Gentian Çala: Reçesioni Ekonomik, rreziku i suicidit dhe i vdekjeve nga mbidozimi drogave

467
Sigal

Nga Gentian Çala

Në të njëjtën kohë po ndodh pandemia dhe reçesioni ekonomik, të cilat janë shoqëruar në të shkuarën dhe padyshim, aktualisht, nga rritja e problemeve të shëndetit mendor dhe fizik. Nëse katastrofa natyrore – pandemia, mund të ketë një pauzë gjatë verës, për tu rikthyer ndoshta në vjeshtë, kriza ekonomike mund të jetë më e shtrirë në kohë duke prodhuar papunësi të shtuar. Katastrofat natyrore kanë një efekt në terma kohorë më të shkurtër sesa ato ekonomike, që kanë një ndikim afatgjatë. Sipas FMN dhe BB reçesioni ekonomik në vendin tonë mund të jetë në nivelin -5%, kurse BERZH deklaroi se kjo mund të jetë deri në -9%.

Disa ekspertë të Shëndetit Mendor nga SHBA-ja kanë përllogaritur se si mund të jenë projeksionet e rrezikut dhe të prevalencës së vetëvrasjeve dhe të vdekjes nga mbidozimi me drogar, duke theksuar se në këtë kohë është e vështirë të parashikosh. Ata kanë përllogaritur se reçesioni në SHBA dhe shtimi i papunësisë do të shoqërohet me shtimin e problemeve të shëndetit mendor. Më të rrezikuarit duken grupet e pacientëve psikiatrikë dhe ata me sëmundje fizike kronike. Sipas tyre, për 1% rritje të papunësisë do të ketë rreth 1000 vetëvrasje më shumë në SHBA. Në studimin e të dhënave të reçesionit të madh (Milan and Co., 2008), kriza ekonomike fillimisht nuk u shoqërua me shtim të numrit të vetëvrasjeve, të cilat vazhdonin të shtoheshin edhe pasi gjendja ekonomike u stabilizua dhe papunësia u zvogëlua. Përsa i përket abuzimit të substancave dhe vdekjet nga overdoza, parashikimi ishte se vdekjet mund të shkonin deri në 1200 vdekje më shumë për 1% rritje të papunësisë, kurse në total do të kishte 100 000 amerikanë që do të shtoheshin numrit të abuzuesve me droga të forta (pa përfshirë alkoolin).

Duke qenë se vetëvrasjet ndërlidhen kryesisht me çrregullimet e humorit, grumbullimi i vetëvrasjeve shoqëron modelin sezonal të tyre, pra e ka pikun në pranverë (Mars-Prill) dhe në Vjeshtë. Parashikimet janë që rritja e numrit të tyre të mos jetë menjëherë tani. Sipas observimeve dhe studimeve, katastrofat natyrore dhe ato ekonomike, kanë pasur një vonesë deri në fillimin e numrit të vetëvrasjeve, përkitazi nga 3-6 muaj dhe 6-12 muaj, qē do të thotë se vëmendja duhet shtuar në Vjeshtën apo në Pranverën e ardhshme. Ka ende shumë paqartësi, por edhe sikur projeksionet të jenë të gabuara në vlera, ato do të shërbejnë që të marrim masat e nevojshme dhe të shpëtojmë jetë. Burimet e pakta që kemi në shëndetin mendor, kërkojnë patjetër rritjen e bashkëpunimit midis shërbimeve të Mjekut të Familjes dhe të Shëndetit Mendor.

Deri tani flitet për 60000 të papunë të krijuar nga kriza, të cilët sipas ekspertëve mund të arrijnë deri në 100000, gjë e cila mund të rriste papunësinë, sipas shifrave zyrtare, nga 11-12% deri në shifra prej 15-20%. Kjo situatë në kuptimin aftamesëm dhe afatgjatë do të shoqërohet me rritje të rrezikut për suicid dhe abuzim me substanca. Ndaj masat duhen menduar dhe duhen marrë që tani, në mënyrë që të kemi sa më pak humbje të jetëve.