Gramoz Ruçi dhe ekonomia e prodhimit

1145
Sigal

“Ekonomia shqiptare të orientohet drejt prodhimit”

 

Pse Gramoz Ruçi ka të drejtë

 

Prof. Dr. Alqi NAQELLARI

 

Fundi i prillit dhe fillimi i majit erdhi me lajme të mira nga të gjitha anët. Lajme të mira nga takimet në samitin e Brukselit dhe lajme të mira prej urimeve të shtetarëve tanë me rastin e Festës së 1 Majit. Lajmet nga Brukseli për mendimin tim ishin të gjitha të mira, nuk pashë ndonjë lajm të keq, nuk e quaj lajm të keq mosçeljen e negociatave për në BE, ishte i pritshëm, aq meritonim, aq na dhanë. Le të kërkojmë aq sa na takon. Lajmi më i mirë dhe historik ishte mbyllja një herë e mirë e problemit të rishikimit të kufijve për Shtetin e Kosovës. Ky lajm i sfumon të gjithë të tjerët, të mirë apo të këqinj qofshin. Tashmë Kosova me shikimin para të vazhdojë të punojë për popullin, duke e vendosur ekonominë në vendin që i takon, duke përcaktuar drejt strukturën dhe dinamikën e saj.

Nëse fundi i prillit solli lajme të mira për gjithë shqiptarët e Ballkanit dhe kudo ku jetojnë, për ne shqiptarët e përtej kufirit, lajme të mira sollën edhe urimet për 1 Majin, Ditën e Punëtorëve. Nëse për Ditën e Pashkëve dëgjuam urime për mirësi, vëllazëri, bashkëpunim e paqe, për ditën e 1 Majit dëgjuam urime konkrete për gjendjen ekonomike të shqiptarëve. Dëgjuam dy urime të rëndësishme. Njëri prej Presidentit të Republikës zotit Ilir META dhe tjetri prej Kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë zotit Gramoz RUÇI. I pari ishte për problemin shqetësues të papunësisë që ekziston në Shqipëri. Presidenti Meta nuk e ka për herë të parë që prononcohet direkt dhe indirekt për problemet ekonomike që ka vendi jonë. Është e disata herë që ai flet hapur dhe konkretisht për tregues makroekonomikë. Shqetësimet i ka ngritur jo vetëm në raste festash, por edhe në raste të takimeve kombëtare e ndërkombëtare. Në Konferencën Vjetore të Bankës së Shqipërisë, për analizën e vitit 2017, Presidenti Meta është shprehur për një sërë problemesh. Unë do përmend disa prej tyre. Duke mos dashur t’u bëj asnjë koment problemeve të ngritura nga Presidenti, gjykoj se duhet të bëhen objekt analize nga institucionet dhe organizmat përkatëse që janë tërësisht të lidhura me to.

1.”Kthimi i ekonomisë në ekuilibër, duke nënkuptuar një rritje ekonomike afatmesme dhe afatgjatë, prej 3.5-4% është sërish i pamjaftueshëm, për të garantuar një efekt të prekshëm mbi mirëqenien e shtresave të gjëra të shoqërisë, si dhe për të konverguar më shpejt me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian”.

2.”Modeli i rritjes së ekonomisë sonë vazhdon të karakterizohet nga mangësi të theksuara, të cilat duhen targetuar sa më parë”:

  1. Kështu, shkalla e diversifikimit sektorial mbetet e ulët me shërbimet që zënë rreth 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, njëkohësisht,
  2. pesha e kërkesës së brendshme mbetet e lartë dhe
  3. diversifikimi në terma të eksporteve mbetet i ulët.
  4. Ndërkohë, në tregun e punës kualifikimi dhe arsimimi i fuqisë punëtore mbeten larg kërkesave të kohës.
  5. Sektori financiar shqiptar karakterizohet nga diversifikimi i ulët sektorial, ku sektori bankar përfaqëson segmentin më aktiv dhe më të zhvilluar të sistemit financiar, duke përbërë rreth 90% të aktiveve të tij”.
  6. “Në këtë kuadër, progresi i reformave strukturore është jetik, për të mbështetur konvergimin e shpejtë ekonomik dhe institucional me vendet e Bashkimit Evropian”.
  7. Reformat e ndërmarra duhet të ndikojnë në ndryshimin e strukturës së ekonomisë, si dhe në përmirësimin e ambientit ligjor e institucional që përcakton nivelin dhe përbërjen e investimeve në vend”.
  8. Nevojiten masa të menjëhershme, për të përmirësuar seriozisht klimën e biznesit, për të reduktuar informalitetin dhe korrupsionin, si dhe për të promovuar konkurrencën ndër-sektoriale”.

