Hyqmet Zane: Errësirat e diktaturave janë si nata, që detyrimisht i le vendin ditës së re

439
Sigal

Nga Hyqmet Zane

Diktaturat janë të shumëllojshme, sipas vendit dhe rrethanave që ndodhen në zhvillimin e tyre, siç edhe kanë specifikat  të niveleve të ushtrimit të pushtetit të tyre, me forcën policeske apo ushtarake,  por edhe të ideologjisë që përfaqësojnë. Mendoj se edhe skizofrenia në diktaturë, ka pjesën e vet të ndikimit tek i quajturi lider, që në pamje të le përshtypjen e një normali që edhe buzëqesh kur do, po aq sa manifeston dendur anormalitet, me formë dhe përmbajtje sado herë i jepet të mundësia. Janë të provuara, ndaj dhe i them me këtë siguri, sepse në vendin tonë janë provuar të gjitha llojet e modelit diktatorial specifik në gjithçka

Pa dashur që të bëj lektorin, dua të them se ajo që i karakterizon diktaturat në tërësinë e tyre, janë dëshira për të pasur plotfuqishmëri për të sunduar jetëgjatësisht, edhe pse jetën e tyre mund ta kenë të shkurtër. Diktatorët duan gijthnjë errësirën e sistemit të tyre, parapëlqejnë muzgun dhe u bëjnë elozhe piktorëve që bëjnë peizazhe me muzg, si në gjysmë errësirë. Është për t’u shënuar fakti se diktatorët, nuk duan as këshilla, dhe as mendje të të tjerëve, ata kanë ide të errta dhe i zbatojnë ato me forca të errta, me metoda që zbatohen në errësirë dhe pa asnjë lloj transparence. Për fatin e keq populli shqiptar e ka provuar një herë dhe e po riprovon edhe një tjetër, me ndryshimin se janë të ndryshme në kohë dhe në hapësirë, por të njëjta në metodologji. Natyrshëm popujt gjithnjë kanë nevojë të shohin përpara dhe të kenë shpresë, të besojnë tek e ardhmja dhe drita ju duhet për të menduar, që të kenë gjithnjë mundësi të dalin nga errësirat, nëse shohin sadopak dritë. Populli shqiptar e njeh mirë errësirën e diktaturës së shkaktuar që ishte me shkëlqim dhe që përhapi errësirën, por po përjeton tragjikisht diktaturën e një modeli me fasada dhe lider që kërkon të imitojë babain e diktaturës. Por gjithçka rëndon mbi shpatullat e një populli, që gjithnjë i duhet të luftojë me errësirën dhe të shpërndajë edhe retë e zeza nëse do jetë e mundur, për të parë dritën e diellit si një shpresë.

Një miku im, profesor, vlerësohej shumë nga kryeqeveritari, ndaj dhe e mori për këshilltar në rrugëtimin e tij me shumëllojshmëri errësirash. Priste i “varfëri” profesor që të jepte ndonjë këshillë për kryeqeveritarin, por sa herë ai e thërriste, në vend që të dëgjonte këshillat e profesorit, i jepte këshilla profesorit, sa një ditë iku për të mos u kthyer në një keqpërdorues. Diktatori i mëparshëm i eleminoi miqtë e tij të ngushtë, i vrau  bashkëpunëtorët e tij në rrugëtimin e pushtetit, hodhi baltë  dhe nxiu jetën e personaliteteve dhe të popullit të tij. Dhe një ditë një i quajtur profesor që ka dëshirën të studiojë dosjet e së shkuarës, nuk gjeti asgjë për diktatorin dhe dosjen e tij të zezë, por thuri intriga sigurimsash për kundërshtarët e diktatorit, si një model që i kishte mbetur si atavizëm nga e shkuara shpirtërore që ai kishte. Në këtë shekull të ri ka ende mendje të errta që e duan errësirën më shumë se dritën, se brenda errësirës  nuk i shikon njeri, edhe shtëpinë e duan një errësirë larg njerëzve,  se i ruhen dritës dhe të vërtetës, se mos del që një ditë këshillatari i tij, mund ta këshillojë për të dalë pak në dritë dhe ai nuk e do këtë dhe do detyrohet ta eleminojë atë, duke mos ia duruar këshillat e drejta që ia largojnë errësirën.

