën dhimbje edhe sot. Por si dhe pse u larguan arbëreshët e sotëm nga trojet e tyre, nga Moreja (Peloponezi sot), dhe nga Arbëria, (Shqipëria sot) ,si u krijuan katundet arbëreshe në Italinë e Jugut? Me rënien dhe pushtimin e Koronit (1534), kala që ndodhet edhe sot e kësaj dite në More (Peloponezi i sotëm në Greqi), perandori Karli i tretë, i dha urdhër Kapitenit Andrea Doria të marrë Grekër dhe Arvanit-Arbëror nga Moreja, dhe t’i çojë ata në Italinë e Jugut. Kjo përbën në të vërtetë fillimin e krijimit tw fshatrave arbëreshe, por edhe grekëfolës të Italisë së Jugut. Në këto momente të shpërnguljes së tyre arbëreshët kënduan ndoshta për herë të parë këngën “O e bukura More” me mall dhe vajtim.

Shqiptarët e parë që vinin nga Arbëria-Shqipëria sot, u vendosën në Kalabri dhe në Siçili, pas ftesës së mbretit Alfonso i tretë të Aragonës, bëhet fjalë për luftëtarë shqiptarë, të cilët u vendosën përfundimisht dhe me familjet e tyre në Kalabri dhe Siçili për të ndihmuar përforcimin luftarak të Mbretit Alfonso në përpjekjen e tij për të mbytur revoltat dhe lëvizjet e Andegavnonit kundra tij. Pra krijimi i këtyre fshatrave kishte karakter ushtarak. Në vitin 1461 vetë Gjergj Kastrioti Skënderbeu me një trupërojë të madhe dhe të fortë luftëtarësh shqiptarë, do të luftonte në përkrahje të Ferdinandit, djalit të mbretit Alfonso kundër Andegavnonit të Italisë së Jugut dhe princit të Tarontos dhe për këtë ndihmë dhe përkrahje ushtarake si shpërblim atij ju dhuruan dy feude në Pulia të Italisë. Kjo popullatë e pasuroi dhe populloi pjesën e shkretuar të kësaj zone dhe njëkohësisht e rrethoi ate ushtarakisht duke krijuar kështu një pjesë territoriale të mbrojtur. Pak para vdekjes së Skënderbeut (1467), por kryesisht pas vdekjes së tij (1468) dhe rënies e pushtimit të Krujës nga Osmanët (1478), një turmë e madhe shqiptarësh dhe në kushte dramatike do të largoheshin për në Itali dhe do të vendoseshin në fshatrat tashmë të ngritur shqiptarë duke krijuar njëkohësisht dhe fshatra të reja. Të tjerë shqiptarë u vendosën në Italinë e Jugut me urdhërin dhe bekimin e Skënderbeut si dhe djalit të Joanit në dy feudet e Pulias që i pat dhuruar Ferdinando në Galatina (1845). Një pjesë tjetër shqiptarësh ndoqën nga pas Irini Kastriotin e cila u martua me princin Bisingano në Kalabri. Shqiptarët Katolikë të ardhur nga Shqipëria e Veriut që u vendosën në Italinë e Jugut, u përshtatën shpejt me gjuhën, kulturën dhe fenë e vendasve italjanë, ndërsa shqiptarët që kishin shkuar nga Shqipëria e Jugut dhe Arvanitët-Arbërorë të Moresë që nuk ishin katolik por ortodoks, pavarësisht nga kundërshtimet dhe imponimet e peshkopëve vendas italjan, ruajtën të veçantat e kulturës dhe të zakoneve të tyre dhe fenë e ritualin ortodoks bizantin, dallim i cili duket akoma edhe sot e kësaj dite. Gjuha e shumicës së Arbëreshëve të Italisë ka shumë ngjyrime dialektike, por si bazw ka dialektin tosk, që flitet në Shqipërinë e Jugut dhe me të njëjtën ngjashmëri të gjuhës, që flasin Arvanitët-Arbërorë të Greqisë. Prezenca e fjalëve greke është e pranishme dhe kjo ndodh për kohën e madhe të bashkwjetesës së tyre me grekët gjatë perandorisë bizantine. Shumë prej këngëve arbëreshe përputhen me Moren, dhe shumë toponime të tjera në këto zona sikurse Koroni, Nafplio, Korintho… etj. Vajtja e personaliteteve shqiptare apo akademike do të sjellë gjithnjë krijimin e lidhjeve të ndërsjellta të shumëanshme. Mbi 52 fshatra janë të regjistruara dhe të njohura institucionalisht nga shteti italjan si minoritet shqiptar dhe dy gjuhësh. Emrat e kwtyre fshatrave sipas vendndodhjes janë : Firmoza në Kalabri, Dandalli në Kalabri, Barilli në Baszilikat, Këmbarini në Molise, Garrafa në Kalabri, Karfici në Kalabri, Kazallveqi në Pulja, Kastërnexhi në Kalabri, Kejverici në Kalabri, Qana në Kalabri, Qefti në Pulja, Çivëti në Kalabri, Kuntisa në Siçili, Purçilli në Kalabri, Fallkunara në Kalabri, Farneta në Kalabri, Ferma në Kalabri, Frasnita në Kalabri (katundi arbëresh ku jeton studjuesi dhe patrioti i madh Antonio Belushi), Zhura në Bazilikat, Katundi në Kampanja, Ungra në Kalabri, Maqi (katundi i De Radës) në Kalabri, Marçidhza në Kalabri, Allimarri në Kalabri, Mashqiti në Bazilikat, Munxhufuni në Molis, Puheriu në Kalabri, Hora e Arbëreshëve në Siçili, Pllatëni në Kalabri, Porkanuni në Molis, Shën Vasili në Kalabri, Shën Benëdhiti në Kalabri, Strigari (fshati i poetit të madh Arbëresh Zef Serembe) në Kalabri, Shën Konstandini në Bazilikat, Shën Mitri (qendra më e madhe kulturore e Arbëreshëve ku zhvillohet çdo vit festivali i këngës Arbëreshe) në Kalabri, Sënd Japku në Kalabri, Mbuzati në Kalabri, Shën Mërtiri në Kalabri, Shën Marcani në Pulja, Shën Kolli në Kalabri, Shën Pali në Bazilikat, Picilia në Kalabri, Sëndastina në Siçili, Shën Sofia në Kalabri, Spixana në Kalabri, Ruri në Moliz, Vakarici në Kalabri, Vina në Kalabri, Badhesa në Abruzo, Xingarona në Kalabri… etj. Problematika që ngrihet në ditët e sotme është nëse arbëreshët duhet të ruajnë të folmen e tyre të vjetër apo një përshtatje me rikodimin e shqipes së sotme? Si, dhe kush mund të ndihmojw për mbrojtjen e këtyre vlerave dhe këtij thesari të pazëvëndësueshëm me origjinë dhe rrënjw shqiptare. Pasi këto zona edhe pse gjenden në bashkwjetesën e një vendi që ndodhet brenda komunitetit europjan sikurse është Italia, vazhdojnë të mbeten zonat më të varfra të Italisë dhe investimet për mbrojtjen e kwtij thesari nga shteti italjan janë të papërfillshme. Ky ishte qëllimi që edhe ish Presidenti Ilir Meta u bë prezent mes tyre si një mesazh mbështetje për vëllezërit tanë të lashtë.