Presidenti vendos theksin në mungesën e lartë të rritjes ekonomike, për modelin ekonomik me mangësi të theksuara, shkallën e diversifikimit ku rreth 45% të PBB e zënë shërbimet, për sektorin financiar ku predominon sektori bankar në mbi 90% të tij, etj,. Për këtë rekomandohen reforma strukturore dhe thellimi i luftës ndaj korrupsionit. Vlerësimet dhe shqetësimet e tij janë reale. Ato po provohen në mënyrë të vazhdueshme. Është detyrë e organizmave përkatëse e Bankës Qendrore dhe e Qeverisë Shqiptare t’i shikojë dhe analizojë këto shqetësime. Këto nuk janë shqetësime të ngritura nga ndonjë militant partie, por shqetësime dhe probleme të ngritura prej Presidentit të Republikës. Krahas presidentit, ka pasur edhe shtetarë të tjerë që i kanë cekur këto probleme, por në mënyrë indirekte. Në mënyrë direkte foli Zoti Gramoz Ruçi.

Për 1 Majin uroi edhe Kryetari i Parlamentit Shqiptar zoti Gramoz Ruçi. Urimi i tij ishte “Ekonomia të orjentohet drejt prodhimit” dhe “puna të vendoset në podium, politikanët të zbresin në shesh”. Ishte një thënie e nevojshme, brilante dhe e vonuar e Zotit Ruçi. Kryetari i  Kuvendit shikon si burim të punësimit kthimin e kokës nga prodhimi. Ka qenë, është dhe do të mbetet prodhimi, burimi i punësimit dhe jo sektorët e varur të shërbimeve. Kjo thënie mbështet mendimet e Presidentit dhe të gjithë atyre ekonomistëve që kanë theksuar vazhdimisht, që të kthehet koka nga prodhimi. Por përse për mendimin tim ka një rëndësi të veçantë kjo thënie e Zotit Ruçi.

Nuk është rastësi që Zoti Gramoz Ruçi është Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Zoti Ruçi e meriton që të jetë atje, e meriton të jetë edhe Kryeministër edhe President. Ka shumë njerëz që zotin Ruçi e shikojnë si një njeri të fortë, të ashpër, gjithmonë të vrenjtur, si një Ministër të Brendshëm të Ramiz Alisë, si një Komunist që është në krye të Parlamentit, si njeri që nuk rinovohhet etj, etj. Në fakt, nuk është kështu. Zoti Ruçi ka një CV që pak deputet e kanë në atë Parlament.

Zoti Ruçi ka mbaruar Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, dega Bio-Kimi. Për 8 vite rresht, Zoti Ruçi ka ushtruar profesionin e arsimtarit. Ka qenë drejtues në kooperativa Bujqësore të Tepelenës, në kooperativën e Progonatit me drejtim blegtoral, dhe të Dukajt me drejtim bujqësor dhe blegtoral. Kjo kooperativë ka qenë më e madhja në rrethin e Tepelenës dhe nga më të mirat në Tepelenë dhe në gjithë jugun e Shqipërisë. Zoti Ruçi ka njohur shumë mirë sektorin bujqësor, ka njohur sektorët e tjerë të kooperativave, sepse kooperativat bujqësore kanë qenë me llogari të mbyllura, organizime parashtetërore, planifikim socialist dhe administrim kapitalist. Kooperativat bujqësore nuk i financonte shteti, por ato ndanin aq para sa fitonin. Në këtë mënyrë, zoti Ruçi njeh më mirë se çdokush në Parlament strukturën e degëve në një njësi organizative prodhimi, e di mirë se kush duhet të jetë Dega Bazë dhe Dega Plotësuese. Kështu që për mendimin tim, thënia e tij se Ekonomia duhet të orientohet drejt prodhimit është e vonuar, por e nevojshme dhe e domosdoshme. Organizmat përkatëse dhe qeveria, duhet ta shikojë me shumë kujdes këtë rekomandim, sepse e jep një person që e njeh mirë prodhimin, që e njeh mirë ekonominë. Pas kësaj pune i është dhënë mundësia të drejtojë gjithë rrethin e Tepelenës, kështu që zoti Ruçi njohu edhe minierën e qymyrgurit të Memaliajt, njohu edhe sektorin e industrisë nxjerrëse e përpunuese.

Ekonomia shqiptare ka resurse të mëdha natyrore, nën dhe mbitokësore. Po ripërmend pasuritë e parikuperueshme: Sektorin e naftës, bitumit, kromit, bakrit, hekurit, boksiteve, qymyrit, kripës etj. Sektorin e ujërave mbitokësore, lumenjtë, liqenet dhe detet. Sektorët e përpunimit në industrinë e rëndë, sektorin e industrisë së lehtë dhe ushqimore. Sektorin e bujqësisë, me nën degë peshkimin, dhe bimët medicinale, sektorin e agropërpunimit, etj., etj,.