Dhimbjet e një populli nga diktatura janë të parrëfyera sa vetë populli, kur del në dritë nga errësira, duket si i verbuar nga drita, trulloset dhe nuk orientohet në rrugën që duhet të ecë për t’i shpëtuar errësirës. Duket sikur i pëlqen fjala e  Senekës kur shprehet se “Njeriu ka fjalë për të treguar një dhimbje të lehtë. Por dhimbjet e mëdha dinë vetëm të heshtin”. Por është e qartë se kur populli hesht për dhimnbjet e tij nga diktatura, ka të tjerë që dalin dhe nuk heshtin për të arguementuar se errësira është pjesë e jetës dhe drita është gjithnjë verbuese. Për të zbritur nga abstragimi e shikoj me shumë shqetësim kryeministrin Rama që edhe në pamje ka pak errësirë, edhe në shikim gjithashtu, ndërsa në mendime është si nata pis e zezë dhe në të folur me shijen e muzgut që nuk shkon drejt dritës, por drejt errësirës. Janë vitet që  e kanë treguar këtë, është ajo çfarë ai ka mbjellë me potencën e errësirës së tij, që edhe kur ikën nga vendi i tij për të shkuar diku, i mban në errësirë të vërtetat, i ruan nga drita se ka frikë nga e vërteta. Edhe kur e pyesin, ai të përgjigjet me mendësinë e errët, pa vizion, por të shkëputur nga e vërteta dhe transparenca e nevojshme nëse ka përgjegjësinë e të ardhmes. Përkundër tij qëndron i ndriçuar kryeopozitari jashtë parlamentit që dhe  pamjen e ka të bardhë, edhe punët i ka të dukshme, edhe fjalët i ka të sinqerta dhe vepron në ditën për diell mes njerëzve dhe për njerëzit sikur do të donte tu jepte pak dritë nga e tija për të ardhmen, për të dalë nga errësira e mbjellë padrejtësisht dhe të pa merituar dhe për të marrë rrugën e shpresës dhe të së vërtetës për të ardhmen me shpresë. Më vijnë në mend ato fjalët e vargjeve të të ndjerit Vilson Blloshmi që errësira e çoi drejt vdekjes pse ai guxoi të dilte në dritë e të thoshtë të vërtetën e dritë që i mungonte popullit të tij nga që errësira ia kishte mbuluar sytë si tek Saharaja: “E kur bije ndrojtur rrez’ e diellit /

Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit; / I ngjan vello savani i qiellit,/ Shkretëtirës shket e shkrepëtit”. Nuk besoj se do të duhet të ndjekim modelet e një diktature që të përsëritet në tërësinë e vet duke mos dashur që të bëhet zbatues i sentencës së Jonathan Sëift kur shprehet se “Një popull i mësuar prej një kohe të gjatë me një sundim të ashpër, humbet gradualisht, edhe vetë nocionin e lirisë”. Ndaj lypset drita që ta çajë errësirën edhe pse errësira kërkon ta mbulojë jetën e së ardhmes më vellon e zezë të humbjes së shpresës dhe vrasjen e së ardhmes me modelet e saj ogurzeza. Sa shumë kemi dëgjuar për errësirat dhe dritat që i çajnë ato me guximin e buruar nga shpresa dhe sa duam që t’i qeshim së ardhmes me shpresën e madhe se ajo ekziston do apo nuk do një kryeminsitër dhe këshillëtarët e tij të zinj si nata. Kur e rikthej në kujtesë bisedën mes Aleksandri i Madh dhe Diogjeni, qeshem se është tipizuese për realitetin e sotëm. Kur Aleksandri i Madh shkoi për vizitë te filozofi Diogjen dhe e pyeti nëse mund të bënte ndonjë gjë për te, Diogjeni ju përgjigj:  -Po, ..mos më zër diellin. Është e njohur shprehja e zonjës Hillary Clinton  kur thoshte se “Liria dhe përparimi, nuk kanë lindur nga heshtja”. Kam bindjen se nuk ka dashur ta zgjerojmë më tej  të shtonte se heshtja është errësira e diktaturave që  kërkon nënshtrimin, por që si çdo natë e errët, sado e zezë që të jetë, detyrimisht do ia lerë vendin ditës, diellit, shpresës dhe të ardhmes. Për këtë ka nevojë  populli ynë.