Ja disa prej prodhimeve të realizuara në vitin 1988:

  • 1 milionë ton qymyr guri
  • 1 milion ton naftë bruto
  • 232 milionë m3 gaz natyror në 1989
  • 257 mijë ton gasoil
  • 109 mijë ton benzinë
  • 60 mijë ton vajguri
  • 84 mijë ton zhavorr bituminoz
  • 1 milionë ton mineral kromi
  • 160 mijë ton koncentrat kromi
  • 121 mijë ton koks nafte
  • 1 milionë ton mineral bakri
  • 55 mijë ton koncentrat bakri
  • 15 mijë ton bakër blister
  • 12 mijë ton tela bakri
  • 1 milion ton mineral hekuri
  • 97 mijë ton çeliqe të petëzuara
  • 39 mijë ton ferrokrom
  • 96 mijë ton nitrat amoni
  • 165 mijë ton pleh fosfatik
  • 76 mijë ton ure
  • 7 mijë ton letër shtypi
  • 3 milionë copë këpucë, çizme 487 mijë palë
  • 5 milionë llamba elektrike etj., etj

Në vitin 1988, nga industria siguroheshin 17.5 miliardë lekë, nga bujqësia 7.9 miliardë.

Të ardhurat nga sektori i bujqësisë ishin sa 45% e të ardhurave që siguroheshin nga sektori i  industrisë.

Në sektorin e industrisë, prodhimi i sendeve të konsumit zinte 36%, ndërsa prodhimi i mjeteve të prodhimit 63%.

Në sektorin e industrisë sektorët kryesorë kanë qenë:

  • industria mekanike me 13.7%
  • industria e lehtë me 14.8%
  • industria ushqimore me 22.8%,
  • industria kimike dhe e materialeve të ndërtimit 11.2% etj

Në sektorin e bujqësisë 62% e zinte sektori bujqësor.

Në Shqipëri ishin dy fabrika të fuqishme të prodhimit të plehrave kimike, nitrat amonit në Fier dhe superfosfatit në Laç. Një pjesë e prodhimit të tyre shkonte për eksport.

Industria ishte e përhapur në të gjithë rrethet e vendit, në bazën e parimit, për një zhvillim të balancuar rajonal, dhe nuk ishte e përqëndruar vetëm në qytetin e Tiranës. Sot mbi 80% të kredive i merr Tirana dhe Durrësi.

Pesha specifike për rrethet kryesore në përqindje, në prodhimin industrial ka qenë:

  • Berati 6.5%
  • Durrësi 10.3%
  • Elbasani 9.3%
  • Fieri 9.8%
  • Korça 7.9%,
  • Shkodra 7.2%
  • Tirana 19.5%
  • Vlora 7.6%
  • Mirdita 2.7%
  • Kruja 2.8%
  • Gjirokasrta 2.1% etj,.

Në të gjitha rrethet e vendit ka pasur linja prodhimi të industrisë së lehtë dhe ushqimore, linja të përpunimit të produkteve bujqësore dhe të industrisë së lehtë. Turizmi nuk ka qenë degë kryesore, por as degë ndihmëse. Prodhimi shqiptar mbështetej në Prodhimin Industrial, në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese. Në prodhimin dhe eksportimin e kromit për frymë, zinim vendin e katërt në botë. Pas industrisë vinte dega e bujqësisë.

I përmenda të gjitha këto në mënyrë që vëmendja të kalojë në prodhim, ashtu sikundër theksoi edhe Zoti Ruçi. Është sektori i prodhimit, ai që do të çeli vende të reja pune dhe do të çojë ekonominë përpara. Nuk mundet që një sektor shërbimi, siç është turizmi, të bëhet degë kryesore në një vend që ka pasuri të mëdha nëntokësore e mbitokësore.

Përmend vetëm Tiranën. Bashkia e Tiranës nuk ka si objektiv të numërojë plepat apo murizet që ka mbjellë, por ka për detyrë të përcaktojë zonën industriale të saj. Në vitet 1940, fashistët italianë që projektuan qendrën e Tiranës, puna e parë që bënë, projektuan zonën industriale të Tiranës, që i takonte fushës së vjetër të aviacionit. Kjo punë duhej bërë edhe sot. Në dy anët e rrugës Kombinat-Plepa-Durrës, mund të çeleshin mbi 100 sheshe ndërtimi për linja përpunimi e prodhimi të industrisë së lehtë dhe ushqimore.

Sa i përket sektorit të prodhimit, në rang vendi është e nevojshme të ndërmeret një studim dhe të përcaktohen sektorët kryesorë të prodhimit, sipas rretheve dhe qarqeve, ku do të mbështetet ekonomia shqiptare në 100 vitet e ardhshme. Duke e përfunduar theksoj, se përcaktimi i Kryetarit të Kuvendit Zotit Gramoz Ruçi “Ekonomia të orientohet drejt prodhimit” duhet të bëhet program pune për Bankën e Shqipërisë dhe për Qeverinë shqiptare. Vetë Kuvendi i  Shqipërisë ka asete intelektuale të realizojë një studim të tillë, dhe t’i paraprijë Qeverisë me mendimet e tij. Besoj se edhe universitetet shqiptare janë të gatshme të kontribuojnë për një studim të tillë, sepse Shqipëria, dhe e ardhmja e saj, ju përket të gjithve dhe jo vetëm  Partive Politike.